Këngëtarja Paola Kostandini e ka nisur muzikën që në moshë të vogël, por në mënyrë profesionale filloi angazhimin e saj muzikor me interpretimet live, 13 vite më parë. Ajo ka kënduar në koncerte të ndryshme në mbarë vendin dhe interpreton çdo fundjavë live, gjithmonë e shoqëruar në piano nga bashkëshorti i saj, kompozitori i njohur Miron Kotani. Paola identifikohet për interpretimin e këngëve franceze pasi i qëndrojnë mjaft mirë vokalit të saj, por një rëndësi të madhe i kanë kushtuar muzikës së lehtë shqiptare të para viteve ’90.
Për CMG ajo ka ndarë dashurinë e madhe për muzikën që në moshë të vogël deri më sot, gjithashtu dhe bashkëpunimin e suksesshëm me bashkëshortin e saj kompozitorin, Kotani.
CMG: Përshëndetje Paola!
Paola Kostandini: Përshëndetje! Është kënaqësi shumë e veçantë të jem e ftuara juaj.
CMG: Ti ke 13 vite që ushtron muzikën në skenat live, por ke filluar që e vogël të angazhoheshe me muzikën. Na trego për fillesat e tua në muzikë.
Paola Kostandini: Muzika si pasion filloi që fëmijë dhe kjo kuptohej që në momentin kur unë kaloja orë të tëra përpara pasqyrës me një krëhër në dorë dhe interpretoja këngë pafund, sidomos hitet e kohës, por duke qenë se unë nuk vija nga një familje artistësh e kam pasur shumë të vështirë që prindërit ta kuptonin botën time artistike.
Aktualisht kam 13 vite që merrem me muzikë dhe muzika në këto momente është kthyer në profesionin tim, por sigurisht që pasioni ka filluar që në moshën 5 -6 vjeçare. Kam kënduar rregullisht në korin e kishës, më pëlqente shumë të isha pjesë e evenimenteve të ndryshme muzikore, jam angazhuar nga pak, por nuk kam gjetur hapësirat e duhura që unë të realizoja materiale muzikore ose të merrja pjesë në festivalet e fëmijëve. Kanë qenë pamundësitë e kohës shkaqet reale, por do duheshin që të kalonin shumë vite që unë të kuptoja ose të ndiqja pasionin tim, i cili u kthye realisht në një profesion.
CMG: Të kujtohet kënga e parë që ke kënduar dhe cili ka qenë komplimenti i parë që ke marë?
Paola Kostandini: Duke qenë se fëmijërinë time e kam pasur në vitet ‘90 ka qenë besoj e kohës që të gjithë fëmijët organizonin festivale në lagjen përkatëse dhe unë aty merrja pjesë me këngën "Kur e humba një dashuri", “Mirësia dhe e vërteta”, “Lozonjare”, këngë të këngëtares Arbërie Hadërgjonaj. Këto kanë qenë tre këngët që më kanë "evidentuar" në lagje si këngëtarja më e mirë.
CMG: Dhe komplimenti që ke marë?
Paola Kostandini: Faktikisht më ka evidentuar që këndoj bukur kushurira ime e parë Aida, të cilën dua ta përshëndes sepse fjalët e saj kanë ndikuar te unë dhe më ka bërë realisht të ndjej emocione artistike kur këndoja përpara saj.
CMG: Ti je angazhuar në korin e kishës. Në çfarë moshe dhe për sa kohë?
Paola Kostandini: Në korin e kishës jam angazhuar që fëmijë dhe deri në shkollën e mesme. Në periudhën e universitetit më është dashur të largohem nga vendi im i lindjes, nga Polena e Korçës, për të ndjekur shkollën e lartë në Tiranë. Deri në atë moment kam marr pjesë rregullisht ne korin e kishës, gjithashtu kam bërë dhe mësime për muzikën bizantine. Kur erdha në Tiranë e lashë muzikën dhe u përkushtova te studimet e larta ku ndoqa universitetin për Bioteknologji Molekulare dhe Industriale në Shkencat e Natyrës.
CMG: Një zgjedhje e jotja kjo?
Paola Kostandini: Në fakt është histori pak e komplikuar kjo sepse unë me natyrën time artistike kam pasur preferencë gjithmonë degët e gazetarisë, letërsisë, pra të shkencave shoqërore. Me këmbënguljen e mamasë sime, e cila ka pasur prirje shkencore unë mora tjetër drejtim, për të cilin nuk jam penduar dhe sot e falenderoj shumë mamanë time që më orientoi në këtë degë, pasi tani mund të punoj në të dyja profesionet.
