Alban Shehu (Foto personale)

Alban Shehu (Foto personale)

Alban Shehu është këngëtar i muzikës popullore nga Gjakova. Ai interpreton këngë popullore të trevave të ndryshme, por më së shumti interpreton këngët e Shqipërisë së mesme. Gjatë karrierës së tij muzikore ai ka realizuar disa albume si dhe ka marrë pjesë në mjaft evente artistike në Kosovë e më gjerë. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij artistike si dhe projektet muzikore në të ardhmen.


Alban Shehu duke interpretuar (Foto personale)

Alban Shehu duke interpretuar (Foto personale)

CMG: Përshëndetje Alban dhe faleminderit për pjesëmarrjen në Bio Folk.

Alban Shehu: Përshëndetje nga Gjakova për gjithë dëgjuesëve kudo që janë dhe faleminderit për ftesën.

CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja në muzikën popullore?

Alban Shehu: Unë kam kënaqësi që jam në emisionin tuaj dhe që po na dëgjojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Hapat e mia të para në muzikë kanë qenë në moshë të vogël, si çdo këngëtar. Unë kam filluar shumë herët të dal në skenë, që në moshën 14 vjeçare. Fillimet e para kanë qenë në shkollë dhe në koncertet që janë mbajtur në Gjakovë, por dhe në shkollën time ku kam qenë një prej këngëtarëve që kam mbajtur gjithë koncertin vetëm.

CMG: Ju tashmë keni një karrierë të gjatë muzikore dhe një arkiv këngësh popullore. Cilat nga këngët tuaja janë më të pëlqyera nga publiku?

Alban Shehu: Unë vij prej një familje me tradita dhe jam me prejardhje nga Shkodra. Ne jemi rritur me këngët e Shqipërisë, kështu që Gjakova sidomos ka qenë shumë e lidhur me Shkodrën dhe këngët shqiptare, ku i kemi kënduar me ëndje. Këto këngë kanë qenë fillimet e para të muzikës që në vitin 1994, ku është dëgjuar shumë muzika popullore tradicionale, muzika e Shqipërisë së mesme, e jugut, Shkodrës, dhe aty unë kam filluar hapat e para dhe jam ndjerë shumë mirë në ato këngë.


Alban Shehu gjate nje emisioni televiziv (Foto personale)

Alban Shehu gjate nje emisioni televiziv (Foto personale)

CMG: Keni realizuar dhe disa bashkëpunime me këngëtaë të ndryshëm të muzikës popullore. Flasim për këto duete dhe si janë pritur nga publiku?

Alban Shehu: Unë si këngëtar kam dalë solo, por më vonë e kam pasrë se këngëtari duhet të bëjë bashkëpunime, duhet të bëjë duete dhe të jetë i hapur për publikun. Kam bërë jë bashkëpunim me këngëtaren shkodrane Vjollca Luka në vitin 2017, ku ka qenë një këngë moderne popfolk dhe jemi përshtatur si Shkodër dhe Gjakovë. Kjo këngë është pritur shumë mirë nga publiku dhe ka ecur mirë. Kemi pasur dhe bashkëpunime të tjera me kompozitorë të ndryshëm, dhe këngët kanë ecur shumë mirë.


Alban Shehu gjate nje koncerti (Foto personale)

Alban Shehu gjate nje koncerti (Foto personale)

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja muzikore kohët e fundit?

Alban Shehu: Unë e kam parë veten gjithmonë që të bëj muzikën e të gjitha trevave shqiptare. Mendoj se i interpretoj të gjitha zhanret, por them se gjithmonë është publiku ai që vendos. Unë interpretoj këngë të Shqipërisë së mesme, të Isuf Myzyrit, këngët e Shkodrës, të jugut dhe sigurisht këngët e Gjakovës, të Ymer Rizës, Qamilit, bacës Ismet dhe Shkëlzen Jetishit. Edhe ne këngëtarët e rinj kemi një bagazh të madh të këngëtarëve të mëdhenj që duhet t’i dëgjojmë, vlerësojmë dhe të japim kontributin tone, duke shkuar pas hapave të tyre, të bëjmë edhe këngë moderne por gjithmonë duke ruajtur folklorin e muzikës shqiptare. Kjo ka qenë gjithmonë ideja ime, dhe unë kam bërë muzikë edhe në Tiranë nëpër dasma ku kemi kaluar shumë mirë. Kam bërë muzikë në Luginën e Preshëvës, në Shkup dhe të gjitha trevat. Gjithashtu dhe në Kosovë kemi qenë në të gjitha qytetet si Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Ferizaj si dhe në Gjakovë se është vendi ynë. Gjithmonë kudo që shkojmë na presin mirë sepse kemi muzikë të bukur si Gjakova, Korça apo Shkodra, kemi këngë që njerëzit na marrin dhe na dëgjojnë.


