Një nga temat më të nxehta në opinion publik shqiptar të këtyre ditëve është vaksina antiCOVID. Pas lajmit se qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen, duke u angazhuar financiarisht për të qenë pjesë e mekanizmit ndërkombëtar për sigurimin e vaksinës së sigurt antiCOVID, reagimet qytetare kanë qenë të ndryshme. Pandemia Covid 19 që nga shpërthimi i saj është shoqëruar me debate të shumta, deri mite dhe teori konspirative, një pjesë e të cilave kanë të bëjnë me vaksinën e pritshme. Shqiptarët nuk kanë qenë të imunizuar ndaj opinioneve pro dhe kundër vaksinës, ndaj të cilave ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.
Ditët e fundit në Tiranë u mblodh Komiteti i Ekspertëve të Imunizimit, i kryesuar nga ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Në fjalën e saj ajo tha se Shqipëria do të ketë të drejtën të zgjedhë vaksinën më të sigurt, duke u angazhuar financiarisht në një mekanizëm ndërkombëtar, ashtu si mbi 80 shtete të tjera në të gjithë botën, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Evropian.
“Bazuar në rekomandimet tuaja të vlefshme, Këshilli Ministrave ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit, nënshkrimin e marrëveshjes së angazhimit me aleancën Gavi, për sigurimin e vaksinës së sigurt kundër COVID19, nëpërmjet mekanizmit COVAX, ku aderojnë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e Bashkimit Europian”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë garantoi para ekspertëve se çdo hap drejt përzgjedhjes së vaksinës së sigurt do të hidhet me shumë kujdes.
“Do të jemi shumë të kujdesshëm, gjithmonë në konsultim me ekspertët për vaksinën e sigurt, kur ajo të miratohet, për të qenë të sigurt për vaksinën efektive. Por qeveria është angazhuar për të siguruar aksesin, kurdo kur kjo vaksinë të dalë”,u shpreh ministrja e Shëndetësisë.
Eksperti i Komitetit të Imunizimit, prof. Eduart Kakarriqi shprehu mendimin e tij lidhur me sigurimin e vaksinës antiCOVID
“Janë dy, marrëveshja e blerjes së përcaktuar dhe marrëveshja e blerjes opsionale, të cilën ne e përzgjodhëm si më të vlefshme për vendin tonë. Aktualisht janë ende në zhvillim e sipër një sërë vaksinash (rreth 200), por vetëm 20 prej të cilave janë në fazat e avancuara, pjesa më e madhe e tyre janë pjesë e mekanizmit COVAX. Ne jemi plotësisht të gatshëm, në pritje, në mirëpritje të vaksinës kundër COVID19 në kuadër të COVAX”, tha prof. Kakarriqi.
Garanci për aksesin e Shqipërisë në vaksinën e sigurt, sikurse vendet e zhvilluara e quajti prof. Gjeorgjina Kuli, anëtare e Komitetit të Imunizimit, pjesmarrjen në COVAX të Shqipërisë.
“E vlerësoj si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Shqipërisë në COVAX pasi kjo na e garanton aksesin, na garanton barazinë qoftë edhe me një vend tjetër që është edhe më i zhvilluar ekonomikisht dhe që ka më shumë mundëis për të marrë një akses direct në sigurimin e vaksinës antiCOVID, por nga ana tjetër na jep edhe garancinë për sigurinë e vaksinës”, tha prof. Kuli.
Shefja e shërbimit infektiv në QSUT,prof. Najada Çomo vlerësoi këtë zhvillim.
“Ne kemi kohë që jemi mbledhur lidhur me atë cfarë diskutohet orë pas ore për prodhimin e vaksinës dhe kemi bërë hapin e parë në sajë të qeverisë shqiptare, për të marrë masat që të jemi gati nëse vaksina del zyrtarisht e prodhuar, ne të kemi mundësinë për ta marrë dhe për ta aplikuar këtë vaksinë”, tha prof. Çomo.
“COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar (i përbërë nga aleanca Gavi, CEPI dhe OBSH) që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine. Fillimisht, pritet të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullsisë, për të vijuar më pas furnizimit të vendeve me pjesen e mbetur të dozave të kërkuara. Shqipëria është zyrtarisht pjesa e këtij mekanizmi, ku marrin pjesë 80 vende të botës. Sipas ministres së Shëndetësisë Manastirliu, lidhur me këtë çeshtje janë lënë të hapura disa kanale komunikimi me vendet e Bashkimit Evropian.
Eda Merepeza