Vaskë Curri është njësuar me këngën e Përmetit, por është i njohur për publikun e mbarë Shqipërisë me baladat dhe ëmbëlsinë e këngëve të pastra të trevës së Përmetit. Për zërin e tij dhe këngët e shumta për këtë trevë Vaskë Curri është cilësuar si “Bilbili i Përmetit”. Dhe pse ka një emër të madh ai nuk është ndarë kurrë nga vendlindja pasi te qyteti i trëndafilave ai gjen qetësinë, frymëzimin dhe mbështetjen e madhe popullore.

Vaske Curri (Facebook)

Vaske Curri (Facebook)

Vaskë Curri ka vite që këndon, por ende sot ai është mjaft aktiv në skenat shqiptare, në koncerte brenda dhe jashtë kufijve. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai flet rreth karrierës së tij artistike si dhe për porjektet muzikore

CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me këngën popullore?

Vaskë Curri: Këngën e kam pasur idhull që në vogëli dhe pak nga pak mu fut në gjak. Në lidhje me shkollimin për muzikë unë kam bërë një kurs për kanto si dhe kam qenë me usta Laverin, pastaj kam marrë pjesë në dhjetra festivale, si dhe kam qenë në të gjithë botën, duke konkuruar dhe fituar çmime. Është interesante se këngën popullore përmetare siç shikoj dhe kolegët e duan dhe e gjurmojnë të gjithë sepse ju pëlqen. Unë kënaqem kur ata këndojnë aq bukur si dhe unë. Unë jam një pjesë e këngës përmetare sepse ka dhe të tjerë në Përmet.

Vaske Curri duke interpretuar ne skene (Facebook)

Vaske Curri duke interpretuar ne skene (Facebook)

CMG: Ju përveçse një këngëtar me zë të veçantë dhe melodioz duke interpretuar mjeshtërisht këngën popullore, jeni dhe autor i disa krijimeve popullore. Flasim për këto këngë të shkruara nga ju.

Vaskë Curri: Kam shkruar dhe nuk mund ta fsheh, madje kam bërë dhe një libër shkencor i cili është promovuar në New York dhe Australi nga diaspora shqiptare. Ky libër ka dalë shumë i mirë edhe pse më ka munduar pak, por prapë me atë vullnetin e fortë që kam pasur i kam mbledhur këngët me kujdes dhe i kam renditur. Kështu që është bërë një libër me 500 faqe, ku gjysma e tij është përkthyer dhe në anglisht. Libri ka një pjesë të këngëve të Përmetit, rreth 500 këngë. Unë edhe shkruaj vetë sepse më pëlqen duke lidhur dhe vijën melodike. Përmeti i këndon dashurisë dhe unë kam bërë disa këngë që kanë qenë të dëgjuara shumë nga populli dhe ndjej kënaqësi.

Vaske Curri duke interpretuar (Facebook)

Vaske Curri duke interpretuar (Facebook)

CMG: Libri juaj është një botim shkencor për folklorin e Përmetit?

Vaskë Curri: Libri titullohet “Ç’këndokan këta bilbilë” dhe është bërë në një kohë rekord për tre vjet, kurse unë për 12 vjet kam gërmuar të gjitha këngët me tekste të rregullta dhe me kujdes të madh. E përgjithshmja është se në këtë libër i kam trajtuar këngët mirë dhe mund të gjesh çfarë të duash nga kënga popullore e Përmetit.

CMG: Ju vazhdoni të jetoni në qytetin e bukur të luleve, siç e quajnë Përmetin. Pse nuk jeni shkëputur nga Përmeti, për të ardhur dhe jetuar në Tiranë?

Vaskë Curri: Edhe me avion kur jam duke udhëtuar them sa të arrij në Përmet, sepse më duket sikur nuk ecën fare ky avion. Përmetin e dua shumë, nuk ka vend më të bukur dhe më të mirë se Përmeti. Unë kam shëtitur në të gjithë botën, por ka një gjë që jo se ju mungon diçka, por në Përmet gjen qetësinë, shpirtin e pastër të Përmetit. Kur kam vajtur për herë të parë në Suedi, të them sinqrisht që e kam krahasuar me Përmetin pavarësisht nga gjendja ekonomike, por nga njerëzit e butë dhe të urtë. Unë kam shtëpi në Tiranë dhe vij shpesh sepse dhe jeta aktive është në Tiranë, kurse këtu ndjehem mirë me shoqërinë e gjithçka. Ndoshta na ikën disa dhe na mungojnë, por shumicën e shoqërisë e kam këtu, kështu që ndjehem mirë.


Vaske Curri gjate xhirimeve te nje videoklipi (Facebook)

Vaske Curri gjate xhirimeve te nje videoklipi (Facebook)

CMG: Vajzat tuaja e kanë trashëguar muzikën nga ju?

Vaskë Curri: Ato kishin shumë qejf, por që nuk ju dha mundësia, sidomos njëra nga vajzat, kurse tani unë kam fëmijët e vajzave ku njëri i bie kitarës, tjetri luan në piano, ndërsa dy të tjerët në Athinë ndjekin kurse baleti dhe jam shumë i kënaqur. Unë jam një gjysh me shtatë nipër dhe mbesa dhe kam kënaqësinë e madhe.

CMG: Keni mbi pesë dekada që këndoni në skenat shqiptare dhe ato ndërkombëtare, ku jeni nga të rrallët artistë që nuk jeni shkëputur kurrë nga kënga popullore, por vijoni ta interpretoni si në fillimet tuaja. Keni ndonjë sekret për këtë jetëgjatësi në skenë?

