Sergio Hajdini është një artist i ri, mjaft i talentuar, i cili është rritur me muzikën. Dashuria e madhe për artin dhe instrumentat ka nisur që në moshën 5 vjeçare, për të vazhduar më pas studimet për piano. Dëshira e tij e madhe është që të kalojë orë të tëra në studion e produksionit për të realizuar muzikë të mirë, kompozime dhe orkestrime për këngëtarë të rinj dhe të njohur të skenës shqiptare, si dhe masterizime të këngëve. Përveç projekteve të ndryshme, Sergio ka realizuar dhe muzikën e disa filmave me metrazh të shkurtër, muzikën e trajlerave, duke qenë përherë produktiv në fushën e kreativitetit të muzikës. Ka bashkëpunuar me artistin, Artur Gorishti për filmin "Breath", i cili ka marrë dhe çmim në një festival të filmit jashtë vendit.
Sergoi Hajdini & Kamela Islami duke punuar për këngën e festivalit (Foto nga Instagrami) - Kopjo
Krahas instrumentit të pianos dhe punës në studio, Sergio e provoi veten edhe në talent show si “The Voice Of Albania”, ku pati sukses. Ka disa pjesëmarrje në festivale si ai i “Rtsh-së”, “Top Fest” dhe “Kënga Magjike”. Për Grupin Mediatik të Kinës Sergio tregon për jetën e tij artistike, si dhe për projektet e reja që po realizon me emra të njohur të muzikës shqiptare.
CMG: Ti je nje artist i ri, por fillesat në muzikë I ke që në moshën 5 vjeçare. Ishin prindërit që të orientuan drejt muzikës apo dëshira jote?
Sergio Hajdini: Mendoj se prindërit kanë parë talentin tek unë. Kur isha i vogël merrja të gjitha enët e kuzhinës dhe luaja me to, krijoja muzikë. Mund të them, ndoshta një talent i lindur dhe sot i falenderoj që më orientuan drejt muzikës.
Sergoi Hajdini (Foto nga Instagrami) - Kopjo
CMG: Si e kujton fëmijërinë tënde me muzikën?
Sergio Hajdini: Më kujtohet kur isha i vogël regjistroja veten në kasetë me manjetofonët e vegjël që kishim aëherë, por nuk e mendoja që në një të ardhme shumë të afërt do isha unë që do i regjistroja artistët e mëdhenj në studio, pasi profesioni që unë kam zgjedhur të bëj në vazhdim është kompozitor, orkestrues, etj.
CMG:Cila është kënga e parë që ke regjistruar me kaseta?
Sergio Hajdini: Ka qenë një këngë e grupit tim të preferuar në atë kohë, Backstreet Boys, ku regjistroja refrenet e tyre. Ndërsa në mënyrë profesionale ka qenë kënga që kam regjistruar për vete kur konkurova në "Top fest 9".
Sergoi Hajdini (Foto Instagrami) - Kopjo
CMG: Më pas ti fillove studimet në Itali. Ke studiuar 12 vjet piano klasike, por ku e ndjen ti veten më rehat dhe më profesionist njëkohësisht, duke luajtur në piano, kur kompozon këngë, apo kur je pjesë e një festivali?
Sergio Hajdini: Mendoj se çdo fushë ka vështirësitë dhe kënaqësitë e veta. E vërtetë që kam studiuar piano për 12 vjet, por aty ku unë ndjehem më rehat është studio, kompozimi dhe orkestrimi i këngëve. Piano vazhdoj të luaj nëpër koncerte të ndryshme dhe nuk i ndaj dot. Në fund të ditës nuk e konsideroj si punë, por të luaj muzikë për mua është kënaqësi.
Sergoi Hajdini (Foto nga Instagrami) - Kopjo
CMG: Ti ke qenë konkurent në “The Voice Of Albania 5”. Çfarë përfitove ti nga ai kompeticion?
