Këngëtarja Kejsi Rrustja lindi në qytetin e Shkodrës në një familje qytetare të vjetër shkodrane. Fillimet e saj në muzikë i ka që në moshën 6 vjeçare ku me zërin dhe talentin e saj mahniti në "Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë" ku me këngën "Volevo un gatto nero" u vlerësua me çmimin e dytë. Kejsi njohuritë e para muzikore i mori në shkollën artistike "Prenk Jakova" në Shkodër ku studjoi për piano. Nga viti 2011- 2014 ajo është vlerësuar me çmime në festivalin e fëmijëve në Ulqin në vitin 2012, në vitin 2013 me çmimin e parë me këngën "Power of love" tek "Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë", në vitin 2014 me çmimin e parë si "Këngëtarja më e mirë dhe zëri më i bukur" me këngën "E diela e nënës" në festivalin mbarëkombëtar për fëmijë. Në vitin 2014 Kejsi u vlerësohet me çmimin e dytë me konkursin "Pjeter Gaci" në piano.
Në vitin 2014 u vlerësua me çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar për piano "EPTA". Po në të njëjtin vit Kejsi u largua nga Shqipëria për në Gjermani, ku vazhdon me sukses karrierën e saj artistike. Në vitin 2015 Kejsi mori çmimin e parë në "Song Contest 2015".
Në vitin 2015 hyri në 4 më të mirët e Festivalit International Piano Competition "Euregio Piano Award 2015" në Geilenkirchen Germani.
Edhe pse shumë e re në moshë, asaj nuk i mungojnë sukseset si në studime, ashtu edhe në muzikë, përmes koncerteve dhe mirënjohjeve të shumta. Për të nuk kanë shkruar vetëm mediat shqiptare, por edhe ato gjermane, të cilat e kanë vlerësuar lart stilin dhe zërin e saj. Sipas shtypit gjerman, “Kejsi është e re në moshë, por askush nuk do ta besonte për shkak të zërit të saj plot nuancë”. Viti 2019 ishte shumë i mbarë dhe plot emocione për këngëtaren, me një sërë koncertesh të ndryshme si: "Nata muzikore" në Essen Rüttenscheid, "Feierabendmarkt" në Buer, "Junge Stimmen der Zukunft" ose "Yjet e të ardhmes" në Bottrop, "Stadtgartenfest" në Essen Mitte, "Meilensteine" në Schalke Gelsenkirchen, Gourmet-Meile-zeche-Zollverein, ku ka patur rreth 4500 të pranishëm, në Philharmonie Essen në Alfred Krupp Saal, ku Kejsi patur sukses të jashtëzakonshëm, duke qenë edhe më e vogla e eventit, vetëm 15 vjeç.
Kejsi Rrustja ka publikuar disa këngë shoqëruar me videoklipe si, "This Love", "Alone", ku ajo prezantohet para publikut si kantautore. Në dhjetor të vitit 2021, Kejsi Rrustja mori pjesë në Festivalin e 60-të të Këngës në Rtsh, me këngën "Vallëzoj me ty". Së fundi ajo e sjell këtë këngë në versionin anglisht, por të shoqëruar edhe me videoklip në titullin, “Dancing with you”. Për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ajo tregon planet e saj në të ardhmen, si dhe punën që ka nisur si kantautore për realizimin e një albumi muzikor.
CMG: Përshëndetje Kejsi! Ti ke sjellë para disa javësh videoklipin e këngës "Dancing with you". Na trego për këtë këngë?
Kejsi Rrustja: Këtë këngë e pata shkruar si fillim anglisht, më pas e përktheva në gjuhën shqipe dhe e solla në konkurim në Festivalin e 60-të në Rtsh. Më dukej një këngë me shumë potecial dhe prandaj e ktheva përsëri në anglisht për ta publikuar me videoklip.
CMG: Po ty cili version të pëlqen më shumë?
Kejsi Rrustja: Mua më pëlqejnë të dyja versionet sepse kuptimi ka mbetur i njëjtë. Shoqëria ime pëlqen versionin anglisht sepse atë kuptojnë.
CMG: Cili është mesazhi i këngës?
Kejsi Rrustja: Kenga ime është si një histori ku tregoj për një person që kur e do, e kërkon edhe pse nuk e sheh, apo ndoshta ai person nuk ekziston, gjithsesi zemra gjithmonë kërkon dashuri. E shpreh në mëyrë metaforike kur them; "Kërce me mua" edhe pse nuk të shoh, nuk je aty, edhe pse nuk mund ta shoh fytyrën tënde.
