Këngëtarja Dafina Bytyqi ka lindur në Prishtinë në vitin 1989, ndërsa aktivitetin muzikor e ka nisur në vitin 2005, ku për disa vite ka performuar live në Kosovë dhe Maqedoni me bandën e saj muzikore në atë kohë “7me7”, ku dhe një nga këngët e tyre të njohura ka qenë kënga “Qielli”. Në vitin 2007 ka marrë pjesë në Top fest 4 dhe pas asaj kohe, Dafina u fokusua në profesionet e saj, pasi studioi për Ekonomik dhe Arkitekturë dega Interier Dizajn. Dafina Ka punuar në bankë për 7 vite, ndërsa tani punon në Kompaninë PIRIN EXPORT/ SAUNA-AL nga Maqedonia e Veriut për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ajo përveç punës me projektet e Interier Dizajnit është dhe nënë e dy vajzave , Mjella 6 vjeçare dhe Noa 4 vjeç. Prej një viti Dafina i është rikthyer dashurisë së madhe të saj, muzikës ku është dhe pjesë e televizionit ATV në Kosovë, si dhe ka krijuar bendin muzikor “DUFF ‘N’ DUDES”. Për Grupin Mediatik të Kinës Dafina flet për karrierën e saj artistike, lidhjen me muzikën që e vogël, kur studioi për violinë, si edhe për planet e saj për për të ardhmen.
CMG: Përshëndetje! Po e nis bisedën me një pyetje, që mos jenë konfuz të gjithë ata që na ndjekin. Jeni disa personazhe të njohura me të njëjtin emër dhe mbiemër, por gjithashtu edhe figura të tjera të njohura nga mjekësia, sporti. Sa të ka penguar kjo gjë në karrierën tënde?
Dafinq Bytyqi: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën në emisionin tuaj! Është e vërtetë që janë disa personazhe me emër dhe mbiemër të njëjtë, por nuk është diçka që më ka penguar. Në momentin kur janë personazhe me emër e mbiemër të njëjtë, e që e përfaqësojnë veten shumë mirë në profesionin e tyre, unë vetëm ndjehem krenare që Dafinat po ja dalin, por aspak pengesë.
CMG: Ndërkohë muzika për ty vazhdon të mbetet një pasion i madh, të cilin e shpalos shpesh me interpretimet live. Na trego më tepër për aktivitetet e tua muzikore. Sa kohë ke që këndon në Tv dhe në ambjetet live?
Dafina Bytyqi: Po, muzika vazhdon të mbetet pasion shumë i madh, për vetë faktin që jam rikthyer para 16 viteve, e tregon që është një pasion shumë i madh për mua, të cilin e shpalos me interpretimet live në ambjente të ndryshme në Kosovë dhe në Shqipëri. Kemi aktivitete të shumta muzikore, me ardhjen e sezonit të verës edhe kërkesat janë rritur dhe po kalojmë bukur. U bë rreth 1 vit që këndoj në një program televiziv, ndërsa në ambjetet live kam nisur më herët dhe po ndjehem shumë mirë. Po e plotësoj atë që unë e kam pasion dhe për këtë jam shumë e lumtur.
CMG: Të kam ndjekur dhe më ka pëlqyer shumë vokali yt dhe duket se fle mjaft mirë në rrymën e muzikës rrok...
Dafina Bytyqi: Faleminderit shumë që ju ka pëlqyer vokali im. Po është e vërtetë që muzika rrok mua më përshtatet shumë mirë dhe atë e performoj dhe e këndoj shpesh. Ka disa raste që i bëj miks këngët e vjetra shqiptare, këngët qytetare, por mbetem më shumë tek rroku dhe atë e performoj më shumë.
CMG: E sheh si mundësi për të vazhduar karrierën muzikore ?
Dafina Bytyqi: Karrierën muzikore e kam vazhduar vetëm për kënaqësi, atë çfarë unë e kam ndjesi, zbazësinë brenda vetes, tek ajo pauza e gjatë që kam bërë . Muzikën do e vazhdoj deri në momentin që ndjehem mirë dhe deri në momentin që kam çfarë të sjell për publikun. Nuk kam dashur që muzikën ta bëj patjetër për përfitimet financiare, por për kënaqësi, gjithçka që vjen më pas është e mirëpritur, nuk i them jo ofertave të mira, të reja, por më shumë kam dëshirë që ta bëj për kënaqësi.
CMG: Sa vite ke që interpreton në muzikë dhe kush e spikati talentin tënd?
Dafina Bytyqi: Në muzikë kam filluar diku në vitin 2006-2007 ku për këtë periudhë 1 vjeçare kam performuar një vit live në Kosovë dhe Maqedoni me një bandë muzikore. Që nga ajo kohë fillova studimet dhe e ndërpreva muzikën për 16 vite.
Sa i takon talentit nuk ka qenë specifike që ma ka zbuluar një person i caktuar, por unë që fëmijë kam qenë energjike. Kam qenë në shkollë të muzikës në fillore në klasën e tretë, ku për 6 vite kam luajtur violinë dhe aty kam parë veten që isha mirë edhe me këndimin.
CMG: Ti ke kënduar shumë covera të njohura, por kur do sjellësh këngë të re?
Dafina Bytyqi: Është e vërtetë që më së shumti janë covera këngët që interpreroj live për momentin. Mundohem t’i sjell sa më mirë, sa më ndryshe, por sa i përket këngëve të mia të reja, kam shumë dëshirë që të gjithë ata që e pëlqejnë zërin tim, do e presin një dhuratë nga unë. Fillimisht do ja bëja vetes këtë dhuratë e më pas të tjerëve. Patjetër që kam plane për të bërë këngë të reja shumë shpejt.
CMG: A do të shohim të marrësh pjesë në ndonjë festival?
Dafina Bytyqi: Në momentin që do realizoj këngët e mia, patjetër që mund të marr pjesë edhe në festivale, por dua që të sjell një këngë të mirë.
CMG: Ti ke tjetër profesion në jetën tënde. Na trego për lidhjen që ke me profesionin tënd, por dhe për lidhjen tënde me muzikën?
Dafina Bytyqi: Unë kam dy profesione, kam studiuar për ekonomik dhe (Enterier Dizajn ) arkitekturë e brendshme dhe vazhdoj të punoj me të dyja profesionet. Në të njëjtën kohë menaxhoj një kompani nga Maqedonia, ku kam përfaqësim për Kosovë dhe Shqipëri. Mundohem që në të njëjtën kohë t’i menaxhoj të treja. Dy të parat nuk lidhen me muzikën, por muzika është pasion dhe për këtë arsye nuk heq dorë, kështu që po mundohem t’i bëj bashkë të gjitha.
CMG: Si e sheh veten pas 10 vitesh. sa i takon anës artistike?
Dafina Bytyqi: Pas 10 viteve mendoj se do kem krijuar shumë këngë të bukura, e shoh veten me këngë dhe videoklipe artistike. Kjo është ajo që unë e ndjej, përgatitjen e këngëve të bukura për t’i sjellë pranë publikut.
CMG: Të falenderoj për intervistën dhe të uroj shumë suksese!
Dafina Bytyqi: Ju falenderoj dhe unë për këtë intervistë kaq të lezeçme. Shpresoj të dëgjohemi përsëri me të reja të tjera, shëndet dhe suksese!
Intervistoi : Sava Lena