Të pandarë në skenë dhe në jetë, Merita Halili dhe Raif Hyseni janë çifti artistëve më të adhuruar nga publiku shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Me një karrierë të gjatë artistike në Shqipëri dhe në diasporë ata kanë interpretuar ndër skenat më të njohura botërore. Të vendosur në SHBA në fillim të viteve ‘90 çifti i artistëve ka kultivuar, ruajtur dhe promovuar muzikën shqiptare, duke e ngritur deri në nivele akademike. Ata nuk e braktisën kurrë muzikën popullore, por e përcollën edhe te komuniteti amerikan e më gjerë. Në një intervistë ekskluzive për CMG, Merita Halili dhe Raif Hyseni tregojnë për aktivitetin e tyre artistik si dhe projektet muzikore që presin t’i realizojnë së shpejti.
Merita Halili dhe Raif Hyseni (Foto personale)
CMG: Merita dhe Raif mirëseerdhët në Bio Folk!
Merita Halili: Mirë se ju gjetëm!
Raif Hyseni: Mirë se ju gjetëm Gazi, faleminderit dhe kënaqësi dhe nder që të jemi prezent në emisionin tuaj shumë të dashur e të mrekullueshëm.
CMG: Edhe pse ju vini shpesh në Shqipëri, këto dy vite për arsye të pandemisë nuk keni ardhur. Ju kishte munguar Tirana Merita?
Merita Halili: Tirana gjithmonë më mungon dhe është i vetmi vend që më mungon jashtëzakonisht.
CMG: Kaq vite e larguar nga Shqipëia e natyrisht kanë ndryshuar dhe brezat. Si ndjehesh që kur kthehesh je kaq e kërkuar për skenën dhe publikun, sikur të ishe larguar dje?
Merita Halili: Është e vërtetë sepse unë ndoshta kam qenë këngëtare që kam kënduar këngët e popullit dhe gjithmonë sa më afër popullit të jesh dhe populli të do, duke i sjellë gjithmonë nostalgjinë vendit tënd. Prandaj dhe unë vij me të njëjtin mall, me të njëjtin emocion siç kam ikur edhe ashtu vij përsëri për të interpretuar në skenat tona.
Merita Halili dhe Raif Hyseni bashke me kengetaren Dua Lipa (Foto personale)
CMG: Merita ju keni shumë këngë popullore të arkivuara, këngë të trevës së Shqipërisë së mesme dhe jo vetëm. Disa nga këto këngë egzistojnë dhe dëgjohen për dekada të tëra. Si ndjeheni që këngët tuaja këndohen nga i madh dhe i vogël edhe sot?
Merita Halili: Këngët që kanë lënë mbresa janë ato të viteve 90-91, por edhe më përpara kur unë kam qenë 16 vjeçe në festivalin e Gjirokastrës në vitet 1983-88. Unë kam kënduar “Dorë për dorë”, “Vajin e nizamit” me korin e ansamblit. Gjithashtu kam interpretuar një jare shumë të mrekullueshme të festivalit të Gjirokastrës “Jallah u shembsh me gjithë kacolle”, “Erdh pranvera”, “E mora rrugën”, “Lule të bukura ka Tirana”, “Më ka marrë malli për nënën time”, “Ajkën e qumështit”, “Doli goca në penxhere” që është bërë dhe sot e kësaj dite hit për të gjithë të rinjtë. Këto janë të gjitha këngët që i kemi lënë pas për brezin e ri dhe përsëri vazhdoj t’i interpretoj.
CMG: Dy nga këngët tuaja që sot janë të njohura janë të kompozuara nga bashkëshorti juaj Raif Hyseni, ku njëra nga këngët është për Tiranën dhe tjetra për dashurinë.
Merita Halili: Në fakt Raifi ka krijuar disa këngë për mua, dhe ne kemi ardhur përsëri me katër këngë dhe pjesë të reja që do t’i kemi në vazhdim për t’i punuar. Një nga këngët e para që Raifi ka shkruar për mua ka qenë kënga “E jotja jam, i imi je” për arsye sepse ne ishim në moment dashurie dhe ajo vërtetë ishte një këngë shumë e brishtë, e sinqertë dhe jetoi. Gjithashtu ka bërë këngët “Ujë na iku jeta", këngën e Mitrovicës si dhe këngën e Tiranës. Dua ta theksoj këngën e Tiranës sepse duke qenë në Amerikë unë kisha shumë mall dhe Raifi e ktheu në baladë dhe nostalgji këtë këngë. Më mungonte shumë Tirana, Shqipëria në atë moment që nisa një jetë të re në SHBA.
