Këngëtarja Blerina Matraku ka filluar të këndojë që në femijëri në koncertet e shkollës që zhvilloheshin në rrethin e Krujës, më pas në Teatrin “Skampa” të qytetit Elbasanit, ku ka realizuar spektaklet e para live duke kënduar covera të ndryshëm. Ajo ka disa pjesëmarrje në Festivalin “Kënga Magjike”, në “Maratona e këngës”, “Këngët e Shekullit” në Natën Franceze, në Festivalin “Nota fest” me këngën "Njëherë në Jetë" në Maqedoninë e Veriut ku u vlerësua me çmim.
Në vitin 2007, Blerina Matraku këndoi kolonën zanore të filmit “Përdhunimi”, me regji të Spartak Pecanit, ndërsa kënga u realizua dhe orkestrua nga kompozitori Adrian Hila. Ky film u prezantua me sukses në Festivalin e Filmit në Kanë. Studimet e larta Matraku i kreu në Universitetin “Aleksander Xhuvani” në degën e gjuhës frënge, gjithashtu edhe masterin për përkthyese e kësaj gjuhe. Pavarësisht pasionit të saj për gjuhët e huaja me qëllimin për t’u bërë poliglote, dëshira e madhe për muzikën, bëri që ajo të merrej vetëm me këngën, dhe ta kthente atë në përparësi. Ajo ka eksperimentuar në disa rryma muzikore madje edhe në atë popullore, por dashuria e saj e madhe janë baladat.
Për CMG Blerina ka rrëfyer për bashkëpunimin me artistin italian Giuseppe Cozzolino, i cili njihet me emrin e artit, Jo Cozzolino dhe projektet e shumta që do vijnë në vazhdim në gjuhën italiane dhe me një shtirje në tregun muzikor europian.
CMG: Kohët e fundit kam parë një postim, i cili më nxiti për të realizuar këtë intervistë bashkë. Në postim thuhet se, një bashkëpunim i ri po vjen, e këtë herë jo me një artist shqiptar, por italian. A mund të na tregosh më tepër?
Blerina Matraku: Është e vërtetë, jam duke bërë një super bashkëpunim me një artist shumë të mirë italian, i cili quhet Jo Cozzolino dhe më bëhet shumë qejfi që më zgjodhi mua për këtë bashkëpunim. Dëshira e tij është që projektet tona muzikore të shpërndahen nëpër botë dhe pse jo t’ja ofroj edhe publikut shqiptar. Muzika ka gjuhën e saj që mund të këndohet dhe mund të kuptohet vetëm me anë të melodisë. Jo Cozzolino është një super artist dhe gjithashtu një super vokal, mezi po presim ta finalizojmë bashkëpunimin tonë. Kënga është një baladë shumë të bukur, e kompozuar nga vetë ai dhe besoj se do t’ju pëlqejë të gjithëve. Unë personalisht e kam shumë përzemër si këngë.
CMG: Kthehemi në fillim, si nisi njohja me Jo Cozzolino dhe deri tek momenti i ftesës?
Blerina Matraku: Me artistin Jo Cozzolino, jam njohur rastësisht në Instagram, e kam parë si artist edhe si model. Kisha dëshirë që të realizoja një bashkëpunim me videoklip. Më vonë mësova që ishte këngëtar edhe producent, kompozitor i këngëve që ai krijon. Ai ndërkohë kishte hyrë në Youtube dhe kishte parë këngët e mia dhe një këngë franceze që unë kam bërë disa vite më pare. Ai e pëlqeu vokalin tim dhe më propozoi këtë bashkëpunim, i cili besoj se nuk do jetë i vetmi.
CMG: Kjo këngë do jetë gati për publikun në sezonin e verës?
Blerina Matraku: Mendoj se do të jetë gati përpara stinës së verës dhe më bëhet qejfi për një gjë. Jo Cozzolino e vlerëson shumë publikun shqiptar, është shumë insistues në këtë projekt që po bën dhe besoj se do ta publikojmë shumë shpejt.
CMG: Ti njihesh si këngëtare që këndon mjaft bukur në gjuhën franceze, për të cilën edhe ke studiuar, por ndërkohë ke sjellë vetëm një këngë “Paris”. Përse nuk ke publikuar këngë të tjera në gjuhën franceze?