Alban Shehu gjate realizimit te nje videiklipi (Foto personale)

Alban Shehu gjate realizimit te nje videiklipi (Foto personale)

CMG: Cilat nga këngët e trevave të Shqipërisë pereferoni të interpretoni më tepër, ndoshta ato treva që përshtaten më shumë me zërin tuaj?

Alban Shehu: Muzika e Shqipërisë së mesme më flen më shumë në shpirt, sidomos këngët e Elbasanit, të Isuf Myzyrit dhe Mustafa Bodinit, këto janë këngë që na shkojnë më tepër, sidomos këngëtarët nga Gjakova i interpretojnë shumë bukur.

CMG: Kush kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve si dhe orkestra me të cilën ju bashkëpunoni nëpër koncerte?

Alban Shehu: Fillimet e para kam bashkëpunuar me shokët e brezit tim, pastaj kam kaluar pakëz më profesional ku kam bërë muzkkë me profesionistë. Kohët e fundit kam kaluar me orkestrën e Vllaznim Buxhovit sepse Shkëlzeni ka deklaruar që nuk këndon një vit për shkaqe shëndetësore, e ka bërë publike këtë gjë. Orkestrës i ka thënë që të vazhdojnë të gjëjnë një këngëtar tjetër, dhe ata më kanë preferuar mua sepse karakteristikat e këngëtarit kanë qenë që unë të performoj në atë grup. Kështu që kam gati gjashtë muaj që kam dalë me orkestrën e Buxhovit, ku kemi bërë regjistrime dhe xhirime duke na pritur shumë mirë. Publiku na ka komplimentuar dhe besoj se po shkon mirë gjithçka. Kjo ka qenë një përgjegjësi dhe sfidë shumë e madhe për mua sepse dihet se Xeni është një këngëtar që ka kaluar të gjitha trevat e Gjakovës dhe mbarëshqiptare, kështu që ka qenë kënaqësi dhe përgjegjësi shumë e madhe që unë të futem aty dhe të vazhdoj të performoj me atë grup. E kemi marrë me seriozitet shumë të madh, por besoj se çdokush e ka vendin e vet, Xeni ka vendin e vet me gjithë ato vite dhe kontribut, një këngëtar shumë i mirë me gjithë orkestrën e Buxhovit, por shpresoj të shkojmë në hapat e tyre sepse kemi se çfarë të marrim prej tyre. Tani do të performojmë së bashku në një mbrëmje rinore tek lokali i Xenit në Gjakovë.


Alban Shehu me kengetaren Gili (Foto personale)

Alban Shehu me kengetaren Gili (Foto personale)

CMG: Jemi në kulmin e aktiviteteve muzikore dhe gëzimeve familjare të sezonit. Si është kalendari juaj artistik në këtë sezon?

Alban Shehu: Besoj se pandeminë e kaluam dhe po më duket se kemi dalë pakëz në dritë. Kemi filluar me këmbë të mbarë, dhe na duket se jemi fillestarë ngaqë na ka dëmtuar pak pandemia që pushtoi gjithë botën. Në këtë sezon kemi shumë gëzime familjare, por do të bëjmë dhe këngë e albume të reja muzikore.

CMG: Keni ndonjë këngëtar të Kosovës apo Shqipërisë që e mbani si idhull?

Alban Shehu: Në fillim kur kam nisur të bëj muzikë, sidomos kjo ana jonë e ka dëgjuar shumë Myslym Lelën dhe gjithë familjen e tyre sepse kanë bërë muzikë popullore të Shqipërisë së mesme shumë bukur. Aty ka qenë pakëz dhe inspirimi jonë. Xeni dhe kolegët e tij e kanë dëgjuar shumë atë muzikë, por dhe vëllezërit Zena i kemi dëgjuar shumë. Këto këngëtarë kanë qenë në ato vite inspirimi jonë në muzikë. Gjithashtu kemi pasur inspirimin e këngëtarëve të mëdhenj të Gjakovës, si Bacës Ismet, Xenit dhe shumë të tjerëve. Kështu që kemi pasur se çfarë të marrim dhe ne si këngëtarë të rinj.


Alban Shehu ne skene (Foto personale)

Alban Shehu ne skene (Foto personale)

CMG: Keni ndonjë projekt të ri muzikor së afërmi?

Alban Shehu: Kemi bërë disa xhirime me orkestrën dhe kemi dalë nëpër emisione në Radio Gjakova, ku na kanë pritur shumë mirë. Gjithashtu kemi realizuar një CD me këngë të vjetra tradicionale me grupin e Buxhovit si dhe po realizojmë një CD live dhe një këngë të re pak më moderne.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe adhuruesit tuaj.

Alban Shehu: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit, dhe ju falenderoj për ftesën. Besoj se do të vijmë dhe në Tiranë e Durrës për koncerte të ndryshme që të kënaqim të gjithë adhuruesit.

Intervistoi: Gazmend Agaj