Klevis Tafaj është nga Tropoja dhe prej 8 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Djaloshi i talentuar është një ndër balerinët më të njohur dhe të suksesshëm aktualisht në botë, pjesë e “Ajkun Ballet Theatre”, në New York. Një balerin i ri, i cili është i pari shqiptar që ka fituar një konkurs ndërkombëtar që i ka dhënë të drejtën e studimeve në SHBA. Ëndrra e tij, pasioni, puna dhe vullneti i hekurt e ka çuar gjithmonë përpara. Klevisi ka qenë ekzekutues në balete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit në disa role kryesore.
Balerini Klevis Tafaj ne Ajkun Ballet Theater (Foto personale)
Karriera e tij nisi ne Teatrin Kombëtar të Opreas dhe Baletit për t’u stacionuar tashmë në Nju Jork. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Klevis tregoi më tepër për karrierën e tij dhe vështirësitë që ka hasur për të arritur aty ku është sot, por dhe arritjet e pritëshmëritë për të ardhmen.
CMG: Si lindi pasioni për baletin dhe fillimet tuaja në këtë fushë të artit?
Klevis Tafaj: Të them të drejtën unë nuk kam pasur pasion baletin, por kjo ka qenë më shumë dëshira e babait. Ai ka qenë shtysa që unë sot jam pjesë e baletit. Në verën e vitit 2004, babai vendosi që unë të ndërroja shkollën. Unë i thashë se përse do e ndërroja shkollën, sepse unë isha mësuar me shkollën time dhe me shokët. Duke ecur rrugës me makinë arritëm te Shkolla e Baletit, e cila në atë kohë ishte në rikonstruktim. Kur u futëm te salla e provave, hapa derën dhe pashë disa vajza dhe djem dhe mendova se do bëj cirk dhe e pyeta babain se çfarë do të bëja unë aty. Ai më tha se do bëhesha balerin, kurse unë i thashë se nuk ka shanse të bëhem balerin.
Mendimi i parë që më shkoi në mendje ishte se çfarë do të mendojnë shokët për mua. Unë me origjinë jam nga Tropoja dhe shumica e njerëzve kur më pyesin se nga jam, më thonë edhe tropojan dhe balerin nuk ka mundësi.
Klevis Tafaj , Ajkun Ballet Theatre (Foto personale)
CMG: Pra babai juaj ka qenë një mbështetje dhe shtysë e madhe në këtë rrugëtim?
Klevis Tafaj: Unë e vlerësoj shumë sepse më ka futur në një rrugë që unë e dua, në një profesion që e bëj me dëshirë dhe shpirt, dhe ka qenë zgjedhja e mirë e babait tim që ka bërë në jetë. Unë e vlerësoj këtë gjë sepse është diçka që nuk e përshkruaj dot me fjalë, por shpirti dhe zemra ime e di pasionin dhe përkushtimin që kam për baletin.
CMG: Pasi mbaruat Shkollën e Baletit në Tiranë, punuat në Teatrin e Operas dhe Baletit si balerin apo shkuat direkt në SHBA?
Klevis Tafaj: Unë kam punuar në TOB dhe aty kam bërë dhe disa role solistike, ku një ndër rolet më kryesore ka qenë te baleti “Halili dhe Hajria” i cili është baleti i parë shqiptar, dhe unë kam bërë rolin e Sokolit. Ky rol më ka lënë mbresa dhe do ta kujtoj gjatë sepse të dalësh direkt nga shkolla e të kërcesh për një vit rolin e Sokolit në baletin e parë shqiptar, është diçka me të vërtetë e arritur dhe gjithmonë do të mbetet në memorien time artistike.
Klevis Tafaj (Foto personale)
CMG: Preferoni më shumë të kërceni në baletin klasik apo atë konteporan?
Klevis Tafaj: Unë jam tek baleti klasik edhe pse drejtoresha ime te “Ajkun” aplikon më shumë bazat klasike, por edhe kontenporanin edhe pse unë kam qenë më shumë tek baleti klasik.
CMG: Kur keni shkuar në SHBA dhe si u integruat me jetën atje?
Klevis Tafaj: Unë pas një viti që punova në TOB, fatkeqësi që vendi nuk të lejon hapësira që të ecësh pak përpara, sepse edhe pse punoja aty nuk kisha një kontratë dhe ishte shumë e vëshitrë për mua që të mbështesja veten. Në vitin 2013 fitova një konkurs “Danza Europa”, që është në San Marino në Itali, ku dhe kompania që unë sot punoj po bënte audicione. Arrita të fitoja çmimin e parë në atë konkurs. Aty ishin mbi 500 konkurentë dhe me anë të atij çmimi të parë mua mu dha e drejta të vija në SHBA për një “summer intensive”, që është një program veror ku të jep mundësinë që ti të vish dhe të praktikohesh. Falë atij “summer intensive”, kompania pa potencialin që unë kisha dhe dëshira që kisha për baletin dhe më ofruan 1 vit trajnim. Në fund të vitit 2014 mbasi mbarova trajnimin, arrita të merrja dhe një kontratë pune ku dhe sot po vazhdoj karrierën.
Klevis Tafaj gjate nje performance (Foto personale)
CMG: Sa e vështirë ka qenë për ju futja në “Ajkun Ballet Theater” në New York?
Klevis Tafaj: Unë jam në Ajkun Ballet Theater që është një prej kompanive jo vetëm shumë e rëndësishme në SHBA, por është një kompani e njohur ndërkombëtarisht, duke filluar nga Australia, Europa, Azia. Të them të vërtetën është jashtëzakonisht e vështirë të vish në një vend si New York, duke pasur parasysh që konkurenca është shumë e fortë.
