Kleopatra Skarço Dokle e nisi aktivitetin muzikor me Ansamblin Popullor të Nartës, në vitin 1966. Në ato vite, lëvizja artistike amatore kishte marrë hov dhe nuk mungonin edhe organizimet kombëtare ku spikasnin talentet e rinj. Më 1966 fitoi çmimin e parë ne Festivalin Kombëtar te Ansambleve Artistike, me këngën “Një Bahçe me Portokalle”. Suksesi i saj brenda dhe jashtë Shqipërisë bëri që në vitet ‘70 të emërohej këngëtare profesioniste në Estradën e Vlorës dhe shumë shpejt u bë këngëtarja më e dashur e të gjitha moshave, jo vetem në qytetin e Vlorës, por në të gjithë Shqipërinë.
Këngët e saj këndoheshin nga të gjithë, i madh dhe i vogël. Kontributin dhe energjitë e saj me dinjitet, krenari e modesti vajza e valëve joniane i ka vënë në shërbim të integrimit të vlerave shqiptare, duke u shndërruar në një vlerë të çmuar kombëtare dhe historike e artit dhe kulturës shqiptare. Kleopatra aktualisht jeton në Sofje së bashku me familjen, është ftuar si artiste e mirënjohur në raste festash apo evenimente të ndryshme, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Ballkanik në Bullgari. Në një intervistë ekskluzive për CMG ajo tregon për karrierën e saj artistike brenda dhe jashtë vendit.
Kleopatra Skarco Dokle (Facebook)
CMG: Flasim për karrierën tuaj artistike vite më pare, ku keni shkëlqyer në çdo skenë dhe event muzikor. Si kanë qenë fillimet artistike për Kleopatrën?
Kleopatra Skarço Dokle: Unë jam nga Narta e Vlorës, një fshat me shumë tradita që dashuron këngën, që ka pasur një kinema madhështore ku jepeshin shfaqje të ndryshme. Në Nartë përveç kinemasë ishte dhe një sallë ku bëheshin aktivitete të ndryshme, ka pasur një bibliotekë shumë të madhe si dhe një bilardo që e kanë pasur ëndërr qytetet e jo më fshati. Narta ka nxjerrë kuadro me shkollë të lartë dhe me profesione nga më të ndryshmet. Dhe nga ky fshat me tradita kam dalë edhe unë, si artiste.
CMG: Këngën ju e kishit pasion dhe talent apo dikush nga familja këndonte dhe ju e trashëguat?
Kleopatra Skarço Dokle: Të dy prindërit e mi kanë kënduar shumë bukur në ambiente familjare dhe raste festash. Aty unë kam marrë nismën e parë si vokal, pra hapi i paë i jetës, pastaj kam kënduar në shkolla e me radhë. Aktivitetet në atë kohë kishin një hov të madh, dhe unë u bëra e njohur përmes këtyre aktiviteteve sepse dhe arti ka qenë në një zhvillim shumë të madh. Në një nga takimet kombëtare me ansamblin popullor të Nartës në atë kohë në drejtimit e të madhit Themistokli Mone dhe koreografit Jani Gjergji, në ato vite ku arti kishte shumë lëvizje në festivalin kombëtar amator, ansambli ynë u përfaqësua shumë denjësisht dhe ju dhurua flamuri i festivalit, sepse pati një sukses të jashtëzakonshëm.
Që aty filloi ndryshimi i jetës time dhe nisi karriera ime muzikore. Më vonë unë isha e ftuar me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore në një turne në Kinë në vitin 1966, ku qëndruam për 2 muaj e gjysmë. Aty ishte një pritje madhështore, dhe mund të them që aty u konfirmua jeta ime si këngëtare. Në atë sallën madhështore të Kinës, kënga ime atëhere u bë si hymn në Kinë, ku në gjithë atë sallë dilte njëri me letër në dorë dhe me këngën të shkruar dhe salla e kishte të shkruar këngën “Një bahçe me portokalle”, duke e kënduar të gjithë dhe që aty unë u konfirmova si këngëtare.
Pasi u kthyem nga Kina fillova të aktivizohesha me estradën e Vlorës dhe shtëpinë e kulturës, me festivalet ne RTSH dhe pastaj u konfirmova si këngëtare profesioniste.
