Erina Seitllari është një artiste 27 vjeçare shumë të talentuar. Ajo është marrë me muzikë që e vogël, por në një skenë të mirëfilltë është prezantuar për herë të parë në Shqipëri në talent show-n “The Voice Of Albania 2014“. Rreth një vit më parë, Erina nisi bashkëpunimin me grupin e famshëm ndërkombëtar, Venus 5.
Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Erina tregon fillimet e karrierës së saj, por sigurisht dhe ngjitjen drejt suksesit ndërkombëtar me grupin prej pesë vajzash, “Venus 5”.
CMG: Erina tashmë ti je pjesë e grupit ndërkombëtar “Venus 5”, ku jeni pesë vajza nga vende të ndryshme. Na trego se si u bëre pjesë e këtij grupi?
Erina Seitllari: “Venus 5” ka qenë magjia e një viti më parë, kur më erdhi një mesazh në instagramin tim, një në messenger dhe në e-mail. Ishte dikush që më ftoi të bëhesha pjesë e një grupi ndërkombëtar që quhej “Venus 5”. Ata ishin duke kërkuar për femra që këndonin metal dhe për mua ka qenë magjik ai moment sepse kisha kohë që prisja një gjë të kësaj natyre, thjesht për të dalë nga monotonia, rutina e të provoja diçka ndryshe. Kështu erdhi “Venus 5”, që është vërtet shumë ndryshe nga çfarë kam bërë deri më sot.
CMG: A e besove atë mesazh që në momentin e parë dhe si reagove?
Erina Seitllari: Në fillim nuk e besova dhe telefonova menjëherë kitaristin tim Altinin, duke i treguar mesazhin që më kishte ardhur. Ai sapo e pa më tha: “Këto janë “Frontiers”. Të them të drejtën unë nuk kisha dëgjuar për “Frontiers”, por kur hyra në internet të kontrolloja pashë se kishin shumë vite që operonin në muzikën metal dhe rrok. Që në atë moment mendova, pse mos të jem pjesë e këtij grupi ndërkombëtar? Kështu u bëra pjesë e “Venus 5”.
CMG: Cila ishte kënga që të solli fat, që shkoi në veshin e tyre?
Erina Seitllari: Në periudhën kur më kontaktoi “Frontiers” kisha filluar një projekt timin bashkë me kitaristët Xhonin dhe Altinin, ku po bënim disa covers për YouTube. Duket se algoritmi i Youtube i ka cuar “Frontiers” që të dëgjojnë këngët që unë kisha publikuar, si dhe materialet që kam interpretuar në “The Voice” .
CMG: Erina, producenti që ka krijuar grupin “Venus 5” ka patur ndoshta ndërmend grupin Spice Girls? A do doje ti që të kishe famën e tyre ?
Erina Seitllari: Faktikisht kushdo na ka krahasuar me “Spice Girls”, por në zhanrin e metalit. Sigurisht që do më pëlqente fama e tyre dhe jemi duke punuar fort për këtë gjë.
CMG: Grupi “Venus 5” përbëhet nga Herma, Karmen, Jelena, Tezi dhe ti Erina. Ju tashmë keni realizuar albumin e parë dhe jeni duke punuar sërish, por na trego si rrodhi ngjarja?
Erina Seitllari: Në momentin që konfirmova se do të jem pjesë e “Venus 5”, shkova menjëherë në Itali. Nuk i kisha takuar asnjeherë më parë vajzat dhe takimi ishte direkt për regjistrimin e albumit. Çdo gjë ishte perfekte, nuk e besoja se do kishim atë lloj kimie me njëra-tjetrën, ishin vajza të thjeshta dhe të komunikueshme.
CMG: Po vajzat e tjera njiheshin me njëra- tjetrën, apo u njohën të gjitha në të njëjtën ditë?
Erina Seitllari: Të pesta vajzat u njohëm pikërisht në studio në Milano, kur u mblodhëm për të registruar albumin e parë.
CMG: Sa i takon vokalit tuaj, si ju duk ky kombinim me njëra -tjetrën?
Erina Seitllari: Mozaiku i zërave tonë është shumë i ndryshëm, i cili nuk ngjason me tjetrën, thjesht ne jemi një miks i disa vokaleve pop, rrok, simfoni, bluz dhe kjo është esenca e grupit tonë “Venus 5”, fakti që kemi nuanca të ndryshme vokale
CMG: Gjithashtu duket dhe nga ngjyra e flokëve, të pesta ju keni edhe ngjyra të ndryshme të flokëve, të zeza, jeshile, bjonde dhe ti Erina me flokë ngjyrë të kuqe, ashtu siç je prezantuar për herë të parë në ekran 8 vite më pare, vazhdon ti kesh ende dhe sot. Mendon që ngjyra e kuqe e flokëve do të shoqërojë gjatë gjithë kohës?
Erina Seitllari: Mendoj që po. Kam tentuar disa herë që të ndryshoj kolorin e flokëve, mirëpo nuk e shoh dot veten në pasqyrë me ngjyra të tjera, nuk ndjehem vetvetja, me ngjyrën e kuqe ndjehem shumë mirë.
CMG: Sa herë kam kontaktuar me ty për të zhvilluar intervistën, ti ke qenë jashtë vendit me koncerte të ndryshme. Na trego për turin tuaj artistik?
