Intervistë telefonike me nutricionisten Hyrida Basha
Hyrida Basha është në profesion nutricioniste. Ajo është diplomuar me master për dietologji, pranë Universitetit “La Sapienza” në kryeqytetin italian, Romë. Hyrida ka dhe një master si biologe molekulare dhe është pedagoge pranë Fakultetit të Bioteknologjise dhe Ushqimit (FBU), në Tiranë. Njëherësh ajo punon pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) në Fier.
Hyrida është e certifikuar nga Akademia gjermane ENeA, në Mynih, nga Federata Botërore e Obezitetit SCOPE dhe Universiteti Luwdvig Maximillian.
CMG: Hyrida sa e njihni ju veten dhe për çfarë?
Hyrida Basha : Kjo pyetje më ngacmoi si një libër i cili e ka titullin " Kush jam unë dhe pse". Në fakt këtë mundohem edhe unë ta zbuloj me veten time çdo ditë, por mendoj që ajo që duhet të bëjmë është të punojmë për veten, sepse nëse e njohim rrjedhimisht nuk kemi më për të bërë. Të bësh gjëra për veten është shumë e rëndësishme, por kuptohet që pa cënuar të tjerët dhe pa i prekur ata. Kam një parim që të bëj më të mirën që mundem unë dhe që kam unë në dorë, por dhe të mos cënoj lirinë e tjetrit.
CMG : Cilat janë parimet tuaja?
Hyrida Basha: Nëse unë shoh që dikë e lëndon ajo gjë që unë po bëj, nis gjithnjë të përmirësoj. Hyrida është një person që nuk ka rëndësi nëse ka dalë apo jo në TV. Nëse ka marrë apo jo grada, ajo vijon të punojë po njësoj si ajo studentja që ka dalë nga shkolla dhe bën 3 punë.
Kudo ku mund të dalë unë punoj, sepse këtë kulturë kam dhe për mua çdo gjë që bëj është mësim.
Të prekësh jetën do të thotë të vuash dhe të mos shndërrohesh.
CMG : Çfare ju ka mësuar jeta dhe si ka qenë fëmijëria juaj?
Hyrida Basha : Kjo mua më përlot. Kam pasur një fëmijëri të vështirë por edhe të shëndetshme. Mbaj mend që nëna ime gjithnjë na linte diku sepse kujdesej për babain, i cili ishte i sëmurë. Në vitin 97-të ai ka qenë shumë i sëmurë dhe na është dashur të kemi një imazh traumatik.
Kam pasur një mungesë atërore në familje sepse edhe kam qenë e lidhur me të. Ndaj largimi nga jeta i tij më ka bërë të kuptoj që çdo lloj iniciative që merr, nuk e merr për veten, por edhe për atë.
CMG : Për ta parë jetën me bukur, kur i ke kënduar për herë të fundit vetes?
Hyrida Basha : Unë kam mekanzma për të mos e lënë mendjen të ikë... Çdo qenie njerëzore ka momente që mërzitet, por unë kam një gjë shumë të mirë, që dëgjoj muzikë... Edhe kur babai im ndërroi jetë ngushëllim gjeja tek muzika.Muzika është emocion që të shëron. Kam pasur një parim që të qaj natën dhe ditën buzëqeshje në fytyrë!
CMG : A mund të shkojmë pak në kujtimet e tua në sirtar?
Hyrida Basha : Sikur të mundja unë do doja t’i ktheja kujtimet e adoleshencës. Imagjino pak që të jesh me 22 vajza në klasë, të vogla dhe naive. Të përkëdhelura dhe kudo bashkë. Ndaj, mund të them që ato vite kanë qenë shumë të bukura.
Privilegji më i madh në jetën time ka qenë se prej natyrës unë kam qenë një nxënëse shumë e mirë dhe isha unë që prezantoja dhe drejtoja. Kjo më ka dhënë një vetëvlerësim, të cilin unë nuk e shfrytëzova dhe keqpërdora. Unë kam mësuar shumë dhe kam pasur një fëmijëri, adoleshencë dhe rini të bukur.
CMG: Hyrida, si ndryshoi jeta juaj nga ardhja në jetë e një fëmije?
Hyrida Basha : Unë që thoja gjithmonë nuk mund të bëj një fëmijë pa mbushur 30-të, e solla atë në jetë që në 27. Ai tashmë është 6 vjeç. Ka qenë në fakt shumë e vështirë, sepse çdo gjë e bukur është e vështirë.
Nuk kam pasur një rrugë të shtruar dhe jam gjendur shpesh në rrugë të hapur për të gjetur punë. Kam punuar shpesh në firma jo të profilit tim.
Për fatin tim gjërat ndryshuan gradualisht. Njohja ime e dashurisë ka nisur miqësisht dhe në atë periudhë u stabilizova në punë dhe në familje.
Kjo ishte ajo që unë doja të kisha një stabilitet.
Nikola djali im erdhi i planifikuar sepse unë jetën e kam planifikuar në të gjjtha drejtimet.
CMG : Hyrida, për çfarë je më tepër mirënjohëse në jetë?
Hyrida Basha : Se pari për njerëzit që më rrethojnë. Zoti më ka bekuar me njerëz të mirë në jetën time dhe më ka dhënë durim.
Unë si natyrë jam impulsive, por nëse vendos kam durim ta arrij.
Nuk përdor arrogancën dhe jam me parimin që unë : " Jam e durueshme me qëllimin, për të dalë e imja ".
CMG : A mund t’i vendosësh një titull historisë së jetës tënde?
Hyrida Basha : Do ta kisha quajtur "Vullnet" dhe "Shpirt i butë". Pavarësisht se çfarë kaloj në jetë unë nuk e prish zemrën.
CMG : Cilën cilësi që të mungon, do të doje ta kishe?
Hyrida Basha : Zërin! Mua më pëlqen shumë të këndoj, por do thoja artin në tërësi. Dua të ndaj një detaj kur isha e vogël unë kërceja edhe pse nuk dija balet. Nga viti në vit mu dëmtuan gishtat e këmbës, të cilat më pas i bëra operacion. Kjo nga dëshira e madhe që kisha për të kërcyer dhe për të ndjekur ëndrrën.
CMG : Më mirë të dështosh, apo mos e provosh në jetë?
Hyrida Basha : Nëse ti nuk provon, ke dështuar! Unë kam dështuar në çdo marëdhënie dhe kjo më gëzon, sepse kam mësuar. E gabuar është të dështosh sërish në të njejtin vend, sepse ju mësuat tani është koha për ndryshim!
Intervistoi : Megi Latifi