William Zeneli ka lindur në Itali, por është një këngëtar që ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar. Në moshën 6-vjeçare William Zeneli, i njohur me emrin e artit si “1Million” dëgjoi për herë të parë disa këngë të reperit amerikan “50 Cent” dhe pse nuk e njihte u dashurua marrëzisht në stilin e të kënduarit të tij. Stili Hip- Hop u bë udhërrëfyesi i artistit të ri, që sot po realizon ëndrrën e tij. Në një intervistë për Radio Ejani, artisti me banim në Itali flet për gjithë arritjet e tij dhe projektet muzikore në të ardhmen.
CMG: Ju keni lindur dhe jetoni në Itali, por kur kanë emigruar prindërit tuaj atje ?
William Zeneli: Unë kam lindur në Itali në vitin 1997 dhe jetoj në një qytet afër Torinos, rreth 80 kilometra larg Torinos. Prindërit e mi kanë emigruar në fillim të viteve 90-të. Babai ka shkuar në Itali me anijet e para në mars të vitit 1991, ndërsa mami në vitin 1996.
CMG: Për çfarë keni studiuar në Itali?
William Zeneli: Unë kam mbaruar studimet në Itali në degën e ekonomisë dhe çdo gjë deri tani ka ecur shumë mirë.
CMG: Si e keni mësuar gjuhën shqipe, duke studiuar në shkollat italiane?
William Zeneli: Gjuhën shqipe e kam mësuar në shtëpi kur isha i vogël. Më mësonte babi duke marrë gazeta shqiptare dhe më thonte që t’i lexoja, të shkruaja dhe të kuptoja shqip. Gjithashtu kur janë hapur rrjetet sociale unë isha pak më i madh dhe flisja me kushërinjtë e mi në Shqipëri duke e praktikuar shumë gjuhën shqipe në shkrim, lexim dhe të folur. Kështu që nuk e kam harruar ndonjëherë dhe e di shumë mirë.
CMG: Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri?
William Zeneli: Nuk e mbaj mend shumë mirë se në çfarë moshe kam qenë sepse kam qenë shumë i vogël dhe prindërit andej punonin, por më kanë sjellë në Shqipëri shumë të vogël. Më ka rritur nëna për tre muaj, por pastaj u sëmura dhe prindërit më morën sërish në Itali.
CMG: Keni njerëz të tjerë të afërm në Shqipëri dhe a vini shpesh t’i vizitoni?
William Zeneli: Unë kam shumë kushërinj, duke nisur nga xhaxhallarët, dajallarët dhe të gjithë familjarët e mi janë në Shqipëri, përveç babit dhe mamit që jetojnë në Itali. Unë vij shumë shpesh në Shqipëri dy apo tre herë në vit, varet sesi dalin punët.
CMG: Si ka nisur pasioni për muzikën ?
William Zeneli: Unë mbaj mend që kur isha 6 vjeç dhe shkoja në park me shokët e mi disa djem ishin më të rritur rreth 14-15 vjeç dëgjonin muzikë nga telefoni. Ata më tregonin këngët e 50 Cent, por unë nuk i njihja sepse isha i vogël, por e mbaj mend tingullin shumë mirë. Kur mora një kompjuter sepse më duhej për shkollë, shokët filluam të më kalojnë këngët në kompjuter. Një ditë hapa një folder në kompjuter me emrin 50 Cent dhe fillova t’i dëgjoja sepse më pëlqyen. Më vonë hapa dhe YouTube për të shikuar se kush është 50 Cent dhe sa kam parë videon e parë i thashë vetes se duhet të bëhem si ai. Kjo ishte shkëndija e parë që mua më tërhoqi kjo rrymë muzikore.
CMG: Emri juaj në art është “1Million”. Pse ky emër?
William Zeneli: “1Million” mund të them se është qëllimi i çdo personi që ja nis nga zero për të arritur diku. Pastaj nga “1Million” dhe më tutje është diçka që vjen vetë.
CMG: Ju keni publikuar disa materiale muzikore. Si janë pritur këto produksione nga publiku?
William Zeneli: Unë kam publikuar shumë materiale këto vite, kam punuar shumë, por kam dhe shumë materiale të tjera për të publikuar. Vjet kam bashkëpunuar me dy artistë italianë dhe në shtator është publikuar kënga me këta dy artistë të njohur, sepse bashkëpunojnë me emra të mëdhenj të muzikës. Besoj se kush e ndjek rrymën hip -hop italiane i njeh këta artistë. Deri tani këngët kanë ecuar shumë mirë dhe jam gjithmonë në kontakt me ta sepse bashkëpunojmë.
CMG: Cila është kënga që ka pasur më shumë sukses?
William Zeneli: Kënga “Blocks laë” që ësthë realizuar me këta dy djemtë ka qenë më e suksesshmja.
CMG: Keni pasur ftesa për të marrë pjesë në koncerte të ndryshme?
