Merushe Xhihani është këngëtare e njohur e muzikës popullore qytetare të trevës së jugut. Që prej vitit 1980 ajo ka qenë pjestare e grupit të mirënjohur “Përmbi Tepelenë”, grup i cili ka sjellë për artdashësit këngë të njoura popullore dhe që sot dëgjohen me kërshëri nga të gjithë. Merushe Xhihani përveçse një këgëtare e talentuar dhe me një zë të ngrohtë, është dhe një mësuese e përkushtuar. Në një intervistë për CMG ajo tregon për fillimet e saj në muzikë si dhe aktivietet që ka pasur gjatë gjithë karrierës së saj artistike.
CMG: Si ka nisur rrugëtimi juaj muzikor?
Merushe Xhihani: Unë si çdo këngëtar që thotë se e nisin muzikën që në moshë të vogël, ashtu e kam filluar që në festivalet e pionerit, pastaj ecëm dhe vazhduam karrierën derisa shkova në liceun artistik “Joradan Misja” në Tiranë ku konkurova dhe fitova shkollën për flaut. Pasi mbarova shkollën për flautise, kam lëvizur nëpër rrethe sepse ashtu ishte dhe koha atëhere. Sado e talentuar që të ishe prapë do të shkoje në qytete të ndryshme për të punuar, dhe unë fillova punë fillimisht si mësuese në fshat. Disa vite më vonë fillova punë në shtëpinë e kulturës në Tepelenë dhe aty kam vazhduar gjatë.
CMG: Ju keni shumë vite që jepni mësim në lëndën e muzikës te fëmijët. Si kanë qenë marrëdhëniet me nxënësit?
Merushe Xhihani: Të punosh më fëmijët është shumë kënaqësi. Unë gjithë jetën qëkur kam filluar vitet e punës time kam punuar me fëmijë, në shtëpinë e pionerit, shtëpinë e kulturës dhe sot që jam mësuese. Jam akoma mësuese te parashkollorët që i pregatis për klasë të parë.
CMG: Jeni e kënaqur dhe e plotësuar në karrierë me kaq sa keni arritur deri tani?
Merushe Xhihani: Dikur jam kënaqur, sot jo. Dikur kanë qenë pak artistë, ndërsa sot kanë dalë shumë këngëtarë, dhe normal që mirë bëjnë sepse ne nuk do të jetojmë përjetësisht dhe normal që do zëvendësohemi. Në ato vite kam qenë shumë e kënaqur sepse vetëm grupi “Përmbi Tepelenë” ishte i dëgjur dhe kishte shumë kërkesa në radio dhe televizion. Unë kam ecur paralelisht me këngën dhe mësuesinë, nuk jam ndarë asnjëherë nga të dyja. Jam shumë e plotësuar në të dyja gjërat dhe jam vërtetë e kënaqur me kaq sa kam arritur.
CMG: Sa vite keni që jeni pjestare e grupit të njohur “Përmbi Tepelenë” dhe cilat janë këngët më të dëgjuara të këtij grupi?
Merushe Xhihani: Unë kam qenë pjestare e grupit “Përmbi Tepelenë” që prej vitit 1980 e deri më sot që akoma vazhdoj me këtë grup. Pra kam mbi 35 vite me këtë grup i cili ka qenë një grup shumë i mirë që ka bërë aktivitete artistike si jashtë vendit ashtu edhe këtu në Shqipëri. Këngët më të njohur të këtij grupi janë, Përmbi Tepelenë, Gushëbardha si dëbora e shumë të tjera që dhe sot dëgjohen dhe pëlqehen nga të gjithë.
CMG: Si jeni pritur ju dhe grupi i Tepelenës në aktivitet jashtë vendit nga bashkëatdhetarët tanë, por dhe nga publiku i huaj?
Merushe Xhihani: Unë bashkë me grupin “Përmbi Tepelenë” kemi qenë në disa koncerte jashtë shtetit me një miks këngësh, dhe polifoni por edhe këngë popullore qytetare. Kemi dhënë koncerte në Francë, Greqi dhe shumë vende të tjera dhe na kanë pritur shumë mirë, sidomos polifoninë e donin jashtë mase në Francë.
CMG: Cilët janë këngët që ju keni në repertorin tuaj dhe që dhe i keni publikuar për publikun e gjerë?
Merushe Xhihani: Në repertorin tim muzikor unë kam më shumë këngë popullore qytetare. Kam kënduar këngë dhe nga Shqipëria e mesme por dhe nga jugu, të cilat unë i këndoj pastër dhe ashtu siç janë këngët popullore të Shqipërisë së mesme. Pra kam kënduar këngë popullore tradicionale nga të gjitha trevat e vendit.
CMG: Vitet e fundit vihet re një tendencë huazimi në muzikën popullore tradicionale. Cili është mendimi juaj për këtë ndryshim që i bëhën këngëve?
Merushe Xhihani: Muzika tradicionale duhet të qëndrojë tek tradicionalja dhe ai që di ta këndojë le ta këndojë, por për ta deformuar nuk ka arsye për ta bërë sepse i del lezeti fare. Në fakt sot janë bërë të gjithë këngëtarë dhe këndojnë i madh dhe i vogël, por aty te tradicionalja është vështirë të këndohet. Secili do trevën e vet, me përshtatje mund ta këndojë, por si origjinali nuk e këndon asnjëherë. Ditët e sotme muzika është bërë komerciale, dhe normal që artistët do fitojnë sepse nuk kanë se çfarë bëjnë tjetër.
CMG: Kohët e fundit keni realizuar dhe duete. Na flisni pak për bashkëpunimet tuaja me artistë të tjerë?
Mirushe Xhihani: Unë përveç partnerit që kam pasur kaq kohë, Hamit Metka që është kantautor i grupit “Përmbi Tepelenë”, kam realizuar dhe një duet të fundit me këngëtaren e mirënjohur të polifonisë Paro Ziflaj, një duet shumë i bukur i cili është pëlqyer shumë nga publiku. Kam në plan dhe disa bashkëpunime me këngëtarë të tjerë që do të jenë në perspektivë.
CMG: Keni vite që jetoni në Tiranë. Ju mungon Tepelena dhe e vizitoni shpesh?
Merushe Xhinahi: Unë kam 17 vite që kam ardhur në Tiranë, por në Tepelenë shkoj shpesh dhe atje do të vete, nuk është se do të rri në Tiranë, prapë atje do shkoj.
CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt artistik ose këngë të re për të publikuar?
Merushe Xhihani: Një bashkëpunim e kam së afërmi, por nuk dëshiroj ta zbuloj tani, ndërsa dy videoklipe po i realizoj, njërin e kam përfunduar dhe tjetrin do ta bëj pak më vonë.
CMG: Ku i publikoni këngët e reja që realizoni, në kanalin tuaj personal YouTube apo ndonjë kanal tjetër?
Merushe Xhihani: Kanali i YouTube është bërë një problem dhe është më mirë mos të flasësh fare. Unë edhe kur kam pasur kanalin tim dhe merrja pëlqimet e mija, unë nuk e di të kem marrë ndonjë herë fitime aty.
CMG: Me këngën më shumë keni fituar apo humbur?
Merushe Xhihani: Dikur në kohën time që publikoja CD kam fituar sepse e shisja, ndërsa sot nuk është si dikur.
CMG: Së fundi një përshëndetje për adhuruesit tuaj dhe dëgjuesit e radios.
Merushe Xhihani: Kudo që janë i përshëndes dhe faleminderit që na respektojnë sepse pa publikun ne nuk jemi asgjë. Faleminderit dhe ju për intervistën.
Intervisoti: Gazmend Agaj