Merita Halili dhe Raif Hyseni ne interviste per CMG
CMG: Maestro Hyseni, cili ka qenë angazhimi juaj artistik pas dy viteve të pandemisë si profesor në universitet në SHBA për muzikën shqiptare?
Raif Hyseni: Pandemia ka bërë të vetën në gjithë botën, ka pasur ndikim gjithashtu dhe te unë dhe familja ime. Personalisht unë e kam pasur fatin e mirë që gjatë pandemisë jam marrë me mbarimin e CD albumit tim, ku kam shkruar 15 kompozime me orkestrime të miat. Aty kanë marrë pjesë rreth 24 muzikantë të ndryshëm nga Amerika, përfshirë vende si Finlanda, Turqia dhe Bullgaria. Kohën më të madhe jam marrë me miksimin e të gjitha pjesëve dhe është për t’u vlerësuar puna e të gjithë këtyre kolegëve, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre si muzikantë. Gjithashtu dhe të gjitha kritikat që janë bërë prej 8 profesorë-doktorëve që kanë dhënë kontributin e tyre me kritikën mbi punën time. Dua të falenderoj Prof.Dr Vaso Tolen, Prof.Rafet Rudin, Prof. Afrim Shabanin dhe Blerim Grubin. Këta të gjithë kanë bërë kritikat e tyre artistike mbi pjesët e mia dhe unë i kam marrë ato kritika duke i përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës.
Pas pandemisë bashkë me Meritën kemi dhënë mësim online dhe vitin e fundit kemi filluar aktivitetet tona fizikisht me studentët tanë në “Montclair State University”, pastaj kemi bërë dhe aktivitete shoqërore të ndryshme dhe disa koncerte të vogla. Në mars realizuam koncertin e pranverës si dhe koncertin e lamtumirës të një prej kolegëve tanë.
CMG: Albumi juaj muzikor është shumë i veçantë, dhe ju organizuat dhe një promovim online për miqtë tuaj. Keni menduar që të bëni një promovim të këtij albumi fizkisht në Shqipëri, Kosovë apo dhe në Amerikë?
Merita Halili gjate koncertit recital (Foto personale)
Raif Hyseni: Do kisha kënaqësi ta bëja një promovim live, mirëpo ardhja jonë tani ka qenë shumë e shpejtë, por shpresojmë dhe idenë tuaj do e marr si këshillë shumë të dashur dhe të mirë, dhe ndoshta kur të vijmë në fund të qershorit do e realizojmë. Unë doja të theksoja se një punë shumë të madhe ka bërë në përkthimin e të tetë kritikave të profesorëve Dr. Jan Sui, i cili i ka përkthyer të gjitha kritikat në gjuhën kineze dhe shpresojmë që promovimin ta bëjmë live ndoshta dhe në Kinë. Unë kam pasur tentativa para Covid 19 dhe kisha disa kontakte me autoritetet kineze, mirëpo ndodhi pandemia dhe thuajse çdo gjë u pezullua. Të shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë dhe neve të shkojëmë dhe në Kinë, pse jo mos ta prezantojmë dhe muzikën shqiptare atje. Do ishte vërtetë kënaqësi edhe pse neve nuk kemi qenë asnjëherë, por që është një shtet shumë interesant me një kulturë dhe histori shumë të lashtë.
CMG: Merita ju para dy vitesh organizuat koncertin tuaj recital live në bashkëpunim me AKVP. Keni menduar që këtë koncert ta jepni në Prishtinë, Shkup apo dhe në ndonjë qytet tjetër të Shqipërisë?
Merita Halili: Është e vërtetë dhe për këtë jam shumë e lumtur sepse solla edhe pak nostalgjinë e këngëve të Shqipërisë së mesme, por ndërkohë solla dhe këngë të reja popullore, siç ishte dhe kënga e dëshmorit ku muzikën e kompozoi Raifi dhe tekstin Ramazan Çeka. Unë përsëri i jam përmbajtur boshtit të koncerteve të mia që është bërë tradicionale, sepse kam mbajtur koncerte të mëdha, live dhe të gjata. Ne do të vijmë në fund të muajit qershor me një koncert recital në bashkëpunim me ansamblin popullor.
