E lindur në Pejë, Violeta Kajtazi është ndër këngëtaret më të njohura të muzikës popullore. Pas shumë viteve në skenë, në vitin 2008 ajo publikoi albumin e saj të parë "Princeshat shqiptare", i cili u mirëprit nga publiku. Për të vazhduar më pas me shumë këngë solo e bashkëpunime të suksesshme me kolegen dhe mikeshën e saj Vjollca Buqaj dhe pastaj bashkëpunimin me Mahmut Feratin me këngën "Djalë mos ma zinë priten", e këngë të tjera, që Violetën e bëjnë shumë të dashur për publikun. Në një intervistë për CMG, ajo tregon për fillimet e karrierës muzikore si dhe bashkëpunimet me artistë të tjerë.
CMG: Përshëndeje Znj.Kajtazi dhe faleminderit për pjesëmarjen në emisionin Bio Folk.
Violeta Kajtazi: Përshëndetje të gjithëve dhe jam shumë e lumtur që jam mysafire e juaja.
CMG: Cilat kanë qenë hapat e para në muzikën popullore?
Violeta Kajtazi: Si çdo këngëtar gjithmonë hapat e parë merren prej fëmijërisë. Dalja ime e parë publike ka qenë në moshën 9 vjeçare, duke filluar si këngëtare në shkollën fillore dhe pastaj menjëherë duke u inkuadruar me shoqëritë kulturore artistike që ishin në atë kohë në Kosovë. Kam qenë pjesë e Ansamblit autokton Rugova dhe në Shoqërinë Kulturore Artistike “Rami Sadiku” të Pejës. Me Ansamblin “Rugova” kemi pasur shumë paraqitje të mira, madje në vitin 1980 kam qenë dhe në Shqipëri edhe pse kam qenë e vogël. Pra mbaj kujtime shumë të bukura në fëmijëri, duke vazhduar me muzikën deri tani.
CMG: Si një artiste e lindur në Pejë, mund të na thoni se çfarë ka të veçantë ky qytet?
Violeta Kajtazi: Gjithmonë kur takohem me njerëz që nuk janë pejanë më thonë se Peja i ka vajzat e bukura, por Peja ka ujin e bukur, ajrin e ka të mirë shumë, ka malet, Rugovën dhe është vend i veçantë. Sigurisht që secili e do vendin e vet, mirëpo me të vërtetë Peja ka disa veçori të veçanta. Edhe pse tani nuk po jetoj më në Pejë, por momentin e parë që jam e lirë patjetër që shkoj atje.
CMG: Ju keni shumë materiale muzikore dhe kolazhe popullore. Do të veçoni ndonjë nga këngët si më të dashurat për ju dhe për publikun?
Violeta Kajtazi: Këngët nuk ndahen sinqerisht, mirëpo duke u bazuar në kërkesat e dëgjuesëve ose në ndonjë performancë timen, kërkesat që i bëjnë për këngët e mia sigurisht që gjithmonë kanë qenë këngët “Vjollca”, “Sonila”, duke pasur më vonë me këngët “Nga Tetova” e cila është një këngë e anës së Tetovës që e duan shumë, mirëpo që e duan edhe në Kosovë dhe duke vazhduar me këngët e tanishme.
CMG: Në arkivin tuaj muzikor keni dhe shumë duete me këngëtarë të tjerë të Kosovës. Si janë pritur këto bashkëpunime?
Violeta Kajtazi: Unë i dua bashkëpunimet dhe për mua këngët në bashkëpunim janë më të bukura, sepse ka larmi zërash dhe kënga del më e bukur. Kam bashkëpunime me kolegë të ndryshëm të Kosovës, si me Vjollca Buqaj, Ismet Bexhetin, Mahmut Ferhatin. Dua të përmend edhe bashkëpunimet që kemi pasur për fundviti me shumë kolegë, dhe bashkëpunimi i fundit që ka qenë për festat e fundvitit nga produksioni Labia, ku ishim unë, Vjollca Buqaj dhe Violeta Kukaj, një performancë shumë e bukur dhe këngë që dëgjohen dhe kërkohen shumë. Unë jam shumë e hapur për bashkëpunime sepse janë pritur dhe shumë mirë nga publiku.
CMG: Ndalemi tek një aspekt i veçantë i krijimtarisë tuaj, ku ju vetë dhe të gjithë këngëtarët e Kosovës, ndryshe nga të Shqipërisë sjellni kolazhe të gjata këngësh. Mendoni se kolazhet sjellin më tepër atmosferë tek publiku?
Violeta Kajtazi: Zakonisht po, nëse është në pyetje atmosfera, sidomos këngët e dasmave ku shumica e këngëtarëve janë duke i realizuar kohët e fundit, mirëpo gjithmonë ne mundohemi që t’i sjellim publikut bashkëpunim me tre-katër këngëtarë, që secili ta gjejë veten me këngët e veta.
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja muzikore të fundit?
Violeta Kajtazi: Zakonisht unë njihem si këngëtare e gëzimeve familjare dhe më shumë nëpër dasma. Kohët e fundit kam qenë në Amerikë dhe Danimarkë. Mezi po e presim verën që të fillojnë aktivitetet dhe gëzimet familjare dhe të jemi pak më shumë aktiv.
