Lazarela Deti është këngëtare e njohur e muzikës popullore kryesisht të Shqipërisë së jugut dhe serenatave korçare. E ngjitur në skenë që në fëmijëri, për të mos u ndarë më prej saj, ende sot ajo me zërin e saj të veçantë dhe melodioz vazhdon të këndojë në skenën korçare dhe në çdo aktivitet kombëtar dhe ndërkombëtar. Në një intervistë për CMG, Lazarela flet për rrugëtimin e saj artisik, dashurinë për këngën dhe skenën, si dhe projektet muzikore që dëshiron t’i realizojë në të ardhmen.
CMG: Ju jeni identifikuar si këngëtare për publikun në vitin 1995 në spektaklin “12 në Hollywood”, por karriera juaj artistike ka nisur në skenën korçare.
Lazarela Deti: Ke shumë të drejtë dhe faktikisht kjo është, jo se unë nuk isha e njohur sepse unë në estradën profesioniste të Korçës bënim xhirime çdo vit të ri, ku çdo të hënë unë isha e pranishme më këngë sipas kërkesave të publikut. Mirëpo ky spektakël qe një bum për mua, pra në “12 në Hollywood” u bëra e njohur shumë në gjithë Shqipërinë.
CMG: Pse u prezantuat në këtë spektakël vetëm me emrin Lazarela?
Lazarela Deti: Faktikisht unë njihesha Lazarela Gedaj në Korçë dhe po e them me sinqeritet që nuk kisha asgjë, madje dhe tani më thonë që e kam emër arti, por ishte një kohë që unë isha e re dhe nuk e mendoja kurrë që të dukesha. Regjisorja e madhe Vera Grabocka, duke e dashur emrin tim më tha që do ta vendos Lazarela. Pra kështu ishte dhe unë nuk e kam vrarë mendjen shumë në atë periudhë.
CMG: Jeni një këngëtare profesioniste, që interpretoni bukur këngët e jugut me një zë të veçantë. Mendoni se suksesin e keni pasur falë zërit tuaj apo dhe mënyrës së interpretimit?
Lazarela Deti: Me sinqeritet ta them këtë gjë, që kur këndon një këngëtar në skenë ka shumë privilegj dhe kjo është e para. E dyta është se duhet të jesh shumë perfekt për të dalë te një spektator me 600 veta dhe unë këtë e kam bërë që në moshën 18 vjeç dhe deri sa dola tek ky spektakli i madh. Kështu që unë u mësova në atë skenë me interpretim, por zëri duke ardhur e duke u pjekur. Zërin e kam pasur të bukur qëkur kam qenë e vogël dhe këtë e them me modesti.
CMG: Keni pasur një shkëputje të gjatë nga skena dhe publiku prej disa vitesh, ndërkohë që së fundi jeni rikthyer sërish në spektaklet muzikore. Pse kjo shkëputje?
Lazarela Deti: Nuk kam qenë e tërhequr nga skena, por ndoshta nuk kam bërë ndonjë videoklip. Unë kam marrë pjesë në çdo koncert si dhe në maratonat e muzikës popullore që janë bërë. Ndërkohë që në evente të tjera artistike më kanë thirrur, por kam qenë dhe pak e zënë me familjen dhe djalin dhe nuk i jam përgjigjur të gjithëve për të vajtur në këto aktivitete. I kam neglizhuar, duke menduar që nuk kam shumë kohë.
CMG: Përveç spektakleve të ndryshme muzikore janë dhe videoklipet që e mbajnë artistin lidhur me publikun. Pse nuk keni realizuar videoklipe?
Lazarela Deti: Ke shumë të drejtë, por nuk është se nuk kam pasur dëshirë të bëj një videoklip. Madje kur bëra koncertin recital në vitin 2003 ka ardhur një staf nga Tirana dhe deshën që të gjitha këngët e mia t’i bënin videoklipe këtu në Korçë. Kanë ardhur me shumë qejf dhe unë bëra këngën e parë në vitin 2004, por pastaj nuk kisha mundësi sepse djalin e kisha në shkollë dhe familja më donte në shtëpi. Nuk di si ta them dhe mbase nuk ma beson njeri këtë, por i thashë Valter Qarrit se nuk mund ta vazhdoj dot sepse unë kam probleme të tjera në familje dhe nuk arrij dot t’i realizoj. Ai më tha mirë si të duash dhe i lashë pa bërë, por kam bërë gabimin më të madh.
CMG: Ju ka mbetur peng kjo gjë?
Lazarela Deti: Kush nuk e ka peng. Unë e kam peng, por kështu rrodhi jeta. Jam e lumtur që kam kënduar në skenë gjithmonë, nuk i kam munguar spektatorit korçar, gjithashtu dhe eventeve që bëhen jashtë shtetit. Kështu që nuk është se e kam pasur ndonjë boshllëk, pra nuk e kam ndjerë shumë. Megjithatë peng e kam dhe nuk kam pse të gënjej.
CMG: Jeni nga ato artiste që publiku ju do shumë, si në fillimet tuaja ku keni dalë në skenë. Si ndjeheni për këtë vlerësim?
