Dea Strica është një kantautore e re, por shumë e talentuar. Muzikën e ka pasur pasion që e vogël, duke e ushtruar për disa vite me kurse private gjatë periudhës kur jetonte në Maltë. Dea u shkëput nga muzika kur u diplomua për matematikë, por dashurinë për të nuk e harroi kurrë, madje rilindi më fuqishëm 5 vite më parë kur filloi edhe të kompozonte, duke bashkëpunuar me artistë të huaj.
Dea Strica në intervistë për CMG
Dea është pjesë e një familjeje shkodrane, që e dashuron dhe e kultivon artin. Babai i saj është piktori, Skënder Strica, i cili e ka mbështetur të bijën për të vazhduar artin e saj, duke i dhënë liri zgjedhjeje. Karriera e Deas si kantautore nisi në vitin 2017, kur realizoi këngën e saj të parë “You Got Me”, një bashkëpunim me producentin amerikan, DAT. Dea ka realizuar dhjetra këngë dhe tekste, ndër të cilat edhe këngë për artistë të tjerë si dhe ka bashkëpunuar me artistë dhe producentë të huaj. Në vitin 2020, Dea Strica publikoi albumin "Summer Fling", por dhe bashkëpunimin me kantautoren, Eltina Minarolli në këngën "Zjarro" shoqëruar me videoklip. Muzika e këngës u punua nga Eltina Minarolli & Dea Strica, ndërsa teksti u shkrua nga Dea Strica. Pas kësaj të dyja artistet kanë pasur disa bashkëpunime dhe pjesëmarrje në festivalin “Kënga Magjike”. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, ajo tregon për këngën e saj më të re “Energji”, si dhe planet për të ardhmen.
Dea Strica-gjate videoklipit -Zjarro (Foto nga Instagrami)
CMG: Përshëndetje Dea! Ti sapo ke sjellë materialin më të ri muzikor që mban titullin "Energji". Na trego për fabulën e saj. Çfarë ke dashur të shprehësh?
Dea Strica: Kënga "Energji" ka ardhur shumë natyrshëm, duke dëgjuar instrumentalin e këngës, më erdhi menjëherë melodia dhe teksti. Kënga bën fjalë për energjinë që të gjithë ne e kemi ndjerë në jetën tonë, për atë alkiminë dhe energjinë që ndodh mes dy njerëzve, ndoshta dhe që nuk njihem shumë, por energjia mes tyre është e paevitueshme. Shpresoj që dëgjuesit ta gjejnë veten tek kjo këngë.
Dea Strica (Foto nga Instagram)
CMG: Bëhet fjalë gjithmonë për energjinë që transmetohet nëpërmjet një mashkulli dhe një femre, apo energjinë që na përcjellin në përgjithësi persona të ndryshëm?
Dea Strica: Unë jam një person që energjinë e marr nga çdo gjë. Ata që e dëgjojnë këtë këngë nuk mund ta lidhin domosdoshmërisht me një partner, por fabula mbi të cilën teksti është ndërtuar, fokusin e ka tek alkimia midis dy njerëzve. Energjia besoj është një nga gjërat që na tejkalon ne si qënie njerëzore dhe nuk ndalon vetëm tek marrëdhënia mes dy njerëzve.
Dea Strica & Eltina Minarolli te Kenga Magjike (Foto nga Instagrami)
CMG: Ka një dedikim të posaçën kjo këngë? Sepse në tekst ti shkruan: "Dhe kur shoh ndonjë tjetër, ti e di të vërtetën, vëmendjen tënde po kërkoj". Vëmendjen e kujt po kërkon Dea?
Dea Strica: Me thënë të drejtën kjo është mbështetur tek ai flirti që dy njerëz kanë kur takohen, që edhe pse bisedojnë me njerëz të tjerë, përsëri mendjen e kanë tek ai personi tjetër që po i jep atë alkimi, atë energji. Unë nuk flas për një person konkret këtë herë, por flas për situatën, e cila më ka ndodhur më përpara në jetën time. Nuk është një person specifik, por kjo situatë më ka ndodhur më përpara dhe besoj edhe shumë njerëzve të tjerë. Këtë herë ishte një frymëzim që më erdhi shumë natyrshëm, ndoshta ishte vetë stina që më frymëzoi.
