Këngëtarja e mirënjohur Ermira Kola, megjithëse i ka munguar për një periudhë skenave muzikore, nuk është tërhequr nga pasioni i saj kënga. Me zërin e ngrohtë dhe të thellë, emri i këngëtares Ermira Kola na sjell gjithmonë ndërmend serenatat e bukura korçare, të cilave u ka qëndruar gjithnjë besnike. Prej disa vitesh ajo ka patur një tërheqje nga daljet në skenë pasi është bërë nënë dhe djali i saj Xhoni ka rrëmbyer gjithë vëmendjen e artistes. Në një intervistë për CMG ajo na tregon për marrëdhënien me muzikën, rikthimin e fuqishëm, por edhe për familjen dhe lidhjen e ngushtë me djalin e saj.
Ermira Kola me koleget e tjera gjate nje aktiviteti muzikor ne Korce (Foto personale)
CMG: Ju keni një karrierë të gjatë artistike. Këndoni serenatat dhe muzikën popullore duke u prezantuar gjithmonë me këngë të tabanit popullor. Si ka qenë karriera juaj në këto vite dhe emocionet që keni përcjellë dhe marrë nga publiku?
Ermira Kola: Sigurisht që pasioni është kënga, jam rritur që gjashtë vjeç me skenën, me profesionistë dhe me punë të mirëfilltë dhe shumë serioze, me muzikë live. Unë jam përpjekur që gjithmonë të sjell këngë që janë të dashura për mua në radhë të parë, por sigurisht edhe për publikun sepse dua të fitoj zemrat e njerëzve dhe të jetë një kënaqësi që ata shijojnë muzikën që muzika jonë popullore të mos humbasë. Sigurisht që në ambientet ku ne punojmë, si live apo në daljet tona në spektaklet televizive, përpiqemi të zgjedhim më të bukurat, më të spikaturat, por pa harruar këngët e vjetra popullore. Fillojmë të nxjerrim dhe ato këngë që t’i sjellim akoma dhe më bukur sipas kohës, por pa e hubur origjinalitetin sepse kjo është shumë e rëndësishme.
Ermira Kola gjate nje spektakli (Fotot personale)
CMG: Gjithmonë i keni qëndruar besnike muzikës tradicionale shqiptare, duke e interpretuar atë pastër dhe bukur. Ju pëlqen origjinaliteti?
Ermira Kola: Faleminderit shumë për vlerësimin, është shumë e vërtetë që unë nuk dua të jem komerciale edhe pse koha ndryshon, por që unë dua që diçka të ngelet edhe pse mund të bëhet pak ndryshim, por jo një ndryshim me themel. Mua më pëlqen origjinaliteti dhe atje dua të qëndroj.
Ermira Kola(Foto personale)
CMG: Gjatë karrierës suaj keni publikuar shumë këngë dhe disa prej tyre janë bërë hite siç është dhe kënga “Cim cim ca”, e cila dëgjohet akoma nga publiku.
Ermira Kola: Ëshrë shumë e vërtetë, dhe ajo këngë tani po bën 17 vjet që ka dalë në treg dhe njerëzit më njohin më shumë me atë këngë dhe është ndër këngët e pëlqyera të publikut. Sigurisht në bashkëpunim me kompozitorin Adrian Hila sollëm një album shumë të bukur. Në album ka dhe shumë këngë të tjera të bukura, të cilat nuk arritëm dot t’i realizonim me videoklipe sepse nuk është e lehtë, por kjo që doli ishte një hit dhe vërtetë shpërtheu në ato vite, por që edhe tani ajo pëlqehet shumë dhe këndohet në çdo ambient.
CMG: Zëri juaj i përshtatet mjaft mirë serenatave, por edhe muzikës popullore të jugut. Ju ku e ndjeni veten më të sigurtë te serenatat apo muzika popullore?
