Luka Hajdini është këngëtare dhe autore këngësh, e cila fillimet e saj i ka në vitin 2004, ku mori pjesë në spektaklin televiziv “Ethet e së Premtes 2”. Në vitin 2007 ajo mori pjesë në “Top Fest 4” me këngën "Për një fjalë", ndërsa në shtator të vitit 2011 publikoi videoklipin "Këtë natë", ku për këngët muzikë dhe orkestrimin është kujdesur vëllai I saj Serxhio HD, më të cilën mori pjesë në spektaklin “Netët e Klipit Shqiptar 11”, në vitin 2012. Në dhjetor të vitit 2016, Luka dhe vëllai i saj Serxhio Hajdini morën pjesë në Festivalin e 55-të të këngës në RTSH me këngën "Koha plaket".
Luka jeton mes dashurive të mëdha për artin e pikturës dhe muzikën, që e mbushin atë me energji pozitive për të ecur përpara. Luka jetoi për pak kohë në SHBA, ku realizoi disa ekspozita në pikturë, ndërsa aktualisht jeton në Itali, ku interpreton muzikë live, por njëkohësisht është duke punuar për një material të ri muzikor, që pret ta publikojë bashkë me vëllain e saj, Serxhio.
Luka Hajdini (Foto nga Instagrami)
CMG: Përshëndetje Luka! Ti je e njohur për publikun shqiptar nga spektakli "Ethet e së Premtes" dhe Zhani Ciko në atë audicion ka thënë se ti ke një zë të madh dhe e bën muzikën në mënyrë të natyrshme. Çfarë kujton nga ajo kohë dhe sa të ka ndihmuar natyraliteti për të ecur me muzikën?
Luka Hajdini: "Ethet e së premtes" nuk kanë qenë veç një eksperiencë, ato kanë shënuar tek unë një rrugë që vazhdoj e ndjek deri më tani.
Luka Hajdini (Foto Instagrami)
CMG: Ti je diplomuar për pikturë, por muzika është një dashuri e hershme. Cila nga të dyja ka arritur të triumfojë në zemrën tënde?
Luka Hajdini: Nuk e di, përse duhet të zgjedh midis të dyjave? Mendoj se kam arritur t’i gërshetoj mirë bashkë.
CMG: Ti udhëtove drejt SHBA-së për të realizuar një ekspozitë pikture. Si është marrëdhënia me pikturën sot?
Luka Hajdini (Foto nga Instagram)
Luka Hajdini: Eksperienca e Nju Jork ishte si ndryshim i jetës. Piktura, arti janë tashmë pjesë e jetës time. Kohët e fundit po filloj të eksperimentoj në fushën e design-it, duke përkufizuar artin tim me përditshmërinë. Më saktë jam duke përgatitur linjën time të veshjeve prej lëkure edhe më pas ato do të jenë të pikturuara me dorë nga vetë artisti, që jam unë në këtë rast. Do të jetë një koleksion shumë i limituar, pasi deri tani unë nuk kam krijuar skuadrën time, kështu që nuk kam shumë ndihmë. Por mund të them që këto dy duar janë shumë të lumtura që po ndjekin pasionin tim të hershëm, zemrën.
Më ndiqni në instagramin tim Lukahajdini dhe aty do të mund të jeni prezent kur ky koleksion ekskluziv të publikohet. Do të ketë edhe shumë surpriza të tjera që së shpejti do t’i mësoni nëpërmjet rrjeteve të mia sociale, prandaj më ndiqni për të mësuar më tepër.
CMG: Unë të kam ndjekur në rrjetet sociale se live-t e tua janë të shpeshta, ku interpreton covera të njohura. Çfarë komentesh ke dëgjuar nga publiku që të ka ndjekur live?
Luka Hajdini (Foto nga Instagrami)
Luka Hajdini: Ah, faleminderit shumë! Unë e kam pak të vështirë (qesh) që të vetëkomplimentohem, pasi jam natyrë shumë modeste. Mirëpo në çdo audiencë, qoftë e madhe apo e vogël, e kam ndjerë dashurinë e shikuesve. Kam performuar në shumë vende të botës, edhe jam ndjerë gjithmonë "loved", madje magjia ndodh që në notat e para, kur sapo fillon kënga. Ky emocion është i pashpjegueshëm. Është kjo dashuri që të çon përpara.
CMG: Në një intervistë në një television në Nju Jork ti ke theksuar se pas studimeve në Itali, ke dëshirë t’i kushtosh vëmendje studimeve për muzikë në SHBA. Sa i je kushtuar muzikës gjatë këtyre viteve që ti ndodhesh atje?
Luka Hajdini (Foto Instagram)
Luka Hajdini: Tek unë ka qenë çdo gjë me vesh, mendoj se jam talent i lindur.
CMG: A ke kontakte dhe bashkëpunime me artistë të tjerë shqiptarë?
