Rubin Kaso një artist i ri, por shumë i talentuar. Ai ka pasur shumë bashkëpunime me artistë të ndryshëm me interpretime live, kryesisht në kitarë. Rubini është i njohur nga publiku i cili frekuenton jetën e natës, pasi ka mbi një dekadë që interpreton live në lokalet e natës, gjithashtu ka qenë pjesëmarrës disa herë në Festivalin “Top Fest” me grupin e tij muzikor “Phoenix Band”.
Rubin Kaso -Foto personale
CMG: Rubin, ti si fillim je njohur në publik me interpretimet e tua në “Top-Fest” me grupin “Phoenix Band”, me këngën "Shprehje fjalësh" dhe "Zërat". U bë kohë e gjatë që nga ajo kohë, pse ke ndalur me prezantime në kompeticione?
Rubin Kaso: Në “Top Fest” kemi marë pjesë me grupin “Phoenix Band” me Arbrin në tastierë dhe Altioni në vitet 2011-2012 me këngët "Shprehje fjalësh" dhe "Zërat". Më pas muzika rrok nuk u prit shumë mirë në atë periudhë kohe, pasi kaloi në një fazë tjetër kryesisht tek rryma “Hip-hop” dhe bëmë një pushim me grupin.
CMG: Ishte ky momenti kur ti u shkëpute nga grupi?
Rubin Kaso: Jo në atë moment, por më vonë pasi filluam të punonim me Aurela Gaçen, ishim pjesë e bandës së saj muzikore. Djemtë e grupit qëndruan, unë më pas u largova pasi nuk doja të interpretoja vetëm në kitarë, por edhe të perfomoja dhe të interpretoja në instrument.
Rubin Kaso (Foto personale )
CMG: Pas grupit, ti je prej vitesh pjesë e jetës së natës në kryeqytet. Sa vite u bën që ti interpreton si solist?
Rubin Kaso: U bënë rreth 13 vite që interpretoj në skenat e live-t.
CMG: Cili është repertori yt muzikor që këndon shpesh, që e kërkon edhe publiku që të ndjek?
Rubin Kaso: Kryesisht janë këngë të famshme të grupeve të njohur të rrokut si; AC/DC, Guns N’Roses, por edhe këngë të artistëve të njohur si, Aleksadër Gjokës, Ritfolk, etj.
CMG:Ti ke realizuar më shumë se 20 këngë. Si është ecuria për publikimin e tyre?
Rubin Kaso: Si artistët e mëdhenj nëpër botë ashtu edhe në Shqipëri, mendohen shumë përpara se të publikojnë një këngë sepse duan të nxjerrin diçka perfekte. Këngët janë si fëmijët, duhet kujdesi deri në detaje që t’i realizosh në mënyrë perfekte. Kur bindesh edhe vetë që është shumë e bukur, atëherë është gati për t’u publikuar. Ndoshta diku s’më pëlqen një pjesë e tekstit, e cila duhet ndryshuar,etj. Këtë vit e kam ndarë mendjen, do i publikoj dy këngë, të cilat do përpiqem t’i nxjerr edhe me videoklip.
Rubin Kaso (Foto personale)
CMG: Cili ka qenë koncerti apo aktitviteti më i veçantë ku ti ke marrë pjesë?
Rubin Kaso: Ka qenë një aktivitet që kemi bërë në Korçë. Ishte një grup motorristash nga Korça, ku u bë një koncert shumë i bukur te Katedralja, ku kemi interpretuar për rreth 3 orë e gjysmë papushim. Të gjithë njerëzit ishin duke kënduar dhe kërcyer dhe me thënë të drejtën edhe ne nuk na ikej prej aty. I kemi kënduar të gjitha këngët rrok, rrok & roll, bluz dhe ishte një mbrëmje fantastike. Bëhet fjalë përpara pandemisë, kuptohet. Ndërsa tani në periudhën e pandemisë kanë qenë oraret e kufizuara dhe nuk ka pasur shumë momente të zjarrta.