Dea Strica (Foto nga Instagrami)
Dea Strica: Dea, ne sot takohemi për herë të parë bashkë dhe të them të drejtën më transmetove shumë energji pozitive. Ti je person që jep, apo merr më shumë energji?
Dea Strica: Është energjia (qesh). Unë jam një miks i çuditshëm midis introvertes dhe ekstrovertes, ndoshta është me faza sepse ka momente në jetën tonë që jemi shumë introvert dhe duam të rrimë vetëm, të reflektojmë, nuk jemi shumë social. Mua si krijuese më duhet kjo pjesë, të mbyllem në veten time dhe të fokusohem tek vetja dhe tek krijimet e mia, por ka momente kur jam super ekstroverte dhe më pëlqen shumë të rri me njerëz, sidomos kur janë pozitivë që ma japin energjinë mbrapsht, sepse energjia duhet të jetë një shkëmbim i dyanshëm dhe unë jap shumë aty ku marr, pra nuk besoj se kam një disbalancë. Por këto vitet e fundit jam munduar që ta bëj një balancë mes dhënies dhe marrjes së energjisë pozitive. Mundohem të mos jap aty ku nuk duhet, në mënyrë që të mos shteroj energjinë time sepse dhe energjia pozitive e ka një limit, ose do më duhet shumë kohë që ta rimar veten nga shkarkimi energjitik. Besoj se jam në atë fazë, në një balancë të shëndetshme.
Dea Strica -(Foto nga Instagrami)
CMG: Po nëse je në një rreth shoqëror, si e shmang energjinë negative?
Dea Strica: Mundohem që rrethin tim shoqëror ta zgjedh si vetja, pra njerëz që e vlerësojnë pozitivitetin tim dhe marrëdhënia jonë mund të krijohet mes pozitivitetit.
Dea Strica Foto Instagrami
CMG: Po nëse ka persona që ti nuk dëshiron të rrish me ta, por ata duan të rrinë me ty?
Dea Strica: Nëse unë nuk dua të rri me ta, të jesh e sigurtë që edhe ata nuk duan të rrinë me mua. Dita dhe koha ime, por mendoj e të gjithëve është shumë e çmuar për ta kaluar dhe minimalisht të paktën janë neutralë. Personat që marrin energjinë tonë të mirë dhe të transmetojnë një gjë toksike, nuk mundem ta lejoj, sepse unë e dua shumë veten për ta lejuar këtë gjë. Mundohem të rri sa më shumë me njerëz nga të cilët marr diçka mbrapsht, diçka pozitive.
CMG: Po nëse je mbushur me energji negative, si e shkarkon atë?
Dea Strica: Jam ende duke mësuar, është praktikë në vazhdim, sidomos kur je person që i ndjen energjitë. Kur është momenti, koha mundohem që të vetëkarikohem, preferoj të eci në naturë, natyra është shëruesi më i madh, sidomos kur prek tokën dhe barin me këmbë. Pra kontakti me tokën, ose bëj banja me kripë, pasi ato janë shkarkuese të energjisë negative, dëgjoj muzikë të mirë, e cila është një terapi më vete, etj. Unë mendoj se shtëpia jonë e vërtetë është toka.
CMG: Domethënë partneri yt po nuk e pati atë energji apo atë alkimi, nuk mund të vazhdojë me ty?
Dea Strica: (Qesh) Është totalisht e pamundur, sepse për një person që e ka jetike energjinë, pra atë pozitive, është e pamundur.
Dea Strica -Foto nga Instagrami)
CMG: Ti ke bashkëpunuar me artistë të huaj. Si nisën këto bashkëpunime?
Dea Strica: Kam nisur të merrem seriozisht me muzikën 5 vite më parë. Rastësisht takova një vajzë shqiptaro-amerikane, e cila kishte ardhur në Shqipëri dhe kërkonte të bashkëpunonte, ku kërkonte tekte dhe muzikë në anglisht. Duke qenë se unë jam një artdashëse e madhe e muzikës amerikane, këngëve perëndimore, më vinte shumë natyrshëm që të bëja këngë R&B ose coutry, që i përshtaten shumë tregut amerikan. Më pas fillova të krijoj kontaktet nëpërmjet internetit ku artistë të huaj kërkonin bashkëpunime. Në vitin 2017 nisa bashkëpunimin me producentë amerikanë, dhe në këtë kohë është publikuar kënga ime e parë në anglisht, e cila ka pasur sukses. Kënga “You Got me” u bë kolonë zanore e një filmi amerikan që mban titullin “An Evil Tale” në vitin 2018. Gjithashtu kënga është transmetuar edhe në radio në Miami, Florida, etj. Kështu nisi bashkëpunimi im jashtë vendit. Momentalisht dua të fokusohem në këngët në gjuhën shqipe,ku kam realizuar disa.
