Kamela Islamaj është një artiste që njihet për performancat “Live” të suksesshme. Ajo e ka nisur rrugëtimin e saj televiziv pas pjesëmarrjes në një talent show, por rruga e saj muzikore ka filluar shumë më herët. Kamela i nisi studimet për piano që në moshën 5-vjeçare dhe paralelisht ka marrë pjesë në eventet muzikore të qytetit të Korçës. Pjesëmarrjet e saj në festivale të ndryshme në vend si Festivali i RTSH-së, Top Fest, Festivali i Jazz-it në Shkodër, si dhe në Tiranë e bëjnë atë një ndër këngëtaret më profesioniste të kohës. Kamela i është përkushtuar plotësisht muzikës, duke mos bërë asnjëherë kompromise me muzikën komerciale. Për Grupin Mediatik të Kinës ajo ka rrëfyer për jetën artistike, si edhe planet për të ardhmen.
Kamela Islamaj & Sergio Hajdini ne interviste per CMG
CMG: Kamela, e ke nisur muzikën që e vogël. Edhe pse je shumë e re ke 30 vite që jeton me muzikën. Si kanë qenë këto vite për ty?
Kamela Islamaj: Mua më duket gjëja më normale që kam bërë në jetën time, duke qenë se nuk kam bërë asgjë tjetër veç muzikës. Nuk e di se si mund të ishte jeta ime pa muzikën. Unë kam lindur me muzikën dhe po vazhdoj me të dhe në fund të ditës ndjehem e lumtur sepse po bëj një gjë që më pëlqen, jam e përmbushur shpirtërisht.
Kamela Islamaj (Foto nga Instagram)
CMG:Çfarë ka lënë shenjë në jetën tënde në gjithë këto vite?
Kamela Islamaj: E para, ka qenë regjistrimi im në shkollën e muzikës ku studiova për piano. Kjo ka qenë pika e parë që më ka hapur një derë, një horizont edhe pse kur isha e vogël nuk e kuptoja, por tani që e mendoj, nuk e di se çfarë mund të bëja tjetër. Gjëra të tjera që kanë shënuar Kamelën artistikisht ka qenë pjesëmarrja ime në një talent show si “Ethet e së premtes”, asokohe isha 16 vjeç. Ai ishte edicioni i dytë, por bëhej për herë të parë në Shqipëri dhe ishte një nga programet më të ndjekura ku të gjithë ne talentët e rinj u kthyem në “Pop- star”. Më pas erdhi pjesëmarrja në festivale, angazhimi me muzikës, etj. Me thënë të drejtën kam bërë shumë, ndjej që nuk kam bërë mjaftueshëm, kam edhe shumë për t’i dhënë publikut.
Kamela Islamaj (Foto nga Instagrami)
CMG: A ka pasur momente kur ke thënë “boll më, dua të merrem me diçka tjetër”?
Kamela Islamaj: Ka momente, kur jam ndjerë e lodhur, kur nuk ndjehem e vlerësuar mjaftueshëm, kur e ndjej se kam vlerësimin nga kolegët, por kur vjen puna te publiku, e ndjen se kanë shije të tjera dhe nuk përshtaten me atë që bëj unë. Pra është gjithmonë një luftë e vazhdueshme me ne artistët që të bëjmë atë që ne duam, por që të jetë e përshtatshme për tregun. Dhe kështu kalojnë vitet me radhë, pa nxjerrë një këngë (qesh).
Kamela Islamaj (Foto nga Instagrami)
CMG: Kamela ti je këngëtare, kantautore, interpreton dhe luan mjaft bukur në piano, por ku ndjehesh ti më mirë, kur luan në piano, apo kur këndon?
Kamela Islamaj: Unë jam shumë komode kur këndoj në skenë, jam kantautore e këngëve të mia, por nuk e di se ç’më ndodh kur ulem në piano. Ndoshta ngaqë ka qenë dashuria ime e parë dhe e mbivlerësoj pak pjesën e të luajturit në piano, ose e nënvlerësoj veten në mënyrën e të luajturit në piano, nuk e di cila nga këto të dyja është, por unë emocionohem shumë kur luaj në piano. Këtë u them të gjithëve, nëse më doni mua 100 % më lini të këndoj, po më kërkuat të luaj edhe në piano do na duhet më shumë kohë (qesh). Pianoja është mbreti i instrumentave, kur ke pianon në dorë është njësoj sikur ke të kesh një orkestër në dorë. Nuk është vetëm instrument solist, të jep shumë mundësi të jesh i lirshëm dhe unë emocionohem pafund.
Kamela Islamaj (Foto nga Instagrami
CMG: Në sa instrumenta ke eksperimentuar, qoftë edhe në performanca live?
Kamela Islamaj: Në perfomanca live kam luajtur në piano dhe ukulele, ndërsa për të provuar kam luajtur në bateri, në violinë (pasi kam motrën violiniste) .
