Këngëtari Aslaidon Zaimaj u bë i njohur për publikun shqiptar gjatë prezantimit të tij, në spektaklin e talenteve të reja “The voice of Albania 4”. Kontaktet e para me muzikën ai i ka pasur që në moshën 8 vjeçare, ku si një adhurues i artistit Michael Jackson, nisi ta imitonte. Por Aslaidon Zaimaj e zbuloi seriozisht dashurinë e tij për muzikën duke dëgjuar më pas me grupin “Nirvana”. Gjatë adoleshencës ai luante në kitarë dhe me disa shokë formoi një grup, me të cilin performonte në ambiente të ndryshme, covera nga Nirvana dhe Green Day, për të vazhduar më vonë me angazhimin serioz për krijimin e këngëve të tyre. Aslaidoni praktikohej vetëm në shtëpi, duke ndjekur këshillat dhe mësime në Youtube. Ishte babai i tij i cili pa dijeninë e Aslaidonit dërgoi një material muzikor të interpretuar prej tij në spektaklin e talenteve “The Voice of Albania 4”, ku i magjepsi të gjithë me vokalin e tij.
Pas performancave dhe sukseseve ishte interpretimi i shkëlqyer i këngës "Bohemian Rhapsody" nga “Queen”, që e bëri publikun të votojë për Aslaidon në finalen e “The Voice of Albania 4”. Pas fitores së këtij talent show, ai mori pjesë në “Top Fest” me një këngë Pop-Rock të krijuar nga Indri Topi dhe Briz Musaraj. Në të njëjtin vit ai mori pjesë dhe në festivalin e 54-të të këngës në RTSH me këngën “Merrmë që sot” me të cilën u vlerësua me çmimin e dytë.
Aslaidon Zaimaj ( Foto personale)
CMG: U bënë 7 vite që nga koha që ke fituar çmimin e madh në “ The voice of Albania”. Si e sheh atë eksperiencë sot?
Aslaidon Zaimaj: "The Voice" mbetet një nga eksperiencat më të bukura të jetës sime. Edhe sot që e mendoj, nuk e di si arrita deri aty . Me fitore ja dola shumë bukur dhe mbi të gjitha me forcat e mia.
CMG: Si janë sot kontaktet e tua me finalistët e atij talent show?
Aslaidon Zaimaj: Mbaj kontakte shumë të mira me finalistët, por edhe me ata që nuk arritën të hynin në finale. I dërgojmë urime njëri-tjetrit apo i tregojmë këngët e reja.
Aslaidon Zaimaj ( Foto personale)
CMG: Pas atij spektakli ti solle në "Top Fest" këngën “Vetëm do ja dal”. Sa ja ke dalë këto kohë vetëm?
Aslaidon Zaimaj: Ja kam dalë mirë vetëm, por po bindem se nuk ja del dot vetëm përherë (qesh). Kemi nevojë për mbështetjen e njerëzve që na duan si familja, shoqëria, etj. Në fund fare vetëm je, vetëm do vendosësh se çfarë do bësh në jetë, por të duhet patjetër dhe mbështetja e njezërve.
CMG: A do të të shohim në të ardhmen në festivale të tjera në vend?
Aslaidon Zaimaj: Përveç pjesëmarrjes sime në "Top Fest" me këngën "Vetëm do ja dal" ku fitova çmimin "Best New Artist", prezantimi im i fundit ka qenë në festivalin e 54-të të këngës në Rtsh, ku u vlerësova me çmimin e dytë. Dëshirën për t’u kthyer në festivalet shqiptare patjetër që e kam, dua shumë që të kthehem edhe një herë për ta përsëritur atë eksperiecë, por nëse vij, dua të kem një këngë të fuqishme. Nuk dua thjesht që të dal në televizor, nuk më intereson kjo gjë, unë do vij kur të jem i sigurt për një material muzikor shumë të mirë dhe dua të vij për fitore. Më intereson fitorja aty dhe arritja ime në Eurovizion.
CMG: Si ka qenë jeta jote artistike gjatë këtyre viteve?
Aslaidon Zaimaj ( Foto personale)
Aslaidon Zaimaj: Ka qenë interesante, fillova të studioja shumë muzikën xhaz, u apasionova shumë me atë muzikë. Kur dëgjova Miles Davis, John Coltrane thashë se kjo është muzikë që nuk e kuptoj ende, sado që jam muzikant. I thashë vetes se duhet të ma kapi veshi edhe këtë muzikë sepse ky është muzikanti i vërtetë. Nuk jam shumë pas imazhit, por pas përkushtimit në muzikë dhe muzikës së vërtetë. Jeta ime ka qenë gjithmonë e mbushur plot me muzikë dhe koncerte këtu në Francë.
