Hysni Hoxha është këngëtar i njohur i muzikës popullore tradicionale që gjatë gjithë karrierës së tij e ka ruajtur me fanatizëm tabanin popullor. Ai ka interpretuar jo vetëm këngë të trevës së veriut, por dhe të trevave të tjera të vendit, duke sjellë krijime të reja popullore për artdashësin shqiptar. Është vlerësuar me disa çmime në festivale të ndryshme folklorike për ruajtjen pastër në interpretim të muzikës popullore. Në një intervistë për CMG Z,Hoxha tregon për karrierën e tij muzikore si dhe projektet në të ardhmen.
Hysni Hoxha dhe kengetarja Vitore Rusha me veshje popullore (Foto personale)
CMG: Ju interpretoni këngë popullore të të gjitha trevave të vendit, por si keni mundur ta ruani të pastër këngën popullore në interpretim?
Hysni Hoxha: Për këtë unë falenderoj dhe bashkëpunëtorët e mi, duke nisur nga kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali, poetin e madh Jorgo Papingji, studiuesin Agim Qoku dhe shumë të tjerë, me të cilët kam punuar dhe e kemi ruajtur me fanatizëm muzikën popullore tradicionale.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj në këngën popullore?
Hysni Hoxha gjate marrjes se titullit te mirenjohjes se qarkut tw Elbasanit (Foto personale)
Hysni Hoxha: Fillimet e mia janë që në moshë të vogël, sepse artisti lind dhe nuk bëhet, sado që të mundohet. Nëse nuk ka talentin ose nuk është i lindur për këtë fushë, them se nuk e realizon dot. Unë muzikën e kam pasur pasion që në fëmijëri dhe falenderoj mësuesen time të asaj kohe Zingjine Bibën, që më zgjodhi mua në mesin e fëmijëve të tjerë, duke më thënë se duhet të këndoja një këngë në atë moment. Kështu që unë e realizova në atë kohë një këngë, dhe që aty nisi angazhimi im me muzikën.
CMG: Prej sa vitesh interpretoni këngën popullore dhe cilat kanë qenë aktivitetet tuaja në Shqipëri dhe diasporë?
Hysni Hoxha: Unë këngës, që nga ai moment që nisa të këndoj dhe deri më sot, nuk i jam ndalur asnjëherë. Sot kam këto arritje dhe suksese në fushën e muzikës popullore. Kam mbi katër dekada që këndoj këngën popullore dhe kam marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore në Shqipëri dhe në diasporë, si Zvicër, Gjermani, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Francë dhe Holandë. Kam qenë në disa shtete ku kam marrë pjesë në aktivtete muzikore, të pritura me sukses nga publiku.
CMG: Kohët e fundit ju keni realizuar disa këngë të reja popullore si dhe disa duete me këngëtarë të njohur të trevës së veriut. Si janë pritur këto bashkëpunime?
Hysni Hoxha: Unë kam disa bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm. Një vit më parë kam pasur një bashkëpunim me bilbilin e veriut Vitore Rusha. Këngën e orkestroi i mirënjohuri Edmond Zhulali dhe kjo këngë ka ecur shumë mirë. Të gjitha bashkëpunimet kanë qenë të suksesshme.
CMG: Një tjetër bashkëpunim keni dhe me këngëtaren Dava Gjergji dhe po punoni dhe për klipin e kësaj kënge të re.
Hysni Hoxha me kengetaren nga Kosova Shkurte Fejza (Foto personale)
Hysni Hoxha: Me këngëtaren Dava Gjergji po realizojmë një këngë shumë të bukur kurbeti që titullohet “Kthehuni djem se ju pret nëna” me tekst të studiuesit Agim Qoku dhe muzikë të Frank Kodrës, orkestruar nga Luan Degistani. Shpresoj që kjo këngë të pritet mirë nga publiku, sepse Dava Gjergji është një këngëtare shumë e mirë e trevës së veriut dhe mua më shkon shumë vokali më këngëtaret e Pukës.
CMG: Pse kjo këngë me temë të emigrimit?
Hysni Hoxha: Emigrimi i shqiptarëve po ndjehet në të gjitha trojet shqiptare, sepse rinia është duke u larguar dhe përmes këngës ne bëjmë një thirrje që të kthehen se i pret toka mëmë, sepse pa rininë as ne nuk kemi se çfarë të bëjmë.
CMG: Edhe motra juaj Afërdita Hoxha që jeton në Zvicër këndon dhe ju keni kënduar së bashku. Keni menduar për ndonjë bashkëpunim tjetër?
Hysni Hoxha me kengetaren nga Puka Dava Gjergji (Foto personale)
Hysni Hoxha: Unë kam tre duete me motrën time Afërditën, por ajo është në Zvicër kurse unë jetoj këtu. Kështu që jemi pak larg faktikisht sepse do të kishim dhe shumë bashkëpunime të tjera, por largësia na pengon.
CMG: Në familjen tuaj muzikën e kanë trashëguar dhe fëmijët tuaj. Keni qenë ju që i keni shtyrë ato drejt rrugës së artit?
