Malda Susuri ka lindur në qytetin e bukur të Prizrenit. Artin e ka të trashëguar nga gjyshi i saj, madje për nder të tij ajo realizoi një ekspozitë ku prezantoi vetëm një pjesë të punimeve artistike të tij, me rastin e 77-vjetorit të lindjes së artistit të njohur Sulejman Lokaj. Malda ka studiuar për Grafik Dizajn, ndërsa muzika ka qenë pasion që e ka shoqëruar gjithmonë, duke qenë e pranishme në shumë festivale me këngët, zërin dhe stilin e saj të veçantë. Kulmi i suksesit të Maldës ishte në Shqipëri në vitin 2006, ku në festivalin e muzikës moderne “Top Fest 3”, ajo mori pjesë me këngën "Dashuri e hidhur". Kjo këngë u bë menjëherë e njohur, duke u transmetuar për ditë në radio dhe television dhe duke u bërë shumë e dashur për të gjithë të rinjtë në atë kohë
Malda Susuri (Foto Instagrami)
Më pas ajo mori pjesë në Top Fest, Kënga Magjike, etj. Pas një shkëputje nga muzika prej një dekade, Malda u rikthye këtë vit në publik me një koncert recital të cilin e quajti “Coma”. Për këtë recital, por edhe planet e saj në vazhdim, Malda Susuri flet në intervistën për Radio Ejani.
CMG: Në fillim të këtij viti ti u riktheve në publik me një koncert recital të menduar mirë dhe realizuar me mjaft profesionalizëm. Na trego pak për këtë?
Malda Susuri: Po, është koncerti im i pare, i cili ishte i përbërë prej 16 instrumentistëve, ku Visar Kuqi ka qenë udhëheqësi artistik dhe është kujdesur për muzikën. Pjesë e koncertit ka qenë edhe mësuesja ime duke e ka hapur atë me teksin e shkruar nga Rita Parashuti .
Malda Susuri (Foto nga Instagram)
CMG: Përse e quajte "Coma"?
Malda Susuri: Ideja është e lidhur pak dhe me shqiptarët, pasi ne si popull kemi qenë shumë besëdhënës, e kemi mbajtur fjalën dhe jemi njohur për këtë fenomen, ndërsa kohët e fundit ka filluar të zhduket disi. Gjithashtu e kam lidhur edhe me fenomenin artistik, ku është e vështirë për të vepruar, se shpesh herë artistët zhgënjehen prej premtimeve të dikujt tjetër, ose mendojnë ta lënë profesionin e tyre, në mënyrë që të mbijetojnë, pra detyrohen të bëjnë punë të tjera pa e parë aspektin shpirtëror, pa e parë a janë ata të përmbushur, a ndjehen mirë, nëse nuk merren me artin që ata e ndjejnë. Edhe unë këtë gjë e kam quajtur "Coma" . Ka disa artistë që nuk zgjohen nga “Coma”, ka disa artistë që edhe i rikthehen artit të tyre. Gjithashtu e lidha dhe me pandeminë, kur shumica prej nesh nuk e dinin a do ishin gjallë, a do zgjoheshin nga coma, ka qenë një periudhë shumë e trishtë. Pastaj e kam lidhur edhe me aspektin e dashurisë kur gjithmonë premtimet e mbajnë njëri -tjetrin dhe ndonjëherë dikush shkon pa e analizuar situatën mirë apo pa e menduar mirë se si e le partnerin, pa i ditur dëmet që i shkakton nëpërmjet fjalëve. Ky ka qenë gjithë perceptimi im rreth koncetit “Coma”.
CMG: Koncerti recital ështe hapur me disa fjalë të ndjera, sjellë nga mësuesja jote. Na trego disa detaje, përse zgjodhe këtë hyrje, si dhe cila ishte gjithë domethënia e saj?