CMG: Si jeni pritur nga publiku i diasporës, kur keni shkuar për koncerte?
Violeta Kajtazi: Ka dallim me vitet e mëparshme dhe sinqerisht duhet thënë se ka pak më ndryshim sepse tani po na shohin më shpesh dhe jemi familjarizuar. Sigurisht që është ndjenja, atmosfera, takmi në mbrëmje rinore të veçanta, që është një gjë shumë e bukur. Kjo është arsyeja që ne jemi prezent në vende të ndryshme të botës me koncerte.
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e materialeve muzikore?
Violeta Kajtazi: Bashkëpunëtorët e mi janë të shumtë, por bashkëpunëtorin tim më besnik kam Fatmir Mujën. Gjithashtu kam bashkëpunuar me kompozitorin e madh Afrim Maculen, kam këngë të të mrekullueshmit Ilir Berani, dy këngët e fundit i kam realizuar me kompozitorin e mrekullueshëm Avni Qahili. Kam bashkëpunim edhe me autorin nga Puka ku kam realizuar një këngë më herët, me të mrekullueshmin Gjovalin Dushaj. Pra bashkëpunimet e mia i kam me të njëjtët kompozitorë. Unë jam më shumë këngëtare e zhanrit të muzikës popullore, pak a shumë e dinë ku rrin dhe vokali im këta bashkëpuntorë dhe prandaj bashkëpunoj më shumë me këta.
CMG: Ju përveç muzikës popullore në repertorin tuaj keni dhe disa balada të bukura, të cilat i përshtaten zërit tuaj. Ju pëlqen ta lëvroni këtë zhanër muzikor?
Violeta Kajtazi: Baladat janë më të ndjeshme dhe dy bashkëpunimet e fundit që i kam me Avni Qahilin, janë dy balada shumë të bukura. Njërën e kam realizuar për fundvit dhe tjetrën po pres të realizoj videoklipin dhe ta publikoj. Edhe bashkëpunimi i fundit me Afrim Maculin ka qenë baladë. Unë i dua dhe baladat, por më shumë njihem si këngëtare e këngëve gazmore.
CMG: Përveç muzikës keni ndonjë pasion tjetër në jetë?
Violeta Kajtazi: Unë pasion kam dhe politikën (qesh) sepse kam mbaruar master për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Të them të drejtën vetë jeta na ka lidhur me politikën, kështu që thjesht kam dashur ta studioj, por jo që të merrem me politikë. E ndjek si çdo njeri tjetër sepse duhet të jemi të informuar se çfarë po ndodh, mirëpo pasioni për muzikën më është kthyer në profesion. Nga mungesa e kohës nuk po merrem me shkollën që kam përfunduar, por thjesht po merrem me muzikën.
CMG: Keni menduar ndonjëherë për ndonjë bashkëpunim me këngëtarët e Shqipërisë?
Violeta Kajtazi: Kjo është ëndrra e çdo këngëtari, sidomos kur kemi qenë në kohëra të tjera ëndrra jonë ka qenë që të dëgjojmë këngëtarët e Shqipërisë. Unë kam shoqëri me shumicën e këngëtarëve të Shqipërisë dhe i dua, mirëpo ajo që ma ther zemrën për çdo eveniment ose çdo këngë që e publikon, është Aurela Gaçe. Kisha pasur dëshirë që të kem një bashkëpunim me Aurelën.
CMG: Është Aurela një këngëtare e juaja e preferuar?
Violeta Kajtazi: Po, Aurela unë mendoj se është këngëtare e preferuar e të gjithëve. Është këngëtare që çfarëdo treve që këndon, ti mendon se është e asaj treve. Kjo është më e bukura e Aurelës dhe çfarëdo që ajo këndon për mua është e pazëvendësueshme.
CMG: Cilat janë projektet tuaj muzikore në të ardhmen?
Violeta Kajtazi: E përmenda dhe pak më parë që kam një këngë që është e realizuar me vokal, vetëm po pres të realizohet edhe videoklipi. Është një këngë shumë e bukur dhe e dashur për mua, me tekst dhe muzikë nga Avni Qahili dhe tani që edhe koha u përmirësua, dhe shpresojmë që të kemi kohën e duhur për të realizuar klipin.
CMG: Së fundi një përshëndetje për adhuruesit tuaj dhe dëgjuesit e Radio Ejani.
Violeta Kajtazi: Radio Ejani, ejani dhe në Kosovë ju dhe dëgjuesit tuaj. Është shumë kënaqësi dhe privilegj që isha mysafire e juaja. Të gjithë dëgjuesve ju uroj shëndet, duajeni njëri- tjetrin sepse vetëm kur ta duam njëri tjetrin ne do ecim përpara.
CMG: Unë ju falenderoj për këtë intervistë për emisionin Bio Folk dhe ju uroj shëndet dhe suksese gjithmonë.
Violeta Kajtazi: Faleminderit, gjithashtu shëndet dhe suksese dhe ju. Ju dua!
Intervistoi: Gazmend Agaj