Remo Torra është këngëtar popullor i trevës së jugut. Ai vijon studimet në master në degën e letërsisë, por pasioni për muzikën popullore ka bërë që të jetë i suksesshëm me interpretimet e tij. Remo ka realizuar disa këngë popullore të trevës së juglindjes dhe një këngë kushtuar Mallakastrës, në duet me këngëtarin vlonjat Rei Likaj. Gjithashtu ai është pjesë e maratonës së “Këngë Moj”, duke performuar për publikun në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), Remo tregon për fillimet në muzikën popullore dhe aktivitetet muzikore.
CMG: Kur ka nisur pasioni juaj për muzikën popullore?
Remo Torra: Unë mendoj se pasioni dhe talenti lind me njeriun dhe unë e kam kuptuar veten që në moshë të vogël kur jam ngjisur me folkun dhe i kam treguar vetes se duhet të futem në muzikën popullore. Këtë rrymë e ndjej së tepërmi krahasuar me disa rryma të tjera muzikore.
CMG: Kur jeni prezantuar për herë të parë para publikut me këngën popullore?
Remo Torra: Për herë të pare, të them të drejtën. janë këto evenimentet e vogla që organizohen në shkollën 9 vjeçare deri në shkollën e mesme, pastaj lidhja me kompozitorët e shquar të jugut, të cilët hapin dyert e tyre. Gjithashtu kanë qenë edhe kërkesat e mia për të nxjerrë muzikën time karakteristike.
CMG: Ju keni lëvruar vetëm muzikën popullore të trevës së juglindjes apo dhe trevave të tjera të vendit?
Remo Torra: Tani mua më pëlqen të them që unë këndoj këngën toske sepse vendlindja ime është Pogradeci dhe nuk ka mbetur vetëm aty që të këndoj muzikën pogradecare, por edhe më tej. Unë e këndoj zakonisht gjithë muzikën e jugut.
CMG: Deri tani e keni marrrë kënaqësinë maksimale nga muzika?
Remo Torra: Gjithë projektet që realizojnë këngëtarët dhe unë tani po e nis nga vetja ime e kanë kënaqësinë e tyre kur dëgjohen nga populli, kur marrin meritat e tyre, ose edhe në evenimentet familjare, që janë dasmat dhe gëzime të tjera familjare. Pra kënaqësia më e madhe është kur ndodhesh mes një publiku të gjerë, duke kënduar live dhe merr duartrokitjet e tyre. Unë mendoj se të gjitha këto të japin një kënaqësi të madhe.
CMG: Ju vazhdoni të këndoni live nëpër evente të ndryshme. Çfarë emocioni përjetoni kur këndoni live para publikut?
Remo Torra: Unë mendoj se është pika kryesore, pavarësisht se këngëtari është gjithë kohës nëpër studio për të pregatitur materialet e reja muzikore, por kontakti me publikun është një emocion tepër i veçantë, sidomos kur ata presin se çfarë do këndosh për të kënaqur zemrat dhe shpirtin e tyre.
CMG: Sot ka shumë të rinj që e këndojnë këngën popullore, por të paktë janë ata që e ruajnë traditën e folkut shqiptar. Cili është mendimi juaj për këtë brez të ri që të përcjellin muzikën e vërtetë popullore?
Remo Torra: Të them të drejtën tregu muzikor është mbushur plot me këngëtarë të muzikës popullore. Muzika popullore në njëfarë mënyre e ka ruajtur aktivitetin e vet, por nga ana tjetër ka bërë pjesë të saj edhe këngëtarë që nuk janë kompetentë sepse në Shqipëri nuk funksionon një komision përzgjedhës, i cili të bëjë të mundur ndarjen se kush është kompetent për muzikën popullore dhe cili jo.
Ky për mendimin tim është një gabim shumë i madh sepse edhe tradita humbet disa vlera të folklorit tonë. Pavarësisht kësaj është publiku ai që bëhet komisioni përzgjedhës dhe e ka veshin e pastër duke njohur mirë muzikën popullore dhe funksionon ai si komision përzgjedhës. Në fund të fundit këngëtarë ka shumë, por artistë ka pak.