Malda Susuri: Gjithmonë që fëmijë, mësuesen e kam pasur model dhe kur fillova të rritesha dhe merresha me art, përherë kam pasur dëshirë që ta kisha mësuesen pjesë të projekteve të mia. Dhe erdhi koha që mësuesja të hapte koncertin tim të parë dhe të lexonte tekstin të cilin e ka shkruar Rita, dhe që ajo është lidhur shumë me temën që sapo e tregova, për comën.
Malda Susuri (Foto nga Instagrami)
CMG: Përse e hape këtë koncert me këngën "Dashuri e hidhur”?
Malda Susuri: Koncertin e hapa me këngën time të pare, që më bëri të njohur, gjithashtu më bëri të zgjohem nga coma në muzikë, ku unë jam pritur mjaft mirë. Prandaj e nisa konceritn me këngën "Dashuri e hidhur", këngën time të parë, duke e lidhur me rikthimin tim pas 10 viteve.
CMG: A ka qenë e hidhur dashuria jote në ndonjë moment?
Malda Susuri: Patjetër. Në jetë çdo njeri kalon momente të bukura, por edhe momente të hidhura.
Malda Susuri dale ne Top Fest 3 viti 2006 (Foto nga youtube)
CMG: Si të lindi ideja që të vije me këtë concert, pas kësaj mungese të gjatë në publik?
Malda Susuri: Ideja ka qenë shumë e thjeshtë. Kam pasur dëshirë që ta kem dhe unë një koncert apo një përmbledhje të këngëve të mia, pastaj zhgënjimi artistik ka ndërlidhur idenë e "komës" dhe pse jo, e mendova për t’u rikthyer me koncertin.
CMG: Përse zgjodhe që në skenë të vendosje një shtrat me një serum?
Malda Susuri: Shtrati apo skenografia është dashur të lidhej me "coma-n" dhe më së miri këtë gjendje do e prezantonte shtrati dhe serumi. Kjo ka qenë arsyeja që unë në të vërtetë po ringjallem, dhe shtrati e prezantoi më së miri këtë gjë.
Malda Susuri dale ne Top Fest 3 -viti 2006 (Foto nga youtube)
CMG: Gjatë koncertit ti ke rrëfyer dhe për momentet e tua të vështira. Duke shpresuar që gjithçka të jetë e shkuar, çfarë do u sugjeroje vajzave që vuajnë nga i njëjti shqetësim?
Malda Susuri: Po është e vërtëtë që unë kam vuajtur nga ankthi dhe pata dëshirë për ta bërë publike, për të treguar se vuajtja nga ankthi është shumë normale dhe nuk ka asgjë të keqe. Është një lodhje që ne ja shkaktojmë trurit tonë, i japim fuqi shumë pakënaqësive që hasim çdo ditë. Çdokujt, jo vetëm vajzave, do ju rekomandoja që të mos mendojnë negativisht, që të mos e mendojnë të kaluarën, të kenë besim të madh në vetvete, të merren me gjërat që ju pëlqejnë dhe të mendojnë gjithmonë për një jetë sa më pozitive. Mua ajo që më ka ndihmuar këto kohët e fundit është meditimi, mendimi dhe shijimi i të tashmes. Të mendojnë për të ardhmen, t’ja lënë kohës, të lexojnë, të kënaqen me njerëzit që i kanë afër, ta shijojnë momentin, kjo besoj është më e mira për të gjithë ne.
Malda Susuri ne interpretimet live (Foto nga Instagrami)
CMG: Si kanë qenë gjithë këto vite për ty Malda?
Malda Susuri: Kam qenë shumë e ngarkuar, me shumë punë në profesionin tim. Kohët e fundit kam filluar të merrem me art konceptual, ku kam pasur dhe një ekspozitë timen që e kam quajtur "Molla". Nëpërmjet ekspozitës jam munduar të mbroj të drejtat e grave kundër seksualizimit dhe objektifikimit të tyre. Më pas kam bërë edhe një projekt tjetër që e kam quajtur, "Unë nuk jam objekt" ku përsëri kam mbrojtur të drejtat e grave. Kam qenë aktive sa i përket fuqizimit të gruas, gjithashtu do të jem aktive dhe do luftoj dita -ditës që t’i kemi të drejtat e barabarta. Kam bërë shumë punë, sa e lodha shumë veten, por tashmë po shpresoj të jem më e qetë, po punoj më pak dhe po bëj gjërat që më pëlqejnë, gjithashtu po i kthehem pak e nga pak muzikës.