Ka qenë e vëshitrë, por unë dua të them se është e vëshirë të arrish majën, por është 10 herë më e vëshirë të mbash majën. Këtë gjë kam kuptuar, por Nju Jorku, ndonëse është vendi i mundësive por dhe vendi ku gjithmonë ke brryla dhe mundohen të të marrin vendin, kështu që duhet të punosh fort. Unë mendoj se si çdo profesion tjetër vështirësitë janë, por varet sesi ti je i fokusuar për të arritur suksesin dhe atë që ti dëshiron.
Klevis Tafaj gjate nje performance me partneren e tij (Foto personale)
CMG: Cilat kanë qenë vendet e tjera ku keni dhënë shfaqje dhe si jeni pritur nga publiku?
Klevis Tafaj: Unë kam dhënë shfaqje dhe në Europë, Itali, Gjermani, Francë. Akoma nuk kam dhënë në Spanjë dhe të them të vërtetën Europa të pret jashtëzakonisht shumë mirë, janë shumë të sjellshëm dhe e pëlqejnë artin. Kur kam shkuar në Amerikën Latine, në Argjentinë, Brazil dhe Bolivi ka qenë një mikëpritje e jashtëzakonshme, njerëzit shumë të apasionuar pas artit, dhe mbresat që më kanë lënë këto tre shtete kanë qenë të mëdha, sidomos në Brazil kur kemi mbaruar shfaqjen duartrokitjet nuk kanë pushuar për 20 minuta. Unë me partneren time hynim e dilnim nga skena sepse nuk pushonin duartrokitjet dhe ka qenë diçka shumë e bukur.
CMG: Si i mbani lidhjet me Shqipërinë dhe a e vizitoni shpesh vendlindjen?
Klevis Tafaj: Unë kontakte kam edhe pse shumica e miqve të mi janë në teatrot e Europës. Gjithashtu kam miqësi edhe në TKOB në Tiranë, ku kam shkokë klase që sot janë balerinë të parë të teatrit. Kam ardhur në Shqipëri edhe pse kisha vite që nuk vija, gati 5 vite sepse puna këtu nuk të lejon që të kesh shumë hapësira. Unë vij në Shqipëri dhe do vij prapë tani sepse kam njerëzit e mi, kam xhaxhallarët dhe më pëlqen të vij të vizitoj edhe vendin ku kam lindur se më merr malli.
Klevis Tafaj gjate nje shfaje baleti (Foto personale)
CMG: Për çfarë ju merr malli më shumë në vendlindje?
Klevis Tafaj: Shpeshherë më merr malli për malet sepse unë jam nga Tropoja dhe pse jam rritur në Tiranë, por është ajo ndjesia që të vish dhe shikosh ato male, të ndjesh dhe njëherë aromën e vendit që ti je lindur. Shqipëria i ka bukuritë e veta dhe njerëzit duhet ta shikojnë me atë sy edhe pse shumica duan që të ikin. Kam dëshirë të vij dhe të shikoj ku jam rritur.
CMG: Përveç baletit që tashmë e keni profesion dhe pasion, keni hobe të tjera në jetë?
Klevis Tafaj: Unë kam qejf sportet edhe pse më pëlqen shumë futbolli dhe jam i pasionuar pas këtij sporti dhe e ndjek, por nuk luaj dot sepse jam balerin. Gjithashtu më pëlqen të notoj, më pëlqen të luaj tenis dhe shpeshherë të shumtën e kohës kam qejf të shkoj dhe shikoj gjëra që dalin në treg sepse jam shumë i modës. Më pëlqen që kur jam i lirë të shikoj nëse kompanitë e mëdha kanë zbuluar ndonjë material. Këto janë hobet e mia dhe kur kam kohë të lirë bëj fitness.
CMG: Keni dëshirë që në një të ardhme të vini në Shqipëri për një shfaqje baleti për publikun shqiptar?
Klevis Tafaj: Dëshira është sepse gjithësesi të performosh përpara publikut tënd është diçka jashtëzakonisht e mirë dhe të jep një emocion të fortë. Edhe pse në SHBA unë kam një mbështetje të jashtëzakonshme nga komuniteti shqiptar dhe për çdo shfaqje më vijnë gati 30-40 që më shikojnë. Nuk kam akoma plane konkrete sepse jam në fillimet e karrierës, por në të ardhmen shpresoj dhe do të jetë me të vërtetë një kënaqësi për mua që të performoj para publikut shqiptar në Shqipëri.
Klevis Tafaj me partneren e tij gjate nje performance (Foto persoale)
CMG: Cilat do të jenë projektet tuaja artistike në të ardhmen?
Klevis Tafaj: Unë me kompaninë time kam dy shfaqje. Gjithashtu do të iki në Itali sepse kam një shfaqje gala, pastaj do kethehem në Argjentinë, ku do kem dy shfaqje gala. Këto janë projektet për momentin, por planet do të jenë që të jemi gjithmonë në ture, ashtu si kemi qenë para pandemisë.
CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Klevis Tafaj: Ju falenderoj shumë. Për mua ishte kënaqësi të ndaj historinë time, duke dhënë një mesazh që çdo njeri mundet të arrijë atë që do, vetëm duhet të ketë përkushtimin për atë që dëshiron. Unë besoj se çdo njeri me vullnetin dhe dëshirën mund të arrijë atë që dëshiron, pavarësisht pengesave. Ne jemi ata që krijojmë fatin tonë dhe jemi ata që e arrijmë atë që dëshirojmë. Ky është mesazhi im për të gjithë.
Intervistoi: Gazmend Agaj