Kleopatra Skarco Dokle dhe Aurela Gace ne skene (Facebook)
CMG: Ju përveç këngëve të bukura popullore qytetare vlonjate keni interpretuar dhe këngë të muzikës së lehtë, si dhe këngë popullore të trevave të tjera të vendit.
Kleopatra Skarço Dokle: Ka qenë fati im sepse unë atëhere kam kënduar në pothuajse të gjitha estradat e Shqipërisë. Kanë qenë aktivitete ku estrada e Vlorës bashkëpunonte me estradën e Shkodrës për të shkëmbyer eksperienca, por dhe me gjithë estradat e tjera të vendit dhe unë i kam shëtitur të gjitha këto estrada. Gjithashtu krahas estradës së Vlorës kam qenë me estradën e Kukësit ku kam kënduar këngët e bukura lirike kuksiane. Prej aty kam qenë me estradën e Shkodrës dhe të Tiranës dhe me Ansamblin Popullor.
Pra ka qenë një rrugë tepër e gjatë dhe e larmishme duke punuar me shumë kompozitorë të mirënjohur, orkestrantë të mrekullueshëm dhe dirigjenta. Aty ka qenë një marrje experience kaq e gjerë nga të gjithë këta, dhe kam pasur se çfarë të mësoj prej tyre.
CMG: Nga të gjitha këto zhanre të muzikës që ju i keni prekur dhe interpretuar bukur, cili zhanër muzikor përshtatet më mirë në zërin tuaj dhe që publiku ka nostalgji të të dëgjojë?
Kleopatra Skarço Dokle: Kjo nuk është vetëm nostalgjia e publikut, por është dhe nostalgjia ime për t’u lidhur me publikun, është kënga e dashur, kënga e shpirtit që i kam dhënë jetë këngës dhe e kam transmetuar te publiku im. Fundja kjo është një eksperiencë shumë e gjatë që mua më ka ushqyer dhe është e pandarë sepse është ushqimi i shpirtit tim, është kënga vlonjate qytetare.
CMG: Besoj se nuk është vetëm vokali juaj që publiku pëlqen, por dhe paraqitja juaj skenike gjatë interpretimit të këngëve?
Kleopatra Skarço Dokle: Kur këngën e dashuron është sikur me dhënë shpirt dhe jetë, dhe publiku këtë e shikon se çfarë jep, edhe atë do të japë. Unë kam dhënë shpirtin, e kam interpretuar këngën siç e kam ndjerë. Kur dal në skenë për ta kënduar unë nuk shoh publik, por futem në botën e këngës. Pra ky është interpretimi që ta duash këngën dhe ta përcjellësh te publiku ashtu siç është. Pastaj unë gjithmonë kam qenë vetvetja, nuk kam imituar asnjë këngëtar, ka qenë vetëm vetja ime dhe kam punuar me veten, dhe këtë ndoshta e kam përcjellë më mirë te publiku, dhe ai më ka mirëpritur dhe mirëkuptuar.
Kleopatra Skarco Dokle me kostum popullor (Facebook)
CMG: Prej disa vitesh ju bashkë me familjen jetoni në Sofje të Bullgarisë dhe kjo ka sjellë një shkëputje nga skena shqiptare. Sa ka ndikuar kjo shkëputje e gjatë në jetën tuaj artistike?
Kleopatra Skarço Dokle: Kjo ndodhi në vitin 1990 kur në Shqipëri filluan lëvizjet politike dhe unë atëhere u shkëputa sepse ne kishim tre fëmijë dhe i vogli në atë kohë ishte vetëm 6 muajsh. Ne u larguam nga vendi sepse duhet të vendosnim se çfarë do të bënim, ku bashkëshorti do të punonte ndërsa unë u sakrifikova me fëmijët. Kjo ishte një shkëputje shumë e gjatë, por që shkëputjen nuk e bëra vetëm unë sepse ne jemi rritur me sakrifica.
Në atë kohë ne kemi punuar dhe kemi hipur nëpër makina të hapura dhe mbyllura për të qenë prezent nëpër festivale apo dhe koncertet e vitit të ri kur na ftonin, dhe ishim prezent me gjithë sakrificat e mëdha. Por që shkëputja nuk vejn vetëm këtu sepse nëse do të kesh ftesë, dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, por këta drejtuesit artistikë që i marrin përsipër këto programet e mëdha apo koncerte të ndryshme, na harrojnë ne të vjetërve. Unë mendoj se ata mund të gjejnë një vend për të na ftuar për atë që ne kemi dhënë fundja, por edhe një mësim për të rinjtë që marrin pjesë dhe këndojnë, pra mund ta gjejnë një vend.