Lazarela Deti: Më rrënqethe sinqerisht dhe e them me të vërtetë se më duan dhe nuk e mendoja. Unë këndoj në një lokal këtu në Korçë dhe kur fillova të këndoj nuk e kisha prioritet që unë të këndoja në lokal sepse isha me angazhime të tjera, por është gjë shumë e bukur. Unë përveç skenës së teatrit ku jam akoma dhe jam shumë e lumtur që këndoj aty, mua më vjen gjithë Shqipëria dhe më duan aq shumë. E premtja dhe e shtuna është plot me njerëz, dhe në verë çdo natë lokali është plot. Nuk e besoja këtë gjë dhe thoja a do më duan mua kaq shumë, që unë kam kaq vite që këndoj. Unë mendoj se kjo ndodh kur këngëtari e ushtron profesionin me shumë dashuri. Unë kur këndoj jap shpirtin dhe do ta ndjej këngën ashtu siç është.
CMG: Juve e keni trashëguar muzikën edhe tek djali juaj, pianisti Kosti Deti, i cili ka arritur suksese dhe nëpër botë.
Lazarela Deti: Unë prandaj e përmenda dhe pak më lart që i kam lënë pak pas dorë gjërat, sepse Kostit i kam qëndruar në kokë. Kosti është një djalë i talentuar, por është dhe një djalë shumë i mire. Është një djalë i dashur dhe i qetë, i merr gjërat me shumë qetësi dhe studion shumë. Në fillim kisha probleme se djalë i vogël, se e di çdo të thotë që të fusësh një fëmijë që 4 vjeç në piano. Unë i kam humbur fëmijërinë Kostit, i kam humbur plazhet dhe ai nuk i ka bërë këto sepse nuk iknim dot se nëse linte pianon për 15 ditë, e linte dhe pianoja atë. Unë kam sakrifikuar sa nuk kam dalë të pi një kafe sepse vinte Kosti dhe bënim mësimet deri në orën 4 mbasdite dhe pastaj punonte në piano deri në orën 10 të natës.
Unë nuk e kisha qëllim në vetvete këtë sepse nuk e shtyn dot një fëmijë që të bëhet sepse them unë. Deri në klasë të shtatë Kosti ishte pak skeptik sepse lodhej dhe i dukej sikur unë e shtyja, por kur filloi të merrte çmime, Kostin nuk e nxirrje dot nga pianoja. Ai e dashuron shumë atë instrument dhe është mësuar me ne, është rritur në teatër mes artistëve.
CMG: Jeni krenare për arrtitjet e tij dhe jashtë vendit?
Lazarela Deti: Jam shumë krenare sepse ka arritur jashtëzakonisht shumë. Deri dje isha shumë modeste sepse si Kosti ka dhe shumë të tjerë, por unë them se është puna e tij e madhe që ka arritur deri këtu dhe talenti i tij. Është i veçantë sepse jep shpirtin në piano.
CMG: Lazarela keni dëshirë të realizoni ndonjë koncert recital në Korçë ose dhe në Tiranë?
Lazarela Deti: Kush është ai këngëtar që nuk dëshiron të bëj një koncert recital! Shumë dëshirë kam për një recital, por janë shumë gjëra që nuk i kam unë në dorë. Duhet një organizim i madh për të bërë një recital dhe unë do ta bëja shumë të bukur, ashtu si e bëra në vitin 2003 dhe u prit jashtëzakonisht mire. E them me sinqeritet që nga recitali më kanë mbetur duartrokitjet e publikut. Falenderoj Ardian Jorgjin dhe Petrika Rizën që ma bënë të mundur këtë recital, sponsorat si dhe të gjithë të ftuarit në atë koncert. Jam shumë e lumtur që e kam realizuar atë recital. Për tjetër nuk dua të them kot që e kam në plan, por koncert recital unë bëj çdo natë në Korçë, në lokalin ku këndoj.
CMG: Shumë artistë korçarë janë larguar nga Korça, ndërsa ju jeni besnike e qytetit tuaj dhe vazhdoni të jetoni aty.
Lazarela Deti: Jo se nuk më janë bërë oferta sepse në vitin 2007 unë kam qenë në një koncert me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore e organizuar me Josif Mingën bashkë me orkestrinën e Korçës. Ish drejtori Zhani Ciko, duke parë se unë u prita shumë mirë në atë koncert, më pyeti nëse kisha dëshirë të bëhesha pjesë e ansamblit. Unë kërkesën e tij e mora me shumë sinqeritet, por kur e bisedova me bashkëshortin, i cili kishte pasur një ofertë punë në TVSH, më tha se nuk shkojmë ne në Tiranë dhe kaq ishte. Unë Korçën e dua shumë sepse ka katër stinët dhe është një qytet që mund ta shëtisësh në këmbë. Korça është si një “Vienë e vogël” Të gjitha i ka Korça brenda dhe jo vetëm njerëzit, por Korça është shumë e bukur dhe ka 12 muaj turizëm.
Intervistoi: Gazmend Agaj