Najra Qato ka mbaruar studimet për kanto në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe dëshiron që masterin ta vazhdojë jashtë vendit. Ajo që e vogël ka pasur pasion baletin dhe muzikë, dy fusha të artit të cilat e kanë formuar si një artiste të re profesioniste. Para pak kohësh Najra ka publikuar këngën e saj të re “Street spirit”, një këngë që e ka shumë për zemër dhe që është pritur shumë mirë nga publiku. Një një intervistë për CMG, ajo tregon për fillimet e saj në fushën e muzikës si dhe planet në të ardhmen.
CMG: Si lindi pasioni për muzikën dhe studimet më pas në Universitetin e Arteve për kanto?
Najra Qato: Pasioni për muzikën ka ardhur shumë papritur dhe me thënë të drejtën unë jam angazhuar që e vogël me baletin dhe muzikën. Prindërit kanë qenë një shtysë shumë e fortë për mua për të vazhduar liceun artistik. Kam mbaruar liceun artistik ku kam studiuar 4 vite për kanto.
CMG: Përveç muzikës ka qenë dhe baleti një pasion i juaji në fëmijëri?
Najra Qato duke interpretuar (Foto personale)
Najra Qato: Baleti do të ngelë pasion gjithmonë, sepse kërcej me shoqërinë dhe familjarët e mi. Unë kam bërë 11 vite balet, jam marrë seriozisht por si fëmijë që i kisha qejf të gjitha babai më angazhonte shumë për këto.
CMG: Pse zgjodhët kanton për të studiuar në lice, kishit zërin e bukur dhe dikush ju sugjeroi të vazhdonit për kanto?
Najra Qato: Unë që në shkollën 9 vjeçare, gjithmonë kur bënim festat e fëmijëve isha e ftuar nga pedagogët dhe dukesha sikur kisha talent. Gjithashtu këndoja për qejf në shtëpi, dhe vendosa që të konkuroja në liceun artistik. Kisha talent, por atëhere unë merresha me muzikë të lehtë dhe kisha qejf të shkoja në kurs njëherë në javë për kanto, duke bërë diçka ndryshe nga fëmijët e tjerë. Pastaj e mora vesh se kisha talent dhe me të vërtetë e doja këtë gjë.
Najra Qato duke luajtur ne piano (Foto personale)
CMG: Ju keni mbaruar studimet për kanto në muzikën klasike. Po masterin ku do ta vazhdoni?
Najra Qato: Unë tashmë jam diplomuar për kanto në muzikën klasike në Universitetin e Arteve dhe mendoj që masterin ta vazhdoj jashtë vendit. Mendoj se studimet jashtë janë një eksperiencë më shumë si nga ana e studimeve, por dhe për të njohur më shumë njerëz. Jam shumë kurioze sesi funksionon shkolla jashtë dhe mendoj se do më rrisë më shumë nga ana profesionale.
CMG: Në cilin vend keni dëshirë të vazhdoni masterin?
Najra Qato: Unë kam dy vende në mendje, Berlinin dhe Firencen, dy vende të cilat i kam shumë për zemrë sepse kam dhe dy të afërmit e mi, që janë një shtysë shumë e fortë që unë të shkoj atje. Me thënë të drejtën mendoj që është eksperiencë shumë e bukur dhe dy vite andej do më bëjnë shumë mirë për profesionin.
Najra Qato ne studion e Radio Ejani interviste per CMG
CMG: Ju thatë pak më përpara se familjen e keni pasur mbështetje të madhe, por a e keni marrë mbështetjen e saj dhe për studimet tuaja jashtë vendit?
Najra Qato: Mbështetjen e tyre e kam shumë dhe madje janë të parët për çfarëdo lloj gjëje për mua. Edhe unë kur nuk jam e sigurtë sepse kam qenë disa kohë më përpar pak konfuze, dhe besoj se çdo student e ka këtë gjë në njëfarë mënyre, familja më ndihmoi që ta kaloja shumë mirë këtë gjë. Unë e them sinqerisht se ndjehem shumë mirënjohëse dhe e bekuar njëkohësisht, sepse e tillë familje i duhet kujtdo. Jam shumë e bekuar që e kam këtë gjë.
Najra Qato, (Foto personale)
CMG: Shumë persona që ndjekin rrugën e artit kanë diçka të trashëguar dhe nga familja. Ju e keni trashëguar muzikën nga ndonjë i familjes suaj?
Najra Qato: Le të themi që prindërit e mi kanë një zë shumë të bukur të dy, por asnjëri nuk e ka zhvilluar. Nuk kam asnjë artist në fisin tim, përveçse kushërirës sime që është fotografe shumë e talentuar Orsola Mema dhe e kam mbështetje shumë të mirë, por nuk kam pasur asnjë artist të mirëfilltë nga ana muzikore.