CMG: Para pak kohësh ju ishit e pranishme gjatë spektaklit muzikor “Këngë mo”j, ku prezenca juaj në skenë emocionoi gjithë publikun. Çfarë emocionesh përjetuat pas kaq kaq vitesh në skenë?
Kleopatra Skarço Dokle: U kujtuan të më ftojnë dhe unë erdha në këtë spektakël ku hyra në skenë me shumë emocione. Publiku dhe skena më kishin munguar, megjithatë unë mora komplimente nëpërmjet rrjeteve sociale që më erdhën nga fjalët më të ngrohta nga publiku dhe u jam mirënjohëse.
CMG: A do të kishit dëshirë të realizonit një koncert recital në Shqipëri për adhuruesit tuaj?
Kleopatra Skarco Dokle ne duet me kengetaren Aurela Gace (Facebook)
Kleopatra Skarço Dokle: Do të doja shumë dhe këtë e kam kërkuar, kam disa vjet që e kam kërkuar një gjë të tillë, por nuk janë të gatshëm sepse që të bësh një koncert tani duhen shumë fonde. Këtë gjë në dorë e kanë bashkia dhe organizatorët, por nuk janë të gatshëm sepse të gjithë shikojnë sesi të manovrojnë për vete, dhe nuk kanë faj sepse ekonomia e tregut kërkon se kush është më afër, dhe kush është më larg harrohet. Do të doja shumë ta realizoja një koncert recital sepse më mungon skena dhe publiku.
CMG: E vizitoni shpesh Vlorën tuaj të dashur?
Kleopatra Skarço Dokle: Patjetër që e vizitojmë, por për fat të keq në Vlorë shkoj në kohën e verës ku të gjithë janë të ikur dhe nuk arrin të takosh asnjë. Shkoj si era dhe iki si era. Kështu që takimet janë pak të shmangshme tani nga vetë koha që jetojmë.
CMG: Publiku dëgjon akoma me nostalgji këngët tuaja, të cilat janë të publikuara në kanalin YouTube, por ndoshta do ishte mirë që të vinit me ndonjë krijim të ri popullor, duke parë se zërin e keni në formën më të mire?
Kleopatra Skarco Dokle, (Facebook)
Kleopatra Skarço Dokle: Do të doja të bëja këngë të reja, por siç e thashë edhe këngë të re të bësh duhen fonde sepse askush nuk ta merr përsipër falas. Ata që kanë krijuar këngët e atëhershme dhe që kanë jetëgjatësi deri tani, nuk jetojnë më, dhe këta që janë sot punojnë me aparatura më të avancuara dhe ja kthejnë zërin si të dojë këngëtarit. Janë të kënaqur edhe me kaq sepse ta zbukurojnë zërin, kurse për ne që jemi bio akoma në zë, kanë frikë mesa duket.
CMG: Si një këngëtare me shumë vite karrierë dhe eksperiencë, cili është mendimi juaj në përgjithësi për muzikën popullore dhe interpretuesit e rinj?
Kleopatra Skarço Dokle: Ne kemi këngëtarë shumë të mirë që kanë bërë emër dhe nëpër botë, dhe për këtë duhet të krenohet Shqipëria dhe ne që i kemi sepse ata janë fëmijët tanë. Kurse për ata që kërkojnë ta këndojnë këngën qytetare popullore, do t’u thoja që të mos ta shtrembërojnë, mos t’i humbasin identitetin, por ta këndojnë ashtu siç është bruto. Kam dëshirë që të rinjtë ta këndojnë këngën siç është për mos ta humbur sepse brezat nuk do dinë nga cila trevë është kjo këngë.
Kleopatra Skarco Dokle.(Facebook)
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.
Kleopatra Skarço Dokle: Unë i përshëndes me dashuri të madhe të gjithë ata që më kanë ndjekur gjithë jetën dhe ju uroj të kenë shëndet e jetë pranë familjeve të tyre, të kenë dashurinë, mirësinë, mbarësi dhe jetëgjatësi. Lumturi pafund ju uroj të gjithëve. Në këtë rast unë dua tju falenderoj edhe juve dhe gjithë stafin tuaj duke ju falenderuar për ftesën, dhe që më bëtë pjesë të këtij emisiioni.
Intervistoi: Gazmend Agaj