CMG: Kjo nuk është e vetmja këngë që ti ke realizuar në gjuhën angeleze, pasi ke disa të tilla. A është synimi yt drejt skenës botërore?
Kejsi Rrustja: Synoj shumë që nëse behem këngëtare me famë, fama ime të jetë internacionale, jo vetëm në një vend të caktuar si në Shqipëri apo në Gjermani. Kam qejf që njerëzit të kenë një lidhje me këngën time, të gjejnë veten, të jenë këngë që të jenë të kuptueshme për këdo.
CMG: Një shprehje është; "Dielli duket që në mëngjes". Dhe ti Kejsi që në moshën 6 vjeçare ke filluar me pjesëmarrje në festivale fëmijësh, 7 vjeç në vitin 2011 je vlerësuar me çmimin e dytë me këngën "Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë", ku ke interpretuar këngën "Volevo un Gatto nero". Që në atë kohë interpretoje në gjuhë të huaj.
Kejsi Rrustja: Atëherë ka qenë periudha kur jetoja në Itali dhe kisha bërë kopshtin aty, ndaj dija vetëm këngë italiane. Isha në klasë të parë kur një mësuese më tha; “Kush do marrë pjesë te Bilbilat e vegjël" ? Dhe unë këndova këtë këngë.
CMG: Ti jeton në Gjermani, dhe unë kam ndjekur edhe një intervistë që ti ke dhënë për median gjermane. Si është jeta në Gjermani ?
Kejsi Rrustja: Gjermania është një vend i strukturuar, ku përveç shkollës dhe mësimeve, mundohem të gjej sa më shumë kohë që të ushtroj këngën, pianon, të bëj projektet e mia, koncertet,etj. Duhet të planifikoj muzikën rreth shkollës sepse shkolla aty nuk mund të ndryshojë. Dita ime është shkollë, detyra, ushtrime, këngë dhe koncerte, nëse kam. Gjithashtu mundohem të mbaj dhe lidhjet me median për intervista , koncerte online, apo postimet në rrjetet sociale .
CMG: Kejsi, ti ke lindur në Shkodër. Çfarë ke marrë ti nga ky qytet?
Kejsi Rrustja: Edhe pse jam rritur jashtë vendit unë jam rritur me kulturën shkodrane, identiteti im është i bazuar prej asaj kulture dhe mënyrën si më kanë rritur prindërit e mi dhe më pas vazhdoj me dashurinë për këngën, muzikën madje dhe fillimet e karrierës time i kam në Shkodër.
CMG: Karriera jote artistike ka nisur që në moshë të vogël, ku ke spikatur me çmime të ndryshme si kombëtare ashtu edhe ndërkombëtare. Në vitin 2015 ti u vlerësove me çmimin e parë në "Song Contest 2015", gjithashtu në të njëjtin vit ishe pjesë e festivalit "Euregio Piano Avvard 2015" ku u vlerësove ndër 4 artistët më të mirë të atij festivalit International Piano Kompetition në Geilenkirchen të Gjermanisë. Sa përqind mendon se ke talent, sa punë dhe sa përqind fat për të arritur deri këtu?
Kejsi Rrustja: (Qesh) Mendoj se 50 përqind e këngës është talenti, 8 përqind mendoj se kam patur fat, dhe 40 përqind mbetet punë. Patjetër që duhet shumë punë se nuk është vetëm talenti, por edhe ushtrimi i zërit, pra duhet shumë punë, për të zgjedhuar repertorin, etj. Unë kam filluar të krijoj vetë këngët e mia dhe kënga e festivalit ishte krijimi im.
CMG: Ti ke marrë pjesë në shumë aktivitete në Gjermani. Si të kanë pritur aty dhe me çfarë emocionesh je ndarë?
Kejsi Rrustja: Unë kam kënduar në fillim në koncerte normale, aty më ka parë organizatori i filarmonisë, më ka dëgjuar dhe ka kërkuar që të këndoj në Filarmoninë e Gjermanisë. Ai ishte i interesuar për talentin tim dhe më ftoi të këndoja në filarmoni. Kam punuar fort dhe tani vazhdoj të punoj shumë sepse më duhet ta mbaj një lloj standardi, si me organizatorët ashtu edhe me këngëtarët e tjerë, në mënyrë që të këndoj aty vazhdimisht.
