Këngëtarja Enxhi Vlashi e ka nisur muzikën që në moshë të vogël. Ajo ka studjuar 8 vite për violinë në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa në adoleshencë e kuptoi se pasioni më i madh i saj ishte kënga. Enxhi ka konkuruar në disa kompeticione në Shqipëri, duke marrë pjesë tre herë në “Top Fest” dhe një herë te “Kënga Magjike”. Ajo ka kryer studimet e larta për drejtësi, por pa u shkëputur nga muzika. Për më shumë se 15 vite Enxhi ka interpretuar live në vende të ndryshme të Europës. Muzika për të tashmë nuk është thjesht pasion, por edhe profesion. Prej një viti ajo ndodhet në Francë, nga ku na tregon se së shpejti do të rikthehet me një projekt të ri muzikor.
CMG: Ti e ke nisur muzikën që e vogël, na trego pak për atë periudhë kur studioje për violinë.
Enxhi Vlashi: Është e vërtetë. Unë e kam nisur muzikën që në moshë shumë të vogël. Në klasën e parë jam spikatur nga mësuesja ime e violinës për një vesh muzikor absolut dhe më pas me dëshirën time dhe shtytjen e madhe të prindërve kam zgjedhur violinën, për të cilën studiova për 8 vite në Shkollën e Muzikës “Jan Kukuzeli” në Durrës.
CMG: Cila ka qenë pjesa e preferuar që interpretoje në atë kohë? A të kujtohet?
Enxhi Vlashi: Të them të drejtën kanë kaluar shumë vite dhe nuk e mbaj mend saktë pjesën që kam luajtur, por mund të them që në një saxho kam interpretuar një pjesë të Beethoven-it. Që nga ajo kohë e shumë vite më vonë mbaj mend që edhe në shtëpi e interpretoja shpesh atë pjesë, si një nga të preferuarat. Kjo më kujtohet mirë.
CMG: Kush e spikati talentin tënd për të kënduar?
Enxhi Vlashi: Nuk mund të them që pati një njeri që e spikati talentin tim. Sigurisht që janë prindërit ata që zbulojnë gjithmonë talentet e femijëve, por nuk është rastësi sepse të gjithë e dinë se mamaja ime ka kënduar për shumë vite. Edhe ajo ka qenë viloliniste dhe ka studiuar në të njëjten shkollë ku studiova dhe unë, pra mendoj se është e trashëguar.
CMG: Të kujtohet kënga e parë që ke kënduar?
Enxhi Vlashi: Mund të them që më duket sikur kam nje jetë që dëgjoj vetëm muzikë, që nga momenti kur kam lindur e deri më sot. Prandaj në mëndjen time janë shumë këngë.
CMG: Ke pasur një violinist apo këngëtar të preferuar në atë kohë?
Enxhi Vlashi: Kam pasur shumë, por këngëtarja ime e preferuar dhe që ia dëgjoja albumin nga mëngjesi në darkë ka qenë këngëtarja italiane Laura Pausini, e cila në ato vite ishte në kulmin e saj të suksesit dhe unë i dija të gjitha tekstet e këngëve të albumit të saj.
CMG: Çfarë kujton nga pjesëmarrja jote e parë në "Top Fest"?
Enxhi Vlashi: Shumë shumë emocion. Ishte kënga ime e parë që merrja pjesë në një kompeticion muzikor dhe ngjitesha në një skenë televizioni. Më kujtohet si sot që dridhesha e tëra nga emocionet e shumta. Në atë kohë isha vetëm 15 vjeç dhe përveç emicioneve njëkohësisht dridhesha edhe nga i ftohti i muajit shkurt.
CMG: Sa sakrifica apo vështirësi ke hasur në rrugëtimin tënd në fushën e artit?
Enxhi Vlashi: Çdo artist mund ta thotë me plot gojën që arti sa i bukur është, po aq ka dhe vështirësitë e tij. Kam hasur shumë vështirësi, kam qarë shumë po ashtu edhe kam qeshur e jam lumturuar nga triumfet e mia. Mund të then që pa familjen time, pa mbështetjen dhe përkrahjen e tyre ndoshta qëllimet e mia në muzikë nuk do t’i arrija aty ku i kam arritur sot. Mendoj që ne artistëve na duhet një mbështetje shumë e fortë nga njerëzit e shpirtit dhe në momentin që i kemi ata pranë, çdo vështirësi që mund të hasim në rrugën e artit kalohet me vështirësi.
CMG: Ti këndon muzikë të lehtë, por edhe popullore. Ku e ndjen veten më mirë?
Enxhi Vlashi: Unë i kam kënduar për shumë vite të dyja zhanret muzikorë edhe vazhdoj t’i këndoj. Në vitet e para kam kënduar muzikë të lehtë, më pas zbulova që edhe popullorja më pëlqente dhe e gjeja veten, kështu që nuk mund t’i veçoj. Ndihem mirë me të dyja dhe më pëlqen vazhdimisht t’i këndoj të dyja zhanret.
CMG: Meqënëse ke studiuar 8 vite në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë për violinë, a ke provuar të luash në violinë ndërsa këndon edhe sot, apo e ke lënë pas dore këtë instrument?
Enxhi Vlashi: Nuk mund të them kurrë që e kam lënë pas dore. Më mungon violina, mund të them që është një peng i imi, për të cilin shpesh herë mendoj se do vijë një ditë, që do ta bëj sërish violinën pjesë të jetës sime.
CMG: Ti je këngëtare, por e diplomuar për drejtësi. Si do jetë e ardhmja jote, do t’i ushtrosh paralelisht të dyja profesionet?
Enxhi Vlashi: Në të vërtetë të dyja profesionet nuk kanë lidhje fare me njëra-tjetrën si shkolla që kam përfunduar studimet dhe profesioni im, sepse edhe muzika është profesioni im tashmë. Paralelisht mendoj që jo. Për momentin kam zgjedhur të merrem me muzikën, por sigurisht që edhe drejtësia ngelet një ndër gjërat që mua më pëlqen shumë prandaj edhe e studiova atë degë. Për momentin do qëndroj tek muzika, më vonë nuk i dihet ndoshta edhe të dyja paralelisht.
CMG: Ti ke kënduar në vende të ndryshme nëpër Europë. Ku ka qenë performanca jote më mbresëlënëse?
Enxhi Vlashi: Nuk kam një vend të cilin mund ta veçoj nga vendet e tjera sepse kudo ku kam kënduar e ku ka pasur shqiptarë unë kam kënduar në gjuhën shqipe, jam ndjerë super e mirëpritur e gjithmonë ngrohtë. Ndoshta mund të veçoj një performancë në Australi, në Melburn. Aty ka shumë shqiptarë dhe jam duartrokitur mjaft ngrohtë. Ai moment do të mbetet gjatë në memorien time.
CMG: CIlat janë planet e tua ? A do të të shohim në ndonjë kompeticion muzikor në të ardhmen?
Enxhi Vlashi: Për momentin mund të them vetëm që po punoj për një kengë të re. Nëse kënga do të jetë pjesë e ndonjë kompeticioni muzikor apo do t’i bashkangjis një videoklip, këtë ende nuk e kam vendosur, por po punoj fort për një këngë të bukur, e cila shumë shpejt do të jetë një surprizë për ndjekësit e mi. U bënë disa vite që nuk kam publikuar këngë të reja dhe publiku jam e sigurt që mezi po pret të dëgjojë diçka të re nga unë.
CMG: Të falenderoj për intervistën. Suksese!
Enxhi Vlashi: Faleminderit shumë dhe ju uroj shumë suksese edhe juve!
Intervistoi: Sava Lena