Ndërsa në botë po fillon vaksinimi në shkallë të gjerë për koronavirusin, zyrtarët kinezë të shëndetësisë thanë të dielën se do të vaksinohet popullsia sa më shpejt të jetë e mundur.
Por, për shkak se kompanitë farmaceutike kineze ende nuk kanë publikuar të dhënat e tyre mbi rezultatet klinike në fazën e vonë, ka shqetësime mbi efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave.
I pyetur në një konferencë shtypi nëse vaksinat kineze janë efektive, meqenëse nuk kanë dalë të dhënat zyrtare, Zheng Zhongwei, zyrtari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë që kryeson ekipin e prodhimit të vaksinave kineze për COVID-19, u shpreh: "Mbi një milion doza janë përdorur për grupet me rrezik të lartë dhe asnjë efekt serioz nuk është raportuar deri tani."
Pekini ka miratuar përdorimin urgjent të tre vaksinave kandidate për grupet me rrezik të lartë qysh nga korriku. Ndër personat e vaksinuar, mbi 60 mijë kanë udhëtuar në rajonet me rrezik të lartë jashtë vendit, dhe asnjë infektim serioz nuk është raportuar, shtoi Zheng.
Kina e frenoi shpërthimin e koronavirusit në prill. Numri i rasteve të reja ditore deri në fund të marsit ishte rreth 20, nga mijëra në ditë në kulmin e epidemisë. Vënia nën kontroll e virusit në Kinë është një lajm i mirë, por nga ana tjetër, e ka bërë më të vështirë për prodhuesit e barnave dhe vaksinave që të vazhdojnë provat klinike, sepse tani ka shumë pak të sëmurë nga COVID-19 në Kinë.
Kompanitë kineze "Sinopharm" dhe "Sinovac" kanë bërë prova klinike në Brazil, Turqi, Indonezi dhe disa vende të tjera në Azi, Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme. Sipas të dhënave zyrtare, 75 000 pjesëmarrës janë vaksinuar dhe nuk janë raportuar efekte anësore të rënda.
Një ndër vaksinat kandidate të testuara në Emiratet Arabe të Bashkuara dhe Bahrejn për përdorim të përgjithshëm, tregoi 86 % efikasitetit pas provave. Megjithatë, prodhuesit amerikanë të vaksinave kanë raportuar se efikasiteti i tyre arrin në mbi 90 %.
Kryeministri i Emiratave Arabe të Bashkuara Mohammed bin Rashid Al Maktoum është vaksinuar nga vaksina e kompanisë Sinopharm
Vaksinat kineze kanë epërsi në periudhë afatshkurtër.
Vaksinat kineze të koronavirusit, për të cilat është përdorur teknologjia tradicionale e prodhimit, kanë më shumë epërsi në perspektivë afatshkurtër se ato të prodhuara nga kompanitë amerikane "Pfizer" dhe "Moderna", u shpreh një ekspert.
Lënda e parë për vaksinat kineze nuk do të jetë problem, për sa kohë ka pajisje prodhimi, tha për gazetën "South China Morning Post" Jerome Kim, drejtori i përgjithshëm i Institutit Ndërkombëtar të Vaksinave, duke shtuar se këto lëndë mund të prodhohen në mënyrë të thjeshtë.
Një teknologji e testuar mirë, si vaksinat e çaktivizuara, që është metoda e ndjekur për vaksinën "CoronaVac" të "Sinovac"-ut, përdor grimca virale të vrara për ta bërë sistemin imunitar të prodhojë antitrupa. Por vaksina mRNA si ajo e prodhuar nga "Moderna" dhe "Pfizer", përdor teknologji më të zhvilluar, duke injektuar pjesë të kodit gjenetik të koronavirusit në trupin e njeriut për ta bërë sistemin imunitar që ta sulmojë virusin.
"Për 'CoronaVac' është ndjekur një metodë më tradicionale, që është përdorur në sukses në shumë vaksina të njohura si ajo e tërbimit," u shpreh për BBC-në Luo Dahai, profesor i asociuar në Universitetin e Teknologjisë Nanyang.
"Vaksinat mRNA janë vaksina të tipit të ri dhe nuk ka shembuj të përdorimit të suksesshëm të tyre në popullatë," shtoi Luo.
Përveç kësaj, kufizimet potenciale të shpërndarjes së vaksinave të "Pfizer"-it dhe "Moderna"-s kanë lënë një hapësirë në ofertën globale, që mund të plotësohet nga prodhuesit kinezë të vaksinave.
Në bazë të teknologjisë së ndryshme të prodhimit, vaksinat kandidate kanë kërkesa të ndryshme për ruajtje dhe transport.
Dy vaksinat kineze mund të shpërndahen në 2 deri 8 gradë celsius, por vaksina e prodhuar nga "Pfrizer" duhet të ruhet dhe të transportohet në temperaturën - 70 gradë celsius.
Sa më e ulët të jetë temperatura që kërkohet, aq më e vështirë do të jetë që të shpërndahen gjerësisht këto vaksina. Mbarë procesi kërkon mbështetjen e mekanizmave të shpërndarjes frigoriferike dhe duhet të përgatiten paraprakisht gjëra të tilla si depot e ngrirjes në aeroporte, kamionët frigoriferikë dhe ngrirësit në vend. (Xu Guang)