Këngëtarja Rudina Delia ka lindur në Tiranë ku dhe ka studiuar në Liceun Artisitik "Jordan Misja" në degën e kantos e më pas fitoi të drejtën për të vazhduar të njëjtën degë, por tashmë në "Akademinë e Arteve" ku dhe studimet i mbrojti me medalje ari.
Gjatë periudhës së studimeve u angazhua në aktivitete të ndryshme në Teatrin e Operas dhe Baletit duke fituar role primare dhe të dyta. Pa mbaruar ende diplomimin, ajo konkuroi në një audicion austriak për zërat e rinj, ku doli fituese e vetme në TKOB për Shtetet e Europës Lindore nga CE music theater me qëndër në Vjenë të Austrisë për vitin 2007. Pas disa viteve eksperiencë në muzikën klasike dhe eksperiencën në TV Klan në bashkëpunim me emra të njohur të tregut muzikor shqiptar, Rudina interpretoi suksesshëm në muzikën shqiptare, duke patur disa pjesëmarrje në festivale të ndryshme në vend, si Festivali i Rtsh-së, Kënga Magjike, Top Fest, etj.
Numërohen të shumta mbrëmjet e përjavshme të muzikës ku e kemi parë krahas emrave të mirënjohur si, Aurela Gace, vëllezwrit korçarë Prifti, Aleksandër Gjoka, etj.
Tashmë ajo jeton dhe punon në profesionin e saj, në Toronto të Kandasë, si pedagoge e vokalit, “Vocal Coach”, por nuk e lë pas dore aspak krijimtarinë e saj, duke realizuar herë pas here materiale të reja shoqëruar me videoklipe, të cilat i ka prezantuar së fundmi.
CMG: Rudina, ke disa javë që ke sjellë këngën tënde të re me titullin "Fly”. Na trego për fabulën e këngës dhe çfarë ke dashur të transmetosh nëpërmjet saj?
Rudina Delia: Kënga “Fly”, lindi në një kohë pandemie, atëherë kur qe dimër i ftohtë këtu në Toronto. Dëshirën për të kënduar dhe për të lindur diçka të re e projektova tek kjo këngë. Erdhi krejt natyrshëm, u ula në piano dhe në 2 minuta kisha gati refrenin e këngës. Duke qenë se jam tejet kreative në tërësi dhe kohën e kam merak vetë ta plotësoj me gjëra të bukura. Mbaj mend që ishin ditë që kisha nisur të pikturoj, pasi piktura është një pasion tjetër i imi. Doja ngjyra të ngrohta, pemë, lule të bardha, pranverë, më dukej sikur çdo pikë e imja kërkonte pranverën, kështu lindi kënga “Fly”. Pas melodisë në piano dhe pasi punova orkestrimin në studion time, nisa të krijoja ato vargje që afroheshin më afër ndjesisë që më linin tingujt. Pasi kënga mori strukturën dhe formën e duhur, orkestrimin ja besova për herë të dytë tashmë mikut dhe kolegut tim, kompozitorit, Vullnet Ibrahimi.
CMG: Në videoklip dukesh si një flutur e bardhë që fluturon, duke u bërë njësh me tingujt e këngës. Flasim për idenë e videoklipit dhe realizimin deri në finalizim?
Rudina Delia: Videoklipi u realizua me bashkëpuntoren time, njëkohësisht dhe kushërirën time Marina Gecaj ku së bashku u ulëm dhe hodhëm ide të ndryshme, derisa arritëm në një skaletë solide ku do hidheshin xhirimet. Xhirimet i bënë me TKL shots, disa djem të filmit, në Toronto. Ngjyrat, veshjet, grimi, asgjë nuk qe rastësore. Çdo gjë u punua me kujdes që të krijonte një bosht të bindshëm ku të lidhej kënga dhe imazhi.
CMG: Rudina, ti jeton prej vitesh jashtë vendit. A vlerësohet një artist jashtë vendit, si në vendin e vet?
Rudina Delia: Mendoj se çdo rast, çdo njeri dhe çdo fat është ndryshe. Në rastin tim do thoja se Kanadaja më dha atë që Shqipëria nuk mundi dot, perspektivën, projektimin, zgjatimin e vetes. Sigurisht që ky vend më mban larg nga familja dhe njerëz të tjerë të dashur, malli për detin, vendet që kanë mbajtur ngrohtë fëmijërinë e kanë strehuar ëndrrat e hershme. Përpos gjithçkaje, mendoj se nuk ekzistojnë vendet ideale, por ne bëjmë ideale jetën me ato çka kemi mundësi të bëjmë, si dhe me zgjedhjet që bëjmë në jetë.
