Erald Demiri është instrumentist i njohur, i cili lëvron muzikën tradicionale popullore. Ai ka nisur ta mësojë klarinetën që në moshë të vogël, duke pasur dhe një përkrahje të madhe nga babai i tij, klarinetisti i mirënjohur Adrian Demiri. Eraldi ka publikuar në kanalin e tij të YouTube disa materiale muzikore, valle të njohura tradicionale të trevave të jugut dhe Shqipërisë së mesme. Në një intervistë për CMG ai tregon për rrugëtimin e tij me muzikën si dhe projektet që do ti realizojë së shpejti.
Erald Demiri (Foto personale)
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën popullore?
Erald Demiri: Unë në fakt muzikën e kam të trashëguar nga babai im, klarinetisti i mirënjohur i muzikës popullore shqiptare Adrian Demiri. Unë në moshën 6 vjeçare kam filluar solfezhin te ish pallati i pionerëve. Një vit më vonë kam nisur shkollën artistike “Servete Maçi” për piano, ku studiova në këtë shkollë rreth 6 vjet për piano dhe pastaj më hyri pasioni për klarinetën. Duke parë babain që punonte me muzikën tradicionale popullore, fillova të mësoj klarinetën në fillim në mënyrë autodidakte. Në fillimet e mia më ka mësuar edhe babai pozicionet e bukaturës, si vendoset klarineta në gishta si dhe notat muzikore.
Kam studiuar tre vjet klarinetën, duke mësuar vallet dhe këngët popullore. Pastaj u angazhova me Ansamblin Popullor “TradFolk Tirana”, me koreografin e mirënjohur të Tiranës Bujar Gorenxa dhe në moshën 15 vjeçare kam qenë me këtë ansambël në koncert jashtë vendit, Hungari dhe Austri.
Erald Demiri gjate nje aktiviteti artistik (Foto personale)
CMG: Sa ka ndikuar përkrahja e babait tuaj në fushën e muzikës?
Erald Demiri: Unë jam shumë krenar që kam baba Adrian Demirin sepse është vërtetë nga klarinetistët më të mirë të Shqipërisë. Klarinetistë shqiptar ka shumë dhe janë ndër më të mirët në Ballkan. Unë kam marrë pak nga ai dhe dua që të jem sa gjysma e tij në këtë rrugëtim muzikor.
CMG: Pak më përpara përmendët se keni studiuar dhe piano. Vazhdoni të luani akoma në piano, apo klarineta është instrumenti primar?
Erald Demiri: Klarineta është instrumenti im primar dhe gjithashtu kam dhe saksin sepse ne punojmë më shumë me muzikën live dhe unë i përdor të dyja këto instrumenta. Pianos i bie shumë pak, por e njoh mirë edhe pse kam kohë që nuk punoj me pianon.
Erald Demiri gjate nje eventi me kengetaren Eranda Libohova (Foto personale)
CMG: Si jeni pritur nga publiku i huaj gjatë koncerteve në vende të ndryshme të Europës?
Erald Demiri: Unë e kam shumë pasion muzikën popullore tradicionale dhe kur kemi dhënë koncerte në Europë, publiku na ka pritur shumë mirë sepse të huajt e vlerësojnë shumë muzikën tradicionale, më tepër sesa ne këtu. Unë jam ndjerë shumë mirë kur luaj muzikë folklorike, sidomos me kabatë që të huajt i vlerësojnë më shumë. Gjithashtu edhe vallet e vjetra popullore tradicionale i vlerësojnë dhe pëlqejnë shumë.
Erald Demiri duke luajtur ne klarinete (Foto personale)
CMG: Për ju është më e vështirë të luash kaba apo vallet e gëzueshme popullore?
Erald Demiri: Për mua më e vështirë është të luash kabanë, dhe ta luash ashtu siç është origjinale, duke i dhënë ngjyrën dhe shijen e vet. Ka shumë kaba në zona të ndryshme, ka Korça kaba, Përmeti, Leskoviku dhe zonat e Gjirokastrës që janë zonat minoritare me kaba të ndryshme. Kur luan një kaba me klarinetë duhet t’i japësh karakterin dhe shijen e vet që të kuptohet e cilës zonë është.
CMG: Sa kohë studioni klarinetë në ditë?