Ermira Kola: Tani si korçare që jam dihet që serenata është ajo që unë kam dëgjuar për herë të parë me veshët e mi dhe në shpirtin tim. Në familjen tonë është kënduar gjithmonë serenata me kitarë në ambientet tona, por edhe muzika popullore më pëlqen sepse ajo i ngre njerëzit në këmbë për të kërcyer. Besoj se të dyja i këndoj, por më duket se jam e përfshirë më shumë te serenatat dhe i këndoj më me qejf, por dhe popullorja më rrëmben sepse është muzikë alegro.
Ermira Kola, (Fotot personale)
CMG: Në daljet tuaja televizive vihet re dhe prezenca juaj skenike ku jeni gjithmonë e qeshur dhe me një luk të veçantë. Sa rëndësi i kushtoni paraqitjes tuaj skenike?
Ermira Kola: Sigurisht që janë pjesë e pandarë e skenës, sidomos për një femër është shumë e domosdoshme, dhe rëndësia ime ka qenë maksimale, por sipas viteve. Gjithmonë në fillimet a mia në ato vite kur kam qenë në lice, u rrita, u zhvillova, këndoja nëpër premierat e estradës profesioniste të qytetit të Korçës. Sigurisht që me aq mundësi unë jam përpjekur që të jap maksimumin.
Ermira Kola,. (Foto personale)
CMG: Ermira ju keni përfunduar studimet për muzikë dhe keni qenë mësuese muzike për disa vite. Si ka qenë raporti me nxënësit në shkollë?
Ermira Kola: Raporti ka qenë i shkëlqyeshëm, sigurisht jo vetëm me nxënësit por edhe me stafin e mësuesve sepse unë kam qenë mësuese në shkolla të ndryshme të Korçës, por dhe të Tiranës ku më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Të them të drejtën kam qenë e priviligjuar, nxënësit gjithashtu më kanë dashur dhe vinin për të kënduar, dhe për mua ishte kënaqësi që të këndoja por edhe ju bëja muzikë.
Ermira Kola ne interviste per CMG
CMG: Vitet e fundit nuk keni qenë dhe aq prezente në skenë, duke pasur një shkëputje të gjatë me publikun, por jeni rikthyer tani në disa performanca. Ju ka munguar publiku gjatë kësaj shkëputje nga skena?
Ermira Kola: Sigurisht që po dhe unë e thashë dhe pak më lart që publiku është oksigjeni jonë dhe nuk mund të këndojmë dot pa publik. Dihet tashmë që unë jam bërë nënë dhe kam një djalë 5 vjeçar dhe përkushtimi im maksimal për fëmijën ka qenë i pakursyer. Mund të them se është dhe pak gabim, por na zunë dhe kohë të vështira si pandemia ku në momentin që Xhoni u bë 3 vjeç, fillova që të bëja diçka por që periudha e vështirë e pandemisë na bllokoi. Gjithësesi unë gjatë kësaj kohe kam pasur ftesa shumë të mira dhe të mirëfillta që i vlerësoj dhe nuk i kam refuzuar, vetëm në ato momente që nuk kam pasur mundësi nuk kam shkuar, sepse kënga është shiprti im, fryma ime dhe nuk mund të jetoj dot pa këngën.
CMG: Çfarë kujtimesh ruani në kujtesën tuaj gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme për koncerte?
Ermira Kola: Unë udhëtimet i kam pasur shumë të kursyera sepse jam pak më shumë familjare, kjo është dhe e metë nga ana ime, por dhe e mirë nga njëra anë sepse i jam përkushtuar familjes. Unë në kohën e vajzërisë nuk kam kursyer asnjë aktivitet jashtë shtetit ku kam marrë pjesë në koncerte në Ukrainë, Palma de Majorka, Greqi si dhe shumë vende të tjera. Kam marrë pjesë në disa aktivitete me ansamblin “Skënderbeu” të drejtuar nga i ndjeri artisti i mrekullueshëm Dhimitër Orgocka. Në momentin që jam martuar dhe jam bërë nënë udhëtimet ishin pak të kufizuara, jo nga bashkëshorti, por nga unë. Kështu që mbaj mend udhëtime shumë të bukura, me një miqësi shumë të bukur dhe me artëdashës që edhe pse nuk e kuptonin gjuhën, na kanë shoqëruar me duartrokitje dhe buzëqeshje, njerëz që e kanë dashur folkun tonë. Unë jam përfaqësuar me muzikën popullore, si të Shqipërisë së mesme apo atë të jugut që unë i këndoj dhe jam mirëpritur mjaft mirë. Jam shumë e kënaqur me jetën artistike që unë kam realizuar deri sot.
