Himara është një nga stacionet turistike verore më të frekuentuar të Shqipërisë nga turistët vendës dhe të huaj. Këtë verë kalendarit të veprimtarive artistike në bregdetin jugor të Shqipërisë iu shtua dhe një festival i ri muzikor. Gjatë muajit gusht Himara ishte mikëpritëse e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, prezantuar në pesë koncerte nga njëmbedhjetë artistë nga Shqipëria, Franca, Gjermania, Japonia, Kuba, të cilët luajtën muzikë klasike, tango, jazz dhe kontemporane. Rea Veizi drejtuese artistike e "Himara International Music Festival" për Grupin Mediatik të Kinës tregon se çfarë solli ky edicion i parë i festivalit.
Himara International Music Festival (Foto Facebook)
"Festivali ndërkombëtar i muzikës në Himarë u organizua për herë të parë këtë vit, duke ardhur në edicionin e tij të parë në fshatin e vjetër në Kishën e Gjithë Shenjtorëve nga 5-11 gusht. Dëshira për ta realizuar këtë festival lindi shumë natyrshëm si tek un po ashtu edhe tek drejtuesi tjetër i këtij festivali Endri Nini, duke qenë se kemi shumë kohë që e njohim Himarën dhe historinë e saj. Kemi pasur gjithmonë dëshirë të sillnim diçka artistike. Këtë iniciativë e realizuam këtë vit dhe jemi shumë të lumtur që kemi sjellë pesë netë me muzikë ndërkombëtare", thotë Rea Veizi.
Rrallë herë ndodh që artistët e huaj të jenë pjesmarrës në festivale të tilla, ndërsa Rea shprehet se si organizatore e këtij festivali i është dashur kohë dhe durim për t’i pasur ata pjesë të festivalit, duke qenë se agjenda e tyre është mjaft e ngjeshur.
Matthias Kirschnereit (Foto facebook)
"Për të realizuar një organizim të tillë me disa koncerte si në rastin e këtij festivali, përgatitjet nisin shumë kohë më përpara, si dhe përzgjedhja e artistëve dhe kontaktimi i tyre. Ne kemi hasur një qasje shumë pozitive nga artistët e huaj, sepse ata ishin tepër entuziastë për t’u njohur me jugun e Shqipërisë. Duke qenë se janë artistë me një agjendë shumë të ngjeshur, sfida jonë kanë qenë për të arritur dhe organizuar çdo gjë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për të gjetur hapësirë në agjendat e tyre. Jemi shumë të lumtur që kemi pasur mundësi të sjellim këta artistë që performuan këtë vit. Ka qenë një ndërveprim shumë i bukur mes nesh", thekson organizatorja e festivalit.
La Perle Palase (Foto personale)
Të dy drejtuesit artistikë të festivalit u bënë pjesë e interpretuesve të tij, duke luajtur bashkë me artistët e huaj pjesmarrës.
"Ne kishim dëshirë që në festival të mos vinim thjesht si drejtues artistikë, por dhe si artistë interpretë. Duke qenë se angazhimi ynë i përditshëm është dhe interpretimi në koncerte me muzikë dhome, unë luajta koncertin me titull "Paris ora zero”, i quajtur kështu pasi i kushtohet 100 vjetorit të vdekjes së kompozitorit francez Camis Sensëz dhe 100 vjetorit të lindjes së kompozitorit argjentinas Astor Piacola. U pritën shumë mirë mga publiku dhe u përqafuan në një formë shumë pozitive" , tregon ajo.
Momente gjatë festivalit (Foto facebook)
“Himara International Music Festival” ishte një sukses që tejkaloi çdo lloj pritshmërie, shprehet drejtuesja artistike Veizi, ndërsa shton se publiku ishte ai i cili vendosi për suksesin e këtij festivali.
"Reagimi i publikut ka qenë shumë i mire. Që në momentin kur filluam promovimin e festivalit vumë re që kishte një interesim nga ana e tyre. Në koncertin e parë morëm një feedback pozitiv dhe me kalimin e koncerteve kishte gjithmonë e më shumë njerëz që vinin për të parë artistët teksa performonin. Për ne kjo është diçka pozitive pasi vizioni që ne kishim për këtë festival u përqafua shumë mire, jo vetëm nga ata që e mbështetën festivalin, por edhe nga publiku", thotë drejtuesja artistike.
Pjesmarrësit në këtë festival patën fatin dhe mundësine unike të ndiqnin nga afër Matthias Kirschnereit, një nga pianistët gjermanë të nivelit ndërkombëtar, i cili performoi një program me vepra të padëgjuara të repertorit pianistik të kompozitorëve të njohur.
Rea Veizi (Foto facebook)
"Që në fillim kur nisëm krijimin e programacionit kishim dëshirë të kishim ndërthurje të zhanreve të muzikës dhe kemi pasur jazz, tango, formacione due, quartet, kuintet, formacione me harqe, vokale. Kjo u prit shumë mirë dhe disa prej ndjekësve të njërit koncert vinin dhe tek koncertet e tjera. Kemi pasur artistë shumë të mirë si pianisti i njohur gjerman Mattihas Kirschnereit një nga pianistët më të mirë të gjeneratës së tij, i cili solli vepra nga Bethoven. Ky ishte një koncert që zbulonte për publikun vepra që luhen pak, prandaj dhe koncerti quhet “discoveries” -zbulimet. Kishte shumë artistë të tjerë, të cilët luajtën në zhanre të ndryshëm dhe kjo u prit shumë mirë nga publiku.", tha Veizi.
"Himara International Music Festival" u mbështet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Himarë si dhe Ambasada Franceze.