Dea Strica -Foto nga Instagrami
CMG: Ti ke disa bashkëpunime dhe me këngëtaren Eltina Minarolli. A ka qenë ajo një trampolinë për suksesin tënd këtu?
Dea Strica: Ajo ka qenë jo vetëm trampolinë suksesi, por dhe fat si një artiste e re, të bashkëpunoja me Eltinën e cila është një super talent dhe mbi të gjitha është kantautore, këngëtare, producente, një ndër të paktat producente femra në Shqipëri dhe që i mbështet talentët e rinj. Njohja ime me Eltinën ka qenë nga ato magjitë e bukura që fati ti sjell, kur do të të mbështesë dhe jam shumë e lumtur për këtë.
CMG: Vitin që shkoi ju publikuat një duet me titullin "Zjarro". Na trego diçka më tepër rreth këtij bashkëpunimi?
Dea Strica: Me këngën "Zjarro" ka nisur rrugëtimi ynë si duo sepse filluam të bënim shumë këngë bashkë, live, shumë kompozime. Kemi një album të tërë akustik që shpresoj së shpejti ta sjellim në anglisht. Me këtë këngë në Shqipëri na karakterizuan si dy vajzat që luajnë, interpretojnë dhe kompozojnë bashkë dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë.
CMG: Dea, ti e vogël ke pasur talent në muzikë gjithashtu edhe në matematikë, por kush vendosi që ti të hiqje dorë nga muzika për t’ju përkushtuar matematikës.
Dea Strica: E mora vetë këtë vendim. Mësimet kërkonin shumë impenjim, muzika gjuthashtu, kështu që bëra pushim nga muzika dhe ju përkushtova shkollës dhe matematikës, për të cilën kreva studimet e larta. Tashmë prej 5 vjetësh, po bëj një pushim nga matematika për t’ju përkushtuar pasionit tim që më bën të lumtur, muzikës. Ndjehem krenare me veten që kam arritur të zbuloj të gjitha aspektet e mia si njeri, që krijoj, jam mirë në shkenca, etj. Është një gjë shumë e mirë që njeriu t’a njohë veten në të gjitha dimensionet e tij. Dhe mendoj se rrugëtimi ynë si qënie njerëzore është që përditë e më shumë të njohim veten.
Dea Strica Foto nga Instagram
CMG: Po sot që po të merr më shumë vëmendje muzika, duket sikur u ke ndërruar vendin pasioneve. Si e sheh vazhdimin e karierës tënde, do heqësh dorë nga matematika?
Dea Strica: Në këto momente nuk kam asnjë plan, çdo gjë mbetet për t’u parë se si do shkojë karriera ime në muzikë. Do shoh nëse do më marrë malli për matematikën apo jo. Thjesht po pres që jeta të më surprizojë dhe jam e hapur ndaj kësaj enërgjisë së mirë.
CMG: Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?
Dea Strica: E para uroj të jem e lumtur, e shëndetshme dhe shpresoj që të kem shkruar shumë këngë, uroj që një pjesë e këtyre këngëve të shkojnë në veshin e atyre njerëzve që duhet ta dëgjojnë muzikën time. Misioni im është që të arrij atë që është e thënë të arrij, pra as më pak e as më shumë, vetëm atë që është e shkruar për mua.
CMG: Kur do të jetë projekti yt i rradhës?
Dea Strica: Së shpejti do të vij me një këngë të re me videoklip, e cila do jetë me ritme verore dhe në gjuhën shqipe. Kam bërë shumë këngë të tjera në gjuhën shqipe, të cilat do vijnë në vazhdim.
CMG: Suksese e dashur, e të realizosh gjithçka që dëshiron!
Dea Strica: Të falenderoj shumë për këtë intervistë e cila ishte një ndër më të bukurat, dhe siç e thotë dhe kënga ime, ishte një energji shumë poztive. Gjithashtu të falenderoj për pyetjet e bukura, ishte shumë kënaqësi.
Intervistoi: Sava Lena