Malda Susuri ne koncertin -Coma (Foto nga Instagrami)
CMG: Në koncertin recital ti ke përmendur : "Kismet pas një muaji koncerti tjetër". A do e mendosh seriozisht për ta paraqitur këtë koncert në vende të ndryshme, pse jo dhe në Shqipëri?
Malda Susuri: Në momentin që është menduar koncerti, është konceptuar për të mos mbetur vetëm në Kosovë, por të paktën të mbahet edhe në Shqipëri sepse aty gjithmonë i kanë pëlqyer këngët e mia, më kanë përkrahur dhe mua personalisht më mungon shumë publiku i Shqipërisë. Shpresoj që shumë shpejt të mund të gjejmë ndonjë kontakt dhe më pas të nisim përgatitjet. Kam shumë dëshirë që ta mbaj këtë koncert dhe në Shqipëri.
Malda Susuri nga koncerti -Coma (Foto nga Instagrami)
CMG: Publiku shqiptar të mban mend që nga periudha kur këndoje "Dashuri e hidhur", por edhe sot ti dukesh njësoj, me po të njëjtin stil, madje duket sikur vitet kanë ndaluar për ty.
Malda Susuri: Në fakt jam plak pak (qesh). E kam ndryshuar ngjyrën e flokëve, tani po mbaj ngjyrën time origjinale, po mundohem të mbaj stilin tim, por është shumë e vështirë. Mendoj se secili prej nesh duhet të krijojë identitetin e vet, duhet ta dijë se çfarë do dhe çfarë e bën të ndjehet mire, por dhe se ku do shkojnë. Kështu që unë që në fillimet e mia e kam vendosur se si duhet të jem dhe më e rëndësishmja është se stili që unë kam dhe identiteti im, më bëjnë të ndjehem mirë, dhe se besoj se nuk do ndryshoj ndonjëherë.
CMG: A do të kemi të reja muzikore nga ty Malda?
Malda Susuri: Patjetër që do të ketë të reja, por po më merr shumë kohë krijimi i këngëve të reja. Unë preferoj të punoj me hapa të ngadaltë dhe të sigurtë, por sigurisht që do ketë një këngë të re shumë shpejt.
CMG: Na njih me përditshmërinë tënde sot?
Malda Susuri: Profesioni im është Grafik Dizajn dhe punoj në një kompani me kohë të plotë. Më pas merrem me aktivitete fizike ku ushtrohem minimuni tre herë në javë. Kam një hobi që po e praktikoj prej 4-5 vjetësh luaj bouling dhe jam në federatën e Kosovës, ku jam e angazhuar minimumi një herë në javë. Jam aktive në mbrëmjet muzikore ku këndoj live, gjithashtu kohët e fundit po gjej më shumë kohë për të lexuar, meqënëse leximi më bën të ndjehem shumë mire. Preferoj të dal me shoqëri të mirë për ndonjë darkë, etj. Kafshët i dua shumë, i kam dy mace, kam edhe një qen në lagje për të cilin kujdesem.
Malda Susuri nga koncerti recital (Foto nga Instagrami)
CMG: Shumë faleminderit për intervistën. Shëndet dhe bekime për ty!
Malda Susuri: U ndjeva shumë mirë në këtë intervistë. Faleminderit edhe një herë që menduat për mua, që e dëgjoni muzikën time dhe shpresoj gjithë të mirat për të gjithë ju, dëgjuesit dhe lexuesit tuaj.
Intervistoi: Sava Lena