CMG: Ti e ke nisur fillimisht me instrumentin e violinës?
Kamela Islamaj: Po, është e vërtetë. Unë e kam fituar shkollën në klasën e parë për violinë, por unë doja të studioja për piano dhe nuk shkova për violinë. Të gjithë u habitën me këmbënguljen time për të vazhduar piano dhe në fund më lanë në zgjedhjen time. Kam qenë një pianiste shumë e mirë, por tani kam disa vite që nuk luaj më në piano, por sa herë që luaj është një kënaqësi më vete.
Kamela Islamaj dale ne spektaklin - Ethet e se premtes (Foto nga google)
CMG: Cila është vepra që ke dëshirë të luash sapo ulesh në piano?
Kamela Islamaj: Sa herë që ulem në piano luaj një pjesë nga vepra e kompozitorit francez, Debussy ,“Clair de Lune” pastaj vazhdoj.
CMG: Ti u jep mësim fëmijëve. Ku e sheh veten më të sigurtë, kur u jep mësim fëmijëve, në piano apo kanto?
Kamela Islamaj: Tek të dyja, por pianoja i jep rezultatet më ngadalë, nuk është si kënga që i jep rezultatet më shpejt. Në piano duhet më shumë kohë, sa të formohet dora, sa të formohen muskujt, rezultatet më të shpejta i kanë leksionet e këndimit , kur sheh që studentët që ulen dhe luajnë në piano, është një kënaqësi shumë e madhe.
Kamela Islamaj duke interpretuar ne piano (Foto nga Instagrami)
CMG: Ku është emocioni më i madh për ty si artiste, kur sheh këta fëmijë të interpretojnë në një talent show, apo kur ti ke qenë pjesë e një talent show?
Kamela Islamaj: Në përgjithësi nuk jam shumë krenare për veten kur dal të këndoj, kam gjithmonë kritika për t’i bërë vetes, ndërsa kur këndojnë fëmijët është një kënaqësi tjetër, sepse është rezultati i një pune. Është kënaqësi shumë e madhe në të dyja rastet, duartrokitjet e publikut janë një adrenalinë më vete, ndërsa kur janë fëmijët në skenë, është një lloj krenarie sepse kam punuar unë me ta për të arritur suksesin.
CMG: Në Fest 58-të je shfaqur e ngjyrosur. Sa kohë të është dashur që të ngjyrosje trupin tënd?
Kamela Islamaj: Më janë dashur gjashtë orë kohë për të ngjyrosur trupin në dhomën e grimit. Ishte shumë e bukur, por ishte gjëja më e gabuar përpara një konkurimi. Teknikisht nuk më ka penguar fare, por ndoshta mund të ishte më mirë që të qetësohesha në ato momente, por Linda Guri që është shumë e qetë, më ka bërë të ndjehem mjaft mirë, të cilën gjej rastin ta përshëndes.
CMG: A mbete e kënaqur në fund?
Kamela Islamaj: U kënaqa shumë në atë festival sepse ishte hera e parë që unë prezantohesha si kantautore. Për mua ishte një punë e dyfishtë, sepse përveçse të këndoja mirë, duhet të bëja krenare veten që mund t’ia dilja me këngën time. Prezantimi ka qenë shumë i mire. Mendoj se ai festival dhe ajo këngë e kryen misionin e tyre.
CMG: Nga pikëpamja e shijeve, çfarë përfaqëson ti personalisht?
Kamela Islamaj: Kur kam qenë më e vogël, më pëlqente të vishesha me të zeza dhe muzika që dëgjoja ishte shumë e lidhur me pamjen time. Nga gjërat që më pëlqejnë shumë janë pirsing, tatuazhet, tani jam normalizuar disi nga ngjyrat e flokëve, nuk kam më ngjyra, vetëm një pjesë të flokëve që kam të ruajtur (qesh). Mua më pëlqejnë gjërat e bukura, jo vetëm estetikisht, por edhe në atë që dëgjoj, muzikën që dëgjoj, është pak specifike. Nuk ka njeri që si pëlqen e bukura, siç thoshte dhe profesori im, e bukura nuk është për të gjithë, dhe jo për të gjithë është e njëjta e bukur. Jam munduar që të gjej të veçantën për të cilën unë mendoj se është e tillë .
Kamela Islamaj ne skene (Foto nga Instagrami)
CMG: Sa i përket veshjes, unë të shoh që vitet e fundit ke filluar të vishesh më klas, a ka lidhje fakti që prej vitesh ti bashkëjeton me një partner?