Luka Hajdini: Patjetër! Mund të përmend shumë miq artistë që kam patur fatin të njoh edhe t’i konsideroj miq. Edhe pse të paktë, pasi fryma atje është me drejtim nga konkurenca. Midis tyre përmend të bukurën Merita Halili, Gerona Hyskaj ma ka marrë zemrën, Mira Konçi, Faton Macula, e shumë të tjerë. Kam plane për bashkëpunime mirëpo kam dëshirë të ndjek një tjetër rrugë, ndoshta jo shumë të përshkuar nga artistët shqiptarë, ajo e vetëpublikimit. Atë të artistëve të pavarur, e cila është rrugës...
Luka Hajdini (Foto nga Instagram )
CMG: Luka, ti rrjedh nga një familje artistësh, por ajo më e afërta është me vëllain tënd, artistin e ri, por shumë të talentuar Serxho Hajdini. Sa e ndihmoni ju njëri -tjetrin për të ecur përpara?
Luka Hajdini: Serxho është gjithmonë prezent kur bëhet fjalë për zgjedhje muzikore. Ne të dy kemi bashkëpunuar në disa projekte muzikore, unë kam krijuar tekste muzike për Serxhon, kemi edhe dy projekte të papublikuara, pasi unë nuk jam shumë aktive sepse përveç pikturës e muzikës, jam edhe nënë e bashkëshorte e lumtur. Kështu që jam e dashuruar me familjen time dhe shumë kohë nga koha ime shkon drejt asaj, përveç punës si artiste e piktore.
CMG: Ju së bashku keni disa bashkëpunime, ndër to edhe pjesëmarrjen në Fest '55. Do vazhdoni me bashkëpunime të tjera në të ardhmen?
Luka Hajdini: Do të kthehemi me një duet funky me Serxhon... Oops, le të themi që nuk jam shumë e mirë për surpriza (haha). Unë e admiroj atë, për shijen kontemporane muzikore, e kam vënë re që në fillimet tij, dhe jam mbështetësja numër 1 e Serxhos. "I love you Serxho".
Luka Hajdini (Foto nga Instagrami)
CMG: Luka, a do të të shohim sërish në Festivalin e Rtsh-së?
Luka Hajdini: Ah, sa mirë do të ishte ! Do të më pëlqente shumë. Pse jo, dua të rikthehem.
CMG: Cilin kompozitor ke dëshirë që të zgjedhësh për të bashkëpunuar për festival?
Luka Hajdini: Unë kam dashur që të vihem në kontakt me Flori Mumajesin sërish, pasi shumë vite më parë kishim një bashkëpunim, por që për disa arsye nuk u bë e mundur. Do më pëlqente që të bëja një këngë me të. Kështu që, hej një thirrje kjo e drejtëpërdrejtë, nëse më dëgjon apo më lexon, i dashur Flori Mumajesi, do më pëlqente një bashkëpunim, pse jo për festivalin e RTSH-së.
CMG: Me çfarë po merresh aktualisht?
Luka Hajdini ne koncert live ne New York (Foto nga Instagrami)
Luka Hajdini: Aktualisht ndodhem në Itali, jam spostuar nga Nju Jorku. Jam duke punuar për koleksionin tim të veshjeve prej lëkure, të pikturuara me dorë nga unë. Gjithashtu jemi duke organizuar evente live ku unë këndoj dhe performoj. Kam krijuar një grup shumë interesant dhe kam shumë njerëz që më ndjekim në këto koncerte ku jam shumë e angazhuar me këtë projekt. Ndoshta do të zgjerohet në vende të tjera, kemi shumë plane të bukura për këtë, por edhe bashkëshorti im Flavio, jemi të dy duke dhënë zemrën dhe shpirtin për këtë projekt, pasi e shohim se do të ketë një zhvillim të mëtejshëm në të ardhmen.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Luka Hajdini ne koncert ne NY (Foto nga Instagrami)
Luka Hajdini: Planet e mia janë të shumta, por muzika dhe piktura janë prezente gjithmonë. Siç e përmenda mezi po pres të prezantoj koleksionin tim të veshjeve të lëkurës, që janë punime me dorë. Mund të them se do vij shumë shpejt me një projekt shumë të ri muzikor, që është shumë i lidhur me botën spirituale dhe besoj se do të jetë shumë i suksesshëm dhe publiku do e përqafoj mjaft mirë . E përsëris se ky do të jetë një projekt i imi personal dhe shpresoj që të kem gjithë mbështetjen e publikut shqiptar, por pse jo edhe internacional.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe shumë suksese!
Luka Hajdini: Unë të falenderoj përzemërsisht që më dhe mundësinë e kësaj interviste, dhe përshëndetje për të gjithë dëgjuesit dhe gjithë stafin. Ju uroj gjithë të mirat dhe përqafime nga Luka Hajdini.
Luka Hajdini ne spektaklin Ethet e se premtes (Foto nga youtube)
Intervistoi: Sava Lena