Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar udhëzimet e reja për cilësinë e ajrit, të cilat shikojnë rënie të përqendrimeve që ndotësit kryesorë të ajrit nuk duhet të kalojnë, për të mbrojtur shëndetin e njeriut.

Të dhënat e shumëpritura, në dallim nga të mëparshmet e vitit 2005, bazohen në studimet e 15 viteve të fundit, gjatë të cilave u pa qartë se ndotja e ajrit është shumë më e dëmshme nga sa mendohej më parë.

Përllogaritjet e OBSH-së flasin për 7 milionë vdekje në vit, dëme të lidhura me smogun të krahasueshme me atë të pirjes së duhanit. Në dokument thuhet se në veçanti ekzistojnë prova shumë të forta të një lidhjeje shkakësore midis ekspozimit ndaj grimcave të imëta të pluhurit (PM2.5) dhe rritjes së vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet dhe rrezikut të zhvillimit të infeksioneve të frymëmarrjes, sëmundjeve kronike të mushkërive, atakut kardiak, kancerit të mushkërive dhe goditjeve në tru.

Përveç kësaj, një numër në rritje studimesh tregojnë një lidhje me diabetin e tipit 2, vdekshmërinë neonatale, peshën e ulët të lindjes dhe lindjet e parakohshme. Ndotja e ajrit mund të rrisë gjithashtu incidencën e një numri të madh sëmundjesh të tjera, duke përfshirë Alzhaimerin dhe sëmundjet neurologjike.

Ndotësit e konsideruar në udhëzimet e reja janë gjashtë: grimcat e imëta PM2.5 dhe PM10, ozoni (O3), dyoksidi i azotit (NO2) dhe dyoksidi i squfurit (SO2) dhe monoksidi i karbonit (CO).

Për pluhurin, udhëzimet përgjysmojnë kufirin vjetor për grimcat e imëta PM2.5, që shkon nga 10 në 5 mikrogramë për metër kub (μg/m3) dhe ulin atë të PM10 me një të katërtën, nga 20 në 15 μg/m3.

Akoma më drastike është ulja e dyoksidi i azotit NO2, ndotësi i bërë i famshëm nga emetimet e karburantit (dieselgate) në vitin 2015, vlera e pragut të të cilit shkon nga 40 në 10 mikrogramë për metër kub.

Gjithashtu, vendoset një kufi i ri për ozonin, i cili në periudhën e verës nuk duhet të kalojë mesataren ditore prej 60 mikrogramë për metër kub. Monoksidi i karbonit, një gaz i rrezikshëm veçanërisht në vendet e mbyllura, është një hyrje e re. Kufiri ditor është vendosur në 4 miligramë për metër kub.

Dyoksidi i squfurit (SO2) është i vetmi ndotës që shikon rritjen e pragut të tolerancës, nga 20 në 40 mikrogramë për metër kub. Vlerat e treguara kanë të bëjnë si me ajrin e jashtëm ashtu edhe me mjediset e brendshme. OBSH-ja vlerëson se respektimi i kufijve të rinj do të bënte të mundur uljen e numrit të vdekjeve nga smogu me 80%.

Udhëzimet nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por synojnë të peshojnë mbi udhëzimet e qeverive dhe autoriteteve. Pjesërisht për shkak se ndjeshmëria e opinionit publik është rritur, por edhe për arsye ekonomike shumë konkrete. Mesatarisht, në vendet e OSBE-së, kostot shëndetësore të smogut arrijnë në 5% të PBB-së.

Për më tepër, ndikimi është i destinuar të rritet, jo aq për shkak se ndotja po rritet, por sepse popullsia po bëhet më e ndjeshme ndaj dëmtimeve nga smogu. Siç shpjegoi Hans Kluge, drejtor i OBSH-së për Evropën në konferencën e prezantimit të raportit: “Ndotja është një faktor i rëndësishëm rreziku për sëmundjet kronike jo të transmetueshme, të cilat vazhdojnë të rriten edhe për shkak të plakjes së popullsisë dhe stilit të jetesës”.

