Klinti Çollaku (Foto instagrami)
Klinti Çollaku e ka nisur rrugën e artit që i vogël. Ai është një nga zërat e rinj më të mirë, të cilin e kemi dëgjuar në shumë spektakle të talenteve të reja si, “Gjeniu i vogël 4”, “The Voice of Albania6”, ku u shpall fitues, fitore e cila i hapi rrugën drejt suksesit. Klinti ka marrë pjesë në disa kompeticione si në “Top Fest”, Festivali i Rtsh-së, si edhe “Kënga Magjike 2017”, ku u vlerësua me “Çmimin e Produksionit”, si dhe duke u renditur i gjashti në finale. Studimet e larta sapo i ka përfunduar për menaxhim biznes, gjë e cila e ka ndihmuar shumë edhe në menaxhimin e artit të tij.
Klinti Çollaku në intervistë për CMG
CMG: Përshëndetje Klinti! Ti je vetëm 22 vjeç dhe ke mbi 10 këngë, mbi 6 pjesmarrje në festivale, si dhe në “Netët e klipit shqiptar”. Gjithashtu je fitues në një prej edicioneve të “The Voice of Albania”. Sa i impenjuar je ti me muzikën?
Klinti Çollaku: Më parë ka qenë një pasion shumë i madh dhe mund të them që zinte gjithë ditën time, por duke u rritur kam edhe shumë obligime të tjera. Patjetër qe muzika është pasioni im dhe kështu do të mbetet gjithmonë, por vjen një moment edhe të bëhet pjesë e vetes. Do apo s’do nuk mund të merrem gjithë ditën me muzikën. Kur kam evenimente apo kompeticione sigurisht që i përkushtohem më shumë.
Klinti Çollaku te Kënga Magjike (Foto nga instagrami)
CMG: Po gjatë një pjesëmarrjeje në një festival?
Klinti Çollaku: Të them të drejtën jam një njeri që gjërat i bëj me emocion dhe me ndjenjë dhe nuk kam pasur një ushtrim kolosal. Kur kam marë këngën, e kam provuar mund të them 5 herë, por më shumë e degjoj. Kam vetinë që më shumë dëgjoj, e kur vjen momenti për ta ekzekutuar, mendoj që në atë moment dal plotësisht për t’a ekzekutuar.
CMG: Kohët e fundit ti ke filluar t’i realizosh vetë këngët e tua, tekstin dhe muzikën. E ndjen veten më të sigurt kur këndon këngë të një autori të njohur, apo kur e realizon dhe këndon vetë këngën tënde?
Klinti Çollaku: Kur e kompozoj vetë këngën, një vijë melodike patjetër që është më e ndjeshme dhe më e rehatshme për mua, sepse ka dalë nga unë dhe mendoj se ne e dimë më së miri se çfarë është më e mira për ne, për këtë arsye ndjehem më mirë kur e përgatis diçka vetë. Gjithsesi nuk i them jo as këngëve që më janë ofruar nëpër festivale sepse çdo gjë nëse më pëlqen e bëj, por patjetër që më pëlqen më shumë të kompozoj këngët e mia dhe t’i këndoj ato.
Klinti Çollaku në netët live (Foto nga instagrami)
CMG: Po kur je në makinë apo gjatë kohës tënde të lirë, dëgjon më tepër këngët e realizuara prej teje apo ato të kompozitoreve të tjerë?
Klinti Çollaku: Të them të drejtën nuk dëgjoj shumë këngë të miat në makinë, ose nuk i vendos me dëshirën time. Ndoshta miqtë apo të afërmit mund t’i vendosin.
CMG: Domethënë ti i realizon, i këndon këngët dhe më pas ia le publikut për t’i dëgjuar, nuk i dëgjon më vetë ?
Klinti Çollaku: Të them të vërtetën nuk më pëlqen që në momentin që publikoj një këngë të re ta dëgjoj shpesh nëpër shtëpi. Mund ta dëgjoj ndoshta në një periudhë tjetër, jo në momentin kur del kënga, sepse dua që kënga të ecë vetë gradualisht, jo t’ua imponoj njerëzve.
