Ketlin Pjalmi është tashmë një këngëtare e njohur. Në vitin 2011, Ketlini mori pjesë në spektaklin për fëmijë “Gjeniu i Vogël 4” për të vijuar në vitin 2015 me “Top Fest 12”, ku interpretoi këngën "E dashuruar".
Në të njejtin vit Ketlini konkuroi në festivalin “Kënga Magjike” me këngën "Zemrën lema ngat".
Puna e saj nuk ka ndalur dhe vijon edhe sot me prodhime muzikore dhe sipërmarrje personale.
Keltlin Pjalmi për Radio Ejani tregon se në të gjithë rrugëtimin e saj e ka mbështetur familja, e mbi të gjitha nëna e saj.
CMG : Ketlin, cili është kuptimi i emrit tuaj?
Keltin Pjalmi : Emri Ketlin nuk ka ndonjë kuptim. Ma ka vendosur mami dhe në fakt mua më pëlqen shumë. Po të ishte e mundur do t'ia vendosja emrin fëmijës sim "Ketlin Junior", aq shumë më pëlqen si tingëllon si emër.
CMG : Në sirtarin tënd të kujtimeve çfarë gjejmë?
Ketlin Pjalmi : Nuk e kam një sirtar në fakt, sepse fati më ka përkëdhelur, ndoshta ngaqë kam qenë fëmija i vogël dhe i vetëm i familjes. Gjyshja ime ka qenë tepër e dedikuar për mua dhe gjithmonë ka ruajtur me fanatizëm çdo fustan qëkurse unë kam lindur e në vazhdimësi.
Shtëpia është kthyer në muze nga gjërat e mia dhe kujtimet që janë ruajtur nga gjyshja, e cila ka pasur adhurimin ndaj meje. E si të ndodhte ndryshe ? Nuk ka se si, sepse unë jam mbesa e parë dhe e vetme e saj.
Duke u rritur, e duke u shtuar çdo pjesë e shtëpisë me gjëra që më përkisnin mua. Sot që flasim unë kujdesem vetë për to dhe sendeve të mia i jane shtuar edhe dekoret për qenushen time.
CMG : A mendon se je fryt i një dashurie të rrallë?
Ketlin Pjalmi : Jo vetëm mendoj, por unë e besoj këtë gjë. Dashurinë unë e konceptoj siç kam parë prindërit e mi, ndoshta ndryshe nga çdokush tjetër. I kam parë prindërit si ikona qendrore të dashurisë dhe për aq kohë sa ata janë dashur shumë dhe mbi të gjitha kanë pasur ideale për familjen, unë u rrita me një frymë të bukur.
Unë jam fëmijë i vetëm dhe prindërit e mi nuk janë vetëm prindër, por vëlla, motër e miq për mua. Kjo është një ndër dhuratat me të mëdha që Zoti më ka sjellë.
CMG : A i ka rezistuar Ketlin ndryshimeve që sjellin vitet?
Ketlin Pjalmi : Njerëzit që më njohin duhet ta dinë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ata që më takojnë pas disa vitesh e më kanë parë në kopsht e shohin dhe e vënë në dukje se unë vijoj të kem të njëjtën buzëqeshje apo sjellje. Ndryshime në dukje ka, por jo në natyrën time apo karakter.
Kur je fëmijë je më e pastër dhe nuk e sheh botën me shumë re, ndërsa kur rritesh e sheh ndryshe. Pra ndryshojnë rrethanat.
Unë nuk jam goditur tepër nga jeta dhe shumë njerëz nuk i shoh sikur prej tyre më vjen e keqja. Botën e shoh me sytë e mi.
CMG : Çfarë i ke thënë shpesh vetes?
Ketlin Pjalmi : Kam pasur 4 parime, jo 3.
E para është që vetëm ta duam sepse nëse nuk e duam ne nuk do të na dojë më shumë. Jam munduar që t'ia bëj qejfin vetes e mos të rezervoj asgjë që më bën të ndihem mirë.
E dyta është të mos krahasohem me njeri, por të kem një luftë me veten jo me dikë tjetër. Dua të kem paqe me veten.
E treta për mua ka rëndësi mos t’i bëj keq dikujt edhe pse në momente të vogla pa dashje mund të ndodhin probleme e keqkuptime, por unë në koshiencën time s'do ti bëja kurrë keq dikujt.
E fundit është që i kam thënë vetes të punoj fort dhe kjo ka lidhje me tre të parat. Duke punuar fort i bëj qejfin vetes, realizohem e nuk kam inate e mllefe dhe duke punuar shpesh eviton qëndrimin me njerëz që sjellin negativitet. Punoj për një mendësi më të mirë.
CMG : A të ka sjellë bezdi fakti që je person publik?
