Në një pasditë të zakonshme, një palestër në distriktin Xuhui të Shangai-t është e mbushur plot, veçanërisht me njerëz në moshën mbi 55 vjeçe.
Kur hyni në këtë palestër, nuk do të mirëpriteni nga një muzikë ose një atmosferë e mbushur me adrenalinë si në shumicën e palestrave. Në të kundërt, do të zbuloni shumë pensionistë të ulur në karriget e masazhit (të cilat nxitin qarkullimin e gjakut), që ecin shpejt në makinat e vrapimit (të cilat kanë një shpejtësi maksimale të kufizuar), si dhe bëjnë stërvitje të gjoksit dhe këmbëve që kanë rezistencë më të paktë.
Atmosfera këtu është e qetë. Askush nuk ka atë ndjesinë e nxitimit.
"Vij këtu çdo ditë për të mbrojtur shëndetin, pavarësisht nëse është shi apo shkëlqen dielli," tregon 80 vjeçari Huo Guanmin, një mësues i shkollës së mesme në pension. Ai tha se ndryshimet që ka ndier qysh nga fillimi i stërvitje nuk ishin shumë të shpejta, por zbuloi disa përfitime me kalimin e kohës.
"Këmbët nuk më mpihen e nuk më fryhen më dhe fle më mirë. Përveç kësaj, qysh kur kam ardhur këtu, shenjuesi i antigjenit specifik të prostatës në analizat e gjakut që bëj është stabilizuar më tej. Kisha kancer të prostatës dhe bëra operacion në vitin 2016."
Huo nuk është i ri kur është fjala për stërvitjen. Më parë, ai ushtronte taiji në parqe. Por ai zbuloi se stërvitja në këtë palestër, në qendër të lagjes ku jeton, është e favorshme.
"Kjo është një platformë e madhe ku mund të zëmë shoqëri. Përndryshe, do të qëndroja vetëm me time shoqe në shtëpi çdo ditë. Sa fjalë mund të shkëmbenim?" bën shaka i moshuari.
"Pasi erdha në këtë palestër, fillova të njoh dhe të takohem me njerëz që jetojnë në ndërtesën time. Më parë nuk e njihnim njëri-tjetrin, megjithëse hynim dhe dilnim në të njëjtën hyrje. Tani, pas stërvitjes, ne mund të shkojmë jashtë dhe të hamë së bashku."
Huo shprehet se brezi i tij ka më shumë fat se brezi i kaluar që nuk kishte palestra për të moshuarit.
Sipas raportit, afro 30 palestra për qytetarët e moshuar funksionojnë në Shangai, dhe bashkia planifikon që ta shtojë numrin e tyre në të paktën 100 deri në vitin 2025.
Mënyra e funksionimit është kjo: bashkia e Shangait përgjigjet për ndërtimin e palestrës dhe pagesën e qirasë. Por operacionet e përditshme të palestrës menaxhohen nëpërmjet një kompanie palë të tretë. Shumica e këtyre palestrave janë ndërtuar brenda lagjeve të banimit.
Për 63-vjeçaren Xu Wenying, është bërë një rutinë e përditshme dhe një domosdoshmëri që të kalojë këtu për stërvitje. Xu e filloi stërvitjen në këtë palestër kur ajo u hap para dy vitesh, dhe ndihet se gjendja shpirtërore e saj është përmirësuar.
"Po, kam arritur të bie në peshë, megjithëse ha më shumë. Në të kaluarën, nuk guxoja që të haja tepër, ngaqë kisha frikë mos shëndoshesha”, shprehet ajo.
"Ndihem shumë e gëzuar. Njerëzit këtu janë në moshë të përafërt, prandaj kemi tema të përbashkëta. Tek e fundit, është e rëndësishme që të jem në një humor të mirë!"
Anëtarët paguajnë 69 juanë (afro 10 dollarë amerikanë) në muaj, pas zbritjes së kuponave sportivë të shpërndara nga Zyra e Sportit e Bashkisë së Shangait për të moshuarit. Çdo anëtari i bëhet një kontroll bazë shëndetësor para se fillojë stërvitjen në palestër. Edhe para ose pas çdo stërvitjeje, atyre u matet tensioni i gjakut.
Përveç pajisjeve të stërvitjes të përshtatshme për të moshuarit në palestër, këtu shfaqet edhe një video e përditshme "Brokada me tetë pjesë" (një stërvitje tradicionale qigong).
Kompania që e vë në funksionim këtë palestër, "Newbody Lohas", ka 23 palestra të tilla në Shangai tani. Ajo planifikon që të zgjerojë bizneset e saj për të mbuluar shumicën e lagjeve dhe zonave në Shangai. Ajo ka edhe ambicie për t'u zgjeruar në mbarë Kinën.
"Ne shpresojmë që të ofrojmë shërbime me vlerë të shtuar për të moshuarit në kohë, si mësimet e personalizuara një më një, dhe mund të shtojmë edhe elemente mjekësore në qendrat tona, përveç stërvitjes fizike," thotë zv.drejtori i përgjithshëm Wang Liang.
Është e zakonshme në Kinë që qytetarët e moshuar të stërviten, vallëzojnë në sheshe publike ose të bëjnë taiji.
Këto palestra shërbejnë si një alternativë, thotë Zhong Renyao, profesor në shkollën e administrimit publik në Universitetin Normal të Kinës Lindore.
"Me çlirimin e fuqisë së konsumit dhe shpenzimit të të moshuarve në të ardhmen, vëllimi i tregut të të moshuarve do të jetë shumë i madh," i tha Zhong CGTN-it.
Megjithatë, ai vuri në dukje se tani dëshira e të moshuarve për të shpenzuar para është shumë e ulët. Dhe në fakt, kjo është vështirësia më e madhe që përballon sektori i përkujdesjes ndaj të moshuarve.
"Kjo vjen për arsye se ata kanë jetuar në kohë të vështira dhe e kanë zakon që të mos shpenzojnë para për gjëra të panevojshme, edhe kur mund t’i përballojnë këto shpenzime. Por kjo do të ndryshojë për brezin më të ri, meqenëse pikëpamjet e tyre për shpenzimin janë të ndryshme," tha Zhong
Ai beson se kjo mund të ndryshojë nëpërmjet drejtimit të të moshuarve për të konsumuar dhe ofrimit të subvencioneve financiare. Kur dëshira e konsumit të të moshuarve të arrijë në njëfarë shkalle dhe faze, një model i operimit i drejtuar nga tregu do të lindë, tha ai. (Xu Guang)