Këngëtarja Olta Boka ka lindur më 13 shtator të vitit 1991. Ajo sot është një këngëtare e njohur shqiptare, por cilat kanë qenë fillimet e saj në muzikë. Olta rrjedh nga një familje artistësh. Babai i saj është këngëtari i njohur Reshit Boka, por këngëtar është dhe vëllai i saj Stivi Boka. Olta e ka filluar karrierën muzikore që në moshë të vogël, në spektaklin e talenteve të reja për fëmijë “Gjeniu i vogël”, ku ajo konkuroi bashkë me vëllain e saj Stivi. Pas këtij spektakli Olta pati një tjetër pjesëmarrje të rëndësishme në një tjetër talent show shumë të njohur në Shqipëri, “Ethet e së premtes mbrëma”, duke u bërë mjaft e pëlqyer nga publiku. Menjëherë pas këtyre prezantimeve në talent show, ajo u zbulua si një talent.
Olta Boka në moshën e adoleshencës mori pjesë në Festivalin e 46-të këngës në Rtsh, ku në prezantimine saj të parë, u vlerësua me çmimin e parë me këngë “Zemrën e lamë peng”, duke u bërë e njohur në mbarë vendin dhe duke fituar dashurinë e publikut. Me këtë këngë ajo përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2008, ku solli një performancë mjaft emocionuese.
Më pas erdhën shumë pjesëmarrje të Oltës në festivalet në Shqipëri. Në festivalin “Kënga Magjike” ajo u prezantua me këngën “E fundit tango”, ku e pamë edhe të kërcente mjaft bukur në atë interpretim. Në këtë festival Olta u vlerësua me çmimin “Best Performance” dhe shumë çmime të tjera do të vinin në pjesëmarrjet në vazhdim. Pas një karriere të konsoliduar, ajo kohë e fundit po angazhohet me spektaklin e talenteve për fëmijë “Gjeniu i vogël”, aty ku ka hedhur hapat e parë në skenë, por këtë herë është në rolin e gjykueses.
Në faqen e saj personale në Instagram Olta ka shkruar: “Nuk e kisha menduar që nga konkurente e edicionit të parë të spektaklit të talenteve “Gjeniu i vogël”, pas plot 18 viteve do mundesha të ulesha në karrigen gjykuese. Më besoni nuk është aspak e thjeshtë të gjykosh fëmijët, por e pranova si sfidë për veten dhe gjithashtu me premtimin për të mos qenë e ashpër me fëmijët” ka përfunduar Olta Boka.
Përgatiti: Sava Lena