Ibrahim Roçi “Mjeshtër i Madh” është valltar dhe koreograf i njohur, i cili e ka filluar karrierën e valltarit në të parin Festival Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Në vitin 1976 kreu ne Tiranë kursin 6-mujor të koreografisë dhe në vitin 1979 do të vlerësohej me medaljen e artë "Naim Frashëri". Në sajë të pasionit dhe punës së palodhur, arrin të krijojë ansamblin artistik "Besa" dhe shumë shpejt, në prill të vitit 1992 i vjen ftesa për të marrë pjesë në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar në Ederne të Turqisë ku mes 36 pjesmarrësve nga vende të ndryshme të botës, ansambli "Besa" radhitet i 6-ti. Në një intervistë për CMG, koreografi Roçi tregon për fillimet e tij si valltar si dhe rrugëtimin e tij mbi 50 vjeçar me vallen shqiptare.
CMG: Keni dekada që kërceni vallen e bukur shqiptare, por dhe që ja mësoni të rinjve. Na tregoni për fillimet tuaja si valltar?
Ibrahim Roçi: Unë vallen e kam nisur në Kavajë dhe ishte vallja e festivalit që rrallë e kërcenin në atë kohë. Po të kërceje vallen e festivalit ishe valltar i talentuar. Unë shkoja nëpër dasma dhe kërceja bashkë me motrën time dhe të dy kërcenim dhe vallen e festivalit. Pastaj në një dasëm që organizonin të afërmit e mi, Gani Ferra na sheh dhe më thërret duke më thënë se kërceja bukur dhe isha i talentuar, dhe më fton që të nesërmen të shkoja te pallati i kulturës në Kavajë. Unë shkova dhe u paraqita atje dhe pashë se kishin filluar provat për një koncert në përvjetorin e Skënderbeut në qytetin e Lezhës në vitin 1967. Unë fillova të kërceja gjatë provave, por nuk më morën në Lezhë sepse kishin shoqërinë e tyre.
Kur shkova në festivalin e Gjirokastrës jam cilësuar si valltari më i mirë i rrethit të Durrësit. Kur organizoheshin festa në Kavajë kërceja me motrën time dhe njerëzit që na shihnin habiteshin , ndërkohë babai im qeshte dhe kënaqej shumë kur na shikonte duke kërcyer.
CMG: Keni qenë kërkues ndaj vetes për të arritur suksesin që dëshironit?
Ibrahim Roçi: Unë kam qenë shumë kërkues ndaj vetes, nuk njihja orar. Të gjithë të tjerët bënin pushime ndërsa unë qëndroja në skenë përpara pasqyrës, duke punuar. Kur më shikonin në skenë më thonin që të pushoja sepse isha i lodhur, por unë e kisha mendjen te vallja. Iniciativa ime ka qenë për të kërcyer vetë por edhe për të drejtuar. Në atë kohë më caktuan në Durrës për të drejtuar një ansambël popullor të këtij qyteti. Si fillim e kisha pak me frikë se mos dështoja, por më caktuan si drejtues.
Shkova në Durrës dhe fillova punën me valltarë të ndërmarrjeve tregtare të qytetit me shumë dëshirë. Morëm pjesë në një festival në Shkodër ku patëm një valle shumë të bukur dhe kjo valle që unë drejtova u vlerësua me medalje dhe si grup morëm çmim të parë.
CMG: Cilat kanë qenë grupet e valleve që ju keni drejtuar gjatë karrierës suaj?
Ibrahim Roçi: Unë kam drejtuar grupin e valleve të ansamblit të Peqinit, për gati 7 vjet. Për mua është një kënaqësi sepse grupi i Peqinit që unë drejtoja merrte gjithmonë çmime të para nëpër festivale. Para viteve 90-të kam qenë drejtues në gjithë zonën ku ishin dhe shkollat 8 vjeçare dhe të mesme dhe punoja me orar me të gjitha grupet. Ndërkohë kam drejtuar edhe grupin e valleve në Golem dhe kur shkonim në konkurim në Durrës, grupi merrte çmim të parë.
CMG: Flasim pak për punën tuaj si drejtues dhe koreograf pas viteve 90-të. Kur e nisët punën për drejtimin e ansamblit artistik “Besa”?
Ibrahim Roçi: Në vitin 1992 mendova të largohem dhe mos të merrja pjesë, siç bëjnë futbollistët kur lenë sportin. Kjo nuk zgjati shumë sepse më thërret drejtori i drejtorisë arsimore të Kavajës, i cili më thotë që të bëja grupin e valleve sepse do të shkonte në një aktivitet në Turqi. Të nesërmen shkova dhe u paraqita te qendra kulturore e fëmijëve, ku fillova provat me grupin. Kur shkuam në Izmir të Turqisë merrnin pjesë 36 shtete të botës dhe grupi ynë zuri vendin e gjashtë. Po në të njëjtin vit të muajit shtator shkuam në Maqedoni dhe ishte grupi i parë shqiptar që shkonte në atë kohë, ku u vlerësuam me çmim të tretë.