Klinti Çollaku në Itali (Foto nga instagrami)
CMG: Kënga që të fal emocione, cila është?
Klinti Çollaku: Kënga e parë me të cilën kam nisur karrierën dhe që më dha një sukses të jashtëzakonshëm është kënga me titull “Më s’më gjen”. Kjo këngë më kujton vetëm momentin kur unë si një artist i ri, pa eksperiencë këndova në një skenë aq të madhe si Pallati i Kongreseve. Mbaj mend që dola në skenë dhe kur mbarova këngën i kisha sytë të mbyllur gjatë gjithë kohës dhe kur i hapa sytë pashë që publiku ishte ngritur i tëri në këmbë. Në ato momente nuk e di sesi i kam mbajtur lotët dhe nuk qava, por ishte një emocion vërtet i paparë.
CMG: Kur krijon një material të ri muzikor, e bazon fabulën e këngës në historitë e tua personale?
Klinti Çollaku: Po! Shumicën e materialeve që kam krijuar patjetër që vijnë nga historitë e mia personale, nga histori që sjellin kujtime... Mendoj se një artist do apo nuk do, do të rrotullohet tek historitë e veta. Në fakt edhe ne në këngë i bëjmë gjërat pak më të mëdha se ç’janë, se nuk janë të gjitha aq shumë magjike sa i themi aty, por patjetër që janë nga histori personale.
Klinti Çollaku në fitoren e The Voice of Albania (Foto nga instagrami)
CMG: Cila është ajo këngë që ti e veçon, të cilën e ke krijuar me shumë dashuri dhe ka një histori personale brënda?
Klinti Çollaku: Titullohet “ Kush të do” dhe është kënga e parë që kam sjellë si kompozim. Guxova ta sjell në treg krijimin tim të parë, tekstin dhe muzikën e së cilës e kam shkruar për diçka timen personale.
Klinti Çollaku -Çmimi i Produksionit - Kënga Magjike (Foto nga instagrami)
CMG: Mesazhin e këtij dedikimi e ka marë vajza në fjalë?
Klinti Çollaku: Po patjetër, patjetër... (qesh)
CMG: Dëshiron të na tregosh diçka më tepër për vajzën që i ke dedikuar këngën?
Klinti Çollaku: Se kam problem edhe mund ta tregoj. Unë mendoj se kam qenë shumë i vogël atëherë dhe këto dashuritë e fillimeve janë shumë të sinqerta. Patjetër që jam shumë i lumtur që ajo këngë është sot edhe do ta këndoj gjithmonë me shumë qejf.
CMG: Dëshiron ta përshëndesësh atë person tani?
Klinti Çollaku: Po, e përshëndes sepse kënga është bërë tani, kështu që pse jo, gjithmonë do ketë përshëndetje (qesh).
Klinti Çollaku (Foto nga instagrami)
CMG: Duke qenë se i krijon vetë këngët e tua, si e sheh me optikën tënde krijimtarinë muzikore së fundi tek ne?
Klinti Çollaku: Për mendimin tim tregu shqiptar ka vend për çdo gjë dhe ka artistë me të vërtetë shumë të mirë, të cilët bëjnë këngë shumë të bukura dhe ndoshta nuk po marrin vlerësimin e duhur, por mendoj që kjo është një rrugë shumë e gjatë dhe gjithmonë duhet përpjekje, të mos heqësh dorë nga dëshira që ke brenda vehtes për t’ja dalë gjithmonë. Sigurisht që ka edhe nga ato këngë të cilat nuk janë në shijen time dhe si një njeri që kam vlerësuar artin dhe profesionalen më shumë sesa komercialen, mund të them që nuk ka shumë vlera arstistike në to. Gjithsesi prapë ato bëhen të famshme, kjo është një dilemë e madhe që është më mirë mos t’i futemi. Për momentin është një treg i lirë për të gjithë.
