Këngëtarja Mjellma Berisha, ashtu siç ka hyrë në rrugën e muzikës me plot pasion dhe suksese, nuk do të ndalet asnjëherë. Shkollën fillore dhe atë të mesme e mbaroi në Pejë ndërsa ndoqi Universitetin e Prishtinës, në Degën Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Interesimin për muzikën Mjellma e filloi që e vogël, pasi në familjen e saj pothuajse secili merret nga pak me muzikë. Ajo ka studjuar në shkollën fillore të muzikës, për piano. Hapat e parë drejt këngës i ka filluar me disa shokë nga Peja, me të cilët formuan disa bende muzikore dhe për dy vite patën disa performanca "live" kryesisht në Pejë. Aktivitetin muzikor Mjellma e vazhdoi me bashkëpunimin me disa grupe, duke kënduar këngë të zhanrit rrok.
Vëllai i saj, ka studiuar për opera në Vjenë, ku edhe vazhdon të jetojë, duke u angazhuar me shfaqje të ndryshme. Në familjen e saj të gjithë e dashurojnë muzikën dhe shpesh herë mblidhen për të mbajtur koncerte nëpër shtëpi.
Në vitin 2012, Mjellma Berisha ishte finaliste në “The Voice Of Albania 2”, gjithashtu ka disa pjesëmarrje në festivalin e muzikës moderne “Top Fest” si soliste, por dy herë edhe me grupin e njohur muzikor “Hana Band” ku kanë interpretuar edhe këngën e njohur ,“Sytë e zi”. Në intervistën e saj për CMG ajo tregon dashurinë për muzikës dhe si do jetë vazhdimësia në muzikë…
CMG: Përshëndetje Mjellma! Mirë se erdhe në programin "Muzika shqip"!
Mjellma Berisha: Përshëndetje Sava dhe gjithë dëgjuesve të programit "Muzika shqip” që po na ndjekin!
CMG: Këtë vit ti ke realizuar disa xhirime ku interpreton covera të njohura të muzikës shqiptare. Si lindi idea për të ardhur në këtë mënyrë?
Mjellma Berisha: Këtë vit jam munduar të përzgjedh e të sjell disa covera të këngëve më të njohura shqiptare. Kam publikuar deri tani tre covera të këngëve tona më të njohura, të cilat i kam sjellë në versionin akustik. Fillimisht ideja lindi gjatë periudhës së pandemisë kur të gjithë u mbyllëm në shtëpi, unë kam punuar nga shtëpia. Dua të theksoj se, fillimisht ka qenë një projekt që është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku unë aplikove dhe e fitova të drejtën për të realizuar këto materiale muzikore.
CMG: Mendon se aftësitë e tua vokale shpalosen më mirë me këngët e njohura se sa me një këngë të re të krijuar posaçërisht për ty?
Mjellma Berisha: Nuk e mendoj se aftësitë e mia vokale shpalosen më mirë me këngët e njohura, pyetje shumë me vend kjo (qesh). Ky mendim ndoshta ka lindur ngaqë jeni mësuar të më dëgjoni më shumë me këngë të huaja se me këngët e punuara posaçërisht për mua, por kjo nuk do të thotë se aftësitë e mia vokale vërehen vetëm aty. Unë kam gjithashtu edhe disa këngë të miat të publikuara që mendoj se vërehet mirë vokali.
CMG: Cila është kënga që ty të pëlqen më shumë dhe të përshtatet mirë me zërin tënd?
Mjellma Berisha: Ka shumë këngë që më pëlqejnë, por këngët që i shkojnë vokalit tim më shumë janë pop-rrok, baladat, funky dhe pop që më përshtaten më shumë me vokalin tim.
CMG: Mjellma, ti je bërë e njohur nga talent show në Shqipëri "The Voice Of Albania". A ja vlejti ajo pjesëmarrje dhe çfarë fitove ti aty?
Mjellma Berisha: “The Voice Of Albania” për mua ka qenë një eksperiencë e paharrueshme të cilën e kam permendur gjithmonë. Ka qenë “Voice” që më ka dhënë mundësinë që të jem sot pranë fansave që krijova në atë periudhë. Ajo çfarë fitova unë aty është se, ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme ku kemi punuar që nga fillimi me profesionitë, që nga trajnerët profesionistë, ku vetëm po t’i dëgjosh komentet e tyre ka mjaftuar, plus shumë gjërave të tjera që kemi mësuar prej tyre. Në “The Voice Of Albania” në edicionin e dytë unë kam arritur deri në finale së bashku me trajneren time Miriam Cani, të cilën e përshëndes shumë. Gjatë asaj periudhe arrita të mësoj shumë gjëra aty, fitova një audiencë që më pëlqyen gjatë asaj periudhe dhe kështu me rradhë.
CMG: Ti ke qenë pjesë e disa bandave muzikore. Na trego për këto eksperienca?
Mjellma Berisha: Po, është e vërtetë që kam bashkëpunuar me disa banda muzikore në qytetin tim të lindjes, ku kemi performuar në mbrëmje të ndryshme muzikore. Kemi interpretuar fillimisht muzikë rrok dhe unë kam qenë një rrokere. Më pas u transferova në Prishtinë dhe e kisha të pamundur kontaktin. Të jesh pjesë e një bendi në ditët e sotme nuk është dhe aq e lehtë pasi në një grup janë
minimumi katër persona që kanë mendime të ndryshme, ndërsa në një grup, nëse nuk janë të gjithë anëtarët të një mendjeje, atëherë grupi nuk funksionon.
CMG: Gjithashtu ke qenë pjesë edhe e festivaleve. Sa rëndësi ka pjesmarrja në një festival për një artist?
Mjellma Berisha: Kam marrë pjesë në disa festivale shqiptare ku kam pasur një prezantim të denjë si një artiste e re, duke e prezantuar sa më mirë këngën.
CMG: A do të të shohim në këto festivale në vazhdim?
Mjellma Berisha: Besoj se do jem ende pjesë e festivaleve, por se kur nuk e kam ndarë mendjen ende. Gjithsesi në një të ardhme patjetër që do marr pjesë.
CMG: Si është përkushtimi yt në muzikë sot?
Mjellma Berisha: Përkushtimi im në muzikë është pak i mangët, pasi muzika për mua është “hobi” dhe është profesioni im i dytë, pasi unë merrem me një tejtër profesion në përditshmërinë time, por kur kam kohën e lirë ja kushtoj tërësisht muzikës. Muzika kërkon shumë kohë për të qenë prezente gjithmonë dhe për të depërtuar në publik, por njëkohësisht jam dhe nëna e një djali 4 vjeçar dhe mundohem që t’i përkushtohem djalit dhe shumicën e kohës ja kushtoj atij.
CMG: Cilat janë planet e tua në të ardhmen?
Mjellma Berisha: Plane konkrete për të ardhmen nuk mund të them që kam, por kam dëshirë dhe do mundohem që të sjell diçka të re për publikun, por kjo do shihet në vazhdim. Nuk mund të them diçka tani e të mos e mbaj fjalën, prandaj gjithmonë ja lë kohës dhe momentit .
CMG: Ku e sheh veten pas 10 viteve?
Mjellma Berisha: Pas 10 viteve është një kohë shumë e gjatë, por le t'ja lemë momentit. E rëndësishme është të kemi shëndetin, më pas të tjerat të shohim.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese!
Mjellma Berisha: Faleminderit që më solle edhe një herë pranë adhuruesve të mi me këtë intervistë. Ju uroj gjithë të mirat!