Këngëtari Reinaldo Gaçi ka lindur më 10 nëntor 1995 në qytetin e Delvinës. Në moshën 8-vjeçare ai u ngjit për herë të parë në skenat artistike, ku çdo vit këndonte në aktivitetet që organizoheshin nga qyteti dhe shkolla. Më pas, ai u transferua në qytetin e Sarandës, ku filloi të njihej si këngëtar, duke u bërë edhe pjesë e Estradës së qytetit, si dhe të merrej me muzikën “live”. Në maj të vitit 2015 ai mori pjesë në Festivalin e Muzikës Moderne shqiptare “Top Fest” dhe një vit më pas te “Kënga Magjike”, duke vazhduar kështu karrierën e tij artistike në Tiranë. Ndryshe nga artistët e tjerë, ai që i vogël ka punuar “online” me mësues muzike të huaj, duke mësuar teknika të ndryshme të kënduari, të cilat i vazhdon ende dhe sot.
Reinaldo Gaçi (Foto Instagrami)
CMG: Ti performon shumë “live”. Cili është repertori që interpreton kryesisht dhe si po ecën me aktivitetet artistike?
Reinaldo Gaçi: Për momentin jam shkëputur nga aktivitetet “live”, për shkak të disa impenjimeve personale, por shumë shpejt do të rikthehem në skenë. Lidhur me repertorin, ai është shumëllojshëm. Ka muzikë shqiptare, por dhe të huaj si, Tina Turner, Price, Michael Jackson, etj.
Reinaldo Gaçi ( Foto nga Instagrami )
CMG: Sa kohë i kushton këndimit dhe a ke një lajtmotiv të ditës?
Reinaldo Gaçi: Nuk kam një këngë specifike. Varet se cilën këngë dëgjoj. Nëse më pëlqen e këndoj gjithë ditën nëpër shtëpi.
CMG: Këtë vit ke sjellë një këngë në audio "Dikur", të cilës i ke realizuar dhe tekstin. Çfarë mesazhi ke dashur të përcillje?
Reinaldo Gaçi: Kënga nuk është një dedikim. Donim të sillnim një këngë dashurie, por që të përcillte një energji pozitive, atë që duhet të transmetojë një këngë kur e dëgjojnë njerëzit. Mendoj se ia kemi dalë, sepse kanë qenë të shumtë ata që na kanë komplimentuar dhe i ka bërë të ndihen mirë.
CMG: A do të ketë së shpejti ndonjë videoklip kënga?
Reinaldo Gaçi: Këngën e përgatitëm për ta prezantuar për një event, por në moment të fundit ndërruam mendje dhe që mos të mbetej në sirtar menduam që ta publikonim në versionin audio. Besoj se kështu do të mbetet, sepse publiku e ka dëgjuar tashmë.
Reinaldo Gaçi (Foto CMG)
CMG: Ti ke premtuar një videoklip të ri?
Reinaldo Gaçi: Në fakt, videoklipet kushtojnë, sidomos për ne artistët e rinj. Por, për punët e mia dua që gjithçka të jetë në perfeksion, nuk dua diçka të thjeshtë. Ndaj, më mirë pres që të bëj diçka cilësore, sesa të sjellë një gjë modeste, për të cilën mund të pendohem.
CMG: Të kemi parë në shumë festivale të muzikës, si “Top Fest”, “Kënga Magjike”, pas një mungese disavjeçare, a do të të shohim sërish në skenë?
Reinaldo Gaçi: Isha përgatitur që të isha në festivalin “Kënga Magjike”, por meqë pranimi i këngëve këtë vit u bë më herët, nuk munda dot ta përgatisja në kohë materialin muzikor, kështu që mbetet për vitin tjetër. Do të kem një vit kohë për t’u përgatitur dhe do të paraqiten në një mënyrë tjetër që publiku nuk më ka parë ndonjëherë.
Reinaldo Gaçi (Foto nga Instagrami )
CMG: Po në Festivalin e RTSH-së do të të shohim në fundvit?
Reinaldo Gaçi: Nëse gjej kompozitorin e duhur dhe këngën e duhur për festival, kam dëshirë të jem i pranishëm.
CMG: Sa e vështirë është të jesh i drejtëpërdrejtë dhe i guximshëm në Shqipëri?
