Zina Zdrava e nisi rrugën e bukur të këngës në qytetin e Elbasanit, për të arritur majat në skenat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Ka studiuar për kanto, por asnjëherë nuk la pas dore këngën popullore, e cila i dha famën në trevat shqiptare. Ajo perveçse një këngëtare profesioniste, në karrierën e saj ka një kontribut të çmuar dhe në fushën e mësimdhënies. Para pak kohësh Zina Zdrava është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”nga ish presidenti i Republikës Ilir Meta.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), znj.Zdrava tregon për karrierën e saj artistike si dhe projektet në vazhdim.
Zina Zdrava (Facebook)
CMG: Znj.Zdrava përshëndetje dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Bio Bolk.
Zina Zdrava: Unë ju falenderoj që jam pjesë e emisionit Bio Folk. Ky emision është shumë i këndshëm që tregon vlerat e artit tonë të vërtetë, artit të këngës popullore. Sigurisht që është një jetë që unë kam kontribuar në këtë fushë, dhe do të thoja që është kënaqësi që t’i ndash të gjitha emocionet dhe kujtimet me dëgjuesit, por dhe me miqtë që janë artdashësit e mi dhe më ndjekin kudo ku unë performoj.
Zina Zdrava me kostum popullor (Facebook)
CMG: Kur keni filluar ta kultivoni këngën popullore shqiptare?
Zina Zdrava: Këngën popullore kam filluar ta kultivoj që e vogël. Do të thoja diçka që këngëtari lind, sigurisht që gjatë jetës rritet dhe krijon një figurë të tij. Kënga popullore është diçka që fle brenda meje dhe aq më tepër që është e kultivuar nga gëzimet që janë bërë në familje, nga këngët që dëgjoheshin atëhere në radio, nga këngëtarë të ndryshëm që neve gjithmonë kemi pasur etalonet dhe unë i dëgjoja, siç ka qenë Hafsa Zyberi, Fitnete Rexha, Luçije Miloti, Naile Hoxha dhe shumë këngëtarë të tjerë sepse në atë kohë këto ishin më të spikaturit ngaqë ishin dhe zëra femrash dhe mua më përshtateshin.
Sidomos këngët e Hafsa Zyberit dhe një ndër ato këngë ishte “S’paske pas një pikë mëshirë” ose “Unë ty moj të kam dasht” dhe shumë këngë të tjera, të cilat janë këngë popullore të mirëfillta të Elbasanit. Unë këngën e kam të trashëguar edhe nga prindërit e familja. Nuk e dija që shumë nga familjarët e mi dinin të këndonin. Nuk e kisha zbuluar këtë gjë, por rastësisht në një gëzim familjar që ishim, dëgjoj vajzën e tezes dhe tezen që këndonte. Ato nuk jetojnë më, por ka mbetur zëri i tyre në veshin tim dhe thashë se unë diku i paskam rrënjët dhe doli që vërtetë zëri trashëgohet, aq më tepër që kam pasur dhe nënën time që këndonte.
CMG: Një jetë në skenë me këngën popullore. Sa e përmbushur është Zina me karrierën e saj artistike?
Zina Zdrava: Sigurisht është një jetë, por gjithmonë njeriu kërkon nga vetja dhe mendoj që mbase duhet të kisha dhënë akoma më shumë. U krijuan situata të tilla, por gjithësesi unë jam e përmbushur mbasi edhe pse patëm tranzicionin, ku ne na kapi në një moshë relativisht të re, unë pata mundësinë që këngën tonë të bukur ta përçoja nëpër vende të ndryshme të Europës, të ishim si ambasadorë të artit tonë shqiptar, dhe për këtë jam e kënaqur.