Ermira Kola. (Foto personale)
CMG: Kohët e fundit keni pasur disa aktivitete artistike ku më i rëndësishmi ka qenë spektakli televiziv “Këngë Moj”, por së fundi keni marrë pjesë dhe në një aktivitet muzikor në Korçë. Si jeni pritur nga publiku?
Ermira Kola: Koha e pandemisë ishte shumë e vëshitrë dhe ky spektakël ishte një rast i mirë për ne artistët. Unë dua të falenderoj Pandi dhe Bledi Laçon, Adrian Hilën të cilët bënë një organizim të shkëlqyer televiziv, i cili ishte i vetmi kanal telviziv që transmetonte muzikë kur njerëzit ishin të shqetësuar nga problemet dhe ne bënim muzikë duke ju risjellë pak atmosferë në familjet e tyre. Në një ndër netët e spektaklit “Këngë Moj” isha e ftuar edhe unë ku u përfaqësova me këngën “Korça ima” dhe “Manushaqe”, e cila është pëlqyer jashtë mase nga të gjithë njerëzit. Kjo ishte një kënaqësi për publikun, por dhe për mua që dola në skenë, ku përsëri pata një pëlqim nga publiku dhe i rizgjova artdashësit e mi. Ndërkohë që aktiviteti i Korçës ishte një mrekulli sepse unë qëkur jam larguar nga Korça para 18 viteve, kam shkuar me ftesa privatisht, por në teatrin e Korçës ku jam rritur, nuk kam qenë asnjëherë pjesëmarrëse. Mrekullinë e bëri Kozeta Kurti, të cilën dua ta falenderoj sepse na bëri të gjithave ne femrave bashkë. Ne gjithmonë takohemi me ftesa të veçanta, por atë natë ishim të gjitha bashkë dhe me të vërtetë ishte një mbrëmje e paharruar për mua dhe për të gjitha koleget e mia. Ky koncert ishte konceptuar aq bukur dhe sigurisht ishte me muzikë live ku dua të falenderoj dhe muzikantët për seriozitetin dhe punë shumë profesionale që ata bënë. Ajo ishte një natë e veçantë dhe spektatorët mezi na prisnin dhe që një javë para koncertit ishin shitur të gjitha biletat. Publiku na priti me duartrokitje dhe një pjesëmarrje të gjallë. Dua të falenderoj dhe kryetarin e bashkisë të qytetit të Korçës, i cili i dha një mbështetje të veçantë këtij aktiviteti.
CMG: Keni së afërmi ndonjë projekt artistik?
Ermira Kola: Unë që në momentin që Xhoni, djali im mbushi 3 vjeç fillova të lëvizja dhe të merresha me veten dhe projektet. Sigurisht që kam filluar duke ngritur një staf pune, që nga tekstshkruesi, orkestruesi si dhe aktivizimi që të sjell vokalin tim perfekt sepse dhe koha e pushimit ka të metat dhe të mirat e saj. Unë duhet të punoj që të sjell gjëra të bukura, shumë serioze dhe pse jo të vazhdoi suksesi im. Ky është qëllimi i jetës sime në karrierë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Ermira Kola: Unë i falenderoj nga zemra të gjithë ata që më ndjekin dhe uroj që të kemi qëtësi, shëndet, paqe në familjet e tyre dhe sa më shumë duhet të dëgjojmë muzikë për të krijuar qetësi në shpirt dhe të jemi të lumtur.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese në vazhdimësinë e karrierës suaj artistike.
Ermira Kola: Faleminderit shumë nga zemra dhe ju uroj dhe juve të keni shëndet dhe suksese në punën tuaj kaq të bukur dhe dinjitoze.
Intervistoi: Gazmend Agaj