Hysni Hoxha: Kjo është e vërtetë. Djali im Arben Hoxha është kitarist. Ai ka mbaruar Universitetin e Arteve në Tiranë dhe ka kryer një master në Genova të Italisë si dhe dy mastera të tjerë në Zvicër. Sot ai është pedagog në Fakultetin e Muzikës në Zvicër.
CMG: Si ndjeheni ju si prind për këtë sukses të djalit tuaj?
Hysni Hoxha: Prindi ndjehet tepër i kënaqur kur fëmija e tij ecën përpara me suksese, sepse vetëm tek fëmija kërkon më të mirën.
Hysni Hoxha me kryetarin e qarkut te Elbasanit (Foto personale)
CMG: Gjatë karrierës suaj muzikore keni marrë shumë vlerësime ku më i fundit ka qenë nga Qarku i Elbasanit titulli” Mirënjohja e Qarkut të Elbasanit”. Flasim për vlerësimet e tjera që ju keni marrë.
Hysni Hoxha: Unë jam vlerësuar me shumë çmime si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe së fundi ishte vlerësimi nga Qarku i Elbasanit, të cilin e kam pritur. Para pak kohësh kam marrë dhe një tjetër vlerësim në festivalin folklorik të Krrabës, ku më dhanë dy çmime, çmimin e parë si këngëtari më i mirë dhe çmimin e dytë të festivalit.
CMG: Si jeni ndjerë me gjithë këto vlerësime në karrierën tuaj artistike?
Hysni Hoxha: Me të vërtetë ndjehem mirë kur adhuruesit na duan dhe na vlerësojnë. Kjo është një kënaqësi e madhe për artistin.
CMG: Ju keni lindur dhe jeni rritur në qytetin e Librazhdit, duke i kushtuar dhe disa këngë vendlindjes suaj. Do sillni të tjera këngë për Librazhdin?
Hysni Hoxha: Unë në Librazhd kam marrë hapat e para të muzikës dhe duartrokitjet e para nga publiku, të cilit i jam tepër borxhli për të gjithë mbështetjen. Unë të gjithë repertorin tim muzikor pothuajse e kam më shumë të zonës së Librazhdit, dhe vendlindjes kurrë nuk do t’i shterojnë këngët nga unë.
CMG: Një veçori e juaja si këngëtar është se keni sjellë krijimtari të re popullore, duke e pasuruar folklorin.
Hysni Hoxha ne interviste per CMG
Hysni Hoxha: Kjo është e vërtetë, dhe unë jam munduar që të këndoj në trevën time, pa dalë nga tabani popullor, duke i kënduar këngët me mjeshtëri për ta ruajtur me fanatizëm muzikën popullore tradicionale. Për këtë gjë kam marrë disa vlerësime nga institucione të ndryshme.
CMG: Shpeshsherë ju shikojmë në realizimin e videoklipeve me kostumin popullor. E vishni gjithmonë kostumin tradicional të trevës kur këndoni dhe në skenë?
Hysni Hoxha: Unë mendoj se çdo këngë që këndohet duhet t’i përshtatet veshja. Nëse është këngë popullore duhet t’i përshtatet dhe veshja popullore e asaj treve të cilën përfaqëson ajo këngë. Unë në repertorin tim kam edhe këngë të jugut, dhe i kam përshtatur me veshjen popullore të jugut, këngët e veriut me veshjen e veriut, pra sipas këngës duhet zgjedhur dhe veshja.
CMG: Flasim për dy këngë popullore që ia keni kushtuar dy personaliteteve të larta të artit shqiptar, bilbilit të këngës popullore Luçije Miloti dhe artistes së madhe të kinematografisë Margarita Xhepa. Si lindi ideja për këto dy krijime muzikore?
Hysni Hoxha me aktoren e mirenjohur Margarita Xhepa (Foto personale)
Hysni Hoxha: Para një viti unë realizova një këngë për këngëtaren e madhe dhe bilbilin e Ballkanit Luçije Milotit. Unë kam pasur fatin ta njoh Luçijen dhe ajo më ka vlerësuar për talentin dhe zërin tim, dhe më kishte thënë se donte një këngë nga vokali im. Unë e kisha amanet atë dhe e realizova. Falenderoj poetin Jorgo Papingji për tekstin, ndërsa muzikën e kam bërë vetë sepse ma kishte lënë me fjalë që muzikën e donte nga unë, kurse orkestrimi është realizuar nga një djalë i talentuar, Gjin Prenga. Ndërkohë që kënga për Margaritën erdhi si ide e imja bashkë me Jorgon, të cilën e realizuam bukur dhe me orkestrim të Edmond Rrapit.
CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt të ri muzikor?
Hysni Hoxha: Së shpejti unë pres të realizoj një koncert recital në qytetin e Elbasanit. Këtë ma kanë propozuar kryetari i bashkisë dhe ai i qarkut të Elbasanit. Ngaqë tani jemi në stinën e pushimeve, mendova që këtë koncert ta realizoj në vjeshtë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani si dhe dashamirësit tuaj.
Hysni Hoxha: Përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani. Gjithashtu ju falenderoj shumë dhe juve për këtë intervistë kaq të bukur.
Intervistoi: Gazmend Agaj