CMG: Paola kur ti erdhe në Tirane u njohe me një kompozitor. Si erdhi njohja me Miron Kotanin?
Paola Kostandini: Po patjetër që në Tiranë u njoha me shokun tim të jetës, kompozitorin Miron Kotani. Me atë person nuk do të ndaja vetëm jetën bashkëshortore, por edhe atë artistike. Me Mironin kam pasur impaktin apo njohjen e parë që kur kam qënë fëmijë. Në atë kohë shihja kur ai prezantonte emisionin e mëngjesit me Anxhela Peristerin dhe më pëlqente shumë mënyra e komunikimit, mënyra e prezantimit të muzikës dhe kur e kam njohur nga afër pata mundësinë që këtë njohje ta kisha në nivele më të larta. Si fillim jemi prezantuar në mënyrë shumë shoqërore dhe ishte rastësi që ne ndanim të njëjtin pasion për muzikën. Bashkëpunimi ynë në muzikë ka ardhur pas një viti e gjysmë njohjeje. Mironi ka një përvojë pune me shumë artistë, ka shoqëruar 260 artistë shqiptarë, ka pasur një ngarkesë shumë të madhe dhe në fillim sigurisht që nuk ishte objektivi ynë që të punonim të dy, por duke qënë se unë kisha talent dhe shumë nga miqtë tanë na thonin se do ishte një gjë shumë ideale për dy persona që ndajnë të njëjtin pasion bashkë. Në këtë mënyrë do kishim më tepër kohë për të qëndruar me njëri- tjetrin, kohë për të bërë art të bukur dhe e menduam si zgjedhjen më të mirë të mundshme të bashkëpunonim. Dhe tani bëjmë 13 vite që bashkëpunojmë, kemi ftesa çdo fundjavë në skena të ndryshme ku interpretohet live, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë dhe përtej saj. Në këtë mënyrë gjetëm mundësinë për të mos qënë thjesht shokë e partnerë, por edhe kolegë.
CMG: Cila ka qenë kënga që ti ke interpretuar për herë të parë live me Mironin ?
Paola Kostandini: Kemi qenë në kalanë e Ulqinit ku kam kënduar një serenatë korçare. Emocionet ishin shumë të forta kur këndova me një bande live përpapara një publiku dhe më erdhi si surprizë sepse s'kishim bërë asnjë përgatitje. Mbaj mend që kam kënduar një këngë të Nonda Kajnos.
CMG: Janë të shumtë këngëtarët sot që këndojnë me “play back” me CD dhe janë të rrallë artistët të cilët interpretojnë live. Për ty si është?
Paola Kostandini: Muzika live më jep një emocion të jashtëzakonshëm. Nuk mendoj kurrsesi që një artist të transmetojë emocionet e veta nëpërmjet këndimit me regjistrim. Patjetër që fillimi është pak i vështirë sepse duhen orë të gjata pune për të kënduar drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht. Kanë qenë prova pafund që unë kam bërë me bashkëshortin tim Mironin, përpara se të filloja të interpretoja në skenat live.
CMG: Cilat janë momentet dhe koncertet më të bukura ku ti ke kënduar live?
Paola Kostandini: Sigurisht që më vjen ndër mend një numër i madh koncertesh në qytete të ndryshme të vendit, por do të veçoja në këto momente projektet që kam pasur në qytetin bregdetar të Durrësit, te “Sfinksi” ku kishte shumë njerëz pozitivë, gjithashtu do veçoja koncertet te pazari i Korçës, eventi i festës së birrës që organizohet në periudhën e verës ku marrin pjesë këngëtarë nga e gjithë Shqipëria dhe artistë të huaj, ku ne kemi marë pjesë për disa vite me rradhë, gjithashtu në Vlorë, në Pogradec etj. Kam kujtime mjaft të bukura në shumë vende dhe e kam të vështirë që t’i ndaj. Mbresa më ka lënë edhe pjesëmarrja ime në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Teatrin Kombëtar ku kam qenë e ftuar disa herë, këto janë kujtimet më të bukura në këto 13 vite.
CMG: Si ndjehesh ti kur interpreton në qytetin tënd të lindjes, në Korçë?