Vaskë Curri: Përmeti ka një sekret që jo të gjithë e këndojnë, i vijnë anash Përmetit, por një pjesë nuk më vjen mirë sepse e prishin këngën përmetare. Unë nuk lëviz nga kënga përmetare, jo se nuk këndoj dhe këngë të trevave të tjera si ato shkodrane dhe korçare. Unë i këndoj sepse kam një jetë që merrem me këngën, por nuk lëviz nga Përmeti sepse më pëlqen shumë kënga përmetare, e cila është pak e vështirë për ta kënduar nëse e këndon origjinale. Kjo më ngroh dhe nuk tjetërsohem dot. Unë jam Vaska nga Përmeti dhe nëse më doni do të vij kështu ju them në koncerte. Megjithatë më duan njerëzit dhe më marrin në shumë evente muzikore.


Vaske Curri me kostum popullor (Facebook)

Vaske Curri me kostum popullor (Facebook)

CMG: Në repertorin tuaj muzikor, përveç këngëve solistike, keni realizuar edhe disa duete me të tjerë këngëtarë siç janë Poni dhe Devis Xherahu. Si jeni ndjerë në këto duete më këngëtarë të një brezi më të vonshëm se ju?

Vaskë Curri: Kjo është kënaqësia dhe e bukura sepse unë kur këndoj nuk e mendoja kurrë se do më donin, sepse shikoja këto rrymat e reja muzikore. Por kur kam kënduar nëpër klube e shikoj që jam shumë i ngrohtë në mesin e rinisë, nuk flas për moshën time. Mua më do shumë dhe rinia dhe kjo ëhtë më e bukura. Unë rinohem më shumë kur këndoj me Ponin dhe Devisin. Unë u mundova se Devisi është pak te kënga e lehtë, por këngët me Ponin dhe Devisin janë bërë hite. Gjithashtu kam dhe bashkëpunime me këngëtaren Juliana Pasha, që kemi kënduar te spektakli “Këngë moj” dhe janë materiale shumë të bukura. Unë i përshëndes të gjithë këngëtarët që kam bashkëpunuar dhe pres edhe të tjerë këngëtarë të rinj që të vijnë të më kënrkojnë ndihmë, sepse unë edhe i mësoj për këngën.

Vaske Curri me kostum popullor (Facebook)

Vaske Curri me kostum popullor (Facebook)

CMG: Ju kanë cilësuar si “bilbili i Përmetit”. A medoni se jeni vlerësuar sa duhet nga institucionet tona të kulturës?

Vaskë Curri: Nuk jam shumë i vlerësuar në Përmet, sepse këto kryetarët e bashkive më thonë se kanë qenë në Itali dhe më kanë çuar kasetën me këngët e mia jashtë. Kënga ime ka shkuar në të gjithë botën. Dua të them se 10 kryetarë bashkie që janë ndërruar këtu, 10 kafe nuk i kam bërë me ta. Kur vijnë njerëzit që më kërkojnë mua nëpërmjet kryetarit të bashkisë, atëherë më thërrasin dhe mua. Të them të drejtën unë ndihem mirë në qytetin tim të bukur, sidomos kur jam për popullin sepse po të jetë për nga kuadrot nuk kam ndonjë gjë për të thënë.

CMG: Vlerësimi që ju keni marrë nga publiku në këto pesë dekada besoj se është më i madhi në karrierën tuaj

Vaskë Curri: Kjo është e vërteta dhe kënaqësia ime që kur jam në mes të Përmetit dhe në çdo festë që jam i ftuar, qoftë vetëm apo me shokë ngrihet i gjithë populli duke kërcyer, dhe kjo më kënaq shumë.

Vaske Curri me vellezerit korcare (Facebook)

Vaske Curri me vellezerit korcare (Facebook)

CMG: Jemi në sezonin e gëzimeve familjare ku jeni mjaft i kërkuar. Si është kalendari juaj muzikor për këtë sezon?

Vaskë Curri: Në qershor kisha disa aktivitete muzikore, ndërsa tani në korrik kam një koncert për bashkinë e Lushnjes, në Vlorë dhe Tiranë. Kam dy evente famijare në Pogradec dhe Korçë, pra kam axhendë të ngarkuar. Gjithashtu kam një event në Gjirokastër sepse më kanë vlerësuar si “Nderi i qarkut të Gjirokastrës”. Unë i pres këto data, por që më vonë kam dhe një rrugë për Angli.

CMG: Përveç këtyre aktiviteteve të ngjeshura, keni ndonjë projekt muzikor apo këngë të re për të publikuar së shpejti?

Vaskë Curri: Publiku më kërkon materiale të reja muzikore dhe unë patjetër që do bëj, por sa të lirohem pak nga aktivitetet dhe dua të bëj një kolazh tjetër ose mund të bëj dy-tre këngë të shkëputura, ku kam në plan që t’i realizoj brenda këtij viti.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.

Vaskë Curri: Faleminderi shumë të gjithëve që mua më duan dhe më respektojnë. I uroj të gjithë njerëzit anembanë globit, të gjithë shqiptarëve, dashamirësit dhe ata që më duan mua, që do këndoj derisa të kem frymën e fundit.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese!

Vaskë Curri: Faleminderit ju për intervistën dhe suksese në punën tuaj!

Intervistoi: Gazmend Agaj