Anjeza Ndoj është këngëtare e njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo popullore e Shqipërisë së veriut. Në skenën muzikore shqiptare prej disa vitesh ajo njihet si një prej vokaleve më të mira të performancave live. Gjatë karrierës së saj artistike, Anjeza ka publikuar disa albume muzikore si dhe videoklipe. Edhe pse jeton prej vitesh në SHBA, ajo Shqipërinë e viziton shpesh ku merr pjesë dhe në shumë evente muzikore. Në një intervistë për CMG, Anjeza tregon fillimet e saj me këngën si dhe aktivitetet artistike në Shqipëri dhe diasporë.
CMG: Si lindi kënga tek ju?
Anjeza Ndoj: Në fakt unë kam lindur bashkë me këngën, sepse vij nga një familje që kënga dhe muzika ka qenë një traditë e trashëguar ndër breza, dhe ashtu lindi dhe kënga bashkë me mua.
CMG: Ju jeni nje këngëtare e mirëfilltë e muzikës popullore të trevës së veriut. Si keni mundur ta ruani traditën e këngës popullore të pastër në interpretim?
Anjeza Ndoj: Siç e përmenda dhe më lart, unë vij nga një familje me traditë që e ka përçuar brez pas brezi muzikën, një familje që e ka ruajtur që në rrënjët e saj muzikën e pastër shqiptare. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që në venat e mia është injektuar ndjenja e pastër për muzikën e bukur folklorike. Kjo është dhe arsyeja që unë e kam trashëguar ose e kam sjellë dhe risjellë për dëgjuesit dhe kënaqësinë e të gjithëve.
CMG: Keni shumë këngë në repertorin tuaj popullor. Si janë pritur këto materiale muzikore nga publiku?
Anjeza Ndoj: Fatmirësisht këngët e mia janë pritur në mënyrën më të mirë dhe më të dashur nga publiku, të cilin gjej rastin ta përshëndes nga zemra. Me thënë të drejtën dhe unë jam e lumtur që publiku e pëlqen këtë lloj zhanri muzikor dhe këtë lloj kënge sepse kënga e bukur shqipe duhet të përcillet brez pas brezi dhe kjo është një nga arsyet që kam tendencën ta sjell dhe ta risjell. Unë e dua këngën e bukur shqipe.
CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja muzikore kohët e fundit?
Anjeza Ndoj: Aktivitetet e mia janë kryesisht koncertet, sepse këtu ku jetoj unë në ka koncerte në data të veçanta siç është pavarësia, Viti i ri, Krishtlindje, Pashkët si dhe për festën e gruas. Në fakt jam e angazhuar në këto lloj aktivitetesh, por kryesisht në gëzimet familjare, siç janë fejesat, martesat, ditëlindjet, pra në të tilla festa jam e angazhuar.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?
Anjeza Ndoj: Bashkëpunëtorët e mi janë të shumtë, janë studio të mirëfillta me të cilët kam marrëdhënie shumë të mira dhe jam shumë e kënaqur me bashkëpunimet. Kam edhe këngë duete të cilat janë publikuar në kanalin YouTube dhe gjej rastin t’i përshëndes të gjithë ata bashkëpunëtorë që kanë punuar me mua.
CMG: Jetoni prej vitesh larg Shqipërisë. Sa ju mungon vendi juaj dhe a e vizitoni shpesh?
Anjeza Ndoj: Vendi im më mungon shumë, por kam edhe fatin e mirë që ta vizitoj një herë në vit patjetër, por edhe dy herë në vit. Unë jam çdo verë prezente në Shqipëri ku rri tre muaj dhe muajt e verës i shfrytëzoj në çdo lloj mënyre. Periudhën e verës në Shqipëri e shfrytëzoj me familjen, shfrytëzoj vendet e bukura, bregdetin, malin dhe të gjitha ato që unë i kam shumë përzemër. Gjithashtu jam e aktivizuar dhe në aktivitete si koncertet verore dhe dasmat që bëhen në Shqipëri. Kështu që e kam këtë privilegj dhe këtë fat, mbase dhe nga profesioni që i vizitoj kaq gjatë dhe kaq shpesh edhe pse jetoj shumë larg.
CMG: Keni ndonjë projekt artistik apo këngë të re së shpejti?
Anjeza Ndoj: Kam projekte dhe shpresoj të më realizohen dhe t’i risjell ashtu siç unë kam dëshirë t’i sjell para publikut sepse tashmë e di shijen e publikut tim, atyre që më ndjekin dhe që e duan këngën time.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk.
Anjeza Ndoj: Përshëndes dëgjuesit e Radio Ejani dhe emisionit Bio Folk, ju ftoj ta dëgjoni sepse kënga shqipe është e bukur dhe faleminderit radios që sjell këto lloj këngësh dhe që i përkushtohet në një emision kësaj vlere kaq të bukur.
CMG: Faleminderit Anjeza për këtë bisedë të këndshme dhe ju uroj suksese.
Anjeza Ndoj: Faleminderit juve dhe ju përshëndes duke ju uruar gjithë të mirat dhe shumë suksese në vazhdim.
Intervistoi: Gazmend Agaj