Këngëtarja Lori Miho ka lindur në Athinë të Greqisë, por më pas u vendos në Tiranë ku edhe studioi për kitarë në Liceun Artistik "Jordan Misja". Momentalisht ajo studion për biznes komunikimi, ndërkohë që i është përkushtuar totalisht këngës. Prej disa vitesh Lori ndodhet në SHBA ku synon që të vazhdojë karrierën e saj artistike, pasi aty e gjen më shumë veten tek zhanri muzikor që ajo performon. Këtë vit Lori Miho është vlerësuar si “Artistja e re më e mirë” për vitin 2022 nga “Magazine NY Elite”.
CMG: Përshëndetje Lori! Ti ke lindur në Athinë të Greqisë, ke studiuar në Liceun Artistik "Jordan Misja" në Tiranë për kitarë dhe tani ndodhesh në SHBA. Na trego më zgjeruar ...
Lori Miho: Përshëndetje dhe faleminderit për ftesën. Ashtu si e përmendët e ju, deri më tani jeta ime ka qenë mjaft e larmishme dhe me shumë ndryshime. Duke e nisur me jetën në Greqi ku kam lindur dhe kam jetuar deri në moshën 12 vjeçare, për të vazhduar më pas jetën në Tiranë ku mbarova shkollën e mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Tashmë prej 5 vjetësh jetoj në Amerikë.
CMG: Ti ke studiuar muzikë që në moshën 6 vjeçare dhe deri në përfundim të Liceut Artistik, ndërsa je duke kryer studimet për biznes komunikimi. Ku e sheh veten pas 10 vjetësh si këngëtare, apo në funksion të profesionit?
Lori Miho: Muzika është pasioni i parë dhe qëllimi kryesor që mund të realizoj synimet që i kam vënë vetes në këtë drejtim. Biznesi është një degë që më intrigon shumë dhe dua ta provoj, të sfidoj veten dhe në këtë profesion, por gjithashtu mendoj se të dyja fushat mund të ndërthuren shumë mirë së bashku dhe kjo është arsyeja përse e kam zgjedhur për të studiuar këtë si degë të dytë.
CMG: Kam dëgjuar se je shpallur “Artistja e Re më e Mirë” për vitin 2022 nga “Magazine NY Elite”. Na trego për këtë arritje.
Lori Miho: Padyshim që ky titull përveç se është kënaqësi dhe nder për mua, gjithashtu është një përgjegjësi e madhe. Ndjehesh mirë kur ke punuar fort dhe njerëzit të vlerësojnë, por duke marë këtë titull më ka bërë të punoj ende më fort, në mënyrë që mos i zhgënjej njerëzit që më suportojnë dhe dua ta vërtetoj më shumë meritën e këtij titulli.
CMG: Lori ti di të luash në piano dhe në kitarë. Si është raporti yt sot me to dhe a performon duke kënduar dhe luajtur në instrument?
Lori Miho: E vërtetë që kam studiuar për piano që në moshën 6 vjeçare dhe më pas për kitarë. Raporti im me të dyja instrumentet është shumë i fortë dhe të them të drejtën kam dëshirë që të performoj në skenë me njërin nga instrumentet, por momentalisht jam fokusuar te vokali dhe e kam lënë disi pas dore pianon dhe kitarën.
CMG: Si është marrëdhënia jote me artin në Shqipëri dhe në SHBA?
Lori Miho: Për mua si artiste nuk ka shumë rëndësi vendi për aq kohë sa je duke bërë art, por më shumë rëndësi ka të bësh muzikën që ty të plotëson si artist dhe jo të jesh i detyruar të bësh atë që publiku do. Ose më saktë, atë çfarë publiku është mësuar të dëgjojë, ndaj do thoja që në Amerikë e gjej më tepër suportin kundrejt zhanrit që unë performoj. Ky është i vetmi ndryshim.
CMG: Cili është synimi yt për të arritur në art?
