Stivi Boka është këngëtar i njohur i muzikës popullore dhe sapo ka nxjerrë këngën e tij të re, “Shokët e mi”, me shumë ritëm dhe surpriza në videoklip. Këngëtari e ka nisur punën me këtë produksion që në korrik të vitit të kaluar dhe xhirimet kanë zgjatur si një festë mes miqve. Kohët e fundit ai ka qenë mjaft i angazhuar nëpër koncerte të ndryshme. Në një intervistë për CMG Stivi na tregon për këngën e tij të re si dhe projektet artistike që pret t’i realizoi së shpejti.
Stivi Boka (Foto personale)
CMG: Ju sapo keni publikuar këngën “Shokët e mi”, e cila është pritur mjaft mirë nga pubiku. Si lindi ideja e kësaj kënge?
Stivi Boka: Faktikisht kënga ka disa kohë që ka qenë në studio. Unë pasi publikova këngën që kisha në bashkëpunim me Irkens Hykën, po mendonim se me çfarë projekti do të dilja unë. Kjo këngë më ngjiti më shumë, e këndova dhe më rrinte shumë mirë. Ishte një këngë me tematikë që më pëlqente sepse në krijimet e mia jam duke kapur tematika të ndryshme dhe doja një këngë më gjithëpërfshirëse.
Doli kënga “Shokët e mi”, këngë e bukur që mua më pëlqen shumë dhe që është shumë përfshirëse sepse çdo djalë kur ka një problem do ta diskutojë me shoqërinë e vet. Kënga trajton më shumë trendin shoqëror, marrëdhëniet shoqërore që çdokush i ka në rrethin e vet, dhe këtu përfshihen dhe shoqet që e ndajnë një muhabet. Në videoklip unë kam përfshirë djem dhe vajza ku unë qaj hallin tim në atë darkë ku ishin të ftuar shoqëria.
Stivi Boka duke luajtur ne kontrabas (Foto personale)
CMG: Kush ka punuar për realizimin e kësaj kënge?
Stivi Boka: Bashkëpunëtorët e këngës janë Irkens Hyka, tekstshkrues është Saja (2 Step), miks master është Erion Lleshi i cili është dhe bashkë producent i studios Unix Production dhe klipi është realizuar nga Max Production. Të gjithë këta dua t’i përshëndes dhe falenderoj.
Stivi Boka duke interpretuar (Foto personale)
CMG: Keni një bashkëpunim të ngushtë me producentin Irkens Hyka me të cilin keni realizuar dhe këngë të tjera. Si ka qenë njohja me Irkensin?
Stivi Boka: Me Irkensin është një gjë e çuditëshme sepse edhe pse kemi një diferencë moshe jo të madhe, bashkë kemi qenë në shkollë fillore, nga shkolla fillore gjithmonë e mban mend të madhin, dhe jemi takuar në “X-Factor Albania”, ku Irkensi ka qenë producent dhe vocal coach, ndërsa unë kam qenë me grupin “Exception”. Aty lindi një lloj shoqërie e ngushtë dhe që asaj dite dhe deri sot nuk jemi ndarë dhe thjesht e kemi krijuar një raport familjar dhe vëllazëror, më shumë sesa producent – këngëtar. Pra kemi pothuajse 9 vite që bashkëpunojmë. Ka shumë kompozitorë të tjerë dhe unë i njoh e kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë, por me Irkensin kam një lidhje vëllazërore. Ne kemi shumë marrëdhënie familjare dhe kemi kuptuar gjatë njohjes që jemi shumë të afërt. Me thënë të drejtën është krijuar një lidhje familjare.
Stivi Boka duke lujatur ne kitare (Foto personale)
CMG: Bashkë ju edhe keni kënduar një këngë ku kishit shumë sukses. E kujt ishte ideja e këtij bashkëpunimi?
Stivi Boka: Kënga “Xhane” ka dalë verën e kaluar dhe dua të them që ne në studio i kemi gjërat shumë spontane. Kur e kemi dëgjuar këtë këngë menduam që ta këndonim bashkë me Irkensin dhe klipin e kemi xhiruar në Kosovë. Kjo këngë është pritur shumë mirë nga publiku, ishte një bashkëpunim që mua më dha shumë mbështetje nga ana e Irkensit dhe doli vërtetë bukur edhe pse ishte diçka e momentit.
Stivi Boka gjate nje koncerti (Foto personale)
CMG: Stiv, kohët e fundit keni marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore. Si jeni pritur nga publiku gjatë interpretimeve live?
Stivi Boka: Me thënë të drejtën na kishin munguar këto aktivitete nga periudha e vështirë e pandemisë. Tani pandemia po largohet dhe kufizimet e orarit u hoqën, dhe ne presim data të tjera eventesh. Unë e kam shijuar aq shumë sa që e kam marrë edhe vlerësimin e publikut sepse më kishte munguar. Gjatë periudhës së pandemisë janë bërë shumë pak aktivitete, por shpresoj që tani të ketë sa më shumë të tilla dhe ta marr kënaqësinë e publikut që dhe unë të ndjehem rehat me veten.
