Egzona Ademi është këngëtare, autore tekstesh dhe aktore. Ajo është diplomuar për aktrim në Prishtinë dhe menjëherë është bërë pjesë e spektakleve të ndryshme në Shqipëri. Në vitin 2012 Egzona mori pjesë në spektaklin e talenteve të rinj “X Factor Albania 2”. Një vit më pas ajo konkurroi në festivalin “Kënga Magjike” me këngën "Posesiv", në bashkëpunim me String String, e kështu me radhë do të vazhdonin pjesëmarrjet e saj të shumta në festival, angazhimi i saj me fëmijët në spektaklin “Gjeniu i vogël”, ku pjesë e këtij ekipi është edhe këtë vit, gjithashtu jep edhe mësim në një shkollë private. Për Radio Ejani Egzona tregon për eksperiencën e saj artistike gjatë këtij dhjetëvjeçari në Tiranë, si dhe dëshirat për të ardhmen.
Egzona Ademi (Foto instagrami)
CMG: Janë të shumta aktivitetet e tua momentalisht. Si arrin t’i përballosh të gjitha?
Egzona Ademi: Të menaxhosh kohën është pak e vështirë. Kur filloj të punoj për disa projekte njëkohësisht, mundohem të rregulloj oraret dhe kur e menaxhoj çdo gjë është në rregull. Mendoj se e përballoj shumë mirë dhe puna më mban në formë dhe në jetë.
CMG: Ku e ndjen ti veten më mirë, që të mbush profesionalisht, kur këndon, aktron, në rolin e mësueses kur mëson fëmijët të këndojnë, apo në radio?
Egzona Ademi: Mendoj se të gjitha nga pak e plotësojnë njëra- tjetrën. Nuk e ndjej veten të arrirë ende, sepse njeriu duhet të japë gjithmonë më të mirën nga vetja. Meqenëse të gjitha punët që jam angazhuar kanë lidhje me artin, ndjehem mirë tek të gjitha.
CMG: A e je lodhur dhe a ke menduar ndonjëherë se nuk i përballon dot të gjitha?
Egzona Ademi (Foto instagrami)
Egzona Ademi: Mund të jem mërzitur me ndonjë gjë në lidhje me punën, por nuk ka diçka personale. Nga natyra jam një person shumë korrekt, por ndonjëherë kur më përplasen oraret, vetëm kjo gjë më nervozon shumë.
CMG: 10 vite më parë ti ke qenë konkurrente në "X Faxtor", ndërsa prej vitesh punon me fëmijët në kompeticione muzikore. Emocioni më i fortë ka qenë dikur kur ishe vetë në konkurrim, apo sot kur pret të japin maksimumin fëmijët me të cilët ti punon tek "Gjeniu i vogël" ?
Egzona Ademi: Sot mendoj se emocionet më të forta janë me fëmijët e vegjël me të cilët punoj. Kur interpretoj në skenë jam përgjegjëse për çdo gjë që këndoj dhe përfaqësoj, ndërsa në rastin me fëmijët që i kam mësuar unë, ajo pritja që ata ta përfundojnë materialin me sukses, mendoj se në këtë rast ka më shumë emocione sesa kur jam vetë në skenë. Flas gjithmonë në aspektin e përgjegjësisë sepse skena gjithmonë ka emocione edhe sikur të jesh në të apo prapa saj.
CMG: Egzona, në "X Factor" të kanë pyetur, se ku dëshiron të qëndrosh, në Tiranë apo në Prishtinë dhe ti je shprehur për në Tiranë. Prej vitesh puna jote më e madhe ka qenë kryesisht e lidhur me Tiranën. A je e kënaqur me gjithçka ke arritur deri më tani këtu?
Egzona Ademi (Foto instagrami)
Egzona Ademi: Nuk është se e kisha menduar që të jetoja në Tiranë, por kur mbarova spektaklin, më kërkuan që të isha pjesë e “Gjeniut”, që të punoja me fëmijët dhe fakti që kam pasur punë për rreth një dekadë këtu në Tiranë, mendoj se ja ka vlejtur.