“Ne e dimë se për shumë vende do të jetë e vështirë të arrihen objektivat e treguara në udhëzime. Për këtë arsye ne kemi përfshirë objektiva të ndërmjetëm, të krijuar për të favorizuar një proces që na lejon të arrijmë në rezultat hap pas hapi”, deklaroi Kluge.

Ai i referohet veçanërisht vendeve me të ardhura të mesme dhe të ulëta, të cilat shpesh kanë nivele shumë të larta ndotjeje, por nuk përjashtohet që rajone të caktuara të zonave më të pasura të botës të kenë një qasje të ngjashme.

Në lidhje me Bashkimin Evropian, është e mundur që udhëzimet e reja të stimulojnë miratimin e kufijve që ndikojmë më shumë në shëndetin e njeriut. Ato aktuale, në fakt, janë edhe më të larta se ato të rekomanduara nga OBSH-ja në vitin 2005.

Një studim italian, i botuar në “Environmental Research and Public Health”, paralajmëron për një aspekt më pak të njohur të ngrohjes globale. Sipas të dhënave të përpunuara nga Instituti Kombëtar i Tumoreve në Milano dhe Qendra Kërkimore në Rozzano, temperaturat në rritje përkeqësojnë efektet e smogut në shëndetin tonë.

Konkluzioni vjen nga një analizë e shtrimeve për sëmundje kardiovaskulare të regjistruara në spitalin “Humanitas” në vitet 2014 dhe 2015. Siç pritej, frekuenca e ngjarjeve është më e lartë në vjeshtë dhe dimër, kur përqendrimi i grimcave të imëta është më i lartë, por rritet edhe në ditët kur temperaturat janë më të larta, ndoshta sepse kur është vapë merret më shumë frymë dhe për këtë arsye më shumë ajër i ndotur futet në mushkëri.

Është zbuluar se sëmundjet e lidhura me ndotjen janë shumë më tepër sesa mendohej më parë. Në korrespondencë me kulmet e smogut, studiuesit gjetën rritje të shtrimeve në spital për probleme me veshkat, septicemi, infeksione urinare, sëmundje të lëkurës, probleme të zorrëve dhe kushte të tjera që asnjë studim i mëparshëm nuk i kishte lidhur me ndotjen.

Analiza konfirmon edhe të dhënat e hulumtimeve të tjera, të cilat kishin gjetur një lidhje midis pluhurit të imët dhe shtrimeve në spital për sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore, diabetin, sëmundjen e Parkinsonit dhe sëmundje të tjera.

Një tjetër fakt i rëndësishëm është se të gjitha këto efekte ndodhin tashmë në përqendrime më të ulëta se pragjet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të mbrojtur shëndetin e njerëzve nga smogu.

"Organizata Botërore e Shëndetësisë po përgatit një raport shumë të gjerë për rëndësinë e veprimeve për të zbutur efektin e ndryshimeve klimaterike. Këto veprime në fakt do të përcaktojnë përfitime të mëdha edhe për shëndetin. Dhe këto përfitime do të vijnë mbi të gjitha nga ulja e niveleve të ndotjes”, -deklaroi Maria Neira, drejtoreshë e Departamentit të Shëndetit Publik, Mjedisit dhe Përcaktuesve Socialë të Shëndetit në OBSH.

Veprimet që përmirësojnë cilësinë e ajrit kontribuojnë gjithashtu në trajtimin e ndryshimeve klimaterike dhe anasjelltas. “Për të reduktuar ndotjen globale, një nga sektorët kyç është energjia. Me udhëzimet nënvizojmë gjithashtu nevojën për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë, duke shkuar drejt energjive të rinovueshme dhe të pastra. Reduktimi i gazeve serrë, shkaku i ndryshimeve klimaterike dhe ndotja e ajrit janë dy shtyllat kryesore të politikave për të mbrojtur shëndetin e njerëzve”, -theksoi Neira.

Përgatiti: Irma Paloli