CMG: Cili është synimi yt për të ardhmen Klinti?
Klinti Çollaku: Unë dua që një turmë e madhe njerëzish të këndojë një zëri këngën time, kjo është arritja më e madhe. Pra jam më shumë për mbushjen shpirtërore, sesa mbushjet e xhepave.
CMG: Të shoqërojnë njerëzit në performancat live dhe çfarë repertori ke ti ?
Klinti Çollaku: Po ka ndodhur në shumë raste, por varet dhe nga vendi, gjithsesi live-et janë përherë shumë të suksesshme dhe unë jam i lumtur qe jetoj në këtë lloj kohe, ku e kam mundësinë dhe privilegjin për të bërë këtë gjë që po bëj sepse po bëj punën që dua. Nëse çdo njeri bën punën që do atëherë është i lumtur.
Klinti Çollaku (Foto nga instagram)
CMG: Cili është zhanri muzikor ku ti ndjehesh mirë dhe zëri yt fle më mirë?
Klinti Çollaku: Zëri im fle më mirë tek baladat sepse kam një vokal shumë të ndjeshëm dhe fiks për to. Dhe mua personalisht më pëlqejnë shumë baladat pasi janë pjesë e stilit tim.
CMG: Po gjatë performancave të tua çfarë rryme pëlqen të këndosh?
Klinti Çollaku: Unë bëj një miks midis asaj që dua dhe asaj që kërkon publiku. Besoj se ja kam dalë më së miri, përderisa njerëzit në fund dalin të kënaqur nga vendi ku vijnë e më dëgjojnë performancën time.
CMG: Konkretisht cilat cover-a do publiku dhe cilat këndon ti ?
Klinti Çollaku: Janë pa fund. Më të kërkuarat këto kohë janë këngët shqiptare të vjetra, njerëzit vdesin për to dhe duan t’i dëgjojnë në çdo lloj performance. Gjithashtu dhe këngët popullore qytetare i këndoj sepse publiku i do shumë, por dhe unë jam rritur me ato këngë.
CMG: Klinti ku do të të shohim në vazhdim?
Klinti Çollaku: Kam shumë plane, madje këtë periudhë kam qenë shumë i frymëzuar dhe po pres momentin e duhur që të publikoj diçka, por ndoshta mund të këm edhe pjesëmarrje në ndonjë kompeticion, pse jo, të cilin për momentin do ta mbajmë sekret më mirë.
CMG: Do jetë përsëri një baladë?
Klinti Çollaku: Jo, këtë herë kënga nuk do jetë baladë, kjo është e sigurt. Më në fund dhe unë do të ndryshoj.
Klinti Çollaku (Foto nga facebook)
CMG: E sheh si synim tregun ndërkombëtar?
Klinti Çollaku: Pse jo, e kam menduar shpesh këtë gjë, madje isha në një kompeticion jashtë vendit, por për momentin do fokusohem në Shqipëri derisa të kem një plan më konkret.
CMG:Ti ke mbaruar studimet për menaxhim biznes. Si është marëdhënia jote, sa i takon këtij profili?
Klinti Çollaku: Meqenëse jam marr me muzikë nuk e kam praktikuar shumë, por mendoj se shkolla më ka dhënë shumë aftësi nga ana menaxheriale madje në komunikimin me njerëzit jam rritur shumë. Dikur e kam pasur shumë problem të komunikoja, sidomos sa i përket performancave live apo koncerteve kur na jepnin oferta, ndërsa tani e kam shumë më të thjesht këtë gjë, e bëj me shumë thjeshtësi dhe kam një komunikim mjaft të zhdërvjelltë dhe mbi të gjitha marëdhënie shumë të mira. Shkolla ime sot është më shumë në funksion të muzikës.
CMG: Të falenderoj për bisedën dhe të uroj suksese në vazhdim!
Klinti Çollaku: Faleminderit juve , ishte shumë kënaqësi.
Intervistoi: Sava Lena