Kantautorja Eltina Minarolli ka studiuar në "Akademinë e Arteve të Bukura” per Kanto, ku në programin e aktiviteteve të shkollës, ka qenë pjesë e një sërë kocertesh klasike si në Itali me koncertin "Donne", në Greqi me "Balkan koncert", në Zvicër me “Muzikantët e rinj nëpër botë", në SBA me disa koncerte moderne, pa lënë mënjanë performancat në Shqipëri. Do të vazhdonte më pas karriera e saj artistike me pjesëmarrjen në "Këngët e Shekullit", në emision "Vonë në TVA" ku ajo ishte kengetarja e atij programi televiziv, në “Musical”, ku mund të përmendim “Shekuj në Broadway”, “Fantazma e Operës” bashkëpunime këto midis këngëtarëve dhe balerinëve më në zë të vendit, por dhe ata amerikanë. Perveç muzikës klasike, ngjyra e zërit të saj përshtatet mjaft mirë dhe me muzikën, jazz, blues dhe soul. Ajo ka publikuar dhjetëra këngë, ka shumë pjesëmarrje në festivale si “Top Fest”, “Kënga Magjike”, “Netët e klipit”, etj. Vetëm këtë vit Eltina ka publikuar katër materiale të reja muzikore, ndërsa është duke punuar për disa këngë të reja, por në fokus Eltina ka albumin më të ri muzikor.
Eltina Minarolli - Dale ne Top Fest (Foto nga Instagrami)
CMG: Ju këtë vit keni ardhur me disa projekte muzikore, ku më e reja është kënga "Let the rain kiss you". Na tregoni pak për fabulën e kësaj kënge, meqënëse jeni autore e saj.
Eltina Minarolli: Këtë vit kam sjellë disa projekte, këngën "Dashni" , pasuar nga kënga "Trëndafilat", më pas solla një remix të këngës shumë të famshme shkodrane "Lule borë". Kënga e fundit e publikuar është "Let the rain kiss you", ndërsa pritet të publikohet më 19 Maj kënga më e re “Ti fle”, që do jetë surprizë për publikun, por nuk po zbuloj më shumë tani.
Sa i përket këngës "Let the rain kiss you" nisi si një dedikim i atyre ndjesive të bukura që muaji prill na i sjell. Pikat e shiut që trokasin në xhamat e shtëpisë, në xhamat e makinës dhe në atë moment mbyll sytë dhe kalon disa ndjesi shumë të bukura që ke kaluar ndër vite, apo ndjesi të reja që sapo janë krijuar dhe muaji i prillit i sjell këto ndjesi. Kjo është edhe arsyeja përse e titullova "Let the rain kiss you", sepse shpeshherë ne bëjmë dashuri me shiun, pavarësisht se nuk është fizike, por është përtej asaj që ne mendojmë. Si fillim nisi si "Shiu i prillit", por më pas mendova se "Let the rain kiss you" do i përshtatej më së miri.
Eltina Minarolli (Foto -Instagram)
CMG: Kjo këngë është shkruar në anglisht dhe në shqip, po ju Eltina në cilën gjuhë shpreheni më së miri?
Eltina Minarolli: Është shkruar në anglisht dhe në shqip për një arsye të vetme, se unë prej dy vitesh bashkëpunimet e mia i kam me artistë të huaj ku kam krijuar dhe audiencë të huaj ndërkombëtarë dhe ky ka qenë qëllimi i këngës "Let the rain kiss you" të jetë jo vetëm për audiencën time shqiptare, por të jetë përtej. Sa i përket gjuhës, të them të drejtën për sa kohë është gjuha e dashurisë nuk ka dallim nëse është në shqip apo në anglisht, greqisht, italisht,etj, pasi është gjuha e muzikës që i le të gjitha gjuhët të flasin vetë.
Eltina Minarolli (Foto Instagrami)
CMG: Në videon e kësaj kënge shfaqen dy persona në perëndim, më pas vazhdojnë xhirimet në ujë. Na tregoni për aktorët që interpretojnë aty dhe si shkoi xhirimi i videoklipit, (vështirësitë nëse pati), etj.