CMG: Keni marrë pjesë në maratonën “Këngë Moj”, ku performoni në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Si jeni ndjerë mes artistëve të tjerë në këtë maratonë të këngës?
Remo Torra: Maratona “Këngë Moj” ka qenë një nga spektaklet më të bukura sepse për mua ishte hera e parë që bëhesha pjesë e një spektakli kaq të madh të muzikës popullore, në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Unë mora pjesë në Maratonën e këngës popullore në qytetin e Vlorës dhe do të vazhdoj në qytetet e tjera. Ky është një spektakël i mrekullueshëm me një publik të jashtëzakonshëm. Publikut i kishin munguar këto koncertet e mëdha edhe për arsye të pandemisë. Tani sezoni veror është në kulmin e tij dhe situata është shumë e larmishme. Publiku e pëlqen shumë muzikën popullore sepse duket në sytë e tyre.
CMG: Kur këndoni këngën popullore ka raste që e vishni dhe kostumin popullor të trevës që ju interpretoni?
Remo Torra: Kjo ndodh më tepër gjatë xhirimeve të videoklipeve të këngës, ato mbeten. Ndërsa nëpër dasma dhe gëzime familjare mundohemi që t’i përshtatemi evenimentit.
CMG: Në repertorin tuaj popullor keni krijimtari të re popullore apo keni interpretuar dhe këngë të vjetra?
Remo Torra; Në fakt deri tani unë kam sjellë këngë të vjetra popullore të cilat janë kënduar më përpara dhe i kam risjellë në formën time. Por projektet e mia tani dhe tutje do të jenë këngë të reja të muzikës popullore.
CMG: Përveç këngëve solistike keni bërë dhe bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të këngës popullore?
Remo Torra; Unë kam vetëm një këngë që e kam bashkëpunim me këngëtarin nga Vlora Rei Likaj, por kemi një të përbashkët që jemi të dy nipër në Mallakastër dhe na thërret zëri i nënave dhe i dajave, dhe thamë që t’i bëjmë një këngë Mallakastrës. Ky është i vetmi bashkëpunim që unë kam.
CMG: Flasim për aktivitetet muzikore jashtë vendit. Keni patur të tilla dhe si jeni pritur?
Remo Torra: Në fakt jashtë kufijëve të Shqipërisë situata bëhet dhe më e bukur sepse shqiptarëve në diasporë ju mungon muzika live popullore dhe duket sikur Shqipëria ju bën të fala nëpërmjet nesh.
CMG: Ka qenë dikush në familjen tuaj që ka kënduar më përpara, apo ju jeni i vetmi këngëtar?
Remo Torra: Unë jam nip në Mallakastër dhe ky vend ka një traditë shumë të gjerë të polifonisë dhe gjithë dajallarët e mi merren me muzikën polifonike. Ndërsa brenda familjes është nëna ime ajo që e ka pasur pasion muzikën dhe shpresoj që unë jam në gjurmët e saj.
CMG: Keni provuar të këndoni dhe këngë polifonike?
Remo Torra: Unë e këndoj për qejf këngën polifonike sepse është një vlerë e shtuar në muzikën shqiptare tradicionale, por besoj se nuk jam aq kompetent për ta kënduar polifoninë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Remo Torra: Unë do të them vetëm pak nga projektet sepse dua që t’i mbaj sekret. Projektet e reja janë krijimet e mia, por do t’i le surprizë për pubikun.
CMG: Keni bërë vetë muzikën dhe tekstin e këngëve?
Remo Torra: Unë kam bërë vijën melodike dhe tekstin sepse krahas pasionit për muzikën popullore shqiptare jam dhe student për letërsi në master shkencor, pranë Fakultetit Filologjik të Tiranës. Janë bërë dy artet bashkë që më ndihmojnë dhe japin e marrin me njëra- tjetrën.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.
Remo Torra: Kjo është pjesa më e rëndësishme për mua sepse publiku është bërthama kyçe e jetës së çdo këngëtari. Unë i jam shumë mirënjohës publikut dhe fansave të mi dhe shpresoj që ta ruaj këtë gjë deri në fund.
Intervistoi: Gazmend Agaj