Mund të them që edhe pse këtu ne arrinim të bënim inçizime të këngëve apo të dilnim në TV, sepse televizioni është ai që të lançon dhe të jep emër, përsëri e kishim një lloj mundësie për t’u lançuar. Më kujtohet kur ishim në Francë dhe bëmë një CD dhe unë aty kam 16 këngë që kam kënduar. Kemi qenë me grupin e të rinjve të Tiranës, dhe ai ishte një grup shumë prestigjoz sepse kishte këngëtarë shumë të mirë. Ka qenë profesor Ibrahim Tukiçi si këngëtar, kam qenë unë, kishte valltarë të mrekullueshëm që nga Ambeta Toromani dhe balerinë të tjerë, që sot kanë bërë emër. Mundësia që ne na u dha atje në një studio për inçizim ishte një gjë shumë e madhe dhe këngët u ruajtën ashtu sikurse ishin kënduar dhe pa ndonjë ndërhyrje që të modernizoheshin.
Gjithashtu edhe orkestrina i përshtatej këngës ashtu si janë kënduar dikur. Kjo gjë mua më ka plotësuar sepse përveç Francës kam dhënë kontributin tim në shumë vende të Europës dhe kjo më bën që të jem e kënaqur dhe e plotësuar në atë çka unë kam dashur të arrij.
Zina Zdrava ne interviste per CMG
CMG: Flasim për aktivitetin tuaj artistik dhe cilat nga këto aktivitet do të veçontit gjatë karrierës muzikor?
Zina Zdrava: Koncertet kanë qenë të shumta sepse unë kam qenë prej 12 vjetësh këngëtare e Ansamblit të Ushtrisë, por para kësaj kam qenë në vitet 1980 - 81 në Kosovë me orkestrën e RTK-së, dhe ajo ishte një eksperiencë shumë e bukur.
Atje kam kënduar këngët popullore të Shqipërisë së mesme sepse ato i këndoja bukur, mbasi me ato dhe jam ushqyer. Gjithashtu kam qenë në një koncert në Meksikë, ku kam kënduar një këngë shkodrane, dhe sinqerisht ka pasur një sukses të jashtëzakonshmë. Nuk e kisha menduar që kënga jonë do përçohej deri atje kaq bukur dhe kaq e mirëpritur nga ana e tyre, sa që arrinin të më thonin dhe këtë që unë isha këngëtare e shkolluar sepse unë kam një impostim natyral, dhe kështu e kam pasur që kur kam dalë si këngëtare.
Kjo më bënte që të ndjehesha mirë dhe e vlerësuar. Kam qenë dhe në koncerte në Itali ku këndoja pikërisht këngët popullore, por kam lëvruar edhe këngën shkodrane, siç ishte kënga “Bishtalecat palë palë”. Sinqerisht jam mirëpritur shumë mirë dhe jam vlerësuar shumë dhe këto janë kujtime vërtetë shumë të bukura.
CMG: Ju jeni një prej këngëtareve që e keni ruajtur dhe kultivuar me fanatizëm këngën popullore shqiptare. Cili është mendimi juaj për këngën popullore sot dhe çfarë ka ndryshuar tek ajo?
Zina Zdrava: Unë mendoj se jeta evoluon, gjërat marrin më përparësi, dhe nuk mund të them që gjithçka është zhdukur sepse kënga përsëri po lëvrohet, po mbijeton dhe po lulëzon sigurisht me orkestracione të reja, me aparatura të reja inçizimi ku gjërat po mbijetojnë bukur tek ata këngëtarë që vërtetë dinë t’i ruajnë vlerat. Krahas këtyre ka edhe këngë që nuk mendoj se mund të jenë këngët tona popullore, sepse janë huazime dhe vetëm se kanë ritmin sepse gjithë Ballkani ka ritmin e përzier, sikurse dhe ne.