Paola Kostandini: Është një emocion i jashtëzakonshëm të cilin nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Jam pjesë e identitetit të atij qyteti dhe mënyra si e përcjell emocionin ka një tjetër kuptim. Njërëzit na presin ndryshe. Ne përherë pritemi në mënyrë të mrekullueshme nga publiku korçar.
CMG: Ti je bashkëshortja e kompozitorit të njohur Miron Kotani, gjithashtu ke 13 vite që interpreton live me të. A ka kompozuar ai ndonjë këngë për ty?
Paola Kostandini: Mironi Kotani është kompozitor i shumë këngëve jo vetëm për të rritur, por edhe për fëmijë ku ka mjaft materiale të bukura. Ne të dy ndajmë së bashku të njëjtin mendin se ky nuk është shekulli i muzikës së mirë, muzikës së lehtë. Ne shohim çdo ditë që muzika që prezantohet është komerciale, është muzikë tregu dhe nuk e shohim që të bëjmë investim për një projekt muzikor. Mendoj se ky është shekulli i krizës së identitetit të vlerave dhe zgjedhja jonë për momentin është që të bëjmë muzikën më të bukur, të prezantojmë muzikën e vlerave. Në një të ardhme nëse e shohim të arsyeshme, mund të bëjmë një projekt muzikor, por që ta mendojmë mirë të dy nëse ja vlen të prezantohemi dhe të jetë diçka e veçantë.
CMG: Paola, përveç muzikës shqiptare ty të identifikojnë me muzikën franceze. Cili është artisti apo kënga e preferuar që e interpreton shpesh dhe e ke pjesë të repertorit tënd?
Paola Kostandini: Është e vërtetë që më identifikojnë me muzikën franceze pasi ajo ka një stil ndryshe të kënduari. Nga artistët francezë më pëlqejnë Édith Piaf, Joe Dassin, etj. Gjithashtu më pëlqen edhe muzika shqiptare, të cilën kam filluar ta vlerësoj edhe më tepër në detaje, kur kam njohur Mironin, pasi ai është koleksionist. Përpos faktit që edhe babai i Mironit, kompozitori i njohur shqiptar Vladimir Kotani, ku gjej rastin ta përshëndes pasi para pak ditësh ai festoi 70-të vjetorin e lindjes dhe u vlerësua edhe me titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë. Muzika e festivalit të para viteve ’90-të është ajo që ne zgjedhim ta kemi në repertorin tonë, por edhe shumë hite të njohura botërore.
CMG: Përveç muzikës, cili është angazhimi tjetër i yti?
Paola Kostandini: Përveç muzikës unë prej tre vitesh jam pjesë e Bashkisë së Tiranës, punoj te Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik. Ndjehem shumë me fat për stafin që kam është një ambjent shumë pozitiv dhe kemi një koordinim mjaft të mirë të punës.
CMG: Të kërkojnë kolegët që të këndosh në zyrë?
Paola Kostandini: Në fakt kolegët më kanë kërkuar që të këndoj, por nuk e bëj asnjëherë. Mbaj mend që kemi qenë një herë me stafin në Qafë Thore ku bashkë me mua ishte edhe Mironi. Aty ishte një piano dhe ne filluam të interpretonim bashkë. Në atë moment kolegët e mi të punës u surprizuan sepse asnjë nuk e njihte anën time artistike, por vetëm profilin tim të punës.
CMG: Si është jeta e dy artistëve që jetojnë dhe punojnë bashkë?
Paola Kostandini: Ne nuk jemi vetëm partnerë, por edhe kolegë. Pjesa e të qënit kolegë na vendos përpara një dimensioni me dy faqe. Nga njëra anë punojmë fort si kolegë, por nga ana tjetër kemi edhe sfidat tona si njerëz, si dy persona që ndajnë përditshmërinë. Është bukur kur punojmë bashkë, por dhe stresin e ndajmë bashkë. Të jesh përkrah një artisti është shumë bukur, është një jetë aktive dhe me shumë koncerte.
CMG: Ju keni një vajzë, a ka ajo talent për muzikë?
Paola Kostandini: Vajzës sonë Marina i kemi lënë gjithë hapësirën e duhur që ajo ta kuptojë nëse do apo jo të ndjekë rrugën e artit. Ka një vesh shumë të mirë muzikor, por e kemi lënë të lirë dhe nuk ka dashur të ulet në instrument. Kohët e fundit ka filluar të ketë dëshirë për t’u angazhuar me muzikë, por do e lemë të lirë që të zgjedhë vetë se çfarë i pëlqen më shumë të bëjë.
Intervistoi: Sava Lena