Merita me Raifin dhe vajza e tyre Rea Hyseni (Foto personale)
CMG: Jeni e lumtur tashmë që një ëndërr e juaja e mbetur në sirtar u bë realitet?
Merita Halili: Kjo ishte një ëndërr që u bë realitet në sajë të vendit ku unë kam filluar, Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku Zana Çela bëri vërtetë një punë shumë të madhe në organizimin dhe na e dha këtë mundësi pas kaq vitesh për të ardhur me një koncert recital. Ne marrim pjesë në shumë koncerte, por që mund të këndosh vetëm dy këngë, ndërsa në koncertin recital ishte një shumëllojshmëri këngësh, sepse populli ka dëshirë të dëgjojë më shumë këngë. Gjithmonë recitalet janë shumë më të vështira dhe më të thella.
CMG: Z. Hyseni si kanë qenë përshtypjet e atyre që e kanë dëgjuar albumin tuaj muzikor, sepse ju keni një larmi pjesësh të ndryshme të kompozuara dhe besoj se i keni marrë dhe përshtypjet e publikut?
Raif Hyseni: Kritikat kanë qenë shumë pozitive sepse janë 8 dijetarë të cilët e njohin muzikën shumë mirë, dhe kritikat e tyre janë shtytje për mua në të ardhmen që të bëj akoma dhe gjëra më të bukura, edhe pse transmetohen pjesë të ndryshme të instrumentaleve të mia në disa radio të SHBA-së. Albumi është pritur me një pozitivitet shumë të mirë dhe është pritur me një lloj kërshërie të madhe, sepse zgjedhja dhe mënyra se si i kam kompozuar është paksa e veçantë. Unë kam dashur që të shfrytëzoj rastin që përmes muzikës time të promovoj sa më tepër muzikën dhe kulturën shqiptare në kompozimet e mia. Në përgjithësi jam shumë i kënaqur me reagimet e komunitetit artistik, por edhe të popullit të thjeshtë, që e do muzikën dhe interpretimin tim.
CMG: Jeta juaj artistike në Amerikë nuk është ndalur për asnjë moment. Ju jeni të angazhuar edhe me koncerte për komunitetin shqiptar, por dhe me të huajt, duke ju mësuar atyre këngët tradicionale shqiptare. Si ndjehen të huajt kur mësojnë muzikën popullore shqiptare dhe çfarë thonë për këtë traditë të bukur të folklorit tonë?
Merita Halili dhe Raif Hyseni me kostum popullor tradicional (Foto personale)
Merita Halili: Duhet të jemi krenarë sepse kemi qenë vërtetë dy ambasadorë që kemi përcjellë muzikën shqiptare, folkun shqiptar, aq më tepër që u bë pjesë Raifi si profesor i cili mbaroi në këtë fakultet dhe e mbajtën për të hapur katedrën e parë shqiptare në të gjithë Amerikën me muzikën dhe folkun shqiptar. Ndjehemi krenar sepse kemi bërë aktivitete në të gjitha skenat më prestigjoze të Amerikës. Amerikanët e duan folkun dhe ata duan të msojnë shumë zhanre muzikore, nuk është vetëm një pjesë klasike ose jazz apo zhanre të tjera muzikore, por njëkohësisht janë të etur për të mësuar këngën ose muzikën e një vendi të vjetër, siç është Shqipëria. Ne kemi tradita, kemi folklorin dhe ndjehem krenare sepse dhe koncerti i fundit i pranverës që dhamë në “Montclair State University”, studentët kënduan këngë polifonike, këngë shkodrane, gjakovare dhe nga të gjitha trevat shqiptare dhe për këtë vërtetë ndjehem mirë. Më vjen mirë dhe për brezin e ri që mos t’i harrojnë këngët shqiptare, por t’i mësojnë kënët e vendit të tyre sepse edhe i huaji ka dëshirë të mësojë këngët e folklorit të një vendi tjetër.
CMG: Raif një pyetje që ta kanë bërë shumë veta, por është e pashmangshme… një djalë artist i Kosovës kaq i natyralizuar si dhëndër Tirane.
