Sunny Hill Festival (Foto nga instagrami)

Sunny Hill Festival (Foto nga instagrami)

Po afron data e koncertit të madh që do të zhvillohet në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, Sunny Hill Festival Tirana 2022. Për tre netë me rradhë do të performojnë yjet e muzikës të ftuar nga këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të hapësirës ku do të zhvillohet festivali, u shpreh i bindur se ashtu siç u menaxhua ndeshja e finales së Konferencë Ligës, me të njëjtin sukses Tirana do të presë dhe festivalin Sunny Hill Festival Tirana 2022. Ai e ka konsideruar këtë koncert, si aktivitetin më të madh kulturor në vitin që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Këtë vit i gjithë stafi i “Sunny Hill Festival” do të transferohet për herë të parë në Shqipëri, ku do të mbahet në datat 26, 27 dhe 28 gusht 2022.

Pritet që ky festival të sjellë të rinj nga i gjithë Ballkani, si dhe nga Italia, Greqia etj. Të gjithë ata që duan të jetë të pranishëm, festivali do të zhvillohet në hapësirën nga Fari dhe fusha e kalçetos, që është përballë pjesës së vjetër të liqenit, e cila ka korsi biçikletash, vrapimi dhe ecjeje.

Alban Kastrati, pjesë e stafit organizator të “Sunny Hill Festival” ka theksuar në median shqiptare se, bileta do të jetë 100 Euro për të ndjekur 3 netë me rradhë të festivalit. Deri tani janë konfirmuar emrat e parë që do të jenë në Tiranë: reperi i famshëm italian mjaft i pëlqyer edhe në Shqipëri, Fedez, këngëtarët e dashur për publikun shqiptar Dren Abazi dhe Elgit Doda, këngëtarja kosovare Dafina Zeqiri, DJ Regard , Dj Merk & Kremont, DJ Drop G dhe Tananai, etj.

Kujtojmë se bileta e Prishtinës për “Sunny Hill Festival” do jetë e vlefshme edhe në Tiranë. Njoftimin e ka dhënë personalisht Dukagjin Lipa, babai i Dua Lipës dhe organizator i festivalit i cili shkruan: “Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se bileta juaj e Prishtinës është e vlefshme për Sunny Hill Festival Tirana gjatë datave 26, 27 dhe 28 gusht. Bëhuni gati për të shënuar muajin më të mirë ndonjëherë! Me dashuri, ekipi i festivalit Sunny Hill”, shkruan Dukagjin Lipa në një postim në rrjetet sociale. Shumë surpriza priten të ndodhin në vazhdim. (Sava Lena)