Erina Seitllari: Për herë të parë kemi performuar në Itali, ndërsa së fundi kemi qenë në Spanjë ku morëm pjesë tek festivali muzikës rrok, një ndër festivalet më të mëdha të muzikës rrok, sa i përket skenave të metalit dhe muzikës tonë që është disi e ndermjetme, e cila është tek nuancat e rrokut.
Performanca në skenë është shumë më ndryshe nga koncertet live, ku ishte gjithçka perfekte. Kemi ende koncerte të tjera në Norvegji, në Suedi, të cilat së shpejti presim të na konfirmohen datat. Gjithashtu presim që në vijim të kemi koncert edhe në Shqipëri. E kemi në plan, por ende nuk është vendosur.
CMG: Do jetë një koncert recital vetëm me këngët tuaja?
Erina Seitllari: Ndoshta mund të ketë të ftuar edhe artistë të tjerë, por për këtë nuk jam e sigurtë. Di vetëm se ne mund të kemi një koncert recital, ku do të këndojmë si “Venus 5” këngët e albumit tonë muzikor.
CMG: Si reaguan vajzat e grupit, kur ti u prezantove si Erina nga Shqipëria?
Erina Seitllari: E njihnin sepse njëra nga vajzat është nga Serbia, tjetra nga Slovenia, një nga vajzat nga Italia, por edhe vajza nga Suedia e kishte idenë se ku bie. Vajzat nuk janë paragjykuese dhe mes nesh është krijuar një ndjesi familjare si mes motrash, ku unë jam më e vogla mes tyre.
CMG: Mbetemi tek fama. Kur ti ke qenë tek “The Voice” të katërt anëtarët e jurisë u kthyen posaçërisht për ty. Këngëtarja Elsa Lila të ka thënë: “Ti je një superstar” dhe ja ku je sot. Mendon se ka qenë një ogur i mirë, që ka besuar tek ty që në momentin e parë?
Erina Seitllari: Elsa është një diamant dhe fjala e saj është profetizuar. Unë jam rrugës për t’u bërë një superstar, gjë të cilën e kam aspiruar, por kam edhe pak rrugë.
CMG: Ndërsa Genc Salihu, në atë kohë, trajneri yt, të premtoi realizimin e një kënge. E ka mbajtur fjalën Genci, apo t’ja bëjm ftesën publikisht?
Erina Seitllari: Në momentin që unë do të jem më e hapur për gjëra të reja do të dëshiroja të kisha një këngë nga Genci.
CMG: Erina, kanë kaluar 8 vite që nga koha kur të kemi parë në skenën e talenteve të rinj. Me çfarë je marrë gjatë kësaj kohe dhe pse nuk ke marrë pjesë nëpër festival?
Erina Seitllari: Kam pasur bandën time muzikore ku performonim live, ndërsa këto dy vitet e fundit jam angazhuar me grupin “Venus 5”. Sa i përket festivaleve, kam dëshirë të marr pjesë në festivalin e RTSH-së dhe me shumë mundësi do më shihni këtë fundvit.
CMG: Ky po që është lajm, por cilët janë autorët e këngës?
Erina Seitllari: Mund të them vetëm se është një emër, të cilin publiku shqiptar e njeh shumë mirë, por nuk mund të tregoj një emër të caktuar të autorëve të këngës. Mund t’ju them vetëm se do jetë një këngë shumë e bukur.
CMG: Pse nuk ke konkuruar më përpara në këtë festival, ndoshta mund ta arrije dhe nëpërmjet saj famën ndërkombëtare?
Erina Seitllari: Të them të vërtetën unë gjithmonë kam qenë ekstra skeptike përsa i përket skenës shqiptare dhe e kam lënë mbrapa. Por tani e shoh që duhet të jesh pjesë e skenës së festivaleve, që të të njohë sa më shumë nga publiku. Prandaj vendosa këtë vit të marrë pjesë në festivalin e Rtsh-së .
CMG: Erina, ti je angazhuar me festivalet e femijëve që e vogël në aktivitete artistike, ndërsa studimet e larta i ndoqe për Shkenca Politike. Përse kjo zgjedhje?
Erina Seitllari: Çuditërisht nuk kam patur asnjëherë lidhje me filozofinë dhe psikologjinë, dhe shkrirja e këtyre të dyjave ishte “Shkenca politike”. Duke qenë se muzikën e doja shumë, mendova diçka tjetër që mund të bëja dhe kështu zgjodha “Shkencat politike”.
CMG: Si e sheh të ardhmen tënde, midis muzikës dhe politikës ? Apo një analiste politike që këndon ?
Erina Seitllari: “Shkencat politike” më kanë mësuar që të kuptoj se si funksionon çdo lloj gjëje, por sigurisht që e ardhmja ime është muzika.
CMG: Erina, të uroj shumë fat e të dalësh sa më mirë në festival, gjithashtu me projektet e tua me grupin ndërkombëtar “Venus 5”. Ku do jetë turneu juaj në vazhdim me “Venus 5”?
Erina Seitllari: Në Spanjë dhe pas saj do udhëtojmë drejt Finlandës, Suedisë, Norvegjisë, pra në gadishullin skandinav. Ndërkohë po presim konfirmimet për datat e tjera të turit tonë.
CMG: Të uroj shumë suksese! Përshëndësim dhe vajzat e Venus 5. Do presim prezantimin tënd në festival, si dhe vajzat kur të vijnë në Shqipëri.
Erina Seitllari: Të falenderoj për intervistën, ishte shumë kënaqësi.
Intervistoi: Sava Lena