CMG: Kënga "Fly" do jetë një nga hitet e kësaj vere, por a do jesh ti prezente në Shqipëri për ta kënduar për publikun?
Rudina Delia: Po, do jem prezente këtë verë për ta kënduar, madje mezi po pres.
CMG: Këngën e fundit ti e ke realizuar në anglisht, është ky synimi i tregut ndërkombëtar?
Rudina Delia: Këngët në anglisht kanë qënë prezente thuajse në të gjitha performancat e mia live në Shqipëri. Mund të them se tashmë në gjithë këto vite kam kënduar deri në 10 gjuhë të huaja. Zgjodha këtë verë të vij me nië këngë originale timen në anglisht. Po, është e vërtetë që ka një projektim dhe ka synim pse jo ndërkombëtar. Vetvetiu kur jeton në një vend amerikan merr motivim edhe energji më shumë për të krijuar përtej gjuhës nga vjen.
CMG: Çfarë të lidh tjetër me Toronton, përveç muzikës dhe si është e përditshmja jote aty?
Rudina Delia: Në këtë qytet më lidhin miqësitë e vjetra dhe të reja kujtimet që kam krijuar këtu, familjarët dhe njerëz të tjerë që i kam pranë si të familjes. Ky qytet të jep mundësi të reja, mjaft që ti të duash dhe mjaft të punosh fort. Zoti deshi për fat të jem këtu dhe të punoj si artiste, kompozitore dhe po ashtu si, Vocal Coach. Aktualisht jap mësim në një konservator prestigjioz të Torontos.
Kam po ashtu studentët e mi që marrin leksione private, kryesisht dominojnë moshat e rritura. Shkruaj muzikë, realizoj këngët e mia, ndihmoj mjaft artistë të rinj këtu në Toronto që duan të mesojnë si të përdorin teknikën vokale dhe vokalin e tyre në mënyrën e duhur. Po ashtu performoj në eventet, festat familjare apo koncertet këtu në Toronto apo USA. Mendoj se të gjitha këto angazhime, janë mëse të mjaftueshme për të më plotësuar artistikisht .
CMG: E ardhja jote do jetë jashtë vendit apo do të jesh prezente edhe në vendin tënd me ndonjë projekt?
Rudina Delia: E ardhmja ime do jetë aty ku zemra do më flejë e qetë dhe e lumtur. Them se me këtë i thashë të gjitha...
CMG: Ti ke qenë pjesë e festivaleve në Shqipëri si, Festivali i Rtsh-së, Kënga Magjike, Top Fest. Çfarë ke fituar nga këto eksperienca dhe a do doje t’i ktheheshe konkurimeve?
Rudina Delia: Në këto festivale kam fituar përvojën, rritjen e vetëbesimit, kam fituar po ashtu zhgënjimet, kam kuptuar si kanë fuksionuar prapaskenat, etj. Nuk është e lehtë të merresh me muzikë, sidomos në Shqipëri. Është mjaft e vështirë për një artist t’ja dalë në një treg pa filter, siç është tregu shqiptar. Por duke ju referuar anës pozitive, them me plotë gojën se këto vështirësi gdhendin rezistencën, krenarinë kur ja del me forcat e tua dhe se e mira kurrë nuk humbet, prandaj nuk duhet humbur besimi kurrë.
CMG: Cili është synimi yt për të arritur në karrierën artistike?
Rudina Delia: Synimi im është të krijoj gjëra të bukura, të jetoj çdo ditë me zemrën plot. Jam tejet e lidhur me të bukurën në të gjitha format e saj. S'do rresht kurrë së përsërituri këtë. Kam gjetur një kënaqësi të paparë në mësimdhënie, madje kur shoh falenderime dhe respektin , mirënjohjen e shumë studentëve të mi, më lumturon të ndihmoj dikë apo të frymëzoj një artist të ri.
CMG: Në kohën tënde të lirë dëgjon dhe këndon më shumë këngë të muzikës së lehtë apo asaj klasike?
Rudina Delia: Është e shkrirë koha ime e lirë me muzikën dhe punën. Muzika nis sapo hap sytë në mëngjes dhe kur i mbyll në darkë, nuk di ta ndaj. Përsa i përket pyetjes së zhanrit muzikor, mund të them se ajo nuk përbën diferencim për mua. Kam materiale klasike që punoj me studentët që duan të ndjekin rrugën klasike, ka raste kur kam një projekt klasik timin apo materiale të tjera në muzikën e lehtë.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Rudina Delia: Planet kurrë s’i kam treguar para se t’i përmbush e realizoj. E kam parim këtë, por me kënaqësi do t’i ndaj me publikun pasi t’i plotësoj projektet e mia.
Intervistoi: Sava Lena