Duke qenë e njëjta gjë, njerëzit mendojnë që është këngë shqiptare, por nuk është këngë shqiptare. Unë do të thoja se ka dhe këngë të reja të bukura dhe këtu mund të përmend Artiola Toskën, e cila ka disa këngë të reja dhe shumë të bukura, me tekste të bukura që janë edhe këngë që kanë një fabul apo një tekst që i përshtatet melodisë, por janë dhe këngë që vërtetë tregojnë diçka. Gjithashtu ka dhe këngë që fillojnë dhe mbarojnë me dy fjalë dhe kjo për mua është e papranueshme.
Zina Zdrava me nje ish nxenese (Facebook)
CMG: Prej shumë dekadash keni dhënë një kontribut të madh dhe në fushën e mësimdhënies si pedagoge në Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve. Si jeni ndjerë në fushën e mësimdhënies, duke edukuar një brez të ri artistësh?
Zina Zdrava: Unë e kam bërë me shumë pasion, dëshirë dhe përkushtim, por do të thoja që mbase në momentin që unë u gjenda në këtë fushë, ishte një moment që unë mbase duhet të kisha vazhduar si këngëtare, jo se nuk vazhdova por duhet të vazhdoja vetëm në atë drejtim. Duke menduar që situatat ndryshuan, ku unë duhet të mbaja dhe veten e familjen, dhe kjo ishte një gjë që ma kërkonte vetë koha për t’u përkushtuar në këtë drejtim.
Është një punë vërtetë shumë e bukur dhe me shumë përgjegjësi, dhe fakti që unë e kam dhënë me kaq dashuri dhe përgjegjësi, fakti që kanë dalë në skenë shumë të rinj që unë edhe sot krenohem me ata, do të thotë që unë gjeta veten aty dhe e kam dhënë pa asnjë lloj kushtëzimi. Krahas muzikës klasike që lëvrohet në lice dhe akademi, por ai nxënës ose student që e ka të brendshme muzikën popullore apo gjini të tjera të muzikës, sigurisht duhet t’i mëshosh më fort për t’i evidentuar këto zëra të rinj. Janë pak të rrallë, por që me kohë e gjejnë veten e tyre.
Unë jam munduar që të jap më të mirën, duke dhënë edhe në drejtim të muzikës popullore, ku mundohesha të jepja gjithmonë që ta njihin këngën popullore dhe ta njohin artin e tyre sepse pa a e njohur këtë nuk ka sesi të njohin artin tjetër. Unë mendoj që ky ka qenë përkushtimi im, dhe rezultatin unë e kam parë tek vajza ime, tek Enkelejda Kamani, Gerald Murrja, Mariza Ikonomi, Marjeta Billo dhe shumë këngëtarë të tjerë, që kanë performuar nëpër skena.
Zina Zdrava me vajzen e saj, sopranon Ulpiana Aliaj (Facebook)
CMG: Vajza juaj Ulpiana Aliaj është tashmë një soprano e njohur me famë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në skenat ndërkombëtare. Si jeni ndjerë me suksesin e vajzës suaj në rrugën e këngës?
Zina Zdrava: Unë tek vajza shikoj mishërimin tim, shikoj vazhdimësinë time edhe pse unë vazhdoj akoma të këndoj, por gjithësesi një vazhdimësi e imja është shumë e bukur dhe unë ndjehem krenare për të, për atë që ajo ka arritur sepse i ka arritur me punë, me shumë përkushtim dhe dashuri për artin. Ndonjëherë e pyes nëse është e lumtur që është bërë këngëtare, dhe ajo më thotë se është shumë e lumtur dhe falenderuese për atë çfarë i kam dhuruar dhe edukuar.
Ndonjëherë i them se do bëheshe ose këngëtare ose ushtarake, por ajo mori drejtimin tim dhe ky qe fati im që ishte vazhdimësia ime. Vërtetë jam krenare për të sepse ajo vazhdon akoma të këndojë, por njëkohësisht është dhe në drejtimin e mësimdhënies, si pedagoge në Akademinë e Arteve, ku e shikoj që e ka me shumë përkushtim, dhe mendoj se do të ketë rezultatet e saj. Ajo do të krenohet një ditë ashtu si krenohem dhe unë me nxënësit e mi. Mendoj se Ulpiana do ta shijojë dhe këtë drejtimin tjetër të mësimdhënies.