Sergio Hajdini: Më vjen mirë se shumë njerëz më mbajnë mend nga spektakli "The Voice Of Albania", më ndalojnë edhe në rrugë dhe ma thonë këtë gjë. Si këngëtar kam fituar një vetëbesim në këndim sepse unë nuk e kam primare këngën, por ishte një eksperiencë e bukur.
CMG: A ke kontakte me konkurentët e atij edicioni?
Sergio Hajdini: Pas spektaklit unë shkova sërish në Itali dhe i kam shkëputur disi kontaktet. Me disa prej tyre jemi miq, dhe ndoshta në të ardhmen si artiste dhe kolegë që jemi mund të kemi bashkëpunime.
Sergoi Hajdini në intervistë për CMG
CMG: Ti ke dalë nga një kompeticion talentesh të reja “ The Voice” dhe motra jote Luka nga “Ethet”. Gjithashtu ke pasur bashkëpunim me Luka Hajdinin, por a do ju shohim të dyve me ndonjë projekt në vazhdim?
Sergio Hajdini: Nuk është se kemi vendosur diçka momentalisht, por i kemi disa projekte të papërfunduara, të cilat ndoshta do publikohen një ditë.
CMG: Më pas ke qenë pjesë e garave në festivalet "Kënga Magjike" dhe “Fest ‘55” në Rtsh. Ku ka qenë emocioni më i fortë në “The Voice” apo gjatë konkurimit me artistët big?
Sergio Hajdini: Mendoj se emocioni më i madh ka qenë pjesëmarrja ime në “Festivalin e Rtsh-së” dhe "Kënga Magjike" dhe sigurisht që përgjegjësia është më e madhe dhe emocioni më i madh.
CMG: Do konkurosh këtë vit?
Sergio Hajdini: E kam menduar dhe kam dëshirën që të marr pjesë në "Kënga Magjike", por varet nga ngarkesa që do kem sepse këtë vit kam realizuar dhe disa këngë për artistë të ndryshëm dhe mendoj se mund të marr pjesë edhe vetë si kantautor, pse jo.
Luka & Sergoi Hajdini (Foto nga Instagrami) - Kopjo
CMG: Ti je pjesë e Keli Band. Si të erdhi ftesa dhe si ndjehesh sot aty?
Sergio Hajdini: Me thënë të drejtën me Kelin kam shumë vite që njihem, jemi miq shumë të mirë. Kemi punuar për një projekt shumë vite më parë dhe aty na u përputhën të gjitha mendimet, idetë për muzikën për këngët dhe u bën rreth 10-12 vjet që njihemi.
CMG: Na trego për punën tënde momentalisht, për çfarë po punon?
Sergio Hajdini: Jam duke punuar për disa këngë me këngëtaren Marsela Çibukaj, Dren Abazin dhe nuk e kemi menduar ende se kur do të publikohen këngët...
CMG: Gjithashtu ti ke pasur bashkëpunime dhe në Itali. Na trego diçka më tepër.
Sergio Hajdini: Në Itali kam një studio ku punoj me disa menaxherë, të cilët merrem me artistë të rinj dhe organizojnë evente dhe talente të reja. Ndoshta në të ardhmen mund të kem bashkëpunime dhe me artistë të njohur.
CMG: Planet e tua në vazhdim?
Sergio Hajdini: Vazhdimësia ime është në studio, kjo është gjëja primare që kam. Këngë të reja, produksione të reja si për vete dhe për artistë të tjerë. Gjithashtu kam edhe evente të ndryshme si me bandën me Kelin, por edhe me artistë të rinj.
CMG: Do fokusohesh në Shqipëri apo jashtë vendin?
Sergio Hajdini: Unë do jem në lëvizje ku ka muzikë të mirë dhe art unë do jem aty.
CMG: Faleminderit për intervistën!
Serxho Hajdini: Faleminderit për ftesën dhe suksese!
Intervistoi: Sava Lena