CMG: Ka pasur ndonjë ngjarje të veçantë, për t’u treguar, në klubet e natës ku ti interpreton?
Rubin Kaso: Ka plot ngjarje të bukura gjatë interpretimeve live. Ka pasur momente kur vijnë vajzat, ngjiten në skenë dhe na marrin mikrofonin për të kënduar, ka njerëz që na ftojnë për të kënduar në dasmë, apo na kanë ftuar për të kënduar për shqiptarët në Zvicër. Ka pasur edhe nga ato vajza që na janë hedhur në qafë (qesh).
CMG: A kanë bërë dëme?
Rubin Kaso: E kanë bërë bashkëshorten xheloze (qesh)
Rubin Kaso me familjen (Foto personale)
CMG: Si është jeta jote si rroker dhe familjar?
Rubin Kaso: Bashkëshortja ime Nertila e përballon mjaft mirë, më suporton, më kupton (qesh), por në shumicën e rasteve më ka kuptuar. Kam dhe një djalë të vogël, i cili quhet Diart
CMG: Mendon se ka talent Diarti për muzikë?
Rubin Kaso: Diarti ka filluar të prekë të gjitha instrumentat, të shkojë drejt pianos, baterisë, kitarës. Ai i do të gjitha instrumentat. Ndonjëherë merr mikrofonin dhe më imiton mua duke kënduar.
CMG: Ti prej pak kohësh je pjesë e bandës muzikore në një program televiziv. Na trego pak për këtë eksperiencë tënden?
Rubin Kaso: Po, jam pjesë e bandës muzikore të programit “Whay not” me Roza Latin. Iniciatori që na bëri ftesën ishte Gledi, ai na kontaktoi. I pari ishte bateristi se djemtë kanë qenë dhe herë të tjera në televizione, por për mua ishte hera e parë të këndoja dhe të performoja. Është një eksperiencë e bukur dhe shumë e veçantë dhe më pëlqen.
CMG: Ti Rubin krijon, këndon, i bie shumë bukur kitarës, por në sa instrumenta të tjerë luan?
Rubin Kaso: Di të luaj një këngë në piano, di pak bateri, më pëlqen nuk është se jam profesionist aty, por luaj mirë dhe aty.
Rubin Kaso me djalin (Foto personale)
CMG: Babai yt ka luajtur muzikë, ti gjithashtu, djali yt i vogël ka tërheqje drejt instrumentave. 3 breza artistësh?
Rubin Kaso: Babai im ka qenë instrumentist, I ka pas rënë fizarmonikës dhe këndonte nëpër dasma. Shpresoj që të bëhet dhe Diarti instrumentist që të bëhemi 3 breza artistësh dhe të na nderojë, që ta vazhdojnë traditën tonë familjare me muzikën, por jo të jetojë më muzikën, ose të jetë shumë perfekt për të jetuar me muzikën.
CMG: Do na tregosh për planet e tua në të ardhmen?
Rubin Kaso: Këtë vit e kam ndarë mendjen që do të bëj tre këngë me videoklip. Ky është një premtim për publikun, ndaj fansave, miqve, etj. Shpresoj që fansat të na suportojnë. Por këtu ne kemi një problem gjatë interpretimeve live. Fansat u kërkojnë këngë artistëve, por në momentin kur shkojnë ta dëgjojnë live, u kërkojnë që të këndojnë covera të njohura sepse në shumicën e rasteve njerëzit duan të dëgjojnë, ato këngë që janë mësuar të dëgjojnë gjithmonë.
CMG: Cili ka qenë komenti më i bukur në vendin tënd, në Kolonjë?
Rubin Kaso: Na nderove Kolonjën, bre! (qesh).
CMG: Faleminderit që ishe në intervistë me ne!
Rubin Kaso: Faleminderit juve! Ishte shumë kënaqësi që isha me ju sot.
Intervistoi: Sava Lena
Rubin Kaso ne interviste per CMG (Foto CMG)