CMG: Çfarë repertori interpreton në filarmoni?
Kejsi Rrustja: Aty mund të këndojmë shumë zhanre muzikore. Kohët e fundit këndojmë këngët pop të njohura, si dhe hitet që publiku i do dhe i njeh shumë mirë.
CMG: I ke kënduar këngët e tua aty?
Kejsi Rrustja: Këngët e mia nuk janë hite dhe nuk i njeh publiku gjerman. Këndojmë kryesisht hite ndërkombëtare, si këngët e Whitney Houston, Fugees, etj.
CMG: Për çfarë po vazhdon studimet në Gjermani?
Kejsi Rrustja: Momentalisht jam duke bërë Aubiturën, që mund të quhet si shkolla e lartë, por ende nuk kam vazhduar për një lëndë të caktuar. Kam edhe dy vite të tjera, e më pas do vazhdoj për mësuesi ose ekonomi, financë.
CMG: Nuk do të vazhdosh për muzikë?
Kejsi Rrustja: Unë muzikën e kam ëndërr, e kam pasion, por duhet të kem edhe një profesion bazë për jetën time sepse muzika shkon e vjen, dhe zëri ndoshta nuk mund të jetë në formën më të mirë gjithmonë, prandaj dua të kem edhe një profesion tjetër.
CMG: Si është marrëdhënia jote me pianon?
Kejsi Rrustja: Kam bërë në shkollë muzike piano deri vitin që shkoi. Kam dëshirë që në të ardhmen ta shoqëroj veten duke kënduar dhe interpretuar në piano. Dua të gjej një mësuese muzike, që të punoj fort, për ta përfaqësuar veten sa më mirë.
CMG: Kejsi, ti ke qenë konkurrente në Festivalin e 60-të të këngës në Rtsh. Ishte thjesht dëshira për të qenë pjesë e historisë së festivaleve shqiptare, apo mendon se festivali është një trampolinë e mirë për të prekur skenën e Eurovizionit?
Kejsi Rrustja: Mua më ka pëlqyer festivali që kur isha e vogël, madje këndoja bashkë me mamin. Vjet në festival synimi im ishte thjesht pjesëmarrja. Kam pas kënduar e vogël këngën e Kejsi Tolës , ngaqë kisha edhe emrin e saj. Kur mami po mendonte për një emër për mua, ishte duke ndjekur spektaklin “Gjeniu i vogël” dhe e pëlqente shumë si këndonte, Kejsi Tola. Dhe kur linda unë i mbeti në mendje emri, Kejsi, duke menduar që të bëhesha një këngëtare e mirë si ajo.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Kejsi Rrustja: Kam dëshirë që të marr pjesë sërish në Festivalin e Rtsh-së, por kur të kem një këngë shumë të mirë. Për publikun do sjell shumë këngë të miat, pra do vij si kantautore. Kam tre vjet që postoj këngë herë pas here në kanalin tim në Youtube. Deri tani kam katër këngë, por kam edhe disa të reja që do vijnë në të ardhmen e afërt pasi t’u realizoj videoklipin në Gjermani. Për realizimin e orkestracionit dhe regjistrimin po punoj me kompozitorin e njohur Shpëtim Saraçi, i cili i ka duart e arta. Puna e tij është e mrekullueshme, saqë këngët që kam krijuar, në momentin kur ai i bëri orkestracionin nuk arrita ta dalloj, sa bukur dukeshin. Unë kam realizuar tekstin dhe muzikën, por kënga e merr kuptimin e vërtetë kur orkestrohet. Po punoj për një album muzikor me këto këngë, ndërsa do vazhdoj krijimtarinë time edhe me këngë të tjera.
CMG: Albumi do publikohet në Shqipëri dhe a do ketë këngë në gjuhën shqipe?
Kejsi Rrustja: Albumi do publikohet në Shqipëri dhe jashtë saj, por në gjuhën angleze. Momentalisht frymëzimi më vjen vetëm në anglisht, por do mundohem të krijoj edhe në gjuhën shqipe.
CMG: Faleminderit e dashur dhe të uroj shumë suksese!
Kejsi Rrustja: Faleminderit shumë Sava dhe një përshëndetje për të gjithë ata që po më ndjekin në këto momente.
Intervistoi: Sava Lena