Raif Hyseni: Unë në fakt jam Tirons prej Mitrovice (qesh), por unë kam lindur dhe jam rritur në Mitrovicë, ndërsa jam burrnuar nëpër Evropë dhe Amerikë. Unë e ndjej vetën shumë mirë që jam dhëndër i Tiranës, sepse tironsit me të vërtetë dinë t’i trajtojnë, respektojnë dhe nderojnë dhëndurët e tyre. Por besoj se dhe në anën tjetër as familjes së Meritës nuk i ka rënë keq sepse ne partneren e jetës ose në rastin konkret mamanë e tri vajzave tona, ne i trajtojë me kujdes shumë të madh sepse është mamaja e tyre dhe mbi të gjitha kujdeset për to, kujdeset për mua dhe për gjithë familjen. Kështu që është mirë me qenë dhëndër Tirane.
CMG: Merita ju kemi parë shpesh që nëpër evente të ndryshme të vishni dhe kostumin e bukur tradicional të Shqipërisë së mesme. E keni tuajin personal kostumin popullor?
Merita Halili: Është kostumi im shumëvjeçar, që tani e ruaj me shumë kujdes sepse është i vjetër. Mundohem t’i mbaj mirë dhe dua t’i ruaj për koncertet më serioze dhe më të bukura, sidomos këtu në Shqipëri.
CMG: Keni menduar që disa nga këngët e repertorit tuaj popullor t’i risillni për publikun me orkestracione të reja?
Merita Halili: Në kohën kur kemi bërë inçizimet e vjetra ka qenë vetëm një shirit dhe një bobinë dhe duhet të ishe preçize që ta këndoje këngën nga fillimi deri në fund. Tani që teknologjia ka ardhur më e zhvilluar, për mua është shumë më e lehtë dhe dua t’i risjellim bashkë me Raifin edhe njëherë, sepse ato janë këngë që nuk vdesin kurrë.
CMG: Njëra nga vajzat tuaja Rea është angazhuar me muzikën jazz. E keni mëbshtetur ju si dy artistë në këtë rrugëtim?
Merita Halili duke performuar ne skene (Foto personale)
Raif Hyseni: Zgjedhja ka qenë e saj personale. Prindërit e mi nuk kanë qenë muzikantë, as prindërit e Meritës nuk kanë qenë muzikantë. Ndërsa parësia e Reas është se të dy prindërit i ka muzikantë profesinistë dhe kuptohet mbështetjen e ka maksimale nga unë dhe Merita. Përkundër talentit që ajo ka, ne kemi plot miq në Amerikë të cilët janë artistë të jazzit si këngëtarë dhe muzikantë. Është një konkurencë shumë e madhe sepse duhet të konkurosh jo vetëm me Amerikën, por me gjithë botën. Nga ky drejtim ne kemi qenë pak skeptikë sepse ajo ka dhe disa aftësi të tjera, të shkrimeve që bën ose në profesione të tjera që mund të japë kontributin dhe mos të ketë kokëçarje siç mundet të ketë me muzikën sepse është një art që duhet më dhënë shumë dhe me marrë pak. Ndërsa në sfera të tjera ku ajo është shumë e aftë, mundet me dhënë pak dhe merr shumë. Gjithmonë do ta ketë përkrahjen tonë. Ajo ka bërë disa koncerte, ku në koncertin e fundit për herë të parë ajo këndoi me jazz band dhe ne u ndjemë shumë të kënaqur dhe krenar kur e pamë vajzën tonë Rean duke kënduar me jazz band, që ishin mbi 20 këngëtarë. Ne si çdo prind kemi dëshirë që ajo të ketë suksese më shumë sesa neve.
CMG: Faleminderit për këtë intervistë Merita dhe Raif dhe ishte shumë kënaqësi që ju kisha mysafirë në Bio Folk.
Merita Halili: Faleminderit dhe jam shumë e lumtur dhe e priviligjuar që jam përsëri me Radio Ejani dhe që ju më intervistoni vazhdimisht gjatë gjithë këtyre viteve që na ndjek dhe na mbështet.
Raif Hyseni: Shumë faleminderit dhe ishte kënaqësi dhe privilegj që të jemi mysafirë në emisionin tuaj shumë të dashur. I përshëndesim të gjithë dëgjuesit kudo ndodhen, këtu në Europë, Kinë dhe Amerikë.
Intervistoi: Gazmend Agaj