Ketlin Pjalmi : Po, por nuk më ka sjellë gjithmonë probleme.
Nuk e kam njohur paragjykimin apo goditjen, qoftë edhe në rrjete sociale. Të qenit publike unë jam ndierë dhe e them me bindje këtë që jam ndierë më e përkrahur.
CMG : A ka qenë familja mbështetja jote më e madhe?
Ketlin Pjalmi : Unë vijoj të them që kam qenë fëmijë i bekuar sepse kam pasur pas vetes prindërit, të cilët kanë sakrifikuar çdo gjë që të më vijnë mua mbas qejfit. Më vjen keq kur dashur pa dashur ata kanë hequr dorë nga gjërat e tyre për të sakrifikuar për mua. Familja dhe i fejuari im kanë qëndruar gjithnjë pranë meje.
Kam pasur një gjysh që më ka mbajtur pranë, kujtoj me mall që më merrte në biçikletë e në shi, diell apo borë unë nuk mungoja në prova.
Më bënte gati vezën, bananen, vetëm që unë të isha në formë të mirë.
Në atë kohë mendoja që çdo fëmijë kishte një përkushtim të tillë, por tani e kuptoj që jo. Unë paskam qenë me fat.
CMG :Cilët janë shokët e tu "Pasionet"?
Ketlin Pjalmi : Unë jam rritur në prova bashkë me mamin tim. Skena me jep shumë emocion dhe për mua si aktrimi, muzika apo edhe prezantimi mjafton të jem mbi skenë e përballë të kem dritat dhe ndihem mëse e plotësuar.
CMG : Si ka qenë kontekti i parë me skenën?
Ketlin Pjalmi : Shumë i bukur dhe i veçantë njëkohësisht. Fillimisht kam qenë një mik i paftuar në skenë. Bëhej një koncert fëmijësh në Shkodër dhe nëna ime ishte në juri. Në një moment ngjitem në skenë dhe them "Mami im është mami më e keqe në botë !".
Anëtarë të tjerë të jurisë më pyetën nëse e kisha vërtet dhe ju ktheva: Po po, sepse ka marrë çdo fëmijë të këndojë, përveç meje.
Në ato momente ma dhanë skenën më shumë prej sikletit e unë këndova. Qëlloi fat sepse unë mbeta në skenë.
CMG : A planifikon në përditshmëri?
Ketlin Pjalmi : Jo, sepse jam shumë supersticioze. Unë nuk flas për planet as vetes dhe as të tjerëve, sepse ndihem pak keq nëse realizohen ose jo. Di të them që planet e mia janë si të jem unë një njeri më i mirë.
CMG : Çfarë ke më tepër siklet tek vetja?
Ketlin Pjalmi : Nuk kujtoj shumë shpejt. Që do të thotë nëse dikush më njeh e më flet, unë përpiqem të bëj muhabet me të deri në momentin që të më vijë në kujtesë. Mbaj mend një ditë isha me mamin duke ecur dhe na ndalon një grua. Ajo po sillej shumë butë me mua, duke më lënë të kuptoj që më njeh mirë dhe unë po bëja muhabet. Në një moment më kthehet mami e më thotë se a të kujtohet kush është kjo... Unë i them po vetëm që mos ta mërzisja e në moment thotë : "Hë, kush është ? “
Mbeta pa fjalë dhe që atë ditë ky është mësimi im.
CMG : Si ka qenë momenti kur Ketlin sapo lindi?
Aida Pjalmi: Ketlin për mua ishte një lutje për të pasur një vajzë!
Është ajo çfarë unë kam dashur në jetë. Në momentin që erdhi në jetë u kthye në plotësim për shpirtin tim.
CMG : Kur e keni kuptuar që Ketlin ka talent?
Aida Pjalmi : Ketlin ka qenë një vajzë e veçantë. Qysh në moshën 3 vjeçare që në e dërguam në kopësht edukatorja tha që Ketlin ka tjetër prirje në dallim nga fëmijët e tjerë. Ajo inskenonte dhe largohej nga lojërat për fëmijë.
Një ditë vendosën të venë në skenë “Borëbardhën” dhe unë nuk kisha në fakt shumë mundësi ta ndiqja në prova, sepse edhe vetë isha në punë. Ndaj edhe ne finale kur ajo shkëlqeu, unë kam mbetur e habitur nga talenti i saj. Duke u rritur e duke kuptuar që përkrah meje po rritej një vajzë e talentuar.
CMG : Si jeni ndierë gjatë këtyre viteve si nënë?
Aida Pjalmi : Kur unë ecja me të përkrah. Duke ecur dhe duke e shijuar kohën me njëra- tjetrën njerëzit ma ndalonin vajzën dhe ma uronin. Nuk besoj se ka lumturi më të madhe.
Intervistoi: Megi Latifi