Kamela Islamaj: Jo, kjo ka lidhje me mua. Unë jam rritur si fizikisht, gjithashtu më kanë ndryshuar koncepti dhe perspektiva që kam për veten time. Në qoftë se dikur mua më ka pëlqyer trasgresivja, pra diçka ndryshe, edhe sot vazhdoj e ruaj atë mendim, por tani nuk është më e bërtitur me zë aq të lartë si më parë. Jam ndërgjegjësuar me veten time dhe kam filluar ta pranoj Kamelën ashtu siç është, ndjehem mirë kështu siç jam sot. Nuk e di se çfarë do ndodhë me mua pas 10 vjetësh, por do ritakohemi dhe do të tregoj (qesh).
CMG: Sa i përket shijeve muzikore, ku e sheh veten, në cilën rrymë muzikore?
Kamela Islamaj: Në muzikë e shoh veten në Black music, Blues, Funky , Jazz, R&B, Soul, etj, por sigurisht që rroku është një adrenalinë më vete, është një kënaqësi e madhe që të këndoj muzikë rrok, më jep një energji shumë të madhe .
CMG: Ti ke mbaruar studimet për muzikologji, a e sheh veten të aftë sot për të kritikuar artistët?
Kamela Islamaj: Unë muzikologjinë e kam bërë gjithmonë edhe pa studiuar, jam shumë kritike në përgjithësi, sidomos ndaj njerëzve të mi të dashur, si edhe njerëzit e mi janë shumë kritikë ndaj meje. Tani është kënaqësi e madhe që kam dhe titullin e tillë e që mund ta bëj lirisht këtë gjë. Muzikologjinë dua ta kem si një alternativë të dytë, nëse do lodhem një ditë nga këndimi. Muzikologjia është shumë e bukur, nëse do jetë e bërë mirë. Ne kemi pak gazetarë kritike në Shqipëri dhe kjo ishte idea ime, që të bëja dhe një shkollë gazetarie më pas. Kam ende kohë, se vetëm 35 vjeç jam.
Kamela Islamaj ne interviste per CMG
CMG: Mendon se do krijohen armiqësira mes kolegësh nëse do japësh kritikën tënde?
Kamela Islamaj: Në Shqipëri ne nuk e marrim asnjëherë kritikën, sepse duhet gjithmonë të jemi të parët, por njeriu sa më shumë kritika të marrë , aq më shumë rritet profesionalisht. Unë jam person që e dua shumë kritikën dhe vetë çdo kritikë e kam pritur me dashamirësinë më të madhe .
CMG: Kamela, i dashuri yt është italian dhe bashkë ju keni qenë pjesë e disa eventeve me muzikë elektronike. Vazhdoni ende dhe sot?
Kamela Islamaj: Trumani luante shpesh vetëm si Dj, ndërkohë që unë luaja me bandet e mia muzikore. Një ditë menduam t’i mblidhnim forcat të gjithë bashkë e të bënim këtë grup. Nuk kemi luajtur shpesh dhe sa herë na jepet mundësia, i kemi disa fansa që na kërkojnë të luajmë bashkë. Gjatë karantinës ne realizuam disa projekte bashkë.
CMG: Kamela ti po punon për disa këngë të reja, a do të kemi një album muzikor nga ty ?
Kamela Islamaj: Nuk e kam ende të qartë nëse do jetë album, apo do dalin këngët si singëll. Unë po punoj dhe në varësi të kohës që do më marrë puna rreth këngëve, do vendosim se çfarë do bëjmë. E rëndësishme është që jemi në rrugën e duhur.
CMG: Do jenë të gjitha kompozime të tuat?
Kamela Islamaj: Disa prej tyre do jenë kompozimet e mia, ndërsa tekstet do jenë disa të Megi Hasanit, që është vajza e cila ka filluar të bashkëpunojë me mua që kur fillova të dal si kantautore dhe jam shumë e lumtur për këtë. Ka edhe shumë gjëra të tjera, të cilat dua që të mbesin surprizë, sepse do jenë dhe kompozitorë të rinj, të cilët nuk i njihni.
CMG: Ne sot po realizojmë këtë intervistë në studion e producentit Sergio Hajdini, sepse mësova se do kesh bashkëpunime me të…
Kamela Islamaj: Me Serxhon kam marrë pjesë në Fest e 59-të të këngës në RTSH dhe është kënaqësi shumë e madhe të punosh me njërëz optimistë, me profesionistë.
CMG: Çfarë zhanri do jenë këto këngë?
Kamela Islamaj: Kryesisht do jenë të rrymës pop, por pak më e rafinuar.
CMG: Sa i takon festivaleve, a do të shohim në skenat e tyre këtë vit?
Kamela Islamaj: Për momentin, jo. Duke qenë se po punoj për materialet e mia të reja, dua të shoh produktin final, e të shoh se çfarë do ndodhi me këto këngë. Për momentin, mendoj për jo, por dhe ndoshta (qesh).
CMG: Faleminderit për intervistë dhe të uroj shumë suksese!
Kamela Islamaj: Faleminderit! Ishte kënaqësi të ishim bashkë sot!
Intervistoi: Sava Lena