CMG: Ju vini nga një familje e njohur artistësh, babai juaj Reshit Boka si dhe motra Olta Boka janë këngëtarë me karrierë të gjatë. Ndoshta ka ardhur momenti që ju tani të tregoni vlerat tuaja artistike?
Stivi Boka: Unë nganjëherë them në shtëpi me shaka që ne jemi treshja braziliane, por ka ardhur koha që tani unë të tregoj vlerat e mia me mbiemrin që ka krijuar babai dhe shoku im i ngushtë Shiti. Karrierën muzikore e vazhdoi Olta që e ngriti në piedestale shumë të mëdha dhe tani stafetën e kam unë që ta vazhdoj dhe ta çoj sa më lart mbiemrin Boka. Është pak e vështirë, por do mundohem me mish e shpirt sepse muzika është një gjë që unë e dua dhe e kam ëndërruar veten që i vogël këngëtar që të prekja skenat e mëdha. Gradualisht Zoti i madh po mi plotëson këto dëshira dhe unë po i prek ngapak.
Stivi Boka gjate nje performance me Reshit dhe Olta Boka (Foto personale)
CMG: Keni përfunduar studimet në Universitetin e Arteve për kontrabas. Sa ju ka ndihmuar shkolla e muzikës në rrugëtimin tuaj si këngëtar?
Stivi Boka: Shkolla e muzikës të jep një formim shumë të përgjithshëm. Unë faktikisht kam studiuar dhe për piano dhe ky instrument ka bërë që të njoh shtrirjen e vokalit tim, të shoqëroj veten duke kënduar. Piano me thënë të drejtën është baza që një këngëtari i duhet dhe i bën shumë punë për të kontrolluar zërin e vet dhe të praktikohet. Kontrabasi është një gjë tjetër dhe shumë njerëz thonë se mund të jetë i lehtë, por kontrabasi është baza e muzikës dhe mua më ka ndihmuar shumë. Tani po mundohem të mësoj dhe kitarën sepse e kam shumë qejf si instrument. Këto instrumenta janë për të mirën time për të shoqëruar veten. Ne e shohim edhe me artistët nëpër botë se këngëtarët e suksesshëm duhet të luajnë në instrumenta.
CMG: Çfarë emocionesh përjetove gjatë interpretimit të këngëve tradicionale shqiptare, tiranase dhe krutane në netët e spektaklit “Këngë Moj”?
Stivi Boka: Unë e kam pritur me dëshirë të madhe ftesën e spektaklit “Këngë Moj” te nata tiranase, sepse unë jam djalë Tirane dhe jam rritur me këngët tiranase. Te nata tiranse doli vërtetë një kolazh shumë i bukur dhe kam përjetuar emocione të veçanta sepse doja që unë edhe pse jam me trendin e muzikës së tanishme, t’ju tregoja dëgjuesve që mund të jem i ri, por këngët e tabanit të Shqipërisë së mesme i njoh sepse unë i kam kultivuar që i vogël nga babai, duke i dëgjuar dhe mësuar.
Stivi Boka ne interviste per CMG
CMG: A mendon se brezi i ri sot është rikthyer te muzika e vërtetë popullore dhe dëshiron t’i dëgjojë dhe këndojë ato bashkë me ju?
Stivi Boka: Faktikisht janë disa këngë të tabanit popullor që janë përçuar nga brezi i vjetër tek brezi i ri dhe janë këngë që nuk do të vdesin kurrë. Unë jo më kot i kam mësuar dhe i kam bërë të vetes sepse edhe të rinjtë i shoh që i duan dhe i kërcejnë këto këngë si në gëzimet familjare ashtu dhe në koncerte. Në daljet e mia me publikun kam parë që i pëlqejnë shumë këngët popullore të vjetra, si ato të Shqipërisë së mesme, të jugut dhe veriut gjithashtu. Këto janë këngë tradicionale tonat, që nuk do shuhen kurrë.
CMG: Keni ndonjë projekt tjetër muzikor së afërmi?
Stivi Boka: Ne faktikisht po prisnim që të mbaronte pandemia sepse nuk është vetëm kjo këngë që unë publikova, por jemi duke punuar me disa projekte të tjera dhe shpresojmë që t’i nxjerrim sa më shpejt dhe publiku t’i pëlqejë. Do të kemi dhe disa projekte të tjera muzikore si dhe bashkëpunime dhe sapo t’i përfundojmë do i publikojmë për publikun e gjerë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për fansat tuaj si dhe dëgjuesit e Radio Ejani.
Stivi Boka: Unë kam një përshëndetje shumë shpirtërore dhe ju uroj të gjithë njerëzve shëndet dhe lumturi, t’i marrin çdo gjë me sportivitet sepse jeta nuk është kaq e lehtë. Zoti ju ruajt të gjithëve!
CMG: Faleminderit dhe suksese.
Stivi Boka: Faleminderit dhe ju për këtë intervistë dhe gjithë të mirat.
Intervistoi: Gazmend Agaj