Erald Demiri: Unë në ditë studioj rreth dy orë. Në fillimet e mia kam studiuar dhe 5 deri në 6 orë në ditë.
CMG: Ju keni qenë i angazhur me disa ansamble popullore, duke dhënë koncerte dhe jashtë vendit. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju ?
Erald Demiri: Angazhimi im që në moshë të vogël me ansamblet popullore ka qenë për mua një shkollë për muzikën popullore sepse këtu në Shqipëri nuk ka shkollë për muzikën tradicionale popullore. Këtu ka shkollë për muzikën klasike, por për mendimin tim duhet të ketë dhe një shkollë për muzikën popullore tradicionale dhe atë orientale. Unë kam mësuar shumë duke punuar me këto ansamble, kam mësuar vallet e Shqipërisë, karakteret e këtyre valleve të zonave të ndryshme. Gjithashtu unë kam qenë edhe me ansamblin privat të mjeshtrit të madh Rexhep Çeliku ku kemi marrë pjesë në disa koncerte në vende të ndryshme të Europës. Jam angazhuar në disa koncerte edhe me shkollën e baletit dhe Ansamblin Tirana duke punuar si instrumentist i jashtëm. Më vonë fillova me muzkën live dhe evenimente të ndryshme.
Erald Demiri gjate nje koncerti (Foto personale)
CMG: Në kanalin tuaj të YouTube keni publikuar disa instrumentale dhe valle popullore tradicionale. Ku i keni realizuar këto materiale muzikore?
Erald Demiri: Unë në fakt kam bërë shumë materiale të muzikës folklorike dhe valle të vjetra, por dhe muzikë orientale. Muzikën folklorike e luaj në studion e mjeshtërit Agim Xhemali, të cilin e përshëndes sepse ai e njeh karakterin e këtyre valleve. Ndërsa materialet me muzikë orientale i realizoj te një muzikant tjetër që e njeh këtë lloj zhanri muzikor.
CMG: Kush janë këngëtarët që ju keni punuar më së shumti nëpër koncerte apo evente të ndryshme artistike?
Erald Demiri: Unë për gati dy vite kam punuar me këngëtaren e mirënjohur Eranda Libohova, pastaj kam punuar shumë pak me Kastriot Tushën si dhe në Kosovë me djalin e artistit të madh Ismet Peja, me Visar Pejën. Gjithashtu kam punuar edhe me këngëtarë të muzikës popullore të trevës së jugut si dhe grupin e njohur të “Ali Pashë Tepelënës” dhe me këngëtaren Manjola Nallbani. Pra janë shumë këngëtarë që unë i kam shoqëruar nëpër koncerte të ndryshme.
Erald Demiri gjate nje koncerti me kengetarin Kastriot Tusha (Foto personale)
CMG: E ndjeni konkurencën midis instrumentistëve të tjerë në tregun muzikor?
Erald Demiri: Për mendimin tim çdo njeri ka stilin dhe shijen e vet. Klarinetistë ka shumë në Shqipëri dhe janë shumë të talentuar, si brezi para meje por dhe brezi im janë shumë profesionistë. Ne jemi të gjithë kolegë edhe pse konkurenca është, por e respektojmë njëri tjetrin.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Erald Demiri: Unë do të realizoj disa materiale muzikore të trevës së Shqipërisë së mesme, dhe disa pjesë të jugut që do t’i kthej pak në etno xhaz. Dua që t’i përpunoj pak, por për momentin jam duke i menduar që t’i bëj pak më moderne. Të gjitha materialet e mia muzikore i publikoj në kanalin tim të rregullt të YouTube dhe deri tani kanë ecur shumë mirë si me klikime ashtu dhe me subscribe.
Erald Demiri me grupin e tij muzikor(Foto personale)
CMG: E keni qejf kostumin popullor dhe a e vishni nëpër evente artistike?
Erald Demiri: Unë n[ disa nga materialet e mia, kam veshur dhe kostumin popullor tradicional sepse ka tjetër sy dhe vlerësohet shumë nga publiku.
CMG: Së fundi një përshëndetje për miqtë dhe kolegët tuaj?
Erald Demiri: Unë i përshëndes të gjithë kolegët muzikantë të Shqipërisë dhe Kosovës, duke ju uruar çdo të mirë. Ju falenderoj dhe juve për mundësinë e kësaj interviste.
Intervistoi: Gazmend Agaj