CMG: E nise muzikën në Itali, më pas arrite kulmin e suksesit në Shqipëri dhe tashmë ndodhesh në Francë. I ke vendosur prioritet vetes për të arritur suksese edhe aty?
Aslaidon Zaimaj: Nuk i kam vedosur asnjë lloj prioriteti vetes për të arritur suksesin, thjesht dua të vazhdoj të kënaqem me muzikën që bëj. Nuk dua të jem super star, nuk jam ai tip, nuk e kam atë lloj personaliteti që të dal nëpër rrjetet sociale, në instagram apo Tik tok dhe të tregoj gjithë jetën time, nuk i bëj këto gjëra, por e di që një ditë do dal me muzikën time dhe me kompozimet e mia.
CMG: Na trego pak për ecurinë tënde në Francë?
Aslaidon Zaimaj: Në fakt gjithçka ka ecur shumë mirë në Francë, kam 3 vjet e gjysmë që jetoj në qytetin Château, mësova gjuhën për 4 muaj se e kam shumë të thjesht mësimin e gjuhëve të huaja dhe brenda dy muajve arrita të gjeja punë. Me thënë të drejtën më ka ecur shumë mirë, por nuk jam vetëm këtu në Francë pasi këtu kam familjen, dajat, tezen dhe gjyshen të cilët më kanë ndihmuar shumë, dhe pa ta ndoshta nuk do ja kisha dalë vetëm. Më ka ecur shumë mirë, gjeta një kitarist i cili është më i madh se unë, 48 vjeç dhe së bashku krijuam një duo. Ai më ka gjetur koncerte në vende të ndryshme. Shumë njerëz më kanë thënë, të provoj pjesëmarrjen në "The Voice" këtu në Francë, por jam i detyruar t’u shpjegoj se, “The Voice” e kam bërë një herë në Shqipëri, ku u kënaqa vërtetë shumë dhe nuk dua ta përsëris si eksperiencë. Por kam frikë se shokët e mi këtu në Francë mund të më regjistrojnë ndonjëherë, se ma kanë thënë, ashtu siç bëri dhe babai im më përpara në Shqipëri. Kur babi im kishte nisur një këngë timen në konkurrim, unë nuk isha në dijeni për atë.
Aslaidon Zaimaj ( Foto personale)
CMG: Kam dëgjuar materialin muzikor "Coraline", të cilën e ke sjellë me videoklip me “Bad Buddha”. Si janë planet e tua në vazhdim?
Aslaidon Zaimaj: Këngën "Coraline" ka pak kohë që e kam publikuar. Është një kompozim i imi, madje kam dhe shumë kompozime të tjera të cilat i kam realizuar. Kam krijuar një studio në shtëpinë ku jetoj dhe i bëj vetë inçizimet. Të gjitha fitimet, të ardhurat që fitoj nga koncertet dhe interpretimet live, i kam investuar në studio për muzikë. Ajo është një këngë e lezeçme, e vogël, por nuk është nga këngët e mia më të mira. Më pas asaj kënge i realizova një videoklip, ku personazh aty është edhe një shoqja ime. Jam shumë i kënaqur nga rezultati përfundimtar.
CMG: Vokali yt shkon më shumë në gjuhën shqipe, italiane, angleze apo frënge? Dhe ti ku e sheh suksesin më shumë?
Aslaidon Zaimaj: Vokali im shkon më shumë në anglisht, pa asnjë pikë dyshimi dhe suksesin e shoh në gjuhën angleze. Njerëzit më kërkojnë të këndoj në gjuhë të ndryshme, por unë e shoh veten më mirë në gjuhën angleze.
Aslaidon Zaimaj ( Foto personale)
CMG: Çfarë do i thoje publikut që të ka duartrokitur dhe mbështetur që në hapat e tua të para?
Aslaidon Zaimaj: Publikun dua ta falenderoj nga zemra edhe sot, pasi janë po ata njerëz të cilët më kanë mbështetur atëherë, më dërgojnë mesazhe dhe më suportojnë dhe sot. U bënë gati 7 vite që nga koha e "The Voice" si dhe e festivaleve, mendoja se nuk do më ndiqte njeri deri sot sepse nuk i përkushtohem rrjeteve sociale, nuk hedh shumë materiale, se kështu jam unë si tip dhe nuk ndryshoj dot. Ndërkohë ata njerëz janë prapë aty dhe presin nga unë që të vij me ndonjë këngë të re, por u them tani se do ju duhet të presin dhe pak sepse shumë shpejt do publikoj materiale të reja muzikore. Gjithashtu do tentoj të vij sërish në Shqipëri për të marr pjesë në Festivalin e këngës në Rtsh.
CMG: Të falenderoj për intervistën dhe uroj të realizosh të gjitha oblektivat e tua në jetë!
Aslaidon Zaimaj: Faleminderit shumë për intervistën!
Intervistoi: Sava Lena