William Zeneli: Sigurisht që kam qenë i ftuar në koncerte dhe kam filluar në shkurt të 2020. Ka qenë diçka e bukur sepse sapo fillova të këndoja nëpër klube ku bëja hapjen e koncertit dhe të ftuar kanë qenë këngëtarët Ermal Fejzullahu dhe Majk. Unë bëra hapjen e koncertit ku doli diçka shumë fantastike dhe organizatori më tha që të jem gjithmonë për të bërë hapjen e çdo artisti shqiptar në koncerte të ndryshme. Ndërkohë që pas dy javësh lokalet u mbyllën për shkak të pandemisë, dhe dy vjet nuk jam aktivizuar nëpër koncerte.
CMG: Cili nga këngëtarët të rrymës Hip -Hop është idhull për ty dhe që dëshiron të vazhdosh në rrugën e tij në muzkë?
William Zeneli: Siç dhe e përmenda më lart “50 Cent” është idhulli im dhe ka qenë frymëzimi nga dita e parë dhe deri më sot. Kam dhe artista shqiptarë që janë shumë të mirë dhe të suksesshëm. Normalisht tregun në Shqipëri e ka Noizy dhe e dinë të gjithë që ai vazhdon ta dominojë tregun muzikor. Për çdo këngëtar mund të jetë dhe ëndërr të bashkëpunosh me të. Unë kam dëshirë të bëj ndonjë bashkëpunim me Noizy.
CMG: Kjo rrymë muzikore është më e preferuar tek të rinjtë apo dhe më të rriturit e dëgjojnë?
William Zeneli: Këtë rrymë muzikore e dëgjojnë edhe të rriturit dhe kanë filluar ta dëgjojnë sepse është një rrymë muzikore e preferuar në masë. Tani muzika ka ndryshuar dhe rryma e hip- hop ka ndryshuar shumë dhe preferohet shumë tani.
CMG: Edhe pse keni lindur në Itali, a keni menduar ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri dhe të jetoni këtu?
William Zeneli: Nuk e kam menduar ndonjëherë sepse kam lindur atje dhe them se vendi im mund të jetë atje. Gjithmonë njeriu shikon për më mirë. Shqipëria ka ndryshuar shumë sepse unë e mbaj mend që kur kam qenë i vogël nuk ka qenë dhe aq mirë, por tani ka ecur shumë përpara.
CMG: Për çfarë të merr malli më shumë për Shqipërinë?
William Zeneli: Më merr malli më shumë për familjarët, nënën, gjyshin dhe gjithë familjarët e mi që jetojnë këtu.
CMG: Ku i kaloni zakonisht pushimet?
William Zeneli: Unë kam pasaportë italiane dhe mund të iki ku të dua. Kështu që më pëlqen të shikoj botën dhe ta shijoj. Kam qenë në Spanjë, Francë si dhe në Amerikë.
CMG: Çfarë pasionesh të tjera keni përveç muzikës?
William Zeneli: Unë merrem me palsestër për një jetë të shëndetshme, më pëlqen natyra, të eci në mal dhe në pyll, më pëlqen shumë.
CMG: Kush e ka zgjedhur emrin tuaj William dhe pse këtë emër?
William Zeneli: Historia e emrit tim është se babi dhe mami kanë pasur punuar në një restorant në Itali dhe pronari i restorantit e ka zgjedhur këtë emër. Mami donte të ma vendoste emrin Brajan, por pronari i restorantit tha se donte William dhe babi ishte dakort. Nga atëhere ngeli William.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me familjen dhe sa të kanë mbështetur në rrugën e artit?
William Zeneli: Prindërit e mi janë shumë të hapur. Nuk e di nëse i ka bërë emigrimi, por janë shumë të hapur. Mua babi më ka thënë gjithmonë që të vazhdoj të ndjek ëndrrat dhe qëllimet e mia. Familja nuk më ka penguar asnjëherë dhe janë shumë krenarë për çfarë kam arritur.
CMG: Keni menduar të largoheni nga Italia në një shtet tjetër?
William Zeneli: Them se po, por gjithmonë emigrimi ka qenë dhe është i vështirë sepse më ka treguar dhe babi. Nuk është sikur ka qenë në vitin 1991, por të fillosh një jetë tjetër në këtë moshë që jam unë 25 vjeç, është e vështirë sepse do të shkosh në një vend ku nuk njeh asnjë. Unë kur kam qenë në Amerikë jam munduar që të gjeja ndonjë punë për të qëndruar më gjatë atje, por nuk është ashtu siç e mendojnë njerëzit. Është shumë e vështirë.
CMG: Për çfarë ju pëlen më shumë Italia?
William Zeneli: Italia më pëlqen sepse ka kulturën, ka ushqimin dhe çdo gjë tjetër si dhe është afër me Shqipërinë.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
William Zeneli: Po bashkëpunoj më disa artistë francezë dhe amerikanë. Gjithashtu jam në kontakt me grupin 50 Cent. Mund të them se qëllimet e mia po i arrij dhe do kem shumë projekte në të ardhmen.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe të gjithë miqtë tuaj.
William Zeneli: Ju përshëndes të gjithëve! Faleminderit që më përkrahni dhe që dëgjoni muzikën time.
Intervistoi: Gazmend Agaj