Artisti shqiptar Adhurim Demiri, i cili suksesin e tij e ka patur në fillim të viteve ’90 me grupin X, nuk është ndarë nga muzika dhe. Edhe pse prej vitesh nuk jeton në Shqipëri pasi e ka ndërtuar jetën në Austri, ai vazhdon të realizojë këngë të reja për publikun. Ishte rikthimi me këngën “Mall bulevardi”, për të vazhduar me “Invictus”,”Endem si një bohem”, të cilat të shoqëruara edhe me videoklip, erdhën për publikun shqiptar, duke u vlerësuar edhe me çmime në spektaklin “Netët e klipit shqiptar”.

Adhurim Demiri ne interviste per CMG

Adhurim Demiri ne interviste per CMG

CMG: Përshëndetje Adhurim! Ne ndodhemi sot pranë Amfiteatrit të liqenit artificial të Tiranës, çfarë kujtimesh të vijnë ndër mend tani?

Adhurim Demiri: Kujtime ka plot , madje dhe e dashura ime e parë është njohur në këto terrene (qesh), këtu lindën krijimet e para të këngëve. Unë kam qenë në atë kohë gjimnazist i "Petro Nini Luarasi". Dhe kur vinim të këndonim këtu në kodrat e liqenit, vinte dhe i madhi Françes Radi, për të cilin më ka marrë shumë malli. Një njeri në perfeksion, pa nerva dhe karakter për t’u marrë shembull.

CMG: Sot do të flasim për çmimin që fitove së fundi në spektaklin "Netët e Klipit Shqiptar", çmimin “Klipi më i mirë rrock".

Adhurim Demiri: Emocioni është i madh sepse të marrësh pjesë në një kompeticion si "Netët e Klipit Shqiptar" është një përgjegjësi shumë e madhe. Përballja këtë vit ishte e frikshme në krahasim me vitin e kaluar, sepse ishin shumë konkurime, dhe mua më rastisi të përballesha me grupin Elita 5, një grup legjendar, një grup rroku dhe me një baladë shumë të mirë si kënga "Lamtumirë". Sa i përket klikimeve balanca ishte plus minus, një herë unë dhe një herë ata me votimet. Të them të drejtën isha pak në stress, se edhe unë kam qenë pjesë e një grupi të njohur, por edhe ata një grup shumë i njohur dhe me këngë cilësore. Ishte fati që videoklipi i këngës "Invictus" ta vlerësohej me çmimin “Klipi më i mirë rrock", për të cilën u ndjeva shumë mirë.

Adhurim Demiri Foto personale

Adhurim Demiri Foto personale

CMG: Një vit më parë ti ke qenë më i qetë dhe fitove dy çmime me videoklipin e këngës " Mall Bulevardi".

Adhurim Demiri: Videoklipi i këngës "Mall bulevardi" mori çmimin "Montazhi më i mirë" dhe “Çmimi i madh publikut”,por fatkeqësisht unë nuk e mora në dorë çmimin sepse ra shi dhe aparaturat ishin në rrezik. U ndjeva mirë sepse më erdhën shumë mesazhe nga njerëz të ndryshëm dhe falenderime njëkohësisht. Ndërkohë këtë vit ishte konkurencë e fortë. Për gjithë këtë punë dua të falenderoj regjisorin Armand Vllahu dhe montazhierin Gjergji Pano.

CMG: Sapo përmende që një vit më parë pate frikë nga shiu për të tërhequr çmimin, ndërsa për të xhiruar videoklipin e këngës "Invictus" mezi po prisje që të binte shi.

Adhurim Demiri: Do ju tregoj diçka. Në orën 18.00 Armand Vllahu mbaroi punën dhe shkuam në vendin e xhirimit sepse parashikimi i motit e kishte dhënë për shi. Prisnim që të binte shi, dhe më në fund filluam xhirimet, pjesa kur rashë në asfalt, ishte plan origjinal, njerëzit menduan se ishte montazh, unë u vrava pak , por në ato momente nuk e ndjeva shumë. Të gjitha planet janë një minifilm, i gjithë grupi ka bërë një punë fantastike sa unë s'di si t’i falenderoj.


Adhurim Demiri Foto personale

Adhurim Demiri Foto personale

CMG: Në një intervistë më parë për Radio Ejani, ti më ke thënë se nuk të pëlqejnë festivalet, nuk të pëlqejnë garat, por në një farë mënyre edhe "Netët e klipit shqiptar" ku ti ke marrë pjesë për dy vite me rradhë, është një garë midis artistëve, midis videoklipeve.