CMG: Publiku në Tiranë të njohu bjonde, ndërsa sot të njohim si brune. Guxon shpesh dhe a të pëlqejnë ndryshimet?
Egzona Ademi: Unë kam pasur një respekt shumë të madh për prindërit e mi dhe në përgjithësi jam kujdesur që ata të mos lëndohen. Në raport me flokët kam qenë e guximshme dhe i kam lyer për herë të parë në moshën 16 vjeçe. Mendoj se jam konsistente në gjërat që kam bërë, nuk kam qenë asnjëherë temë e skandaleve dhe e portaleve dhe dua që puna ime të flasë për mua. Nuk dua ta paragjykoj këtë pjesë sepse nesër nuk i dihet, ndoshta në të ardhmen mund të jem edhe unë pjesë e ndonjë skandali, por në përgjithësi mundohem të jem e njëtrajtshme në raport me guximin. Gjithsesi mendoj se jam një njeri i guximshëm për arsyen se, mora përsipër që të kujdesesha jashtëzakonisht shumë vetëm për nënën time, atëherë kur ajo kishte një sëmundje jo shumë të njohur, kishte vështirësi në të ngrënë, etj., dhe kjo mund të quhet guxim. Gjithashtu guxim mund të quhet që të jetosh vetëm në Tiranë (duke mos e përfshirë shoqërinë) të jetosh, të punosh, t’ia dalësh vetëm mendoj se kjo futet tek guximi i një njeriu.
Egzona Ademi në skenën e festivalit - Kënga Magjike (Foto nga instagrami)
CMG: Përveç se këndon ti je dhe autore e shumë teksteve të këngëve. Ku është kënaqësia dhe emocioni më i fortë, kur dëgjon materialin tënd të interpretuar nga dikush tjetër, apo kur interpreton ti vetë në një kompeticion të caktuar?
Egzona Ademi: Më mirë do e përcillja vetë emocionin e një kënge të cilës i kam shkruar tekstin, por edhe kur e këndon dikush tjetër tekstin që unë kam shkruar, përsëri ndjehem shumë mirë.
CMG: Të ka ndodhur që në tekstin e këngës të transmetosh një histori tënden personale?
Egzona Ademi: Jo, kam shfrytëzuar imagjinatën.
CMG: Ti ke pasur shumë pjesëmarrje në festivalin "Kënga Magjike", po në Festivalin e RTSh-së, a do të shohim ndonjëherë?
Egzona Ademi: Unë i dua gjërat në perfeksion, prandaj dua që të kem një super material. Por edhe nëse nuk e fitoj festivalin, dua që të kem një paraqitje shumë të mirë dhe kënga të mbetet në memorien e publikut. Por nëse nuk e kam një super material, atëherë nuk e di nëse mund të marr pjesë në festival.
Egzona Ademi në spektaklin -Kosherja (Foto nga instagrami)
CMG: Të pëlqen të interpretosh “live”?
Egzona Ademi: Të këndosh “live” është kryevepër dhe lum ata që këndojnë. Të kënduarin live i bën njerëzit të emocionohen dhe në këtë mënyrë emocionohet edhe artisti bashkë me to.
CMG: Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?
Egzona Ademi: Nuk e di, kam dëshirë që të udhëtoj botën.
CMG: Nga ana profesionale, si e sheh?
Egzona Ademi: Kam dëshirë që të marr pjesë në ndonjë talent show jashtë vendit, ndoshta “Britain’s Got Talent”.
CMG: Çfarë do i thoje të gjithë atyre që po të ndjekin sot?
Egzona Ademi: Mos e harroni veten se është shumë e rëndësishme. Gjithashtu kini kujdes me shëndetin mendor dhe atë fizik. Jeta është shumë e shkurtër, jetojeni!
Egzona Ademi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës
Intervistoi: Sava Lena