Zina Zdrava gjate ceremonise se dekorimit (Facebook)
CMG: Do ju shohim së shpejti në një duet me Ulpianën?
Zina Zdrava: Patjetër që po. Unë para disa kohësh këndova një duet me Ulpianën, kur ishte 60 vjetori i Fakultetit të Muzikës, dhe aty kënduam duetin e luleve nga opera “Lakme”. Mendoj që ishte hapi i parë që ne bëmë dhe shpresoj që do të kemi dhe të tjera duete. Unë ndonjëherë i them se duhet të bëjmë këngë popullore sepse edhe ajo ka dëshirë dhe i këndon shumë bukur edhe pse më thotë se unë i këndoj më bukur. Unë i them se e ke gabim sepse unë ta kam ushqyer kaq mirë këngën popullore sa ti e qëndis dhe duhet të ecësh dhe në këtë drejtim.
Zina Zdrava gjate dekorimit me titullin Mjeshter i Madh (Facebook)
CMG: Para pak kohësh jeni vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, një titull i merituar por pak i vonuar. Si e përjetuat atë moment?
Zina Zdrava: Më mirë vonë se kurrë dhe unë mendoj se është kurorëzimi i një pune të madhe gati 50 vjeçare në skenë, mësimdhënie dhe kudo. Ky është një vlerësim që mua më bën krenare, më bën të ndjehem shumë e lumtur dhe e motivuar për të vazhduar në këtë rrugë, në mësimëdhënie dhe pse jo në të kënduar. Unë e vlerësoj shumë, dhe jam falenderuese për këtë titull që mu akordua nga Presidenti i Republikës. Falenderoj publikun që më ka mbështetur gjithë jetën sepse ai është testuesi më i mirë për këngëtarët. Nëse publiku sot mua më mban mend, më nderon dhe respekton, unë ndjehem dyfish e lumtur sepse deri dje më ka duartrokitur dhe sot më nderon si artiste. Këtë gjë e vlerësoj shumë sepse është gjëja më e bukur kur ke rreth vetes njerëz që të admirojnë dhe gëzojnë për arritjet e tua.
Zina Zdrava me ish Presidentit Ilir Meta dhe familjen e saj gjate dekorimit ne Presidence (Facebook)
CMG: Cili do të jetë angazhimi juaj artistik në vazhdim dhe projektet muzikore?
Zina Zdrava: Unë në fund të gushtit do të shkoj në Turqi me grupin “Shqiponjat e vogla” që është në Kanada dhe jam pjesë e tyre, ku do të performojmë në një festival në Turqi. Ndërkohë që në tetor jam e ftuar si anëtare jurie e një konkursi ndërkombëtar, që zhvillohet në Siçili të Italisë. Jam ndjerë shumë e surprizuar sepse thashë që unë jam në Shqipëri dhe zëri im paska shkuar deri atje. Mendoj që është një impenjim dhe obligim që do ta bëj me shumë dëshirë dhe pasion.
CMG: Së fundi një mesazh urimi për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.
Zina Zdrava: Unë të falenderoj që më bëre pjesë të emisionit Bio Folk, sepse është një emision fantastik dhe unë e kam ndjekur dhe me këngëtarët e tjerë që ju keni ftuar, duke lançuar shumë artistë dhe shumë vlera. Unë do të thoja se arti i popullit është arti i vërtetë, është një art që gjithkush e do, është një art që gjendet kudo dhe në çdo gëzim apo event që mund të bëhet, arti shqiptar apo kënga popullore është gjithmonë e pranishme. Prandaj duajeni dhe ruajeni fort këtë vlerë kombëtare.
Intervistoi: Gazmend Agaj