Blerina Matraku: Shumë e drejtë, sepse bashkëpunimet mund edhe të zgjeroheshin me artistë francezë, të cilët janë të njohur sot botërisht, por thellë unë jam këngëtare shqiptare dhe nuk mund ta le mënjanë muzikën shqipe, sepse muzika jonë është shumë e bukur, por njëkojësisht nuk kam dashur të largoj publikun tonë të dashur. Unë vërtet këndoj frëngjisht, por siç thashë muzika ka të vetmen gjuhë që është melodia. Megjithatë nuk kam dashur të lë as muzikën shqip mënjanë. Ndoshta në ndonjë bashkëpunim të rradhës mund të jetë frengjisht, por më tepër kam dashur në shqip sepse unë jam këngëtare që këndoj në trevat shqiptare. Mund të zotëroj frëgjishten sepse kam studiuar për këtë gjuhë, por kjo s’do të thotë që nuk do këndoj më në gjuhën tonë të bukur shqipe.
CMG: Rrugëtimi yt artistik ka qenë disi ndryshe nga artistët e tjerë, e nise muzikën që e vogël, më pas u fokusove tek puna jote e përditshme si stjuardesë dhe më pas erdhi sërish fokusi 100 përqind në muzikë. Si ka qenë ky rrugëtim gjatë këtyre viteve, me këto ndryshimet herë pas here?
Blerina Matraku: Si jeta e çdo artisti, ka qenë pak e vështirë, por unë dua të kujtoj vetëm gjërat e bukura. Nuk ka rëndësi sesa lodhem, por rëndësi ka fokusi se ku dua të arrij. Ka qenë me të vërtetë rrugë e gjatë, të cilën e kam shijuar në maksimum. Siç duket ndonjëherë lodhja të jep edhe produktivitet si artiste. Vërtet e kam nisur muzikën e më pas kam punuar si stjuardesë, por kam punuar gjithmonë për të mbështetur artin që unë doja. Arti do investim dhe nga ajo punë paguhesha mirë dhe në këtë mënyrë mund të investoja në pasionin tim. Kur kompania ajrore u mbyll, unë u fokusova tërësisht te kënga.
CMG: Balada “Si guxonte” nga Lambert Jorganxhi dhe Kelly është realizuar mjaft mirë në të gjitha komponentët. A do t’i riktheheshe edhe një herë baladave?
Blerina Matraku: Si çdo artist që duhet të eksperimentojë rryma të ndryshmë muzikore dhe unë jam munduar të sjell këngët që publiku do më shumë. Megjithatë balada “ Si guxonte” e kompozuar nga Jorganxhi, është një baladë që unë me të vërtet e kam dashur shumë dhe po t’i rikthehem asaj kohe kujtoj se, Kelly e donte me shumë nxitim të realizonte këngën. Po e them për herë të parë këtë sekret. Kënga është realizuar me vokalet që kanë qenë në prova, pra në demo, sepse Kelly nuk kishte kohë për ta përsëritur edhe një herë pasi duhej ta publikonte patjetër. Pra në vedeoklip është versioni i demos i regjistruar. Është baladë të cilën e kanë pëlqyer dhe dua t’i them publikut, se unë do u rikthehem edhe një herë baladave, rrymës pop & soul. E rëndësishme është që të gjithë do e gjejnë veten tek ato këngë që unë do bëj në të ardhmen.
CMG: Meqënëse ke bërë këtë rrugëtim, baladë, popullore, baladë cili do të jetë fokusi yt më vazhdimësi ?
Blerina Matraku: Nga të gjitha këngët që janë krijuar me shumë dashuri, doja të përmendja këngën “Zemra ime s’më dëgjoi”, me tekst të Rozana Radit e cila më ka lënë shumë emocione si këngë dhe publiku e ka pëlqyer shumë. Ishte një këngë që nuk munda ta reklamoj ashtu siç duhej bërë publiciteti në media dhe mua më ka mbetur merak, por e di që ata njerëz, të cilët e kanë dëgjuar e duan atë këngë. Kur filluam bashkëpunimin me Rozin, ajo më tha që t’i tregoja një detaj si e doja unë tekstin. Dhe unë i thashë vetëm fjalën, vrapoj, asgjë tjetër. Rozi është artiste dhe nga një fjalë e vetme krijoi një super tekst. Ndërsa këngët që publiku i ka pëlqyer shumë kanë qenë ato, me të cilat unë kam marrë pjesë te “Maratona e këngës popullore”. Do veçoja këngët “Dua të bëhem djalë” me tekst të Arben Dukës, “Ti o diell” që i përket vitit të kaluar,etj. Kjo s’do të thotë që do i lë pas baladat për të cilën jam nisur sepse zanafilla ka qenë muzika e lehtë.