Eltina Minarolli: Sa i përket videos, tema kryesore është dashuria dhe tregohet që në fillim të videoklipit që dashuria përkthehet në dy shpirtra dhe më pas tek pjesa e refrenit, kur kjo histori fillon të ndërtohet midis tyre bëhet aq e thellë sa ti humbet në atë ujin, shiun... Kalojnë ndjesitë, gërshetohen dhe krijojnë ato vorbullat e mëdha, që shpeshherë çiftet i përjetojnë.
Eltina Minarolli (Foto nga facebook)
CMG: Këtë vit keni sjellë tre projekte muzikore, ndër to dhe këngën e njohur "Lule borë", e cila ka ardhur në një tjetër version. Do sillni të tjera ripërpunime këngësh?
Eltina Minarolli: Gjithmonë më ka pëlqyer kënga "Lule borë", madje edhe kur kam qenë gjatë studimeve në “Akademinë e Arteve” e këndonim, e sillnim në forma nga më të ndryshmet këtë këngë, pasi e kam dashur shumë dhe doja patjetër që ta sillja në një version timin. Ky është një version “jazz”, që është edhe rryma ime e preferuar, që më përshtatet dhe të cilën e dua shumë, por mbi të gjitha është një bashkëpunim me një producent afrikan, me të cilin kam në plan që të sjell edhe disa këngë të tjera të vjetra, të ripërpunuara.
Eltina Minarolli (Foto nga Instagram )
CMG: Ju Eltina keni realizuar disa albume muzikore, ndërsa momentalisht po punoni për një tjetër album. Na tregoni për të rejat që do të ketë ky album, afërsisht kur mund të jetë gati?
Eltina Minarolli: Po punoj për albumin e rradhës i cili po më merr më shumë kohë nga sa e kisha menduar, sepse një pjesë e këngëve janë bashkëpunime me artistë të huaj dhe shqiptarë. Sigurisht që largësitë krijojnë ngërçet e veta, por aspak për t’u shqetësuar sepse ndonjëherë është mirë t’u japim kohën e duhur gjërave të mira. Mua nuk më nxiton asgjë në këto momente për sa kohë do vazhdoj të prodhoj. Sigurisht që e kam në fokus albumin, por dua që çdo gjë të jetë në perfeksion kur këngët e reja të publikohen.
Eltina Minarolli (Foto nga Instagram )
CMG: Si kantautore, sa prej krijimeve që keni realizuar deri më tani janë frymëzim nga historitë personale dhe sa prej tyre janë fryt i imagjinatës?
Eltina Minarolli: Shumë këngë janë nga fryt i imagjinatës dhe shumë të tjera janë histori personale. Mendoj se, që të jetë sa më origjinale duhet që të bësh pjesë dhe histori personale, dhe kur e gërsheton me pak imagjinatë del një miks shumë i lezetshëm.
Eltina Minarolli (Foto nga Instagram)
CMG: Ju keni qenë pjesëmarrëse si kantautore në shumë festivale, por ku i konsideroni kujtimet më të bukura, në këto konkurime, në bashkëpunimet që keni pasur me artistë të njohur të skenës apo në projekte si, Musical, etj?
Eltina Minarolli: Kjo pyetje është shumë e bukur, por të them të drejtën nuk mund të bëj dot një ndarje sepse çdo event ka pasur emocionin e mirë dhe të keq dhe po të mos e kishte emocionin e keq, nuk do kishim mundësi të kuptonim se sa i rëndësishëm është emocioni i mirë. Idea e festivaleve është patjetër super përgjegjësi, një event i madh ku kërkon shumë përgatitje pasi të shohin qindra sy e vesh dhe artisti duhet të japë më te mirën. Ndërsa kur vjen puna e bashkëpunimeve është komplet ndjesi tjetër sepse ke mundësi të njohësh artistë të tjerë, të ndash ide me njëri- tjetrin dhe kjo është fantastike.
Eltina Minarolli (Foto nga Instagrami)
CMG: Cili është synimi juaj për të arritur?
Eltina Minarolli: Synimet e mia janë të shumta, por kryesoret janë fokusi, prioriteti dhe të jesh i sigurtë se çfarë po kërkon, si dhe puna e palodhshme që s'duhet të dorëzohesh në asnjë moment.
CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhdim?
Eltina Minarolli: Unë kam vite që nuk eci me plane, por vetëm me qëllime. Kështu që në këtë moment unë nuk kam plane, por kam qëllime.
Intervistoi: Sava Lena