Këtë vit u zhvillua edicioni i 75-të i Festivalit të Filmit në Kanë me shumë yje të kinemasë dhe të ftuar. Festivali i filmit u mbaj nga 17 deri më 28 maj, në Kanë të Francës.
Pjesë e këti edicioni ishte dhe aktori shqiptar, Alban Ukaj i cili parakaloi në tapetin e kuq të festivalit prestigjioz në Kanë, ku pati dhe një ndër rolet kryesore në filmin “Tori dhe Lokita” me regji të Jean-Pierre & Luc Dardenne, konkurrues i këtij festivali.
Aktori Alban Ukaj ka theksuar për mediat se; “Puna në set me regjisorët Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, është një shkollë aktrimi më vete. Ata janë nga intelektualët më të mëdhenj që kam pasur rastin të takoj ndonjëherë, aq më tepër kur këtë vit u riktheva në Festivalin e Kanës në Francë, si aktor i filmit “Tori dhe Lokita”. Ky film tregon historinë e dy adoleshentëve, të cilët kanë udhëtuar nga Afrika për të emigruar në Belgjikë, ku përballen me kushtet mizore të migrimit.
Aktori Alban Ukaj në një intervistë dhënë për RTV Ora, ka thënë;
“Jam ende nën emocione. Është një distancë prej 13 viteve dhe nuk e di sa kam qenë i vetëdijshëm në atë kohë kur ishte premiera e filmit “Heshtja e Lornës”. Me kalimin e kohës jam rritur profesionlisht dhe e perceptoj pak më ndryshe kinematografinë dhe aktrimin. Këtë herë kam pasur me të vërtetë një emocion të veçantë, sepse siç e dimë të gjithë është një nga festivalet më të mëdha botërore dhe të gjithë autorët e filmit janë aty. Ajo më interesantja për mua, ishte fakti që unë e pashë filmin bashkë me 2080 shikues të tjerë, dhe ishte një emocion i veçantë. Vëllezërit Dardenne, me të cilët asgjë nuk kalon lehtë, as një kafe nuk kalon pa ngritje të nivelit intelektual” u shpreh ai.
Lidhur me mungesat e artit kinematografik në rajonin e Ballkanit aktori thekson se:
“Ajo që na mungon ne është logjistika, mungesa e agjentëve. Ne si vend i Ballkanit kemi një agjent që përfaqëson 300-400 aktorë dhe nuk mund të merret konkretisht me një klient të posaçën. Ekziston diçka në botën e artit, si në film ashtu edhe në teatër, kur hapet perdja, aty gënjeshta nuk ka më. Kur shohin filmin, nëse dikush do të të vlerësojë, të vlerëson aty dhe jo pas fotove të Instagramit”
Aktori Alban Ukaj ka vlerësuar me këtë rast regjizorët e filmit:
“Tjetër gjë çfarë është e rëndësishme tek regjisorët, vëllezërit “Dardenne” është parapërgatitja. Unë kam qëndruar për katër muaj e gjysmë në Belgjikë, ku kam pasur kurse intensive të gjuhës frënge, për çdo ditë nga katër orë. Përgatitjet bëheshin në vendet autentike, aty ku është xhiruar filmi me orë të gjata të punës. Pjesa e kritikëve thonë se; filmat e vëllezërve “Dardenne” duken si filma dokumentarë që kanë shumë improvizime, por unë them se nuk ka improvizime, por ka shumë punë, për këtë arsye saktësia e punës duket si film dokumentar. Ajo që është me rëndësi tek vëllezërit “Dardenne”, është mënyra se si ata e tregojnë ngjarjen, si e tregojmë historinë, e jo për tu paraqitur se sa aktor i mirë është presoni në fjalë, por sa i besueshëm është personazhi që po e luan atë rol”, ka përfunduar Alban Ukaj.
Në filmin artistik “Tori dhe Lokita” aktori nga Kosova Alban Ukaj bashkëpunoi me regjisorët belgë, Jean –Pierre Dardenne dhe Luc Dardenne.
Kujtojmë se aktori Alban Ukaj u rikthye në këtë Festival të filmit në Kanë, pas 13 vjetësh, pas eksperiencës së parë që pati me filmin ”Heshtja e Lornës”.
Filmi “Tori et Lokita” sjell në vëmendje dy fëmijë që kanë udhëtuar vetëm nga Afrika dhe e gjejnë veten duke u përballur me kushtet mizore gjatë migrimit të tyre në Belgjikë, për t’u pajisur me dokumenta aty.
Filmi “Tori dhe Lokita” me aktorin shqiptar Alban Ukaj, fitoi këtë vit çmimin special të Festivalit të 75-të të Filmit në Kanë.
Biografi
Alban Ukaj ka lindur më 25 korrik 1980 në Prishtinë. Ai ka studjuar për aktrim në Fakulltetin e Aktrimit në Prishtinë me profesor Faruk Begolli. Albani kreu studimet e mëtejshme për aktrim në vitin 2001 në Akademinë e Arteve të Sarajevës në Bosnje-Hercegovinë ku dhe u diplomua në vitin 2007. Ai është një aktor dhe regjisor, i njohur i filma “Hëna e plotë” (2019), The Pit (2019) dhe “Heshtja e Lornës” (2008).
Sava Lena