CMG: Dhe me ato që unë kuptova fokusi yt do të jetë edhe tregu europian?
Blerina Matraku: Kjo është një plus që mund të vijë rastësisht, sepse synimi im është, të bëj këngë të bukura dhe me nivel, nëse publiku i mirëpret atëherë pse jo.
CMG: Ti ke qenë konkurente në disa festivale si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj, por më trego si do jetë vazhdimësia jote në festivale. Do kesh më pjesëmarrje?
Blerina Matraku: Nuk di çfarë të them për këtë sepse synimi im mund të jetë edhe “Festivali Rtsh-së” apo” Kënga Magjike”, por më tremb, jo konkurenca, por fakti që jo çdo këngë përthithet shpejt nga publiku. Këngët e mia kanë qenë rezistente në kohë, pavarësisht se janë përthithur më me ngadalë, por rëndësi ka që kanë qenë me nivel. Dua të jem pjesëmarrëse, por duhet ta mendoj mirë, më duhet suport.
CMG: Si janë marëdhëniet e tua me kolegët, si e shihni ju konkurencën në art?
Blerina Matraku: Unë mendoj që kam marëdhënie të mia, patjetër mund të kem ndonjë antipati gjëkundi sepse është gjë që s’mund ta detyrosh. Dikush ose ka simpati ose antipati, kjo është e pashpjegueshme, por e rëndësishme është që unë jam shumë pozitive, kam marëdhënie të mira me të gjithë, por në të njëjtën kohë mendoj se çdo art është unik, nuk e shoh si konkurencë. Ky është gabimi që ne bëjmë të gjithë, sepse nëse do e shohësh si kompeticion me konkurencë, do krijosh edhe antipati, por unë e shoh si art dhe arti im është ndryshe nga ai i një artisti tjetër, e publiku ka nevojë për të gjitha ngjyrat. Kam marëdhënie të mira përgjithësisht me artistët, besoj se dhe ata më duan siç i dua.
CMG: Si është jeta e një artisti në përditshmëri?
Blerina Matraku: Zakonisht shihet vetëm kopertina pasi kështu ndodh me artistin, por është një luftë shumë e madhe që nga mënyra e të ushqyerit, gjumi, sporti etj. Një artist varet se ku e gjen frymëzimin, por duhet të bëjë sport patjetër, të kujdeset për jetën e tij në përditshmëri. Nëse unë do të kisha një punë që do ta nisja më mëngjes e përfundoja më mbëmje, pasi të mbaroja punën me siguri do të bëja sport, por puna që ne kemi është jo e organizuar, janë netë pa gjumë dhe normalisht është shumë e vështirë të mbash edhe trupin. Por gjithsesi unë kujdesem shumë në ushqim, nuk ha bukën, por ushqime që të ushqehen muskujt, për të qenë sa më dinamike dhe edhe nëse do të jem pa gjumë , adrenalina ime të jetë në vendin e duhur. Pra mundohem të ketë disiplinë.
CMG: Cilat janë planete tjera që ti ke për të ardhmen?
Blerina Matraku: Janë shumë këngë të cilat do doja t’i përmendja, si bashkëpunimi për këngën “ Ku e le dashninë”, kënga me artistin italian, etj. Së fundi dua të përshëndes publikun tonë të dashur, i falenderoj të gjithë për suportin që më kanë dhënë, për energjinë pozitive që kanë pasur kundrejt meje dhe dua t’ju them se arsyeja që unë vazhdoj është vetëm për atë që më kanë mbështetur. Dua t’u jap një shpërblim të gjithë atyre që më kanë dhuruar energji pozitive dhe më kanë mbështetur në gjithë këto vite, ju premtoj se do jua kthej në të ardhmen.
CMG: Në të ardhmen, do të shohim vetëm si këngëtare apo edhe si stjuardesë?
Blerina Matraku: Apsolutisht jo sepse turbulencat nuk më lejohen më. Do vazhdoj vetëm me këngën dhe përkthimet nga gjuha frënge, që janë kryesisht literaturë, libra, vëllime, romane, enciklopedi.
CMG: Të uroj shumë suksese me çdo projekt që ti ke në plan të realizosh.
Blerina Matraku: Të falenderoj shumë për intervistën, pa ju nuk do ta kishim këtë lloj energjie. Faleminderit dhe të gjithë ju që po lexoni këtë intervistë.
Intervistoi: Sava Lena