Reinaldo Gaçi: Mua personalisht më ka mbyllur shumë dyer, sepse s’më pëlqejnë të pavërtetat që transmetohen nëpër televizione. Ekranet duan të jenë brenda kornizave që duan ata, duan skandalin, por duke qenë shumë i vërtetë më ka penalizuar deri diku. Mendoj që t’i rikthehem televizionit si Reinaldo, pa korniza. Kam pasur disa oferta të cilat nuk më janë përshtatur, por nëse do të dalë diçka që do të më tërheqë, nuk do ta kundërshtoj.
CMG: Në çfarë formati?
Reinaldo Gaçi: Unë këndoj, kërcej, aktroj, prezatoj…
CMG: Cila është eksperienca jote në botën e televizionit?
Reinaldo Gaçi: Kam marrë pjesë në një emision televiziv i quajtur "Dy botë". Në fakt u zhgënjeva disi, sepse nuk pati suksesin që duhej të kishte, por mësova dhe kuptova televizionin e vërtetë.
CMG: Përse je zhgenjyer?
Reinaldo Gaçi: Jam i zhgënjyer nga televizionet në Shqipëri që bëjnë çdo gjë për të marrë klikime. Mua nuk më pëlqen kjo gjë, sepse mendoj se suksesi mund të arrihet shumë thjesht me atë që ke për të ofruar për publikun.
CMG: Në fotot e tua, kam parë që ke një tatuazh me orën ku akrepat janë te 12-a. Mos është domethënia sipas shprehjes "I rri sahati 12"?
Reinaldo Gaçi: (Qesh) Deri kur isha 25 vjeç, në fakt, aty kishin ngecur. Por, tani sikur po lëvizin disi. Jam më me këmbë në tokë, më afër realitetit, jam më i përgjegjshëm, më i rritur. Kjo ishte për humor. Në fakt, tatuazhi ka një tjetër domethënie. Akrepat e orës tregojnë se aty ku mbaron diçka fillon diçka e re.
Reinaldo Gaçi dalë në Kënga Magjike (Foto nga Instagrami)
CMG: Përveç muzikës, ti pëlqen edhe modelingun. A e shikon veten me një të ardhshme në këtë drejtim?
Reinaldo Gaçi: Më pëlqen shumë fotografia dhe që i vogël jam marrë me “fashion”, por që nuk e kam bërë asnjëherë me pagesë. Kjo ka ndodhur shumë rrallë. Jo se nuk dua, por nuk ka ardhur ndonjë ofertë që të jetë interesante. Ndërsa fotot i bëj për kënaqësinë time dhe i postoj në rrjetet e mia sociale.
CMG: Ti je shumë i dhënë pas palestrës. A i shikon me një tjetër sy personat e papalestruar?
Reinaldo Gaçi: Nuk gjykoj njeri, por palestra është edhe për një shëndet më të mirë. Gjithçka e tepërt është në dëm të shëndetit. I këshilloj në mënyrë shumë të sjellshme, për të mirën e tyre, për t’u dukur bukur dhe që të jenë sa më të shëndetshëm.
CMG: Si e shikon veten pas 10 vjetësh?
Reinaldo Gaçi: Para 10 vjetësh e shihja veten këtu ku jam sot. Kur isha i vogël hipja në tarracën e pallatit ku jetoja në Delvinë e këndoja. Madje kur frynte era më dukej sikur ishte ajo era që fryn nëpër skena. Ndodhi që pas 10 vitesh kam prekur skenat e festivaleve, me këngëtarët më të mirë të muzikës “live”. Pas 10 vitesh dua të jem në skena akoma më të mëdha, ndoshta në “Eurovizion”, apo edhe më të mëdha. Dua ta shoh veten më të realizuar artistikisht, por që besoj se me kohën do t’ia dal.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Reinaldo Gaçi: Gjatë sezonit të verës punoj në Sarandë. Këndoj në një lokal dhe ndërkohë punoj dhe si barist, pasi më pëlqen të përgatis kokteje. Kam 5 vite që e bëj këtë punë dhe më pëlqen, sepse jam në kontakt me njerëz të ndryshëm.
CMG: Atëherë, do të vijmë në Sarandë për të provuar koktejet e tua!
Reinaldo Gaçi: Kur të doni. Do të më gjeni mes dritave e muzikës.
CMG: Shumë faleminderit për intervistën për Radio Ejani!
Reinaldo Gaçi: Kënaqësi! Falemiderit shumë për ftesën!
Intervistoi: Sava Lena