Adhurim Demiri: Nuk kam gjë me festivalet, por mendoj se korridoret janë më të hapura tek "Netët e klipit shqiptar" me anë të figurës. Kam qenë pak skeptik për festivalet e ndryshme si karakter, por unë vij tek publiku si kantautor, teksti im ka mesazh dhe kënga ka jetëgjatësi. Fakti që këngët "Ditë dimri", "Zemra e një gruaje", "Mall bulevardi" etj, si dhe krijimtaria e kolegëve të mi Aleksandër Gjoka, Elton Deda, kanë këngë që këndohen ende, për mua ky është festivali më optimal. Mendoj se rikthimi im ishte në kohën e duhur, duke ndjekur këshillën e miqve të mi, të cilët më thonin të rikthehesha, gjithashtu dhe periudha 10 vjeçare që pushova, ishte kohë reflektimesh për një rikthim të fuqishëm.

Ajo mungesa ime 10 vjecare më ka bërë që ta shihja veten më ftohtë me syrin kritik. Koncentrati erdhi me "Mall bulevardi", "Invictus" , rrok balada "Endem si një bohem" , ndërsa tani kam edhe 3 projekte të tjera dhe mendoj se jam në rrugën e duhur. Kënga e rradhës do jetë bluz rrok, ndërsa fabula është erotike, është poezi e mirë, dhe kam edhe disa surpriza, një bashkëpunim me reper, por edhe shumë të tjera. Këngët mendoj se do të kenë jetëgjatësi sepse të gjitha kanë mesazhe brenda.

Adhurim Demiri Foto personale

Adhurim Demiri Foto personale

CMG: Jam në dijeni se do realizosh një koncert recital. Na trego disa detaje më konkretisht?

Adhurim Demiri: Ky koncert do jetë finalizimi i gjithë këtij rrugëtimi (jo se do e mbyll me këtë koncert), por gjithë kjo përmbledhje do vijë me një koncert unplugged të cilin mendoj që ta realizoj te Amfiteatri i liqenit ose tek Kisha Ortodokse. Ja kam besuar këtë koncert kantautorit, Elton Deda orkestrimet do jenë me kitaristë akustikë si, Arjan Gjici, Bledar Sejko, Sokol Shehu, etj. Dua të kem dhe violinçelë se është një instrument që po harrohet, gjithashtu dua të rikthej dhe dy këngë të miat, një prej tyre është "Jeta është si koha" të cilat do vijnë të riorkestruara. Koncerti mendoj që të jetë rreth 60 minuta dhe kam dëshirë që ta realizoj përpara Krishtlindjes. Mendoj se do jetë një koncert me përmasa profesionale. Unë nuk dalë në skenë për të marrë, por që kënga ime të këndohet pas shumë vitesh dhe nëse e dëgjon që në një të ardhme këngën e këndon dhe një fëmijë, ky është suksesi i këngës. Vetëm në Shqipëri ndodh ky fenomen paradoksal, që këngëtarët bëjnë 10 albume në vit dhe asnjë këngë e këtyre albumeve nuk mbahen mend, ndërkohë që nëpër botë artistët më të famshëm mund të bëjnë një album dhe mendohen shumë vite. Më mirë bëj dy këngë në vit dhe mbahesh mend për 30 vjet, sesa bën 100 këngë dhe nuk mbahet mend asnjë.

CMG: Adhurim, ti vjen e ikën, ikën e vjen disa herë në vit, por frymëzimin për të krijuar këngë e ke më tepër në Shqipëri, apo në Austri?

Adhurim Demiri: Të them të drejtën aty është më qetë se këtu dhe nuk e ka adrenalinën e Tiranës. Duke qenë më qetë, mund të marrë kohë nga vetja, pra aty kam frymëzimin, ndërsa në Shqipëri realizoj regjistrimet.

CMG: Kur je në Austri a të merr malli për Shqipërinë, për Tiranën?

Adhurim Demiri: Edhe pse në Vjenë kam ndërtuar jetën familjare, Tiranën nuk do e ndërroja me asnjë qytet të botës. Tirana na ka rritur me atë fukarallëkun e vet, thjeshtësinë e vet, edhe bardh e zi, do e dua historikisht.

CMG: Unë të falenderoj dhe shpresoj që kjo intervistë të mbetet një kujtim i bukur për ty.

Adhurim Demiri: Dhe unë ju falenderoj shumë të gjithëve, ishte kënaqësi!

Intervistoi: Sava Lena

Adhurim Demiri Foto personale

Adhurim Demiri Foto personale