CMG: Së fundi keni publikuar dhe këngën tuaj të re. Na tregoni rreth këtij projekti muzikor.
Najra Qato: Unë vitin e kaluar në verë isha me reklamën e Digitalb dhe ishim një grup shumë i mire. Njëri nga djemtë po thonte se donte të bënte një album muzikor por nuk po gjente këngëtare. Unë i thashë se jam këngëtare dhe ai më ftoi dhe më dha gjithë idenë e albumit të tij. Me një ftesë lindi kjo gjë dhe thamë që ta provojmë nëse ky zhanër do të më rrijë, sepse më përpara këtë zhanër unë nuk e kam kënduar, por normalisht e ndjek. Ky është zhanri i electronic music techno që në Shqipëri ka disa vite që ka ardhur dhe e kam parë në nisma të ndryshme grupe shoqërore, të cilat e ushtrojnë shumë, e dëgjojnë dhe ju pëlqen. Edhe unë e kam shumë përzemër muzikën techno. Pra nisi në këtë mënyrë me një ftesë dhe kemi bërë shumë prova. Kënga titullohet “Street spirit” dhe ideja erdhi nga DJ Arli të cilët janë të dy shumë të talentuar. Këta djem po realizojnë një album shumë të mirë që do e publikojnë këtë verë dhe unë kam tre këngë nga albumi, të cilat do të publikohen vazhdimisht gjatë verës por dhe në shtator. Këngët janë regjistruar dhe jemi në punë e sipër për idenë. Këngën “Street spirit” e kam një këngë personale timen dhe e dua jashtë mase. Arli ishte iniciatori i kësaj kënge, e cila është diçka e re dhe ndryshe nga çfarë shohim këtu. Me thënë të drejtën më vjen shumë mirë që e kam realizuar me djemtë këtë gjë.
CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e atyre që e kanë dëgjuar këngën deri tani?
Najra Qato: Kënga është pritur vërtetë mirë, madje është dhe në Top Awards. Nga vendi 33 që ishim tani kemi vajtur në vendin e 23 dhe po dëgjohet si dhe do të transmentohet nga radio dhe televizone të ndryshme. Kam marrë shumë komente pozitive dhe nga njerëz të cilët nuk i njoh, dhe kjo më bën që të ndjehem edhe më mirë që të publikoj sa më shumë këngë. Janë çuditur dhe disa njerëz të cilët më kanë parë gjithmonë në muzikën klasike dhe disa të tjerë në muzikën pop në fillim, dhe tani që kam ndryshuar këtë pjesën e zhanrit. Unë jam një tip i cili më pëlqen shumë muzika dhe pa atë sinqerisht nuk jetoj dot dhe muzikën kam ajër.
CMG: Keni qenë pjesë dhe e spektaklit “Virtuozët”. Si ishte kjo eksperiencë për ju?
Najra Qato: Pjesëmarrja ime te ky spektakël ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, e vështirë por me plot emocione, por unë gjithmonë kur hyj në skenë imagjinoj sikur jam vetëm, nuk dua të shoh publikun ose kë kam rreth e rrotull sepse shpërqëndrohem. Unë atë natë kam kënduar “Moj e bukura more’ e cila është një arie shqiptare arbëreshe shumë e bukur. Në muajin qershor kam një koncert në Belgjikë dhe do këndoj përsëri këtë këngë sepse përfaqësojmë gjuhën tonë. Për mua virtuozët ka qenë një eksperiencë shumë e bukur në atë kohë.
Najra Qato.(Foto personale)
CMG: Si e shikoni rrugëtimin tuaj artistik, do të investoni në Shqipëri apo jashtë vendit?
Najra Qato: Unë dua t’i mbaj rrënjët në të dyja anët. Nuk dua të shkëputem as nga vendi im sepse sinqerisht e dua shumë, por jashtë dua të marr një eksperiencë të mirë dhe shpresoj që të më eci mirë.
CMG: Keni të tjera pasione në jetë përveç baletit dhe muzikës?
Najra Qato: Mua më pëlqen shumë të merrem me sport. Babi më ka angazhuar që e vogël me atletikën dhe notin, meqë dhe vëllai im është futbollist dhe unë kam qenë pas tij. Ndërkohë gjithmonë kemi qenë me idenë që të mbajmë trupin në formë, të jemi të shëndetshëm dhe unë jam vërtetë e pasionuar pas sportit.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radi Ejani dhe miqtë tuaj.
Najra Qato: Ju përshëndes të gjithëve me këngën time më të re dhe shpresoj t’ ju pëlqejë. Dëgjoni sa më shumë muzikë dhe bëni sa më shumë art.
Intervistoi; Gazmend Agaj