Kështu që vazhdova ta mbaja grupin sa më afër dhe filluan të vinin dhe elementë të rinj. Unë punoja edhe me grupin kryesor, por në ditë të veçanta punoja edhe me të rinjtë që vinin për të mësuar vallen. Të gjitha kurset e valles unë i kam falas dhe dëshira ime më e madhe është që të kem sa më shumë të rinj që duan ta mësojnë kërcimin.
CMG: Cilat janë përshtypjet e këtyre të rinjve kur bëjnë kursin e kërcimit me ju? Kur përfundojnë kursin vijojnë rrugëtimin e tyre me vallen?
Ibrahim Roçi: Janë shumë të kënaqur, madje kam edhe të rinj të moshës 23 vjeçare. Kam një kënaqësi të madhe dhe zemra më mbushet plot kur më takojnë në rrugë. Kjo për mua është gjëja më e bukur dhe më shtyn që të punoj sa më shumë dhe mos t’i ndahem valles derisa të më punojë gjuri i skenës.
CMG: Keni marrë pjesë në shumë evente ndërkombëtare me grupin tuaj duke u vlerësuar dhe me çmime. Në cilat vende keni qenë dhe si është pritur ansambli “Besa”?
Ibrahim Roçi: Unë kam marrë pjesë në shumë evente kombëtare dhe ndërkombëtare. Përsa i përket eventeve kombëtare jemi vlerësuar në qytetin e Durrësit, Peshkopisë dhe Përmetit. Gjithashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut grupi është vlerësuar. Në Turqi kemi qenë pothuajse në të gjithë territorin e vendit dhe jemi kthyer me çmime dhe diploma. Prandaj grupin unë e mbaj shumë të karikuar dhe me shumë prova, dy herë në javë kemi prova, përveç periudhës së pandemisë që e kam bërë një herë në javë, ku futemi në orën 10 në skenë dhe dalim në orën 14.
CMG: Angazhimi juaj më i madh këto vitet e fundit ka qenë në rolin e koreografit, por vazhdoni të kërceni edhe vetë valle të ndryshme. Pasioni për të kërcyer vazhdon?
Ibrahim Roçi: Në festivalin e vitit 2007 në Lushnje, unë u cilësova si valltari më i mirë i festivalit dhe për mua ishte një kënaqësi. Mosha bën punën e vet, por skena nuk njeh moshë. Kur u cilësova si valltari më i mirë i festivalit për mua ishte një kënaqësi e madhe.
CMG: Z.Roçi ju keni marrë dhe shumë vlerësime, ku më i fundit ishte vlerësimi nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Si ndjeheni me gjithë këto vlerësime?
Ibrahim Roçi: Kur më njoftuan dy ditë përpara për vlerësimin me titullin “Mjeshtër i Mdh”, vetëm të kisha krahë dhe të fluturoja nga gëzimi. Për mua është një vlerë e pashkruar dhe ky vlerësim më dha një kënaqësi të madhe. Atë ditë që mora këtë vlerësim organizuam dhe një program artistik të shkurtër ku kisha marrë gjithë grupin e valleve dhe nxora për të kërcyer dy djem të moshave 9 dhe 10 vjeç të cilët janë valltarë të talentuar.
CMG: Jetoni akoma në qytetin e Kavajës duke qenë i pasionuar pas valles, por dhe qytetit tuaj të lindjes. E doni kaq shumë qytetin tuaj dhe njerëzit që ju rrethojnë?
Ibrahim Roçi: Unë kam pasur shumë raste për të shkuar në Durrës, por jam kavajs dhe do të rri në Kavajë. Sot jetoj në Kavajë me miqtë, shokët dhe njerëzit e mi. Gjithashtu kam një grup shumë të mirë muzikantësh, të cilët në radhë të parë janë djem të mirë, por dhe profesionistë. Dua t’i përshëndes me respekt të gjithë, Seit Memën, Agron Arapi, Ylli Ramzoti dhe gjithë të tjerët. Një falenderim të veçantë kam për këngëtaren e mrekullueshme Zina Zdrava, e cila ka punuar shumë vite me mua dhe ka qenë gjithmonë e gatshme kur e kam ftuar të jetë pjesë e grupit.
CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt artistik me ansamblin “Besa” të Kavajës?
Ibrahim Roçi: Kam dy ftesa për evente, njërën e kam për në Kosovë dhe tjetrën për në Turqi. Grupin unë e kam gati dhe për të punuar kemi shumë materiale, valle të ndryshme sepse unë i ndryshoj vallet në program. Edhe kur kemi qenë në festival në Turqi, ne çdo natë jemi prezantuar me valle të ndryshme, por motivi është i Shqipërisë së mesme.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Ibrahim Roçi: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe miqtë e mi, duke ju falenderuar dhe juve për këtë intervistë.
Intervistoi: Gazmend Agaj