Të ardhurat nga shitja e biletave në kinemave në pjesën kontinentale të Kinës gjatë pushimeve treditore me rastin e festës "Qingming" (3-5 prill) u ulën me 85 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 120 milionë juanë (18.86 milionë dollarë) e duke shënuar shifrën më të ulët në 10 vjetët e fundit, me përjashtim të 2020-s, kur shumë kinema në të tërë Kinën u mbyllën për shkak të pandemisë së COVID-19.
Filmi i animuar "Hotel 'Transilvania' 4: Transformania" ka siguruar 28 milionë juanë deri të martën, duke kryesuar për sa u përket të ardhurave gjatë festës "Qingming". Komedia aventurore ka në fokus një shpikje të re të mistershme. Kjo është pjesa e katërt dhe e fundit e serialit "Hotel 'Transilvania'". Suksesi i tre filmave të parë të serialit ka krijuar një bazë solide për këtë film të fundit.
Filmi fantastiko-shkencor me katastrofë "Rënia e Hënës" dhe trilleri psikologjik "Dhoma e arratisjes: Turneu i kampionëve" u renditën përkatësisht në vendin e dytë dhe në të tretin.
"Faktorë të shumtë çuan në të ardhurat e ulëta nga biletat gjatë festës 'Qingming' të këtij viti," tha Zhu Yuqing, kryezyrtari ekzekutiv i "Online Film Market", një platformë vendore e hulumtimit të tregut kinematografik. "Shkaku i drejtpërdrejtë është mungesa e filmave dhe mbyllja në shkallë e gjerë e kinemave për shkak të pandemisë, kurse shkaku i tërthortë është rritja e çmimeve të biletave të kinemave. Ndërkohë, arsyeja themelore është se filmat e shfaqur nuk janë të cilësisë së lartë; nuk ka shumëllojshmëri të mjaftueshme të filmave." (Artan/Fani)