Lori Miho: Synimet janë të shumta dhe nuk besoj se mund të përfundojnë ndonjëherë. Sa më shumë zhvillohemi në një profesion aq më shumë kërkojmë nga vetja, por do thoja që synimi i rradhës është që të fokusohem se si mund të krijoj dhe prezantoj me sukses albumin tim të parë .
CMG: Të kam ndjekur me disa bashkëpunime me kitaristin Faton Macula në Amerikë. Do vazhdosh sërish të punosh për covera të njohura apo për materiale të reja muzikore?
Lori Miho: Po këtu në Amerikë kam patur mundësinë që të njihem dhe të bashkëpunoj me shumë artistë të talentuar, një ndër ta është Faton Macula me të cilin kemi performuar shpesh së bashku, si dhe do kemi bashkëpunime të tjera me covera. Momentalisht jam fokusuar tek krijimi i projekteve origjinale dhe ky do jetë fokusi im kryesor.
CMG: Sa e vështirë është të bësh karrierë në SHBA?
Lori Miho: Sa më i madh të jetë vendi, sa më e lartë konkurrenca aq më shumë vështirësia rritet dhe një ndër këto vende është dhe Amerika. Kur je i huaj vështirësia rritet dhe përballesh në të njëjtën kohë dhe me sfida të ndryshme, përveç artistike. Prandaj duhet një kohë më e gjatë sesa dikush që ka lindur këtu, në mënyrë që të bësh karrierë. Por diçka të mirë që e kam vërtetuar është se këtu ka vend për të gjithë dhe nëse punon fort dhe je i zoti në atë çfarë bën, patjetër që do e marrësh vendin që meriton. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se ka të bëjë pak dhe pjesa e fatit, kontaktet me njerëzit apo të qënurit në vendin e duhur dhe në momentin e duhur.
CMG: Cili është koncerti më i bukur që të ka dhuruar shumë emocione?
Lori Miho: Çdo koncert ka emocionet e veta, në varësi të vendit, të kauzës që zhvillohet ose publikut që ke përballë. Secila nga këto elementë të lë shijen e veçantë, të cilën e shijoj kur jam në skenë. Për mua çdo koncert ka veçantinë e tij dhe nuk mund të veçoj asnjë.
CMG: Cilët janë artistët që të frymëzojnë dhe ata që dëshiron të bashkëpunosh?
Lori Miho: Nëse flasim për artistë të huaj mund të përmend pafund, por do dëshiroja më shumë Stevie Wonder. Nga artistët shqiptarë ndoshta janë më pak, jo se nuk ka të talentuar, por nuk i përshtaten shumë shijeve të mia. Disa që mund të veçoj janë, Eugent Bushpepa, Kamela Islamaj, Semi Jaupaj dhe pse jo, do doja të bashkëpunoja me këto artistë. Sa i përket artistëve të huaj do më duhet pak kohë që të arrij në bisedimet për bashkëpunime në të ardhmen.
CMG: Ti ndërkohë ke pasur bashkëpunime dhe me vëllain. Si është raporti juaj sot?
Lori Miho: Raporti im me vëllain ka qënë gjithmonë shumë i mirë duke qënë se ne kemi filluar të punojmë së bashku shumë herët dhe ndoshta kjo ka ndikuar. Duke qenë se ne jemi të dy në të njëjtën fushë, unë e kam parë Anxhelon si shembull dhe mund të them se është një ndër artistët që vlerësoj shumë dhe padyshim fakti që është vëllai i madh më bën të ndjehem shumë krenare për të.
CMG: Vazhdimësia e karrierës tënde do jetë në Amerikë apo në Shqipëri?
Lori Miho: Nuk do e mohoja faktin që mund ta shihja veten të bëja muzikë në Shqipëri një ditë, por momentalisht kam ende shumë për të mësuar nga ky vend, kështu që për disa kohë do vazhdoj ta zhvilloj rrugëtimin tim muzikor në SHBA .
CMG: Faleminderit për intervistën Lori! Të uroj suksese në arenën ndërkombëtare!
Lori Miho: Faleminderit juve për këtë intervistën e këndshme si dhe e vlerësoj shumë suportin.
Intervistoi: Sava Lena